BallinaKryesoreKritikohet ashpër platforma e Prishtinës për dialog me Serbinë

Kritikohet ashpër platforma e Prishtinës për dialog me Serbinë

Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës, përkundër opozitës, procedoi platformën për dialog me Serbinë. Ndërkohë një deklaratë e ministrit të Jashtëm gjerman Heiko Mass, gëzon Haradinajn e nervozon Vuciqin.
Kritika të ashpra i janë bërë platformës së dialogut me Serbinë në Komisionin për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës, platformë kjo që megjithatë pa përkrahjen e komisionit, u procedua për në kryesi që të caktohet një datë për seancë plenare ku platforma pritet të merr ose jo, miratimin. Platforma e dialogut është hartuar nga ekipi negociator i Kosovës, ku nuk marrin pjesë partitë opozitare, lëvizja Vetëvendosja dhe LDK-së. Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Vjosa Osmani, që vjen nga partia opozitare LDK-së, tha se në parimin e katërt të platformës së dialogut thuhet se “do të shqyrtohen të gjitha çështjet e hapura me Serbinë”, që do të thotë sipas saj se “çështje e hapur është territori i Kosovës”.

Vetëvendosja: Të ndalet presidenti Hashim Thaçi të mos të bëjë shkëmbim të territorit

“Pra rezultati që e kemi para nesh është një dokument që as nuk e mbron territorin e Kosovës dhe rrjedhimisht nuk e mbron pavarësinë dhe shtetësinë e saj”, tha Vjosa Osmani, që kryesonte mbledhjen e komisonit me plot tension në debate ndërmjet anëtarëve të pozitës dhe opozitës. Kritikat e lëvizjes Vetëvendosja u adresuan te Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili vazhdon të këmbëngulë për një marrëveshje me Serbinë ku mund të flitet edhe për “korrigjim territori’. Glauk Konjufca shef i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, tha se “nëse në shtetin e Kosovës, ka nevojë për ndonjë platformë, ajo do të duhej të ishte, një platformë sesi të ndalet presidenti Hashim Thaçi që të mos të bëjë shkëmbim të territorit të Kosovës me Serbinë”.

“Presidenti nuk përfaqëson politikë të vetën, kokë më vete, të cilën e zbulon vet si politikë të jashtme të Kosovës. Ai e përfaqëson politikën e jashtme të Kosovës, të definuar nga Parlamenti dhe të artikuluar në Kushtetutë. Gjithçka që presidenti shkon përtej kësaj në formulimin e politikës së jashtme, ta dini që e ka shkelur Kushtetutën”, thotë Glauk Konjufca. Deputetët e tjerë që vijnë nga partitë politike në pushtet, pjesë e komisionit thanë se Kosovës në këtë moment i duhet uniteti politik dhe të flasë me një zë në raport me Serbinë.

Platforma për dialog

Në fillim të këtij muaji, Kuvendi i Kosovës me shumicë të thjeshtë më 61 vota pro, ka votuar në parim Projektligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Serbisë. Një javë më parë hartoi edhe platformën e dialogut, por, e cila akoma nuk ka marrë besimin e parlamentit.

Në këtë platformë Prishtina zyrtare e ka vënë një kusht për t’u përfshirë në dialogun për marrëveshjen finale me Serbinë. Kushti i saj është që përpara se të ulet në tryezën e bisedave në Bruksel, “do zotimin paraprak të delegacionit serb se e ka autoritetin që të bjerë dakord për njohjen e shtetit të Kosovës”. Platforma e Prishtinës që ka 11 parime paraqet edhe qëndrimin zyrtar të shtetit të Kosovës për dialogun, ku thuhet se “marrëveshja përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e detyrueshme duhet tё jetë e çartë dhe pa dykuptimësi”.

Parimi i parë i platformës, thekson se “qëllimi kryesor i Republikës së Kosovës është që nga Republika e Serbisë të sigurojë njohjen dhe pranimin e qartë të sovranitetit të Kosovës, si shtet i pavarur, me zotime ligjërisht të detyrueshme”, duke vazhduar më tej se “nuk do të ketë marrëveshje për asgjë deri sa të mos ketë marrëveshje për gjithçka”.

Tek udhëheqësit më të lartë të institucioneve, ka dallime sa i përket qasjes së Kosovës në dialog dhe taksës së vendosur nga qeveria për produktet e Serbisë e që është bërë mollë sherri për ndërprerjen e dialogut. Serbia nuk po pranon që të rinisië dialog me Kosovën, pa u hequr taksa.

Haradinaj: “Kufijtë e Kosovës nuk do të lëvizin”

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nga ana e tij, tha të hënën se taksa “ndaj mallrave serbe po e pengon formalizimin e ndarjes së Kosovës”, ndërsa kritika adresoi te një pjesë e politikanëve të Kosovës dhe Brukselit të cilët, sipas tij, “dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë e kanë shndërruar në dialog për territore”.

“Njëzet vjet pas çlirimit dhe kur po hyjmë në dekadën e dytë të pavarësisë, dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u devijua nga disa çarqe në Kosovë e Bruksel duke e shndërruar në dialog për territore”, tha kryeministri Haradinaj në një akademi perkujtimore, duke ritheksuar se “kufijtë e Kosovës nuk do të lëvizin”.

Vendosmëria për të qëndruar në të drejtën e Kosovës së 17 shkurtit, është rreshtimi në anën e drejtë të historisë dhe ne po ashtu me veprimin për të bllokuar mallrat e Serbisë, pra taksat 100 për qind, është po ashtu veprim që pengon formalizimin e një ndarjeje”, tha kryeministri Ramush Haradinaj.

Ramush Haradinaj, pas kësaj, në profilin e tij publikoi një deklaratë nga një intervistë dhënë medies gjermane të shefit të diplomacisë gjermane Heiko Mass, i cili shpreh mbështetjen për Kosovën. Haradinaj shkruan: “Jam i lumtur që të ndajë me ju deklaratën mbështetëse që vjen nga Gjermania mike, për reformat e ndërmarra shtetërore. Në intervistën e dhënë për gazetën gjermane “Stuttgarter Nachrichten”, kushtuar Kosovës, ministri i jashtëm gjerman Heiko Maas e ka vlerësuar lart angazhimin e Qeverisë së vendit tonë duke thënë se “Reformat, të cilat janë kryer atje janë mbresëlënëse dhe kjo duhet të pranohet”. Ky është edhe një rikonfirmim se mbështetja e parezervë e Gjermanisë për Kosovën është rezultat i partneritetit të ngushtë e të sinqertë me shtetin gjerman, si dhe është vendimtar për procesin e liberalizimit të vizave dhe rrugën europiane të Kosovës”, shkroi kryeministri Haradinaj. E deklarata e shefit të diplomacisë gjermane nuk i ka pëlqyer Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuciq, i cili e interpreton në këtë mënyrë: “Deklarata e kreut të diplomacisë gjermane Heiko Mass se ai do të vazhdojë të mbështesë Prishtinën pa marrë parasysh taksat për mua është një zhgënjim i madh”, tha Vuçiq.
Çështja e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në muajt e fundit u përfshi në diskursin publik të Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuciq dhe Presidentit të Kosovës Hashim Thaci. Vuçiq, që deklaron për vendosjen e një kufiri me Kosovën, nënkupton shkëputjen e veriut të Kosovës dhe bashkimin e saj me Serbinë, ndërsa, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi angazhohet siç thotë për “korrigjimin e kufijve”, apo demarkimin e tyre, duke kërkuar që Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës. E këto ide po vazhdojnë të kundërshtohen ashpër në Kosovë, më se shumti nga kryeministri, Ramush Haradinaj. E Presidenti Hashim Thaçi, thotë se është momenti i duhur për një marrëveshje gjithpërfshirëse me Serbinë që duhet të ndodhë këtë vit, në të kundërtën sipas Presidentit Thaçi, rajoni mund të destabilizohet. Bekim Shehu DW

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular