BallinaRajoniKosovë, korrupsioni i nivelit të lartë mbetet i pandëshkuar

Kosovë, korrupsioni i nivelit të lartë mbetet i pandëshkuar

Zyrtarë të misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, bën thirrje sot që institucionet e sundimit të ligjit në Kosovë të rrisin rezistencën kundër nivelit të lartë të korrupsionit. Thirrjet ishin pjesë e konferencës mbi “korrupsionin e nivelit të lartë”, që sipas organizatave ndërkombëtare dhe vendase është i shtrirë në Kosovë dhe mbetet i pandëshkuar për shkak të mungesës së gatishmërisë politike për të dënuar zyrtarët e korruptuar. Nga Prishtina njofton korrespodenti ynë, Leonat Shehu.

Shefi i misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Jan Braathu, bëri thirrje sot që institucionet e sundimit të ligjit në Kosovë të rrisin rezistencën kundër nivelit të lartë të korrupsionit, që sipas tij dëmton shoqërinë dhe institucionet e vendit.

Ai i bëri këto thirrje gjatë një konference me temën “korrupsioni i nivelit të lartë”, pjesë e përpjekjes për të nxitur rritjen e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe por edhe shteteve nëpër botë, për të goditur korrupsionin e nivelit të lartë.

Zoti Braathu tha se megjithëse Kosova ka bërë disa përparime në luftimin e korrupsionit, sfidë mbetet ndëshkimi i tij.

“Për më tepër, u bëj thirrje agjencive të zbatimit të ligjit dhe gjyqësorit që t’u japin përparësi rasteve komplekse që lidhen me shuma të mëdha parash dhe pasuri. Këto janë raste të vështira, ne e dimë, por janë raste të domosdoshme për funksionalitetin e institucioneve dhe për besimin e njerëzve në institucionet. Në fund të fundit kjo lidhet me qeverisjen e mirë”,tha zoti Braathu duke nënvizuar se trajtimi i korrupsionit të nivelit të lartë në çfarëdo forme kërkon një vullnet të konsiderueshëm politik.

“Duhet të jetë e qartë për të gjithë që personat e korruptuar të përfshirë në rastet e mëdha të korrupsionit nuk duhet të lejohen që të shmangin ndëshkimin. Nuk duhet të ketë mosndëshkim për korrupsionin dhe gjithnjë e shohim se praktikat e korruptuara janë ndjekur me vendime të ndryshme të gjykatave”,tha zoti Braathu duke nënvizuar se viteve të fundit ka pasur përpjekje të pamjaftueshme nga institucionet e rendit dhe ligjit për të ndjekur rastet e korrupsionit të lartë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se lufta kundër korrupsionit duhet të jetë përparësi e punës së të gjitha institucioneve. Ai bëri thirrje që institucionet të trajtojnë të gjeturat e dala nga raporti Departamentit amerikan të Shtetit lidhur me sfidat në luftën kundër korrupsionit.

“Sot gjyqtarët dhe prokurorët e Kosovës kanë kushte të mira të punës dhe të ardhura të dinjitetshme, ju mbetet të punojnë me përkushtim dhe profesionalizëm, të respektojnë betimin e dhënë kur e kanë marr detyrën. Nga kjo konferencë në cilësinë e presidentit të vendit i bëj thirrje gjithë zyrtarëve të institucioneve të zbatimit të ligjit në veçanti gjyqtarëve dhe prokurorëve që lufta ndaj korrupsionit të nivelit të lartë të jetë përparësi mbi përparësitë me theks lufta ndaj korrupsionit të nivelit të lartë por edhe profileve tjera”,tha presidenti Thaçi.

Raporti i organizatës, Transparency International, mbi shkallën e korrupsionit në botë, e ka radhitur Kosovën në vendin e 93-të, ndryshe nga një vit më parë kur ajo ishte radhitur e 85-ta.

Sipas raporteve ndërkombëtare, sfidë për Kosovën në luftimin kundër korrupsionit mbeten transparenca e pamjaftueshme, institucionet e dobëta e sundimi i dobët i ligjit dhe hapësira e pamjaftueshme për angazhimin e qytetarëve.

Edhe, raporti i Departamentit amerikan të Shtetit mbi të drejtat e njeriut i cili në kapitullin për Kosovën veçon si probleme korrupsionin në strukturat qeveritare, nxjerrë në pah po ashtu problemet me drejtësinë që ndërlikohen edhe më shumë nga rastet e korrupsionit në radhët e forcave të rendit. Raporti sjell shembullin e një numër policësh të arrestuar vjet nën akuzat për korrupsion, ndër to raste për abuzim pushteti si dhe mitmarrje.

Edhe raportet e organizatave vendase kanë vënë në pah se gjatë tri viteve të fundit në Kosovë nuk është shënuar asnjë rast i dënimit të zyrtarëve të profilit të lartë për përfshirje në korrupsion, ndërsa mungesa e vullnetit të duhur politik për ta luftuar korrupsionin e vështirëson ndëshkimin e zyrtarëve të dyshuar për dukuri negative.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular