BallinaProfilProfil/ Zuzana Caputova, gruaja që ia doli të bëhet Presidente

Profil/ Zuzana Caputova, gruaja që ia doli të bëhet Presidente

Politikat e menaxhimit të mbetjeve po tjetërsojnë vendet më refraktare të Evropës Lindore. Tradicionalisht, planet mjedisore janë stigmatizuar dhe përqeshur në këtë kënd me demokraci josolide dhe me zhvillimin më të ngadaltë ekonomik në Bashkimin Evropian. Por, bash në valën e nacionalizmit dhe të euroskepticizmit, po korret një kulturë “rrënjëgjelbër” udhëheqësish të rinj politikë, sikurse është presidentja e porsazgjedhur e Sllovakisë, Zuzana Caputova.

Caputova vjen nga një rrethinë e kryeqytetit, Bratislavës, Pezinok-u, që gjeneron të ardhura kryesisht si vendprodhim i mirënjohur i verës. Në vitin 1997, drejtuesit vendorë të Pezinok-ut planifikuan të ndërtonin një vendgrumbullim plehrash në një gropë të mbetur nga një ngrehinë e moçme industriale e prodhimit të tullave. “Ata donin që landfill-i të kishte madhësinë e 11 fushave të futbollit dhe të ishte aq i gjatë sa një ndërtesë katërkatëshe”, risjell në mendje presidentja Caputova projektin që për nga ambicia e propozuesve, tejkalonte kapacitetin ekonomik të kohës. Për rrjedhojë, si për ironi të fatit, një skicë- ide e trajtës ambientaliste, përfundoi e pazbatuar në kapicën e plehrave.

Shkalla e riciklimit të Sllovakisë prej 9 % përbën një nga normat më të ulëta në Evropë. Për këtë arsye, menaxhimi i një landfill-i është me garanci të plotë një sipërmarrje mjaft fitimprurëse. Vendet fqinje të Evropës Perëndimore eksportojnë mbetjet e tyre jo të riciklueshme drejt lindjes, tokës së kostove më të ulëta dhe të fitimeve shumëfish më të mëdha se gjetkë. Megjithatë, nuk duhet harruar se importet e paligjshme të mbetjeve janë një terren i volitshëm fitimi dhe lulëzimi për krimin e organizuar. Në raportet e herëpashershme të Komisionit Evropian, Sllovakia qortohet për mirëmbajtje të papërshtatshme të landfill-eve.

Banorët e hershëm në Pezinok nuk e përkrahnin ngritjen e landfill-it, i cili do të lokalizohej në afërsi të një zone banimi. Gjatë një beteje ligjore 14-vjeçare, që u mor në gjykim nga instanca më e lartë e drejtësisë evropiane,  Gjykata Evropiane e Drejtësisë (GJED), vendasit e Pezinok-ut u mobilizuan mes tyre për të zhvilluar 15 tubime, një akt që pasonte për nga përmasat dhe konsistenca manifestimin e rënies së komunizmit në Sllovaki. Caputova, avokate dhe një nga anëtaret më të zëshme të shoqërisë civile, përfaqësonte me ngulm banorët e qytetit të saj të lindjes. Me vendosmërinë e fituar nga karriera, Caputova u zotua për gjetjen dhe negocimin e zgjidhjes së duhur për menaxhimin e mbetjeve.

As në skajet më të guximshme të imagjinatës, aktivistja nuk kishte paraparë se ky rast do t’i jepte një kahje vendimtare të ardhmes së saj profesionale. Mbi të gjitha, rreshtimi në vijën e parë të “frontit” të ekologjistëve, i mësoi shumëçka Caputova-s mbi mënyrën se si funksiononte Sllovakia. “Rasti ishte një shembull se si fuqia politike dhe ajo e biznesit janë të ndërlidhura”, reflekton presidentja e tanishme. Në një stad të rrugëtimit drejt finalizimit të projektit për landfill-in, u përfshi me shumë zell edhe biznesmeni Marian Kocner, i përfolur për afiliacionet e ngushta me partinë qverisëse, “Smer”, duke paraqitur “vullnetin e mirë” për të zhvilluar zonën.

Aktualisht, Kocner gjendet pas hekurave nën akuzën e urdhërimit të vrasjes së gazetarit investigativ, Jan Kuciak dhe të fejuarës së tij, Martina Kusnirova. Kjo ndodhi tronditi komunitetin ndërkombëtar të gazetarëve dhe popullin sllovak, që u derdh në rrugët e Bratislavës për të protestuar në emër të jetës dhe të kërkimit të së vërtetës. Gazetari i ndjerë Kuciak nuk ishte i panjohur për Caputova-n. Atyre iu ishte dashur të punonin së bashku për demaskimin e aferave korruptive, të shumta deri në kufi të normalitetit politik në Sllovaki. “Sa më shumë informacion gjendej në lidhje me hetimin e vrasjes, aq më shumë emra dilnin që më kujtuan rastin e laandfill-it”, kujton e keqardhur presidentja.

Projekti për landfill-in, përveçse e vuri Capitova-n në kontakt me njerëz të pushtetshëm si Kocner-i  dhe ish- kryeministri Robert Fico (i cili u detyrua të dorëhiqej pas protestave për vrasjes e Kuciak-ut), latoi pikëpamjet e saj proevropiane, kontribut që i vlejti për të bërë diferencën dhe për t’u katapultuar në arenën pothuaj të njëtrajtshme të politikës sllovake. “Për mua ishte një mësim në punën ligjore, por gjithashtu në mobilizimin e njerëzve dhe në punën me median. Më bëri mirënjohës që jemi në Bashkimin Evropian – në fund, verdikti i GJED-së na ndihmoi shumë.”- u shpreh mirënjohëse Capitova.

Duke nisur angazhimin e saj në politikë si anëtare e një partie të porsaformuar në vitin 2017, “Progressive Slovakia”, Caputova e shpalli kandidaturën për garën presidenciale, pavarësisht se sondazhet tregonin një mbështetje minore dhe shkurajuese. Ajo nuk hoqi dorë dhe rendi anekënd për të biseduar me njerëzit e thjeshtë, duke thyer çdo rregull formal apo kompleksues të marketingut. Sllovakia, një vend konservator, katolik, nuk i mirëpriti fillimisht pikëpamjet e saj liberale, që konsistonin kryesisht në temat gati tabu të përkrahjes së birësimeve dhe të martesës mes të njëjtin seks. Kështu, Caputova u vetekspozua në epiqendrën e sulmeve ideologjikisht të djathta të partisë rivale, “Smer”, të Maros Sefçoviç, një sfond i dobishëm për reklamimin e kredencialeve të tij konservatore si një njeri i kishës dhe i fetarëve të përkushtuar.

Mandej, me afrimin e ditës së zgjedhjeve, kandidatët u ftuan në një përballje televizive, ku sllovakët e identifikuan Caputova-n pa një pa dy si njërin prej tyre:  protestuese të palëkundur për zbardhjen e vrasjes së Kuciak-ut.  Votimi për Caputova ishte një simbolikë e refuzimit të politikës bajate të kompromentuar gjer në palcë. Fundja, gjysma e buxhetit të fushatës së saj u mblodh nga kontribute të vogla. Caputova fitoi një mori votash në raundin e parë të zgjedhjeve, ndërsa më 30 mars mposhti Sefçoviç-in në balotazh.

Pavarësisht garës së saj aspak tradicionale për presidencën, Caputova nuk parapëlqen të quhet një kandidate populiste apo edhe anti-sistem.”Për mua, populizmi nënkupton përdorimin e dezinformimit, shfrytëzimin e emocioneve, të frikës. Unë nuk bëj asnjë nga këto dhe kam ndjekur një rrugë të përkryer ligjore për t’u zgjedhur, kështu që unë nuk jam me të vërtetë kandidate anti- sistem”, saktëson kreu i shtetit sllovak.

Për hir të së vërtetës, termi “populist” merr një kuptim keqësues për shkak të liderëve aktualë të Evropës Lindore, ku veçojmë kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban-in, sivllau i tij polak, Jaroslaw Kaczynski, si edhe homologu çek Andrej Babis. Ndërsa, një aktivisti të shoqërisë civile si Caputova, e cila nuk bëri fushatë vetëm për marrjen e kryesisë së presidencës, por kundër politikës në tërësi në shumicën e vendeve postkomuniste, i përshtatet përkufizimi burimor i një populisteje: dikujt që i delegohet përfaqësimi i njerëzve të zakonshëm, të cilët ndihen të frustruar dhe të shpërfillur nga elita politike.

Në pjesën më të madhe të Evropës Lindore, landfill-et janë një terren ushqyes për këtë lloj populizmi pa zarar, që nuk shfrytëzon identitetet kulturore dhe nuk luan me instinktet bazike që ngrejnë krye dhe i binden thirrjes së parë. Në Rusi përgjatë viteve të fundit, protestat kundër ndërtimit të landfill-eve në qytetet satelitore të Kremlinit kanë qenë aktet më të dukshme kundër regjimit të instaluar nga presidenti Vladimir Putini, i cili është përpjekur të marrë nën kontroll çështjen duke tkurrur aktivitetin, edhe pse disa nga miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij kanë interesa pastërtisht ekonomike. Në Poloni, partia qeverisëse “Ligji dhe Drejtësia”, gjithashtu është përpjekur të shpërndajë protestat lokale duke legjitimuar një menaxhim më të mirë të mbetjeve.

Aktivistët që luftojnë kundër aktivitetit mafioz, keqpërdorimit të fondeve publike dhe shkeljeve të kushteve mjedisore në ndërtimin e landfill-eve, nuk e kanë namin e mirë në ditët e sotme. Ata mund të citohen në një lajm ose dy, të shfaqen në një seancë gjyqësore të mbuluar gjerësisht. Ky është i gjithë publiciteti që ata marrin. Por, ashtu siç ndodhi me Caputova-n, udhëheqësit e ardhshëm me origjinë nga shoqëria civile, do të sfidojnë nacionalistët postkomunistë në këtë mbretërim të tyre fare të përkohshëm, falë përvojës së çmuar në zgjidhjen e çështjeve më polemike dhe më vulnerabël të keqqeverisjes aktuale.

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular