BallinaAktualitetDiaspora peticion Ramës: Samiti ishte në funksion të qeverisë, të përfshihemi në...

Diaspora peticion Ramës: Samiti ishte në funksion të qeverisë, të përfshihemi në procesin e vendimmarrjes

Diaspora Shqiptare i ka drejtuar një peticion Kryeministrit Rama, në të cilin thuhet se qeveria aktuale nuk e ka angazhuar seriozisht diasporën.

Në peticion flitet gjatë edhe për Samitin e Dytë të Diasoprës, për të cilin thuhet se ishte më shumë në funksion të qeverisë Shqiptare, ndërsa e kanë konsideruar “një shfaqje pa shumë vlerë dhe mundësi e humbur për të vendosur bazat e një bashkëpunimi afatgjatë”.

Qeveria juaj nuk e ka angazhuar seriozisht diasporën. Pavarësisht se situata është përmirësuar disi, duke marrë parasysh që tani kemi një Ministri të Diasporës, qeveria juaj nuk ka treguar “kulturë bashkëpunimi”, ndryshe nga dëshira e treguar nga ana jonë. Deklarata juaj në Samitin e Diasporës ku e cilësoni një pjesë të komunitetit tonë si “kazan” ishte ofenduese dhe e papranueshme.

A mendoni se Bashkësia Shqiptare Globale është e paaftë të kontribuojë me ide pozitivë? A mendoni se diaspora duhet të jetë vetëm një audiencë dhe jo një pjesëmarrëse në vendimmarrje? Ndoshta ju nuk mendoni kështu, por veprimet apo mosveprimet tuaja flasin qartë. Ne mendojmë se diaspora ka shumë për të ofruar në këtë aspekt.

Samiti i Diasporës u duk qartë se ishte më tepër në funksion të qeverisë së Shqipërisë sesa të diasporës. Ishte një shfaqje pa shumë vlerë dhe mundësi e humbur për të vendosur bazat e një bashkëpunimi afatgjatë”, thuhet në peticion.

Ata kanë kërkuar më tej që Diaspora të përfshihet më shumë në procesin e vendimmarrjes së vendit.

“Komuniteti Global Shqiptar mirëpret ditën kur qeveritë e Shqipërisë, Kosovës dhe shteteve të tjera ballkanike ta përfshijnë diasporën në procesin e vendimmarrjes. Ne duhet të punojmë së bashku si një ekip — kjo është e vetmja mënyrë për të arritur potencialin tonë”, shkruhet në peticion.

Peticion i Diasporës Shqiptare:

Peticion i Diasporës Shqiptare drejtuar

Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë Z. Edi Rama

12 Mars 2019

Ky peticion u hartua nga 25 anëtarë të diasporës mbarëshqiptare, por

SHQIPTARЁT KUDO QЁ NDODHEN janë të mirëpritur ta nënshkruajnë atë.

Nëse jeni udhëheqësi i një organizate shqiptare mund ta nënshkruani peticionin

dy herë, një herë personalisht dhe një herë në emër të organizatës që përfaqësoni.

I nderuar zoti Kryeministër,

Si anëtarë të Komunitetit Global Shqiptar, po ju drejtohemi për të hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet me diasporën. Ky peticion synon të parashtrojë shqetësimet dhe rekomandimet tona lidhur me Samitin Shqiptar të Diasporës mbajtur nga data 28 shkurt deri më 2 mars 2019 në Tiranë, dhe me punën e qeverisë suaj në angazhimin e diasporës shqiptare.

Gjatë 6 viteve të fundit, shumë pjesëtarë të diasporës shpresuan se ju dhe qeveria juaj do të hapnit një kapitull të ri në fuqizimin e marrëdhënieve me diasporën. Ju kishit një mundësi historike për të angazhuar komunitetet shqiptare që jetojnë nëpër botë. Fatkeqësisht, dështuat si çdo qeveri shqiptare para jush.

Qeveria juaj ka ndërmarrë disa hapa pozitivë si:

Mbajtja e Samitit të Parë të Diasporës Shqiptare në nëntor 2016;
Krijimi i Ministrisë së Shtetit për Diasporën në shtator 2017; dhe
Zhvillimi i një kuadri ligjor dhe institucional për çështjet e diasporës në vitin 2018.
Megjithatë, gjatë këtij procesi, qeveria juaj nuk e ka angazhuar seriozisht diasporën. Pavarësisht se situata është përmirësuar disi, duke marrë parasysh që tani kemi një Ministri të Diasporës, qeveria juaj nuk ka treguar “kulturë bashkëpunimi”, ndryshe nga dëshira e treguar nga ana jonë.

Pavarësisht nga përpjekjet tona për më shumë bashkëpunim, as edhe një grup pune zyrtar i përbërë nga përfaqësues të diasporës nuk është angazhuar nga qeveria juaj në hartimin e Strategjisë Kombëtare Shqiptare të Diasporës dhe Planin e Veprimit të miratuar në vitin 2018. Kjo gjithashtu nuk ndodhi gjatë të dy samiteve. Ndjehemi të zhgënjyer që qeveria juaj nuk është përpjekur më shumë për ta përfshirë diasporën.

Deklarata juaj në Samitin e Diasporës ku e cilësoni një pjesë të komunitetit tonë si “kazan” ishte ofenduese dhe e papranueshme. A mendoni se Bashkësia Shqiptare Globale është e paaftë të kontribuojë me ide pozitivë? A mendoni se diaspora duhet të jetë vetëm një audiencë dhe jo një pjesëmarrëse në vendimmarrje? Ndoshta ju nuk mendoni kështu, por veprimet apo mosveprimet tuaja flasin qartë. Ne mendojmë se diaspora ka shumë për të ofruar në këtë aspekt.

Samiti i Diasporës u duk qartë se ishte më tepër në funksion të qeverisë së Shqipërisë sesa të diasporës. Ishte një shfaqje pa shumë vlerë dhe mundësi e humbur për të vendosur bazat e një bashkëpunimi afatgjatë. Në vend që të investonit në marrëdhëniet me diasporën, ju shpenzuat pa karar në një aktivititet ku përfituesit kryesorë ishin ata që shitën shërbimet e tyre. Harxhimi i 600,000 dollarëve (67 milionë lekë) nga paratë e taksapaguesve për Samitin e Dytë të Diasporës ishte shokues, duke pasur parasysh faktin se buxheti vjetor për Agjencinë e Diasporës është më pak se gjysma e kësaj shume.

Për një vend të varfër si Shqipëria, shpenzimi i një shume të tillë në emër të diasporës është i papranueshëm — veçanërisht në një kohë kur ka plot çështje të tjera më të rëndësishme. Për më tepër, Samiti i Dytë kishte përmbajtje akoma më të dobët se Samiti i Parë, me vetëm dy orë për sesionet e panelit, pa aktivitete të rrjeteve të bashkëpunimit apo takime me anëtarët e komunitetit të biznesit dhe shoqërisë civile, dhe pa deklaratë zyrtare përmbyllëse për planet e mëtejshme.

Komuniteti Global Shqiptar mirëpret ditën kur qeveritë e Shqipërisë, Kosovës dhe shteteve të tjera ballkanike ta përfshijnë diasporën në procesin e vendimmarrjes. Ne duhet të punojmë së bashku si një ekip — kjo është e vetmja mënyrë për të arritur potencialin tonë.

Deri tani, qeveria juaj nuk ka treguar vullnetin e duhur për ta angazhuar seriozisht diasporën shqiptare. Megjithatë, mbetemi me shpresën që të jemi gabuar, dhe se ju do t’i adresoni pesë rekomandimet e parashtruara në këtë peticion gjatë muajve të ardhshëm.

Ne dëshirojmë të jemi një zë për ndryshime pozitivë dhe të punojmë me qeverinë tuaj dhe të tjerët si partnerë. Në të njëjtën kohë, ne nuk do të ruajmë heshtjen dhe të pranojmë politikat qeveritare për diasporën në Shqipëri, Kosovë apo vende te tjera pa patur një përfaqësim zyrtar dhe pa qenë pjesë e diskutimeve.

Ne e konsiderojmë këtë përpjekje si një përgjegjësi të përbashkët dhe jemi të përkushtuar në ndërtimin e një partneriteti të fortë me qeverinë tuaj në të ardhmen. Diaspora shqiptare meriton më shumë në shekullin 21 dhe pret me padurim përgjigjen tuaj.

Faleminderit

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular