BallinaKryesoreShpallen vendet vakante në Kushtetuese, Presidenti Meta fton gjyqtarët të aplikojnë (kushtet)

Shpallen vendet vakante në Kushtetuese, Presidenti Meta fton gjyqtarët të aplikojnë (kushtet)

Presidenti Ilir Meta ka dekretuar sot hapjen e proceduarave të aplikimit për vendet vakante për gjyqtar pranë Gjykatës Kushtetuese. Kreu i shtetit fton cilindo kandidat që plotëson kriteret të aplikojë për plotësimin e vakancës së plotë, e cila krijohet pas 25 marsit.

Në dekretin e Metës janë pasqyruar të gjitha kriteret, që një kandidat duhet të përmbush për t’u bërë pjesë e institucionit, i cili luan rolin e ‘rojtarit’ të Kushtetutës së vendit.

Njoftimi i plotë:
SHPALLJE PËR HAPJEN E PROCEDURAVE TË APLIKIMIT PËR VENDIN VAKANT GJYQTAR NË GJYKATËN KUSHTETUESE (VAKANCË E PLOTË)

Presidenti i Republikës, në mbështetje të nenit 93, 125, 127 pika 1/b, 3, 179 pika 2 të Kushtetutës, si dhe të neneve 7,7/a, 7/b, 86 pika 4 shkronja “c”, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, si dhe referuar shkresës nr. 79 prot., datë 25.02.2019 të Gjykatës Kushtetuese, me të cilën njoftohet se më datë 25.05.2019 në Gjykatën Kushtetuese do të krijohet një vakancë e plotë, për shkak se kjo datë konsiderohet rregullisht si moment i përfundimit të mandatit 9-vjecar që do të mund të ushtrohej nga ish-gjyqtarja e kësaj gjykate znj. Altina Xhoxhaj apo nga gjyqtari që plotëson vakancën e parakohshme pas shkarkimit të saj, Presidenti i Republikës me cilësinë e organit të emërtesës dhe me qëllim plotësimin e “Vakancës së plotë”, të krijuar në Gjykatën Kushtetuese, me Dekretin nr. 11133, datë 04.03.2019, ka miratuar:

Shpalljen e procedurës së aplikimit për emërim gjyqtari në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, me qëllim plotësimin e “Vakancës së plotë”, që krijohet më datë 25.05.2019.
Presidenti i Republikës fton:

Çdo person të interesuar që plotëson kushtet dhe kriteret e parashikuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, nenin 7/a të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, të marrë pjesë në këtë procedurë të konkurrimit të hapur publik, për vakancën e mësipërme, për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese dhe të paraqesë pranë Institucionit të Presidentit të Republikës:

– Kërkesën për shprehjen e interesit për të kandiduar për vendin vakant të shpallur;

– Jetëshkrimin, me të dhënat e plota të kontaktit (adresë, numër telefoni/e-mail);

– Fotokopje të kartës së identitetit;

– Dokumentacionin shoqërues nëpërmjet të cilit vërteton përmbushjen e kushteve dhe kritereve të përcaktuara në nenin 7/a të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

– Formularin e vetëdeklarimit të plotësuar dhe nënshkruar sipas përcaktimeve të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”. Formulari i vetëdeklarimit, është i publikuar në faqen kryesore të Institucionit të Presidentit të Republikës.

– Formularin e aplikimit të plotësuar “Për informim përpara emërimit/zgjedhjes në poste të larta”, në përputhje me parashikimet ligjore të nenit 29, të ligjit nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, formular ky i cili është i publikuar në faqen kryesore të Institucionit të Presidentit të Republikës.

– Listën e dokumentacionit që dorëzohet bashkëlidhur kërkesës të nënshkruar nga aplikanti.

Për lehtësinë e të gjithë aplikantëve, me qëllim plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm, më poshtë gjeni të botuar përmbajtjen e nenit 125, pika 4 e 5 të Kushtetutës dhe nenit 7/a të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, ku parashikohen kushtet dhe kriteret për emërimin e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese,

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë
Neni 125

Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese duhet të kenë arsim të lartë juridik, të paktën 15 vjet përvojë pune si gjyqtarë, prokurorë, avokatë, profesorë ose lektorë të së drejtës, nëpunës të nivelit të lartë në administratën publike, me një veprimtari të spikatur në fushën e së drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose në sfera të tjera të së drejtës.
Gjyqtari nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike në administratën publike ose pozicione drejtuese në një parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit. Kritere të tjera, si dhe procedura për emërimin dhe zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese rregullohen me ligj.
Ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.
Neni 7/a

Kriteret dhe kushtet e emërimit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese

Gjyqtari i Gjykatës Kushtuese mund të zgjidhet shtetasi shqiptar që përmbush këto kushte:
a) të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
b) të ketë mbaruar arsimin e lartë juridik, Diplomë e Nivelit të Dytë;
c) të mos ketë ushtruar funksione politike në administratën publike dhe të mos ketë mbajtur pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 viteve të fundit nga data e kandidimit;
ç) të mos jetë në procedim penal dhe të mos jetë dënuar me burgim për kryerjen e një vepre penale;

d) të mos jetë larguar nga detyra për shkaqe disiplinore dhe të mos ketë masë disiplinore në fuqi;
dh) të ketë kaluar me sukses procesin e kontrollit dhe verifikimit të pasurisë së tij personale dhe të familjarëve të tij, sipas ligjit.

Kandidati që përmbush kushtet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni, duhet të plotësojë edhe këto kritere:
a) të ketë përvojë pune jo më pak se 15 vjet si gjyqtar, prokuror, avokat, profesor ose lektor i së drejtës, jurist i nivelit të lartë në administratën publike;
b) të ketë një veprimtari të njohur në fushën e të drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose sfera të tjera të së drejtës;
c) të jetë vlerësuar për aftësitë profesionale dhe integritetin etik e moral.
Plotësimi i kritereve të mësipërme vlerësohet në bazë të:
a) vjetërsisë në profesion;
b) përvojës së veçantë të kandidatit në një fushë të caktuar të së drejtës, ose këshilltar ligjor i Gjykatës Kushtetuese a Gjykatës së Lartë;
c) kualifikimeve pasuniversitare dhe trajnimeve në fushën e të drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose në një fushë tjetër të së drejtës;
ç) treguesve shkencorë, ku përfshihen botimet dhe artikujt shkencorë në fushën juridike;

d) ecurisë gjatë kryerjes së arsimit të lartë juridik, me një mesatare notash jo më pak se 8 ose të barasvlershme me të, nëse arsimi i lartë është përfunduar jashtë vendit ose vlerësimit përfundimtar në Shkollën e Magjistraturës;
dh) informacioneve të marra nga institucione të tjera publike.
Organet e emërtesës marrin parasysh përbërjen e Gjykatës Kushtetuese në momentin e emërimit të kandidatit për të garantuar balancën ndërmjet përvojave profesionale të anëtarëve dhe respektimin e barazisë gjinore.
Kërkesa dhe dokumentet shoqëruese mund të dorëzohen me postë ose drejtpërsëdrejti në ambientet e Presidencës, në adresën: Institucioni i Presidentit të Republikës, Blv. “Dëshmorët e Kombit”, Nr. 1 Tiranë, Kodi Postar 1001.

Afati i paraqitjes së kërkesës me dokumentacionin e nevojshëm, është brenda datës 25 mars 2019. Pas administrimit të dokumentacionit, lista e aplikantëve do të publikohet në faqen zyrtare të internetit të institucionit të Presidentit të Republikës dhe me mjetet e informimit publik, si dhe menjëherë dosjet respektive për secilin aplikant do t’i përcillen Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) për vlerësim sipas ligjit.

Institucioni i Presidentit të Republikës, do të bëjë transparent çdo rezultat të këtij procesi në përputhje me Kushtetutën dhe procedurën e parashikuar në nenin 7/b, të ligjit nr. 8577 datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

Për çdo sqarim mos hezitoni të kontaktoni në këto të dhëna kontakti: Numri telefonit: 042389898.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular