BallinaOP EDMe lamtumirën britanike, Kosova humb mikun më të madh në BE

Me lamtumirën britanike, Kosova humb mikun më të madh në BE

Nga Agustin Palokaj

Këtë javë do të kuptojmë përfundimisht a do të dalë Britania e Madhe nga BE-ja me apo pa marrëveshje, ose do të kërkojë shtyrje për disa muaj. Por largimi i Britanisë së Madhe nga BE-ja është i pashmangshëm. Shpesh është thënë se Britania ka qenë ndër shtetet e BE-së që ka mbështetur më së shumti Kosovën. Në fakt, Britania e Madhe ka qenë jo vetëm “ndër shtetet”, por shteti që e ka mbështetur më së shumti Kosovën në BE, disa herë duke këmbëngulur edhe më shumë sesa vetë përfaqësuesit e Kosovës. Përderisa duhet të vazhdojë rrugën e gjatë, të paqartë, drejt integrimeve në BE, Kosova duhet të mbajë dhe t’i forcojë edhe më shumë lidhjet politike, ekonomike, kulturore dhe ushtarake me Britaninë e Madhe

Kanë mbetur më pak se tri javë deri në largimin formal të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian. Data e caktuar për këtë ndarje është 29 marsi, sipas kohës britanike, apo 30 marsi sipas asaj të Evropës Qendrore. Pra, nga kalimi i mesnatës të së shtunës nga 30 marsi në 31 mars, BE-ja do t’i ketë 27 vende anëtare, pa Britaninë e Madhe. Mund të ndodhë që të ketë shtyrje dhe që Britania të mos largohet me këtë datë. Përgjigjen përfundimtare do ta dimë këtë javë pas tri votimesh që priten në Parlamentin britanik. Votimi i parë do të jetë të martën, më 12 mars, për Marrëveshjen ekzistuese, të vetme, mes BE-së dhe Britanisë së Madhe për Brexit.

Nëse kjo marrëveshje merr shumicën e nevojshme, atëherë Britania do të largohet nga Bashkimi Evropian me marrëveshje. Sipas kësaj, do të ketë një afat kalimtar gjatë të cilit do të negociohet një marrëveshje për raportet e ardhshme mes BE-së dhe Britanisë së Madhe. Por mund të ndodhë që për këtë marrëveshje të mos ketë shumicë në Parlamentin Britanik. Sidomos duke pasur parasysh se e njëjta ishte refuzuar me një dallim votash prej 230 deputetësh kur para disa muajve ishte votuar për të.

Në rast të dështimit, një ditë më vonë do të votohet se a duan deputetët Brexit pa marrëveshje. Nëse thonë jo, atëherë më 14 mars do të votohet për të kërkuar shtyrje për një kohë të shkurtër. Por, me apo pa marrëveshje, herët apo vonë, Britania e Madhe do të largohet nga BE-ja. Edhe pse po flitet për mundësinë e një referendumi të ri, të dytë, pakkush beson se Britania do të mbetet anëtare e BE-së në të ardhmen.

Largimi i Britanisë së Madhe nga BE-ja do të vërehet në politikën e jashtme të BE-së, përfshirë edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ku lidhja tradicionalisht ka qenë shumë aktive. E Kosova do ta ndiejë shumë largimin e Britanisë, e cila ka qenë shumë aktive brenda BE-së në rastin e Kosovës.

Shpesh është thënë se Britania ka qenë ndër shtetet e BE-së që ka mbështetur më së shumti Kosovën. Në fakt, Britania e Madhe ka qenë jo vetëm “ndër shtetet”, por shteti që e ka mbështetur më së shumti Kosovën në BE, disa herë duke këmbëngulur edhe më shumë sesa vetë përfaqësuesit e Kosovës. Përderisa duhet të vazhdojë rrugën e gjatë, të paqartë, drejt integrimeve në BE, Kosova duhet të mbajë dhe t’i forcojë edhe më shumë lidhjet politike, ekonomike kulturore dhe ushtarake me Britaninë e Madhe.

Por Qeveria britanike është zotuar se do të vazhdojë, e madje edhe të rrisë, praninë në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe në këtë pjesë do të ketë bashkëpunim edhe me BE-në në të ardhmen. Kjo shkon në përputhje me porosinë që ka dhënë kryeministrja Theresa May kur ka thënë se “Britania do të largohet nga BE-ja, por jo nga Evropa”.

Për të dëshmuar se do t’i mbetet besnike Ballkanit, Britania e Madhe kishte organizuar vitin e kaluar edhe një samit të Procesit të Berlinit në kryeqytetin e saj. Në korrik, në Londër ishte zhvilluar samiti i pestë me radhë i “Procesit të Berlinit” i cili është një nismë e kancelares gjermane Merkel për të ndihmuar zhvillimin e vendeve të Ballkanit, si në infrastrukturë e ekonomi ashtu edhe në zgjidhjen e mospajtimeve mes shteteve, pajtimin mes tyre dhe bashkëpunimin rajonal.

Edhe pse synon të ketë rol të madh në Ballkan, Britania nuk mund ta ketë më ndikimin që ka pasur si anëtare e BE-së. Pasi të gjitha vendet e rajonit synojnë të bëhen anëtare të BE-së, ato do të kujdesen më shumë për të dëgjuar vendet e BE-së. Britania mbetet vend i rëndësishëm anëtar i NATO-s. Por të gjitha shtetet që kanë synuar anëtarësim në NATO, me përjashtim të Kosovës, të cilën NATO-ja nuk e trajton si shtet, i kanë realizuar aspiratat e tyre.

Në të kaluarën jo vetëm si anëtare e BE-së dhe NATO-s, por edhe si anëtare e Grupit të Kontaktit dhe si anëtare e përhershme, me të drejtë vetoje, e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Britania e Madhe ka qenë shpesh edhe shteti më aktiv në kërkim të zgjidhjeve politike. Në rastin e Kosovës, siç na thoshin shpesh diplomatë në Bruksel, Britania e Madhe ka qenë nganjëherë mbështetëse edhe më e madhe sesa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania. Nuk ka hezituar asnjëherë të thotë se Kosova duhet të jetë e pavarur, dhe deri në fund edhe brenda BE-së ka insistuar që ajo të trajtohet si shtet. Ka ndodhur që diplomatët britanikë të insistojnë edhe më shumë se vetë politikanët e Kosovës që Kosova të trajtohet në mënyrë më të denjë nga BE-ja. Madje, një diplomat evropian i pati thënë “Kohës Ditore” se shpesh britanikëve u thoshin “mos u bëni më kosovarë se kosovarët”, kur britanikët kërkonin që të bëhej diçka edhe në favor të Kosovës dhe të shteteve që e kanë njohur e jo gjithmonë të veprohet vetëm sipas nevojave të shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur.

“A i keni pyetur kosovarët” , ishte shpesh kundërargumenti i zyrtarëve të BE-së kur Britania insistonte që BE-ja të mos jetë e padrejtë ndaj Kosovës, sidomos në përmendjen e emërtimeve dhe fusnotave të ndryshme. E kosovarët, si zakonisht, kanë pasur qëndrime shpesh të pakoordinuara, të paqarta dhe nuk kanë qenë asnjëherë të vendosur. Kjo vazhdon edhe sot, kur Kosova nuk ka një përgjigje të prerë dhe të qartë se çfarë do e çfarë nuk do nga dialogu, a mund apo nuk mund të ketë ndryshim të kufijve. Dhe nuk është hera e parë që Kosova i vë në pozitë jo të lakmueshme edhe ata që duan t’i ndihmojnë.

Tash në kohën kur Britania dhe BE-ja do t’i thonë lamtumirë njëra-tjetrës, Kosova duhet të fokusohet edhe më shumë në forcimin e shtetësisë së saj dhe të forcojë lidhjet me sa më shumë shtete të rëndësishme të BE-së. Kjo mund të bëhet vetëm me sinqeritet të plotë. E miqësinë me Britaninë e Madhe ta shndërrojë në miqësi të përhershme, siç e ka edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sepse edhe jashtë BE-së, Britania ende mund të ndihmojë forcimin e Kosovës si shtet dhe demokratizimin e zhvillimin ekonomik të saj. Koha.net

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular