BallinaKultureKali i të Këqijave

Kali i të Këqijave

Nga Naim Berisha

-fragment nga poema me te njejtin titull,
marre nga libri “Le te Vijne Vajzat”, botuar me 2005.-

*** *** ***

Unë jam ai Kali që digjesha mes zhegut
Që shkrihesha prej etjes si kripa në ujë
Që bëja fyje prej thuprave të shelgut
Dhe i bija tinëz një melodie të huaj

Unë jam ai Kali që lypja ngamot
Bukë e ujë me zërin gjer në kupë të qiellit
Por as vetë zërin tim nuk e ndieja dot
Se zëri më humbiste ndër hone të shpirtit

Theva me plug djerrinën, livadhit …
Të vizatoja peisazhin e blertë të pranverës
Të thurja çerdhet me fijet e barit
Ku të cicëronin zogjtë e mi të zemrës

Ma shkelën arën që mbolla në pranverë
M’i rrëzuan zogjtë që hodha në hapësirë
Ç’ tragjizëm, të të shkelin arën e mbjellë
Të të rrëzojnë zogjtë në fluturimin krahëlirë

Por nuk u dhashë.

Nga mëngjesi vrapova gjer vonë në mbrëmje
Me dhimbjet e rënda të jetës mbi supe …
Ende vrapoj nëpër shtigjet e egra të një ëndrre
Si një xixëllonjë që duket, që xixëllin në muzgje

Sa shumë u rreka errësirën të dëboja
Me pagjumësinë time të përhershme …
Mbi krifën time të rralluar, borëronte koha
Rrudhat e ballit të gjërë, m’i bënte më të prekshme

Por mbi ballin tim flutronte shqiponja
Ndërsa mbi supe më rëndonte djepi i fëmijës
E kërkoja larg ajrin e kthjellët që dëshiroja
Veç frymën ma heponte ankthi i thinjës

Dhe fjalen “Nënë …” ma kishin vjedhur
Herezi qe shpallur ajo fjalë e dridhshme
Ajo fjalë tabu më shkurtonte jetën
Kokën ma këpuste si një dallendyshe

Nëna që m’kish lindur s’kish rëndësi fare
Një nënë tjetër ish si një ombrellë
Një nënë e kujdesshme, një nënë aq e madhe
Që s’vinte gjumë në sy prej dashurisë së thellë

Një gjysmë shekulli nuk pati rilindje
Kështu, as unë si Kalë, nuk gjeta liri …
Gjersa vit pas viti e stinë pas stine
Qe zverdhur si një vjeshtë fjala “dashuri”

Kaluan vite dhe vjen një zgjim i ri
Një mëngjes pranvere mbi mua derdh dritë
Në guva të errta të shpirtit “blasfemi”
Korali i kaltër, befas, u rilind …

U ringjall në mua, në shpirt dhe në kurm
Si në shpirtin dhe kurmin e shqipes se fjaleve
Vallë, kush e ndezi me çakmak atë dritë tek unë
Në koralin tim të kaltër të ndjenjave

Dhe u shuan pishat në përtrollzën time
Dhe u ndez nje qiell me yje e hënë
Unë s’i zë besë territ me shkelqime
Besoj si Anteu, veç në tokën Nëne!

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular