BallinaKryesoreA do e shpëtojë Merkel Isa Boletinin?

A do e shpëtojë Merkel Isa Boletinin?

Pasnesër në Berlin pritet të organizohet një nga samitet më të rëndësishme për fatin e Ballkanit Perëndimor. Në qendër të diskutimeve do jetë çështja e Kosovës. Ekspertët bien dakord se ideja e ndryshimit të kufijve do të marrë goditjen përfundimtare. Ja si e shohin këtë darkë pune analistët Adelheid Woelfl dhe Andreas Rinkecc

Ishte viti 1903 dhe Isa Boletini, patrioti shqiptar i lindur në rrethinat e Mitrovicës, do të takohej me sulltanin turk, Abdul Hamid. Biseda mes tyre bëri bujë për shkak se Boletini refuzoi të fliste turqisht. “Nuk e kuptoj haldupishten”, ishte shprehur ai. Por nga biseda e zbardhur nga një gazetë e asaj kohe, e kupton se thelbi i problemit ishte tjetër. Boletini nuk pranonte një konsull rus në Mitrovicë, duke u shprehur se ky qytet është zemra e atdheut shqiptarc

Koha kalon shpejt dhe disa mund të thonë se disa gjëra nuk ndryshojnë edhe aq shpejt. Një shekull më pas flitet sërish shumë për Mitrovicën, por këtë herë për një plan që synon ta vendosë atë nën qeverisjen e Serbisë.

Të hënën, në Berlin të Gjermanisë do të mblidhen drejtuesit e Ballkanit Perëndimor, të thirrur në një darkë pune nga kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron. Në qendër të diskutimeve pritet të jetë Kosova. Katër ditë përpara këtij takimi, një nga think-tanket më të njohura në Europë, Iniciativa Europiane për Stabilitet, paralajmëron se ideja e vjetër e rivizatimit të kufijve mbi baza etnike vazhdon të jetë sërish e pranishme në politikën serbe njësoj si dikur. Ajo që të habit ka lidhje me suksesin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, që ia ka dalë të ripaketojë këtë ide të vjetër si një mendim të ri, progresiv dhe jokonvencional, shkruan organizata e njohur. Në krahun e atyre që kanë përkrahur këtë ide qëndron vetë kryeministri shqiptar, Edi Rama, thuhet më tej.

Por a do ia dalë Bashkimi Europian të mbyllë ‘kutinë e Pandorës’ të bisedimeve të mëtejshme për rishikimin e kufijve në Ballkan?

***

Tanimë nuk është sekret. Ditët e Angela Merkel në politikë janë të numëruara. Ndër provat e fundit, që i kanë lënë në shpinë analistët gjermanë, lidhet edhe me Kosovën. Pavarësisht se si e kanë paraqitur aktorët e ndryshëm darkën e 29 prillit, ajo do jetë më e rëndësishme edhe nga sa thuhet.

Spekulimet e para nisën menjëherë pasi u lajmërua një takim i këtij niveli. Fillimisht u tha se Merkel do prezantojë në këtë tryezë një propozim për sovranitetin e dyfishtë të Mitrovicës. Ajo do mbetej si territor i Kosovës, por në fakt do të ishte nën administrimin e Serbisë. Ngjan një ide e çuditshme? A nuk është ajo një ide që në fakt çon ujë në mullirin e ndarjes së Kosovës? Ndoshta, por vetë kancelaria nuk e pranon se do e bëjë një propozim të tillë. Madje thonë se nuk do ketë asnjë propozim në këtë tryezë, por vetëm bisedime. E megjithatë Deutsche Welle raporton se në fund të darkës do të dilet me një deklaratë angazhimesh, e cila do të firmoset nga palët e pranishme.

***

Më entuziastët duan të besojnë se ka një ndarje të fortë mes Uashingtonit dhe Berlinit kur bie fjala te zgjidhja e çështjes së Kosovës. Administrata e re në SHBA duket se ka ndryshuar qasje ndaj mënyrës se si shihet situata në rajon, duke besuar se mund të ketë një zgjidhje të përbashkët me rezultat përfundimtar pozitiv. Por teksa ujërat vijnë duke u turbulluar dhe reagimet vijnë e bëhen më të ashpra, duket se edhe në Uashington kanë nisur ta shohin me dyshim idenë e ndryshimit të kufijve. Sipas disa vëzhguesve, edhe atje kanë nisur ta rimendojnë faktin se një zgjidhje me ndryshim kufijsh mund të sjellë tensione dhe gjakderdhje.

Madje, madje mund të thuhet se kur liderët të ulen të hënën në Berlin, kjo ide do shkojë kaq e ‘dobësuar’ në tryezë, sa nuk do ‘përtypet’ më. Pastaj, sa herë është dashur të kërkohet ndihma e Uashingtonit kur europianët nuk ia kanë dalë në rajon? Rastet janë të shumta, edhe suksesi i madh i kohëve të fundit, ai i marrëveshjes mes Athinës dhe Shkupit thuhet se mban vulën e tyre. Por sërish, ky është Ballkani dhe kaosi është gjithmonë aty pranë, duke u gatuar. E kaosi nuk sjell përherë vetëm të këqija, por edhe progres.

***

Një mundësi që lakohet së fundi nga gazetarët dhe ekspertët e huaj është që Berlini të përsërisë frazën standarde se kjo zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë duhet bërë njëherë e mirë, por nuk duhet bërë shpejt. E kështu, gjërat do i lihen kohës. Por pikërisht koha ka nisur të bëhet problemi më i madh në Ballkan. Premtimi se gjërat do zgjidhen me kalimin e kohës vetëm sa po i shton tensionet në rajon. Kosovarët nuk duan të besojnë më te premtimet e Europës për sa kohë që nuk po e marrin akoma liberalizimin e vizave. Kurse Serbia dhe vendet e tjera nuk po e marrin shumë seriozisht këtë punën e Perëndimit, që vazhdon të besojë më shumë te stabilokracia sesa te zhvillimi. Protestat që kanë përfshirë rajonin do jenë një tjetër dhimbje koke për Merkel dhe Macron.

***

Thonë se të gjithë gjërat shkojnë e përplasen tek ekonomia. Ngado që ta kërkosh problemin, ai sërish del te korrupsioni, papunësia dhe fakti që rajoni duket se ka ngecur. Rritja ekonomike e dobët dhe shtimi i autokracisë ka bërë që tensioni të rritet. Dhe kur ekonomia bëhet problemi më i madh, mënyra e vetme për të hequr vëmendjen nga kriza, ka të bëjë me përdorimin e kartës nacionaliste. Liderët e rajonit do shkojnë të frustruar në Berlin, por ironia është se edhe Merkel e Macron do jenë të pafuqishëm përpara tyre. Zgjedhjet europiane në prag dhe kërcënimi për rritjen e partive populiste do i bëjnë ata të dy më të heshtur përballë presionit në rritje nga Ballkani Perëndimor për të bërë hapa përpara drejt integrimit. Macron madje do jetë më i ftohtë në këtë drejtim, teksa presionin në shtëpi e ka më të madh pas protestave të dhunshme që kanë përfshirë Francën. Por mos mendoni se Merkel do e ketë më të lehtë. I keni parë besoj deputetët e CDU që vijnë vazhdimisht në Kosovë dhe Shqipëri për të bërë deklarata për situatën? Larmia e zërave tregon se qeveria gjermane nuk e ka të lehtë të marrë besimin e Bundestagut kur bie fjala për çështje të rajonit. Disa mund të thonë se kjo tregon se çfarë ndodh në një vend ku parlamenti dhe qeveria janë dy pushtete të ndara. Me të drejtë!

***

Ta shohësh situatën me lente dramatike është tipike njerëzore. Megjithatë vetë fakti që Merkel dhe Macron po mbledhin liderët e rajonit është tregues pozitiv për një popullsi të lodhur nga keqqeverisja dhe problemet etnike. Ndoshta mjafton vetëm ideja e ‘varrosjes’ së tezës për shkëmbimin e territoreve për ta parë këtë samit si një sukses të madh. Por puna për Ballkanin Perëndimor mbetet kolosale. Mapo.al

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular