BallinaOP EDKadavra e zgjedhjeve të 2017-s nuk parfumoset dot me asnjë lloj propagandë...

Kadavra e zgjedhjeve të 2017-s nuk parfumoset dot me asnjë lloj propagandë politike

Nga Ilir Nikolla

Mbrojtja që Edi Rama i bën mandatit zgjedhor të 2017-s ngjan si dy pika uji me frazat e Maduros. Edhe diktatori venezuelian flet për një “pakicë që po kërkon t’i marrë pushtetin”. Çelësi i avokatisë që i bëhen zgjedhjeve të 2017-s është fitorja që Rama arriti në zgjedhjet e 2013-s. Në fakt, ai harron se një pjesë e fituesve të 2013-s tashmë janë në opozitë me të dhe ç’është më e rëndësishmja, fitorja e 2013-s kishte mandat 4-vjeçar, dhe jo një maturim 8-vjeçar, sa ç’kërkon kryeministri t’ia shesë publikut italian.
Ligjërimi “ata ikën nga pushteti 5 vjet më parë” është një hile për të mos folur për vjedhjen flagrante që është verifikuar se u krye në mënyrë industriale në zgjedhjet e 2017-s. Ajo dosje investigative tashmë është “domen publik” dhe askush s’mund të bëjë që ajo s’ekziston. Zgjedhjet e 2017-s tashmë janë një kufomë politike dhe askush nuk mund t’i paraqesë më ato si ‘të virgjra”. Ajo virgjëri ka ikur njëherë e mirë dhe vetë Bruno Vespa, megjithë qëllimin e emisionit, për të shpëlarë imazhin e kryeministrit Rama në mediat italiane, nuk mundi ta shmangte faktin se një anketë e BE kishte nxjerrë se 20 përqind e votuesve kishin pranuar se u ishin ofruar për të shitur votën. Kjo virgjëri u shkapet në publik, me dosjen e Zërit të Amerikës, dhe sa kohë nuk ka hetim të plotë të dosjes, e vetmja mënyrë për të restauruar besimin publik tek zgjedhjet mbetet rikthimi tek kutitë e votimit.
Për shkak se zgjedhjet e 2017-s janë verifikuar në fakt si coftina që po kundërmon në sofrën e mazhorancës, Edi Rama sokëllin se ka marrë mandatin në 2013 dhe u bënë si u bënë zgjedhjet e 2017-s, ai nuk ikën para vitit 2021. Për të shmangur transparencën për zgjedhjet e 2017, Edi Rama po kërkon të shkojë shumë larg me kapjen e institucioneve, në mënyrë që kur të vijë restaurimi, ai të mund të shpëtojë zgjedhjet e 2017. Ai po synon të kapë 7 me 0 Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, përmes shkarkimit të kryetarit Klement Zguri.
Përpjekja e tanishme për të fituar pozicione në ndonjë negociim të mundshëm, përmes uzurpimit të KQZ, mbushjes së parlamentit me kukulla dhe ndryshimit në mënyrë të njëanshme të Kodit Zgjedhor, janë mirëfilli shenja dëshpërimi. Janë ligjërime të autokratëve në stacionet finale të pushtetit të tyre. “Janë pakicë, nuk janë popull” është niveli më qesharak i ligjërimit që është mbërritur që nga fillimi i krizës, 16 shkurtin e shkuar, kur opozita lajmëroi se do të digjte mandatet e saj. Përtej kësaj marrie nuk ka më se ç’të thuash. Përpjekja për të përsëritur se ke marrë mandat në 2013-n është një marri që s’e shpëton kryeministrin nga kadavra zgjedhore e 2017-s.

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular