BallinaRajoniPacolli: Mohuesit e krimeve të luftës në Kosovë - do të shpallen...

Pacolli: Mohuesit e krimeve të luftës në Kosovë – do të shpallen të padëshirueshëm

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, tha të dielën se do t’u ndalojë hyrjen në Kosovë dhe do t’i shpallë të padëshirueshëm të gjithë zyrtarët serbë, që mohojnë krimet e luftës në Kosovë.

Reagimi i tij pasoi një intervistë të shefit të diplomacisë serbe, Ivica Daçiç, dhënë një mediumi rus ku ai e thekson se “ngjarjet në Reçak ishin shkaku i drejtpërdrejtë i bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe”, duke e cilësuar si “arsyetim të rrejshëm” masakrën në atë fshat ku qenë vrarë 45 civilë shqiptarë më 15 janar të vitit1999.

“I pështirë dhe absolutisht i papranueshëm mohimi i Masakrës së Recakut nga ministri aktual i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, i cili shërbeu si zëdhënës i partisë së (Sllobodan) Millosheviçit në vitet ’90. Zëdhënësi i Millosheviçit vazhdimisht ofendon viktimat, familjaret e tyre dhe mohon vrasjet masive dhe gjenocidin në Kosovë nga regjimi që ai i shërbente i përkushtuar. Serbia kreu krimet më të këqija kundër civilëve shqiptarë, boshnjakë dhe kroatë në Evropë që nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore kundër hebrenjve”, shkroi të dielën në rrjetet sociale, ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli.

Ai theksoi më tej se “arsyeja pse Daçiq dhe fashistë të tjerë në Serbi mohojnë krimet e luftës është sepse drejtësia ndërkombëtare dështoi në sjelljen e atyre para drejtësisë që kryen krime kundër njerëzimit në Kosovë. Nuk kishte kurrë një de-nazifikim të Beogradit. Drejtësia për viktimat e luftës në Kosovë nuk do të arrihet kurrë nëse drejtësia vazhdon ta fsheh gjithë ato krime nën qilim. Nëse nuk ka dënim për krimet e Beogradit të kryera në Kosovë nuk do të ketë kurrë pajtim dhe këta fashistë në Beograd do të vazhdojnë të mohojnë krimet që kanë kryer. Si Ministër i Punëve të Jashtme kam vendosur që të gjithë zyrtarët serbë që bëjnë deklarata që i mohojnë krimet e luftës të kryera në Kosovë të shpallen persona non-grata në Kosovë dhe i bëjnë thirrje Prokurorisë të marrë masa ligjore kundër tyre”, shkroi ai.

Muajin e kaluar parlamenti i Kosovës miratoi një mocion për krijimin e një komisioni të veçantë për, siç thuhet, dënimin e krimeve të luftës dhe gjenocidin e ushtruar nga shteti serb ndaj popullatës së pafajshme në Kosovë.

Komisioni që do të ketë për detyrë propozimin e nismave ligjore për të dënuar krimet e luftës, pasoi deklaratat e zyrtarëve serb të përfshirë në institucionet e Kosovës dhe autoriteteve të Beogradit që mohojnë krimet e luftës.

Qeveria e Kosovës hodhi nismën për hartimin e një ligji në bazë të të cilit do të dënohen të gjithë ata që mohojnë krimet e luftës në Kosovë.

Brenda dy javësh, në fund të muajit mars dhe në fillim të muajit prill, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, shkarkoi ministrin e Pushtetit Lokal në qeverinë e tij, Ivan Teodosijeviç dhe zëvendësministren e drejtësisë, Vesna Mikiç, pasi që mohuan krimet e Serbisë gjatë luftës së viteve 1998 dhe 1999 ndërsa akuzuan shqiptarët si “terroristë” dhe për shpikje të masakrave për të nxitur bombardimet e NATO-s ndaj forcave serbe.

Beogradi i cilësoi shkarkimet si shkelje të lirisë së fjalës dhe trysni mbi pjesëtarët e komunitetit serb, ritheksoi mohimin e krimeve të kryera nga forcat serbe në Kosovë.

Kosova po shënon njëzet vjetorin e bombardimeve të NATO-s ndaj forcave serbe dhe pothuajse çdo ditë shënohet një nga datat e mizorive të kryera nga forcat serbe. Kosova doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë e mijëra të zhdukur, për fatin e 1 mijë e 600 prej të cilëve, ende nuk dihet asgjë.

Por derisa institucionet e Kosovës e vlerësojnë ndërhyrjen e NATO-s me rëndësi vendimtare për historinë e vendit. Zyrtarët serbë e cilësojnë Serbinë si “viktimë të agresionit të NATO-s”.

Njëzet vjet më pas, Kosova dhe Serbia ndodhen në një proces aktualisht të pezulluar bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre në shkëmbim të afrimit me Bashkimin Evropian. Por, tensionet ndërmjet të dyja vendeve mbeten të larta. VOA

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular