BallinaKryesoreTeksti/Ja marrëveshja e plotë që po firmos sot Opozita Shqiptare

Teksti/Ja marrëveshja e plotë që po firmos sot Opozita Shqiptare

MARRËVESHJE E KOALICIONIT OPOZITAR

Sot, në Tiranë, më 23/04_/2019, ne, Opozita e Bashkuar:

  1. Duke qenë thellësisht të shqetësuar që, prej kohësh, Shqipëria ndodhet në kushtet e:
  • Rritjes së varfërisë ekstreme dhe papunësisë, si dhe pasigurisë për jetën dhe pronën, gjë që ka sjellë braktisjen e Shqipërisë nga një numër jashtëzakonisht i lartë i qytetarëve shqiptarë;
  • Mungesës së vëmendjes nga Qeveria ndaj problemeve të përditshme të qytetarëve dhe mungesës së reformave, që garantojnë qeverisjen në interes të qytetarëve;
  • Humbjes totale të besimit të qytetarëve tek forca e shtetit;
  • Asgjesimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, që po faktohet dita-ditës si fenomen, që ka cenuar jo vetëm legjitimitetin e qeverisjes, por edhe llogaridhënien ndaj qytetarëve;
  • Rrënimit ekonomik të vendit për llogari të oligarkëve, të lidhur me Qeverinë, që përfitojnë fonde financiare në mënyrë abuzive, duke asgjesuar konkurencën e lirë dhe duke penguar investimet e huaja në vend, që janë motorr punësimi;
  • Pabarazisë së thellë midis qytetarëve të zakonshëm dhe njerëzve me pushtet, duke eleminuar shtetin e së drejtës dhe barazinë përpara ligjit;
  • Përpjekjes së paprecedentë të Qeverisë për të kontrolluar të gjitha pushtetet në vend, përfshirë pushtetin gjyqësor;
  1. Duke mbajtur në konsideratë:
  • Krizën e rëndë politike në vend, që pamundëson standardet demokratike për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për shkak se është provuar se Qeveria e Edi Ramës ka bashkëpunuar me krimin e organizuar për blerjen e votave;
  • Pasojat që sjell minimi i parimeve për zgjedhje të lira dhe të ndershme për jetën e qytetarëve shqiptarë, proceset demokratike në vend, funksionimin demokratik të institucioneve dhe procesin e integrimit europian;
  • Krijimin e një situate të paprecedentë të krizës ekonomike, emigracionin masiv kombëtar dhe gjendjen katastrofale të mjerimit social nga një Qeveri e dalë nga zgjedhje të deformuara dhe të diktuara nga bashkëpunimi me krimin e organizuar;
  • Përgjegjësinë e drejtëpërdrejtë të Edi Ramës për krizën e rëndë, ku ndodhet vendi dhe për ngritjen e një skemë kriminale të bashkëpunimit me krimin e organizuar për të blerë vota;
  • Duke vlerësuar se gjendja e shkaktuar ka, mbi të gjitha, si shkak kryesor, korrupsionin, si dhe lidhjet e forta midis Qeverisë dhe krimit të organizuar, të cilat pengojnë zhvillimin ekonomiko-social të vendit dhe rrugëtimin europian të Shqipërisë;
  1. Duke qenë të vetëdijshëm se rinia shqiptare ka më shumë se kurrë nevojë për mbështetje, jo vetëm për një arsim cilësor, sipas standardeve europiane, por, mbi të gjitha, për krijimin e kushteve për punësim sipas meritës dhe mundësive individuale;

 

  1. Duke qenë të shqetësuar për problemet madhore, që po kalon ekonomia shqiptare, veçanërisht, fermerët shqiptarë dhe biznesi i vogël, si shkak i politikave falimentuese të Qeverisë;

 

  1. Duke qenë të ndërgjegjshëm se kapja e pushtetit publik nga krimi përbën një kërcënim të rëndë për integritetin dhe funksionimin e demokracisë dhe institucioneve demokratike, që ka shndërruar në emergjencë kombëtare nevojën e shkëputjes së lidhjeve të ngushta Qeveri-Krim;

 

  • Duke qenë të vendosur për të ndërmarrë çdo proces politik apo institucional, që i hap rrugë nisjes së negociatave të antarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian për të bërë realitet, sa më parë, ëndrrën e shqiptarëve për “Shqipërinë si gjithë Europa”;

 

  • Duke vlerësuar se Qeveria aktuale dhe institucionet e drejtësisë nuk kanë ndërmarrë asnjë përpjekje konkrete për të trajtuar çështjen e vazhdueshme të blerjes së votës, përdorimit të parave të pista në zgjedhje, si dhe angazhimit në zgjedhje të individëve me të kaluar kriminale, që kanë cënuar rëndë besimin e publikut në integritetin e zgjedhjeve;

 

  1. Duke vlerësuar se Qeveria aktuale nuk ka ndërmarrë asnjë hap për të luftuar shpërdorimin e burimeve shtetërore, keqpërdorimin dhe neglizhencën e Policisë së Shtetit dhe presionet e lidhura me vendin e punës mbi zgjedhësit;

D E K L A R O J M Ë:

 

  1. Krijimin e një Koalicioni të Bashkuar Opozitar dhe Qytetar për zgjedhjet e ardhshme në vend.

 

  1. Partitë nënshkruese të këtij Koalicioni do të regjistrohen në zgjedhje vetëm pasi të jenë krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

 

  1. Rruga e vetme për të garantuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme është formimi i një Qeverie Tranzitore me mandat të posaçëm për:

 

  • Kthimin e legjitimitetit politik të qeverisjes në vend nëpërmjet zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

 

  • Përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme parlamentare dhe vendore në Shqipëri.

 

  • Realizimin e reformës zgjedhore dhe ndjekjen e zbatimit të saj, me fokus të veçantë shkëputjen e lidhjes mes politikës dhe krimit, luftën ndaj fenomenit masiv të blerjes së votave, intimidimit kriminal mbi zgjedhësit, si dhe eleminimin e pabarazisë mes partive politike pjesëmarrëse në zgjedhje.

 

  • Krijimin e klimës së besimit për zbatimin e reformës në drejtësi jashtë çdo ndërhyrjeje politike.

 

  • Krijimin e kushteve të nevojshme për të përshpejtuar nisjen e negociatave të Shqipërisë për antarësimin në Bashkimin Europian dhe ndërmarrjen e çdo reforme të nevojshme për këtë qëllim.

 

  1. Në mbrojtje të demokracisë dhe të zgjedhjeve të lira e të ndershme, partitë nënshkruese të këtij Koalicioni angazhohen të mos lejojnë asnjë farsë elektorale, të organizuar nga qeveria ilegjitime e Edi Ramës.

 

  1. Pamundësimi i mbajtjes së zgjedhjeve fasadë, të diktuara nga pakti i Edi Ramës me krimin e organizuar dhe paratë e tyre të pista, të realizohet përmes përshkallëzimit të aksionit opozitar në të gjithë vendin.

 

  1. Rikonfimojmë vullnetin tonë se Integrimi Europian i Shqipërisë është rruga e vetme për t’i dhënë fund tranzicionit të tejzgjatur. Shprehim vendosmërinë tonë të plotë për të ndërmarrë çdo hap, që bën realitet rrugëtimin e pandalshëm dhe të shpejtë të Shqipërisë në familjen europiane.

 

  1. Angazhohemi për të unifikuar dhe miratuar një Platformë të Përbashkët për çlirimin e ekonomisë nga oligarkia dhe krimi me mbështetje qeveritare. Ky trinom është përgjegjës për rritjen e papunësisë, largimin e investimeve të huaja, falimentimin e fermerëve dhe sipërmarrjes private. Kjo Platformë e Përbashkët ka për qëllim nxjerrjen e vendit nga kriza e rëndë ekonomike për të krijuar punësim, zhvillim, mirëqenie dhe mundësi të barabarta për të gjithë.

 

  1. Angazhohemi për luftë pa kompromis ndaj krimit të organizuar, korrupsionit dhe pastrimit të parave të pista, si pengesa kryesore për stabilitetin dhe zhvillimin e vendit, sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve.

 

  1. Mbështesim çdo qytetar, të drejtat dhe liritë themelore të të cilit dhunohen nga veprimet arbitrare të institucioneve shtetërore.

 

  1. Angazhohemi për një marrëdhënie politike dhe elektorale me çdo individ apo parti politike, bazuar në parimin e proporcionalitetit dhe integritetit të nënshkruesve.

 

Koalicioni i Bashkuar Opozitar dhe Qytetar ngarkon Partinë Demokratike të Shqipërisë, si partia më e madhe e Koalicionit, për realizimin e marrëveshjeve individuale për zgjedhjet me të gjitha palët nënshkruese.

 

 

PARTITË POLITIKE TË KOALICIONIT OPOZITAR:

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular