Rreth 4.34% e fëmijëve në Shqipëri nuk janë të regjistruar ose kanë braktisur shkollën fillore. Të dhënat janë publikuar në portalin Our World in Data duke iu referuar të dhënave të mbledhura nga Banka Botërore. Serbia ka përqindjen më të ulët në rajon “të fëmijëve jashtë shkollës”, me rreth 0.83%. Në Malin e Zi ky tregues përllogaritet rreth 6.18%, ndërsa në Maqedoni rreth 8.29%. Maqedonia ka përqindjen më të lartë të këtij treguesi.
Shqipëria është ndër vendet që ka bërë përparimet më të mëdha për sa i përket fëmijëve që nuk janë të regjistruar në shkollë ose që e kanë braktisur atë. Në 2009-n në Shqipëri përllogariteshin rreth 14.2% të fëmijëve në moshë për të ndjekur shkollën fillore që kishin braktisur apo që nuk ishin regjistruar fare në shkollë. Përqindjen më të ulët Shqipëria e ka shënuar në vlerën më të ulët të këtij treguesi në 2014, ku sipas të dhënave në portal fëmijët jashtë shkollës ishin 3.84%, ndërsa një vit pati një rritje në 4.4%.
Në Malin e Zi, përqindja e fëmijëve jashtë shkollës ka qenë në rritje prej 2012-s, ku ky tregues ishte 3.72%, nga gati dyfishi që është tani.
Fëmijët jashtë shkollave është përqindje e fëmijëve në moshë për të ndjekur arsimin fillor të cilët nuk janë regjistruar në shkollë fillore. Fëmijët të cilët janë në moshën zyrtare për të ndjekur arsimin fillor, por që shkojnë në arsimin parashkollor konsiderohen si fëmijë jashtë shkolle.
Të dhënat administrative të përdorura për të llogaritur normën e fëmijëve jashtë shkolle janë ta bazuara në regjistrimet në shkollë në një datë specifike.
Fëmijët, të cilët braktisin shkollën, pas datës kur merren të dhënat nuk përllogariten në këtë normë.
Norma e fëmijëve jashtë shkollë lejon që të bëhen krahasime ndërmjet shteteve me numër popullsie të ndryshme, duke qenë se treguesi i shprehur në përqindje tregon pjesën e fëmijëve të moshës për të ndjekur shkollën fillore, të cilët kurrë nuk kanë ndjekur shkollën ose kanë braktisur atë. Monitor