BallinaAktualitetShpallet "Qytetar Nderi" i Tropojës, Elez Biberaj: Krenar për origjinën. Besnik Dushaj:...

Shpallet “Qytetar Nderi” i Tropojës, Elez Biberaj: Krenar për origjinën. Besnik Dushaj: Ditë e rrallë dhe mbresëlënëse…

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, Bashkia e Tropojës, e drejtuar nga demokrati Besnik
Dushaj nderoi gazetarin e Zërit të Amerikës, Elez Biberaj, Drejtori i Divizionit të Euroazisë, me titullin “Qytetar Nderi i Tropojës”. Pasi mori titullin, Biberaj deklaroi se ndjehet krenar për prejardhjen e familjes dhe trashigiminë e pasur të prindërve. Ai shtoi se, duke qenë një shtetas amerikan, pati mundësinë për të dhënë një ndihmë shumë modeste në mbështetje të aspiratave demoktratike të kombit. “Jam krenar që, nëpërmjet “Zërit të Amerikës” më është dhënë mundësia që të luaj një rol modest në përcjelljen e parimeve dhe idealeve demokratike amerikane tek shqiptarët, kudo ku ata jetojnë.
Mendoj se është me rëndësi që sot, në Ditën Ndërkombëtare të Shtypit, të kujtojmë se media e lirë dhe e vertetë janë armë të fuqishme në shërbim të lirisë dhe demokracisë. Shqiptarët kanë bërë shumë sakrifica në rrugën drejt lirisë dhe demokracisë. Si shqiptaro-amerikan jam i lumtur që Shtetet e Bashkuara dhe populli amerikan kanë qendruar përkrah jush në këtë periudhë historike dhe kanë mbështetur me forcë përpjekjet tuaja për t’u bashkuar qartësisht me familjen e vendeve dhe shoqërive demokratike perëndimore”, deklaroi Biberaj. Biberaj, aktualisht ai është drejtor i Divizionit të Euroazisë në “Zërin e Amerikës”, ndërsa është nderuar edhe nga ish-Presidenti i Republikës, Bujar Nishani me Urdhrin e lartë “Nderi i Kombit”. Media e drejtuar prej tij ka publikuar së fundmi edhe disa skandale që pidhen me shitblerjen e votës në Shqipëri dhe me emërimet nepotike në institucionet shtëtërore. Biberaj, pak ditë më parë kritikoi qeverisjen 6-vjeçare të Edi Ramës, duke e quajtur si kleptokratike

Kryebashkiaku Besnik Dushaj: Dite e vecante per qytetarët e Tropojës 

“Të dashur miq, sot, në Ditën Botërore të lirisë së shtypit, në ambientet e Pallatit të Kulturës në Bajram Curri, bashkia Tropojë nderoi me titullin “Qytetar Nderi” i Tropojës, personalitetin e shquar të Malësisë së Gjakovës dhe kombit shqiptar, gazetarin e mirënjohur, drejtuesin e “Zërit të Amerikës” për Euro-Azinë, Dr.Elez Biberaj, me motivacionin:
“Për kontribut jetësor si misionar i së vërtetës, i cili nëpërmjet valëve të ‘Zërit të Amerikës’ mbajti gjallë shpresat e shqiptarëve për liri kur ata ishin nën diktaturën komuniste, i frymëzoi dhe i bashkoi ata rreth vlerave të demokracisë, respektit për të drejtat e njeriut dhe shtetin ligjor, duke e kthyer ‘Zërin e Amerikës’ në burimin më të kërkuar dhe më të besueshëm të lajmeve në të gjithë hapësirën shqiptare në Ballkan.”- shkruan kreu i Bashkise se Tropojes Besnik Dushaj ne FB.

Fjala e plote e kryetarit te Bashkise Tropoje ne Besnik Dushaj ne ceremoni

Të nderuar pjesëmarrës!

Është e rrallë dhe mbresëlënëse dita sot, është nder për mua dhe gjithë qytetarët e Tropojës të kemi midis nesh një ndër bijtë më të shquar të Malësisë së Gjakovës, gazetarin e njohur, drejtorin e “Zërit të Amerikës” për Euro-Azinë, Dr. Elez Biberaj, të cilin bashkia Tropojë e ka nderuar me titullin “Qytetar Nderi ”.

Për ne dhe mijëra e mijëra shqiptarë në Shqipëri e Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni e diasporë, emri i Elez Biberajt është kthyer në një legjendë, zëri i tij ka qenë në vitet historike të shqiptarëve në fundin e shekullit të kaluar e fillim të këtij shekulli kushtrim lirie, ka qenë ogur i bardhë dhe forcë besimi e shprese për ditë dhe kohë më të mira.

Na kujtohet fillimi i viteve 90-të, kur kishte filluar të çahej mjegulla e rëndë e errësirës së diktaturës. Atëherë, kur vinte mbrëmja, mblidheshim në shtëpitë tona dhe gjysëm në fshehtësi dëgjonim Amerikën, e prej andej na vinte ai zë me timbër të veçantë, na dukej sikur vinte nga lartësitë, nga qielli…

E në mëngjes i thonim njëri-tjetrit, e dëgjove mbrëmë Elez Biberin, në intervistë me Kadarenë, me Sali Berishën, Azem Hajdarin, Gramoz Pashkon, Besnik Mustafën…

Dhe ndjeheshim krenar se Elez Biberaj i “Zërit të Amerikës” ishte nga Tropoja, nga Shoshani, ishte nga lisi historik i Biberajve, në një trung me Haxhi Zekën, shqiptarin e madh, që priu shumë beteja e kuvende deri tek Kuvendi mbarë kombëtar i Pejës në vitin 1899.

Historia e këtij gazetari të jashtëzakonshëm dhe drejtuesi kryesor në median më të madhe dhe të lirë të kohëve tona, “Zërit të Amerikës”, ka një nisje si të shumë familjeve të Malësisë së Gjakovës e të vendit, që nuk e pranuan diktaturën komuniste dhe u vunë me trimëri përballë saj.

Në prill të vitit vitit 1951 nga livadhet e Shoshanit, e gjithë familja e Elez Biberajt e mbrojtur me guxim të rrallë nga vëllezërit Nimani dhe Hyseni kaluan kufirin e u vendosën në Hot të Plavës.

Këtu lindi në vitin 1952 Elez Hysen Biberaj, i cili do të shkollohej në Hot, në Kosovë dhe në SHBA, ku emigruan familjarisht 51 vjet më parë, në vitin 1968.

Vetë Elezi ka kujtuar më vonë:
“Unë fillova punë në “Zërin e Amerikës” në dhjetor të vitit 1980, në një kohë kur shqiptarët jetonin nën regjimet shtypëse komuniste dhe kur kontaktet midis shqiptarëve dhe amerikanëve pothuajse nuk ekzistonin. Kolegët e mi dhe unë u angazhuam me gjithë shpirt për përmbushjen e misionit të Zërit të Amerikës: t’u tregonim dëgjuesve të vertetën rreth shoqërisë së tyre dhe zhvillimeve në botë, të nxisnim respektin për të drejtat e njeriut, të përhapnim lirinë dhe demokracinë…”

Emblema e gazetarisë së një vendi të lirë, studjuesi dhe historiani, botuesi i disa librave me vlera të mëdha për zhvillimet në Shqipëri e Kosovë, simboli dhe idhulli i gazetarëve dhe dëgjuesve shqiptarë në trojet e tyre në Ballkan e diasporë, bashkëqytetari ynë i madh dhe sot nderi i Tropojës, me punën e tij të jashtëzakonshme, me virtytet e rralla të malësorëve, me fisnikërinë të trashëguar ndër breza, arriti në mbi 30 vjet, shkallët më të larta të medias më të madhe e të fuqishme në botë, nga gazetar deri tek drejtor për Europën dhe tash për Euro Azinë.

I dashur Elez!

Ne ndjehemi krenar për arritjet tuaja dhe të familjes tuaj, gjithashtu jemi të impresionuar edhe për faktin se në 50 vjetorin e mbërritjes në Amerikë, ju si familje vendosët të kontriboni për vëllezërit e motrat shqiptare në Ballkan, duke themeluar fondacionin “Biberaj” për financimin e programit të nivelit MASTER që mbështet profesionistët shqiptarë.

Zëdhënësi i fondacionit, djali juaj, Ken Biberaj thotë: “Ndihemi krenarë për trashëgiminë tonë shqiptare dhe shpresojmë se ky program do të ndihmojë brezin e ri të studentëve shqiptarë drejt arritjes së suksesit të tyre akademik duke përmbushur angazhimin për të ndihmuar më pas shoqërinë shqiptare”.

Të nderuar pjesëmarrës!

Duke përfunduar, dua të theksoj se puna, veprimtaria dhe jeta e Dr.Elez Biberaj na bën krenar dhe na frymëzon që nën shembullin e tij të ecim përpara, për ta kthyer këtë vend me resurse të rralla edhe në vendin, ku njerëzit të jetojnë më mirë, të jenë më të lumtur.

Zoti e bekoftë Tropojën e bijtë e saj!
Gëzime e lumturi për nderin e Tropojës, Dr. Elez Biberaj dhe familjen e tij!

Faleminderit!

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular