BallinaKryesoreGjergj Kastrioti udhëheqës legjendar i popullit shqiptar

Gjergj Kastrioti udhëheqës legjendar i popullit shqiptar

Nga Martin DEDAJ

Luftrat heroike që shqiptarët zhvilluan në shekullin e XV-të, nën udhëheqien e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skëndërbeu ishin për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga pushtuesit e egër osmanë, që kërcënonin gjithë zhvillimin dhe qytetërimin e arrtitur deri atëherë, nga breza të tërë shqiptarësh me punë, djersë dhe sakrifica shekullore. Për mëse një shekull, breza me radhë u përfshinë në një luftë të gjatë e të pabarabartë, më perandorinë osmane, njërën nga fuqitë më të mëdha politike dhe ushtarake të kohës, duke lënë pas ndër shekuj një shembull të shkëlqyer e me vlerë të pakrahasueshme të ardhur deri në ditët tona, atë të luftës së paepur për liri dhe pavarësi kombëtare, e të parëve tanë brenda të cilave ishte gatuar ashti i qëndresës antiosmane.
Për një komb të etur ndër shekuj për liri dhe pavarësi “Moti i Madh” i Arbërit, siç është cilësuar në letërsi koha e Gjergj Kastriotit-Skendërbeut, si epokë luftrash vigane për mbrojtjen e atdheut, nuk ka qenë dhe nuk mund të jetë thjeshtë dhe vetëm një ngjarje që i përket vetëm historisë, por një epokë që ka transmetuar ndër shekuj një shembull të shkëlqyer, dhe frymë të fuqishme krenarie dhe ndjenje kombëtare dhe atdhetare të flaktë.
Padyshim që, një vend nderi në këtë shekull nderi dhe lavdie për shqiptarët, i takon udhëheqësit legjendar të popullit shqiptar, Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skëndërbeu, i cili, në rrjedhat e historisë tonë kombëtare, ka shkruar një epokë ndër më të lavdishmet e popullit tonë, luftën një shekullore kundër pushtimit osman (që daton nga fundi i shek. XIV-të dhe deri në fundin e shek. XV-të). Nën udhëheqjen e tij, lufta e shqiptarëve u ngrit në një shkallë më të lartë e më të organizuar dhe shënoi një kthesë vendimtare në zhvillimin politik të Shqipërisë, që sintetizon një epokë të tërë historike, që mori emrin e tij: “Epoka Skendërbegiane”.
Gjergj Kastrioti-Skënderbeu (6 Maj 1405 – 17 janar 1468) ishte përfaqësuesi më konseguent dhe më i shquar i elitës drejtuese shqiptare, që udhëhoqi me vendosmëri frontin e luftës së shqiptarëve kundër pushtuesve osmanë. Ai realizoi të parin bashkim të shqiptarëve, Lidhjen Shqiptare të Lezhës, e cila hapi rrugën e krijimit të shtetit të pavarur shqiptar, themeluesi i të cilit u bë vetë ai.
Gjergj Kastrioti i përkiste familjes së Kastriotëve. Ai lindi më 6 Maj të vitit 1405 dhe ishte djali më i vogël i Gjon Kastriotit e princeshës Vojsava, dhe fëmija i fundit midis 4 djemve dhe 5 vajzave. U mor peng si nizam në vitin 1421 dhe u dërgua në oborrin e Sulltanit në Adrinopojë, ku spikati për zgjuarsi dhe shkathtësi të jashtëzonshme, gjë e cila bëri të mundur që ta shkollonin në shkollën e Sulltanit (içogllonëve) e cila përgatiste komandantë ushtarakë dhe nëpunës për administratën turke, ku dhe mori emrin: Iskënder (Aleksandër).
Pas mbarimit të shkollës, Gjergj Kastrioti (Skënderi) kreu detyra ushtarake në disa vende të Ballkanit dhe në Azinë e Vogël, ku u dallua për trimëri të madhe. Pikërisht për këtë arsye i’u dha titulli bej (princ ose fisnik) pra Skënderbeg, që do të thotë Aleksandri princ ose Aleksandri fisnik. Pavarësisht titujve dhe gradave që mori falë zotësive të tij, ai kurrë nuk e harroi vendin e tij të dashur dhe priste nga momenti në moment dhe me padurim rastin, që të kthehej në tokën që e lindi. Pas kthimit në Shqipëri, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu me bindje dhe siguri të plotë se i shërbente Atdheut dhe interesave të tij, si dhe ndjenjave që ushqenin masat popullore shqiptare të kohës, nisi veprimtarinë e tij politike, duke u bërë shumë shpejt një udhëheqës popullor dhe strateg mjaft i zoti.
Gjergj Kastrioti-Skendërbeu spikati që në hapat e parë të veprimtarisë së tij, si një nga udhëheqësit dhe strategët më të shquar të luftës anti-osmane, burrë shteti e organizator i talentuar, që e udhëhoqi popullin shqipëtar në një nga periudhat më të rënda të historisë tonë kombëtare. Vendi dhe roli i tij në histori lidhet me kthesën që shënoi në zhvillimin dhe luftën që ai bëri me pushtuesët osman, duke lënë kështu një gjurmë të pashlyeshme dhe të përjetshme, në ndërgjegjen kombëtare shqiptare. Kujdes të veçantë Skënderbeu i kushtoi ruajtjes së burimeve të brendshme ekonomike, tek të cilat u mbështet lufta. Duke fuqizuar mbrojtjen në brezin kufitar, në lindje e në jug, ai i dha mundësi banorëve të viseve të lira të zhvillonin një veprimtari ekonomike deri diku normale. Krahas mbrojtjes së vendit, Skënderbeu i kushtoi vëmendje çlirimit të viseve të pushtuara që ndikoi në formimin e mëtejshëm të lidhjeve me banorët e këtyre viseve dhe në forcimin dhe bashkimin e të gjithë popullit shqiptar.
Aftësitë e Skënderbeut si burrë shteti spikatën edhe në marrëdhëniet me vendet e tjera. Duke e patur të qartë se rrezikut osman mund t’i bëhej ballë me sukses vetëm me forca të bashkuara, Skënderbeu kërkoi pareshtur edhe pjesëmarrjen e vendeve evropiane në luftë kundër armikut të përbashkët. Në kushtet e pabarazisë së theksuar ndërmjet forcave osmane dhe atyre shqiptare, Skënderbeu përpunoi strategjinë dhe taktikën e tij luftarake, në bazë të së cilës qëndronte mendimi se fitorja nuk mund të varej nga numri i ushtarëve. Ai e mbante armikun në alarm të përhershëm, i priste rrugën e fuqizimet dhe, pasi e kishte futur në kurth, e godiste me sulme të fuqishme e të befasishme.
Pushtimi Osman kishte cënuar njëherësh gjithë klasat dhe shtresat e ndryshme të shoqërisë shqiptare në të gjitha krahinat shqiptare. Me shkatërrimet që ky pushtim kishte sjellë dhe veçanarisht në valën e parë të pushtimit, vrasjet në masë të popullsisë etj, ky pushtim i kishte dhënë një goditje shumë të rëndë gjithë zhvillimit ekonomik, politik, shoqëror dhe kulturor të arritur deri në atë periudhë. Pasojë e drejtpërdrejtë e këtyre inkursioneve të egra që kërkonin të thyenin me zjarr e panik qëndresën e vendit, ishte rënia me shpejtësi e disa qyteteve (deri atëherë qendra të rëndësishme prodhimi e shkëmbimi), shpërnguljet dhe lëvizjet e popullsisë nga vise të ulta në viset e brendëshme malore të vendit, si dhe lëvizjet e para përtej detit etj. Në valën e këtij rrënimi të përgjithshëm, ishin shkatërruar gjithashtu vlera të mëdha të kulturës materiale dhe shpirtërore të popullit të krijuara në rrjedhat e shekujve përgjatë ravës së gjatë dhe plot sakrifica të historisë së popullit shqiptar.
“Nuk duhet harruar fakti se përpara pushtimit turk, Shqipëria kishte: Një Universitet në vitin 1380 në Durrës. (Ndërkohë që Gjermania e ka hapur universitetin e parë, 6-vjet pas Durrësit (Heidelberg University); Gjashtë qytete si, Durrësi, Shkodra, Drishti, Lezha, Berati dhe Preveza, plotësisht të zhvilluara po aq sa Firence, Venecia, Marseja apo Parisi; Klasën aristokratike me 8 familje bujarësh (Balshajt, Topiajt, Muzakajt, Kastriotët, Arianitët, Zebenishtët, Shpatajt dhe Dukagjinët) të lidhura në martesë deri edhe me Habsburg-ët dhe Bourbon-ët; Filozofët humanistë, që me idetë e tyre gjeniale, ishin këshilltarë të familjeve perandorake në Hungari, Itali dhe Austri. ( si: Gjon Gazulli, Pal Engjëlli, Leonik Tomeo dhe Gjon Durrsaku); Statuset e qeverisjes me demokraci, ku qytetet tona kishin statute dhe qeveriseshin me Demokraci (ndërkohë që Amerika p. sh. qeverisej nga Indianët Cheroki apo fiset Azteke që pinin ende gjak njeriu dhe jetonin si kanibalë); Intelektualizëm të lartë, ku në Durrës kemi të dokumentuar në shekullin e XII-të, për herë të parë notën e protestës së një Metropoliti Ortodoks, i cili i shkruan Kostandinopojës, kundra skllavërisë, 300-vjet përpara se në Evropë, të fillonte si debat; Tregëti të zhvilluar, saqë në Durrës bëhej tregti deri edhe me Tunizinë, Ukrainën dhe me Francën, që në shek. V-VII-të. (ndërkohë që p. sh. vendet skandinave jetonin ende duke adhuruar pemën apo malin); Kardinalë, ku Kisha e Shqipërisë kishte nxjerrë Kardinal (dhe të kishe Kardinal në atë kohë nuk ishte gjë e vogël), etj”. (1) Dorian.H
Rreziku i pushtimit Osman kishte vënë në lëvizje gjithë zotërinjtë feudalë shqiptar (Balshajt, Topijajt… etj) por përpjekjet e tyre për të organizuar qëndresën dhe mbrojtjen e vendit nuk patën sukses, ashtu si dhe kualicionet e ndryshme ballkanike të organizuara gjatë asaj periudhe në vitet 1371, 1389, 1396., “fat” të cilin e pësuan edhe kryengritjet e mëdha popullore që shpërthyen në mbarë vendin në vitet 30-të, të shekullit të XV-të, nën udhëheqien e Gjon Kastriotit, Gjergj Aranitit dhe Andrea Topisë, për shkak të pushtimit osman të vendit, si dhe zbatimit nga ana e pushtuesëve të regjimit feudal ushtarak të timarëve.
Për syrin e mprehtë të një ushtaraku dhe strategu të dorës së parë si Gjergj Kastrioti Skendërbeu, i cili njihte mirë forcat dhe mundësitë që kishte armiku, si dhe shkaqet e disfatave që kishin pësuar deri atëherë shqiptarët, nuk ishte e vështirë për të kuptuar se çfarë kishte ndodhur dhe do të ndodhte. Prandaj hapi i parë dhe më i rëndësishmi, që ai mori ishte thirrja me iniciativën e tij, i një kuvendi të përbashkët e të gjithë princërve shqiptar dhe krerëve të vendeve malore, në Lezhë më 2 Mars të vitit 1444, ku u morën vendime me rëndësi të madhe historike për zhvillimin e mëtejshëm të luftës. Për herë të parë në historinë politike të tokave shqiptare, të gjithë prijësit e krahinave të ndryshme të vendit, që deri atëherë kishin bërë një jetë politike të pavarur e me interesa të ngushta, të shtyrë nga ndjenjat që ushqenin masat popullore për liri dhe pavarësi, u bashkuan në luftë të përbashkët kundër pushtuesëve osman, duke formuar një organ po ashtu të përbashkët, që ka hyrë në histori me emrin: “Lidhja e Lezhës”, që zgjodhi kryetar të saj dhe komandant të përgjithshëm të ushtrisë shqiptare Gjergj Kastriotin.
Pavarësisht se kjo lidhje kishte karakterin e një aleance politike dhe ushtarake për mbrojtjen e vendit, ku Gjergj Kastrioti Skendërbeu kosiderohej “si i parë midis të barabartëve”, ajo shënonte një hap të rëndësishëm përpara për kapërcimin e përçarjes feudale. Me vendimet e saj në momentet më të vështira të luftës, “Lidhja e Lezhës” hodhi themelet e bashkimit kombëtar shqiptar, në luftë për mbrojtjen e vendit dhe krijoi premisa të favorshme për formimin e një shteti të përqëndruar feudal në duart e Gjergj Kastriotit-Skendërbeut. Nën udhëheqjen e tij lufta antiosmane në Shqipëri, mori karakterin e një lufte të gjërë e të organizuar popullore, e cila u bë faktor i fuqishëm i bashkimit për mbrojtjen e qytetërimit nga vala shkatërruese e pushtimit osman. Përmasat e kësaj lufte i ka përshkruar mësë miri kalorësi anglez Xhon of Njuport, që kishte shërbyer si vullnetar në ushtrinë e Gjergj Kastriotit Skendërbeut”, kur ndër të tjera në kujtimet e tij të vitit 1456-të, shkruan se; “Invazioni i Evropës është i sigurtë, sepse s’ka fuqi tjetër që mund ta bëjë këtë, po të bjerë kështjella shqiptare”.
Epoka e Skënderbegiane e shekullit XV-të dhe vetë figura e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut ndikoi fuqishëm në jetën shpirtërore të shqiptarëve dhe për rritjen e vetëdijes kombëtare të tyre. Të frymëzuar prej tyre, intelektualë të shquar shqiptarë, i pasqyruan dhe i përjetuan ato në vepra historike monumentale, kohë e cila shënon njëherësh edhe fillimin e jetës së vet të historiografisë shqiptare. Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ishte përfaqësuesi më konseguent dhe më i shquar i elitës drejtuese shqiptare, që udhëhoqi më vendosmëri frontin e luftës së shqiptarëve kundër pushtuesve osmanë.
Shqipëria me prestigjin e madh të fituar në luftën e paepur antiosmane, nën drejtimin e Gjergj Kastriotit-Skendërbeu, u përfshi në të gjitha përpjekjet që hartoheshin në Evropë për organizimin e kualicioneve dhe projekteve të ndryshme, por fatkeqësisht asnjëri prej këtyre projekteve plot zhurmë nuk mundi të realizohej, për shkak të mosbesimit të plotë dhe politikës egoiste e dritëshkurtur që zhvilloheshin kryesisht ndërmjet shteteve fqinj. Për rrjedhojë të vetëm në luftrat e tyre vigane, mbështetja në forcat e veta mbeti për shqiptarët kusht vendimtar dhe rrugë e vetme për mbrojtjen e vendit. Besimi i patundur në fitore u bë një forcë e madhe mobilizuese, që i shumëfishoi forcat dhe energjitë, duke i dhënë shkas shpërthimit të një heroizmi të gjërë masiv e popullor, që ngjalli tmerr tek armiqtë, gjë të cilën e dëshmojnë shprehimisht në shumë raste edhe kronikanët e ndryshëm osmanë.
Shqipëria me prijësin e saj të lavdishëm Gjergj Kastrioti-Skënderbeun, mbeti për dekada me radhë, një bastion i sigurtë i lirisë në Ballkan, duke fituar admirimin dhe respektin e gjithë vendeve dhe popujve të Evropës. Humanistë të shquar dhe luftëtarë e burra të shquar të kohës e vlerësuan në mënyrë të veçantë kontributin e madh të shqiptarëve, nën udhëheqjen e prijësit të tyre legjendar, në mbrojtjen e qytetërimit evropian nga vala e egër shkatrrimtare të pushtuesit osman, që vinte nga lindja e prapambetur e njerëzve të etur për pushtet dhe sundim në ballkan.
Gjergj Kastrioti-Skendërbeu, ka qenë është dhe do të mbetet në histori si luftëtar, si gjeneral, si njeri me principe dhe me ideale të larta, që ishte personaliteti më i madh politik dhe ushtarak i kohës së tij. U njoh si komandant i të gjitha fiseve Shqiptare dhe mbrojtës i Krishtërimit. Arriti të ndalonte për 25-vite me rradhë përhapjen e hordhive turke në Ballkan pa humbur qoftë edhe një betejë. Me luftën e tij heroike arriti të fitonte admirimin e të gjithë Evropës Kristiane, ndaj dhe u pagëzua edhe si: “Atlet i Krishtërimit”.
Në Shqipëri, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu është një legjendë, imazhi i vërtetë i një heroi, një gjysëmperëndie që gjithëmonë ndodhej në vijën e parë të luftës, që kurrë nuk nguroi të sakrifikonte jetën e tij për idealet e tij, për ato që ai besonte, për atdheun dhe bashkëluftëtarët e tij. Sot në Shqipëri kujtimi i tij është mjaft i gjallë, dhe kështu në nder të tij, që nga dita kur ai vdiq, mbiemri i tij u kthye ne emër nderi për djemtë. Dhe kështu njerëzit emërtojnë fëmijët e tyre me emrin Gjergj, në mënyrë që këta fëmijë ti ngjajnë këtij heroi. Për këtë në trojet shqiptare është një nder të quhet dikush Kastriot, por edhe një përgjegjësi e madhe, që të mund ta nderojë dikush këtë emër në çdo moment. Skënderbeu u shndërrua në simbol të luftës për liri e pavarësi dhe mbeti një figurë e dashur për shqiptarët. Kujtimi i tij ka mbetur gjithnjë i gjallë nëpër këngët, gojëdhënat e tregimet e shumta popullore që i dhanë atij tiparet e një figure legjendare.
Historia jonë kombëtare e ka të skalitur Gjergj Kastriotin, si emblemën e figurave kombëtare shqiptare më të spikatur dhe më popullore, i njohur brenda dhe jashtë trojeve amtare shqiptare, dhe i kthyer në një figurë ndër të rrallat në histori, për të cilin janë shkruar qindra vëllime në gjuhë të ndryshme, nga autorë vendas dhe të huaj. Me veprën e tij të lavdishme ai bëri për vete shumë historianë e filozofë, shkrimtarë e poetë, piktorë e skulptorë, krijues e letrarë të kohërave dhe vendeve të ndryshme.Vepra dhe figura e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut kishte përmasa dhe rëndësi evropiane. Ai u vlerësua lart nga personalitetet e shquara evropiane të kohës. Këtë e dëshmon edhe fakti së për këtë figurë epokale shqipare, është shkruar një literaturë e shumëllojshme, prej qindra vëllimesh, të botuara në shumë gjuhë, dhe në të katër anët e botës.
Ndërsa Ministria e Kulturës përmes Institutit të Monumenteve të Kulturës, në 575-vjetorin e Lidhjes së Lezhës, së 2 Marsit të vitit 1444, pengon Bashkinë e Lezhës, të vendos në sheshin kryesor të qytetit, që mban emrin e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti, shtatoren e tij të realizuar enkas pas një konkursi mbarëkombëtar të realizuar në vitin mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit, dhe lartësuar këtë datë të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, që meriton të jetë festë kombëtare përpara shumë festave të tjera si fjala bie; 14 Marsi “Dita e Ballokumeve”, 22 Marsi “Dita e Novruzit”, 1 Maji “Dita e punëtorëve” etj.

Lezhë më, 02 Mars 2019

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular