Ndonëse aksidentet rrugore me pasojë humbjen e jetës kanë qenë në rënie, Shqipëria renditet e shtata në Europë për numrin më të lartë të tyre. Në 2018-n raporti i aksidenteve me pasojë jetën në Shqipëri ishte 75 për 1 milionë banorë, sipas përllogaritjeve të Monitor bazuar në të dhënat e publikuara nga INSTAT. Në raport me vendet e Bashkimit Europian, Shqipëria renditet ndër vendet me normanë më të lartë, së bashku me Maqedoninë e cila për vitin që lamë pas shënoi rritje të aksidenteve fatale.
Sipas Eurostat, Rumania është vendi me numrin më të lartë të vdekjeve për shkak të aksidenteve rrugore për 1 milionë banorë, ndonëse ky raport u ul me 4 për qind në krahasim me një vit më parë.
Në vend të dytë renditet Bullgaria me 88 vdekje për 1 milionë banorë. Edhe në Bullgari aksidentet fatale ranë me 9%. Në vend të tretë renditet Maqedonia, me rreth 80 vdekje/ 1 milion banorë, ku ishin rritur me 11%. Po ashtu, në krye të klasifikimit renditet Letonia, me 78 vdekje/1 milion banorë, Kroacia me 77 dhe Polonia me 76.
Serbia renditet në vend të tetë pas Shqipërisë, ku në 2018-n atje raporti ishte 69 vdekje për 1 milionë banorë, rreth 7% më pak krahasuar me një vit më parë.
Bazuar në këtë renditje është e dukshme se rrugët në Europën Lindore janë më të rrezikshme në krahasim me pjesën tjetër të kontinentit europian.
Për 2018-n Mbretëria e Bashkuar shënoi vendin me numrin më të ulët të vdekjeve si pasojë e aksidenteve rrugore, me 28 vdekje për çdo 1 milionë banorë, rreth 2.6 herë më pak se në Shqipëri.
Edhe në vendet si Danimarka, Irlanda dhe Norvegjia, numri i aksidenteve me humbje jete për 1 milionë banorë varionte nga 30-32.
Në të gjithë Bashkimin Europian sipas Eurostat numri i vdekjeve si pasojë e aksidenteve rrugore për 1 milion banorë ishte 49. Për fat të mirë numri i tyre ka qenë në rënie, ku në krahasim me 1 vit më parë ishin 1% më pak, ndërsa nga 2010, vdekjes si pasojë e aksidenteve rrugore ranë me 21%.