BallinaKryesore8 Prilli Dita Ndërkombëtare e Romëve

8 Prilli Dita Ndërkombëtare e Romëve

Nga Rivelino Çuno
Dita Ndërkombëtare e Romëve është një ditë feste e kulturës rome dhe përdoret për të rritur ndërgjegjësimin për problemet me të cilat përballet ky komunitet. Dita u shpall zyrtarisht në vitin 1990 në Seorock të Polonisë, vendi ku u zhvillua Kongresi i katërt Botëror i Unionit Ndërkombëtar të Romëve në kujtim të takimit të parë ndërkombëtar të përfaqësuesve romë mbajtur në Chelsfild, afër Londrës mes datave 7 dhe 12 prill 1971. Gjendja e komunitetit rom në Shqipëri mbetet e vështirë paçka se vitet e fundit janë angazhuar mjaft fonde dhe ndërhyrje përgjithësisht të mbështetura nga donatorë të huaj. Studime dhe raportime në media dëshmojnë për një situatë të vështirë të komunitetit rom në fusha të tilla jetike si punësimi, strehimi, arsimi dhe shëndeti. Këto analiza tregojnë gjithashtu se kapaciteti kordinues dhe zbatues i institucioneve qëndrore dhe vendore është i pamjaftueshëm për tu përballur me shtrirjen dhe thellësinë e problematikave me të cilat ballafaqohet komuniteti rom. Përvoja e zbatimit të politikave të përfshirjes së komunitetit rom në vende të ndryshme sugjeron se përpjekejet për zbutjen apo sheshimin e vështirësive me të cilat përballet ky komunitet duhet të jenë njëkohësisht specifike por edhe ndërsektoriale pasi shkaqet si dhe problematika duket se ndërthuren pazgjidhshmërisht me njëra tjetrën. Dekada Rome ndihmoi në zhvendosjen e çështjes rome nga periferia e largët në qëndër të ligjërimit të institucioneve publike në vende të ndryshme. Sidoqoftë, suksesi i zbatimit të prioriteteve të dekadës së përfshirjes së romëve varet më së paku nga retorika dhe ligjërimi dhe mësëshumti nga emancipimi, vullneti dhe kapaciteti i shoqërive dhe institucioneve për t’iu përmbajtur këtij angazhimi. Në këtë kuadër, duhet patur në konsideratë se politikat dhe programet qeveritare në ndihmë të komunitetit rom zbatohen nga qënie njerëzore të cilat i përkasin përgjithësisht maxhorancës së popullsisë dhe për rrjedhojë opinioni, paragjykimet si dhe më pas qëndrimet e tyre kundrejt komunitetit rom përbëjnë një faktor të rëndësishëm në suksesin apo dështimin e këtij angazhimi. Studimet janë të domosdoshme në mënyrë që vendimarrja dhe më pas veprimi të orientohen drejtë. Gjithashtu studimet nevojiten për të vlerësuar impaktin dhe nevojën për përmirësim të politikave të caktuara. Nisur nga studime të shumta duket se në opinionin publik ekziston perceptimi se komuniteti rom nuk bën përpjekje të mjaftueshme për tu integruar dhe për të përfituar nga burimet dhe mundësitë që ofron shoqëria shqiptare. Po kështu në komunitetin rom ekziston opinioni që maxhoranca e shoqërisë nuk është e interesuar për të integruar këtë komunitet pasi ajo ushqen paraqykime të cilat pengojnë gadishmërinë e saj për të bërë një hap përpara në pranimin e komunitetit rom jo thjesht përmes politikave dhe programeve të qeverisë por edhe përmes komunikimit njerëzor, ndërveprimit social dhe bashkëpunimit të hapur në çdo fushë. Ky studim u zhvillua për të kuptuar më shumë rreth zbatimit të planit të veprimit të dekadës rome dhe situatës në të cilën gjendet komuniteti rom në Shqipëri vetëm 3 vjet larg përfundimit formal të këtij angazhimi ndërqeveritar. Ky studim, duke ndërthurur metodat cilësore dhe ato sasiore depërton thellë si dhe shtrihet në gjerësi për të kuptuar më mirë gjendjen e komunitetit rom në prespektivën ekonomike, arsimore, shëndetësore dhe të strehimit, shkallën e kënaqësisë së tyre përkundrejt shërbimeve publike si dhe nivelin e aksesit në marrjen e këtyre shërbimeve.
*Kryetari i PEISH-it
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular