BallinaAktualitetBasha: Arsimi i lartë, në krizën më të rëndë në 29 vjet,...

Basha: Arsimi i lartë, në krizën më të rëndë në 29 vjet, 133 mijë nxënës e studentë braktisën shkollën 4 vitet e fundit

Kryetari i PD Lulzim Basha gjatë një bashkëbisedimi me pedagogë dhe përfaqësues të arsimit të lartë në vend, tha se universitetet në vend janë në krizën më të thellë në 29 vjet.

“Arsimi i lartë gjendet sot në krizën më të thellë dhe të rëndë në 29 vjet. Ka pasur një krizë të madhe në financim në arsimin e lartë. Që nga viti 2013, ka pasur gjithmonë dhe më pak investime në arsim të lartë. Buxheti për Arsimin e Lartë nuk shkon për infrastrukturë universitetesh, por për të rregulluar zyrën e ministrit të Arsimit dhe zyrave qendrore të MAS”, tha Basha.

Lulzim Basha theksoi se për fat të keq Shqipëria po njeh një fenomen tepër të rëndë dhe ai është braktisja masive e shkollave e universiteteve në vend. Basha nënvizoi se nxënës e studentë po braktisin vendin për të ikur jashtë, pasi këtu ka humbur shpresa.

“Këta vite ka ndodhur një fenomen i tmerrshëm. Ky fenomen është braktisja masive e arsimit, sidomos atij të lartë nga shqiptarët. Ata zgjedhin të largohen jashtë vendit.

Gjithashtu, arsimi i lartë është përfshirë nga llumi, balta dhe korrupsioni. Ne do të bëjmë përpjekje, ne si PD së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë europianë, që të nxjerrim arsimin e lartë nga kjo llucë e korrupsion ku është mbërthyer”, deklaroi lideri demokrat Lulzim Basha. Ai shtoi se Rama po konsolidon pushtet në arsimin e lartë edhe jashtë ligjeve.

“Jemi këtu pas disa muajsh që kanë kulmuar krizën e thellë të institucioneve të arsimit të lartë. E tillë ishte edhe lëvizja studentore e dhjetorit të kaluar. Aspekti i parë i kësaj krize duket qartë te financimi. Buxheti ka arritur në vitin 2019 në 3.29 për qind e PBB-së, në një kohë kur niveli minimal për të garantuar standardet rajonale, duhet të jetë jo më pak se 5 për qind. Këto parà shkojnë në pjesën më të madhe për rikonstruksionin e Ministrisë së Arsimit, për një fasadë me të vërtetë llamburitëse. Ndërkohë, rënia në pikiatë e financimit për arsimin e lartë shoqërohet edhe nga braktisja e studimeve. 133 mijë nxënës e studentë kanë braktisur shkollën në këto 4 vite”, tha Basha.

Basha theksoi më tej planin e tij për të zhvilluar më tej arsimin e lartë në Shqipëri.

Qasja europiano-bashkëkohore do të jetë pikërisht ajo që do të bëjë që arsimi shqiptar të udhëhiqet nga një koncept i ri menaxhimi, në financa, teknologji, etj..

“Revolucioni i inteligjencës artificiale, i robotikës, i materialeve të ndryshme në industri ka ardhur dhe është bërë real. Një vend në zemër të Europës nuk e ka luksin ta humbasë këtë mundësi të jashtëzakonshme. Kemi një mundësi të lëmë prapa 5 vite stanjacion dhe prapambetje në vendin tonë. Është njësoj si mundësia që shfrytëzuam pas futjes së teknologjisë së celularëve. Nevojat e një tregu gjigant europian, me lokomotivë ekonominë gjermane, janë shembuj për t’u ndjekur për të hapur më shumë vende pune, e për më tepër të ndërlidhur në tregun europian të punës”, tha Basha.

Sipas Bashës, për ta bërë këtë që me fjalë është shumë e thjeshtë, duhet përvoja. Për këtë tha se ekzistojnë kontaktet e duhura me përfaqësues gjermanë, që janë të etur për vende të kualifikuara pune.

“Ky vullnet politik, që sot ka formën e një programi të detajuar të Partisë Demokratike, nesër duhet të përkthehet në buxhet, i cili të administrohet në mënyrë të tillë që të mos kthehet në rikonstruksione zyrash luksoze apo blerje automjetesh, por aty ku ka nevojë arsimi i lartë”, tha kreu i PD-së.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular