BallinaOP EDA janë arritje këto ngjarje kyçe në 20 vite që kanë firmën...

A janë arritje këto ngjarje kyçe në 20 vite që kanë firmën dhe mbështetjen e Thaçit?

Nga Bekim Bruka

Hashim Thaçi me deklaratat e tij dje në emisionin “Open” tentoi të na shfaqej sikur e gjithë pesha e marrëveshjeve me Serbinë ka qenë dhe është në shpatullat e tij (veçanërisht arritjet). U përpoq të na tregonte se kishte sakrifikuar shumë në këto njëzet vite aktive në politikën e Kosovës saqë kushdo që e sulmonte tani, mëkatonte. Por megjithatë nuk mallëngjeu askënd. Për ata që nuk e njohin dhe nuk e kanë studiuar politikën e Kosovës dhe ngjarjet e këtyre njëzet viteve atje, është me rëndësi të dinë disa ngjarje dhe ndodhi kyçe të njëzet viteve të fundit që kanë firmën dhe mbështetjen e Hashim Thaçit.

– 18 mars 1999

Në Rambuje mbahet takimi i parë mes palës serbe dhe asaj shqiptare me ndërmjetësim ndërkombëtar në përpjekje për të arritur një armëpushim e më pas mbarimin e luftës në Kosovë. Thelbi i marrëveshjes ishte që Kosova të fitonte autonomi, megjithëse do të ishte ende nën administrimin e shtetit serb. Për shkak të autonomisë serbët refuzuan dhe e bojkotuan marrëveshjen ndërsa pala shqiptare përfshi dhe Hashim Thaçin e firmosën atë (ndryshe nga deklaratat e tij mbrëmë se ai ishte kundër autonomisë). Mosnënshkrimi nga pala serbe detyroi NATO-n të ndërmerrte bombardimet mbi Serbi e Kosovë mbi forcat e Millosheviçit. Në këto 20 vite Hashim Thaçi e ka konsideruar Rambujenë si arritje të tij ( në një fjalë të tij në Parlament ai theksonte se në Rambuje u hap rruga e Pavarësisë). Megjithatë kjo duhet parë në disa këndvështrime dhe pikëpamje. Shtrohet pyetja: Nëse dhe pala serbe do firmoste a do e mbante Hashim Thaçi mbi vete përgjegjësinë që Kosova do ishte ende nën Serbi? A firmosi realisht Thaçi për Pavarësi, apo firma e tij ishte dakordësi me “autonomi nën administrim serb”?

– Mars 2007.

Marti Ahtisari, një diplomat i Kombeve të Bashkuara paraqiti para Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së planin e tij “Propozimi gjithëpërfshirës për zgjidhjen e çështjes së Kosovës”, në cilën propozohej dhënia e Pavarësisë së mbikqyrur për Kosovën. Në thelb të saj ishte parashikimi i shtetit të ri jo si komb por si vend i komuniteteve( në censusin e vitit 1981, i fundit ku morën pjesë të gjitha grupet etnike shqiptarët përbënin 77.5% të popullsisë ndërsa serbët vetëm 13%). Ky propozim parashtronte disa kufizime diskriminuese mbi sovranitetin e shtetit të ri, si për shembull ndalimi i bashkimit me shtetet e tjera( edhe në rast referendumi) ku më së shumti ndërkombëtarët i trembeshin shumicës shqiptare. Në të kundërt me shqiptarët, Ahtisari planifikoi krijimin e disa komunave serbe në jug-perëndim të Kosovës si vazhdimësi e decentralizimit të brendshëm, nga ku këto komuna do të kishin më shumë pushtet dhe kompetenca sesa ato me shumicë shqiptare. Ahtisari gjithashtu parashikoi vende të rezervuara për serbët në Parlamentin e Kosovës dhe në Qeveri duke ju dhënë atyre një përfaqësim të tepruar, kuota në komuna, shërbim civil, siguri, polici dhe drejtësi. Në zgjedhjet e vitit 2010 për shembull, të gjitha minoritetet së bashku fituan rreth 55 mijë vota të përkthyera në 25 mandate deputetësh ndërkohë që Lidhja Demokratike e Kosovës fitoi 177 mijë vota të përkthyera në 27 mandate. Në një rast tjetër, për rajonin e Mitrovicës parashikohej që nga trupi gjykues një gjykatës do të ishte detyrimisht serb, ndërsa tjetri do të zgjidhej me short, thua se etniciteti serb bënte pjesë në kategori profesionale. Pas shpalljes së Pavarësisë Parlamenti i Kosovës, në të cilën shumicën e kishte PDK-ja e Thaçit i kaloi dhe miratoi të gjitha pikat e kësaj pakete pa asnjë debat e në mënyrë ceremoniale. Pra Hashim Thaçi mban mbi vete përgjegjësinë e copëtimit të sovranitetit dhe të dhënies së mbipërfaqësimit për serbët në një shtet me shumicë të theksuar shqiptare.

– Në vitin 2010 me kërkesë të një përfaqësuesi boshnjak të Këshillit Komunal të Prizrenit, Gjykata Kushtetuese detyroi këtë Komunë të hiqte nga emblema e saj vitin 1878 që simbolizonte vitin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Gjykata theksoi se stema duhej të pasqyronte natyrën multi-etnike të Prizrenit ndonëse shqiptarët janë në shumicë të theksuar atje, ndërkohë që emblema e Komunës së Graçanicës mbart simbole serbe. E gjitha kjo parashikohej në paketën e Ahtisarit në cilën simbolet, flamuri, stema, vula dhe himni duhej të përjashtonin çdo ngjyrim kombëtar. Kjo është arsyeja pse himni i Kosovës është pa fjalë. Kosova u konsiderua shtet multi-etnik ndonëse diversiteti është më i ulët sesa në shume vende fqinje.

– 2013

Deri në këtë vit serbët e veriut i kanë bojkotuar jo vetëm institucionet por edhe zgjedhjet e Kosovës. Përpara Pavarësisë mediat e huaja shkruanin se serbët e Kosovës që merrnin pjesë në institucionet e UNMIK-ut ndjeheshin të kërcënuar nga Beogradi. Rasti konkret është Sladja Iliç, ish kryekomunar i Shtërpcës i cili është dhunuar dhe rrahur në Beograd, e që nga ajo ditë jeton në Slloveni duke mos u kthyer as në Kosovë e as në Serbi. Me marrëveshjen e vitit 2013, serbët hoqën dorë nga braktisja e zgjedhjeve. Kjo marrëveshje i dha të drejtën serbëve të menaxhonon 10 komuna brenda territorit të Kosovës nëpërmjet atij që u quajt decentralizim i brendshëm (nga 38 gjithsej), pra rreth një e katërta e komunave dhe 25% e territorit, proces që amerikanët i referohen si “gerrymandering”, ose vizatim i kufinjve administrativ në mënyrë të pabarabartë në shërbim të një grupi e në dëm të një tjetri. Graçanica, Kllokoti, Leposaviqi( Albaniku), Mitrovica e Veriut, Novobërda, Parteshi, Ranillugu, Shtërpca, Zubin Potoku dhe Zveçani sot janë nën administrim të strukturave paralele serbe, ku krahasimisht mund të pasqyrohet situata e Bosnjes dhe Hercegovinës.

Plani i Ahtisarit e ndan Kosovën në dy sisteme politike e juridike, në dy zinxhirë komandues, dhe dy realitete simbolike. Këto 10 komuna fituan vetë-qeverisje dhe vetë-financim, dhe që nga Pavarësia Serbia ka financuar vazhdimisht në strukturat paralele nëpërmjet arsimit dhe shëndetsisë. Flamuri serb vazhdon të valvitet nëpër institucione, monedha serbe vazhdon të përdoret, dhe mbulimi telefonik me valë nga Serbia vazhdon të funksionojë.

– Në gusht të vitit 2015 Prishtina dhe Beogradi zyrtar arritën marrëveshjen për Asosacionin e Komunave me shumicë serbe, që nga opinioni publik u konsiderua si një shtesë tjetër diskriminuese që e zgjeronte dhe e bënte planin e Ahtisarit të dukej i mirë për shqiptarët, në krahasim me dëmet e kësaj marrëveshjeje. Pika kyçe e saj ishte krijimi i një unioni të përbashkët ekonomik dhe politik ndërmjet 10 komunave me shumicë serbe, dhënia e statusit si “komuna serbe” e jo “me shumicë serbe”, e që më pas filloi të shihej si hapi i parë i autonomisë së veriut e më pas bashkangjitjes me Serbinë. Hashim Thaçi ishte Ministër i Punëve të Jashtme kur kjo marrëveshje u firmos dhe u tentua të miratohej në Parlament. Pra ai ra dakord që Pavarësia e Kosovës dhe njohja e saj nga Serbia të kushtëzohej nga Paketa e Ahtisarit plus Asosacioni.

Korrik-Gusht 2018

Retorika e Thaçit dhe e njerëzve krah tij në Prishtinë e Tiranë që nga marrëveshja për Asosacion, ka qenë gjithmonë e shoqëruar me turbo-folk dhe nacionalizëm elektoral, kundërshtuese në sytë e publikut ndaj çdo copëtimi. Por e gjithë kjo përpjekje ra poshtë në verën e vitit të kaluar kur për herë të parë Presidenti Thaçi hodhi idenë e korrigjimit të kufinjve me Serbinë. Në fakt fjala korrigjim ishte thjeshtë një maskë ku ideja fillestare mund të fshihej. Propozimi i takonte një ideje të vjetër serbe ku Kosova do të merrte Komunat e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit dhe do të jepte veriun e Kosovës( përfshi këtu minierën e Trepçës dhe Liqenin e Ujmanit.) Sipas kësaj marrëveshjeje do korrigjohej gabimi i Jugosllavisë dhe Titos në vizatimin e kufinjve mes Kosovës dhe Serbisë dikur.E gjithë mjegullnaja e madhe dhe mungesa e transparencës rreth një marrëveshje të përfolur kaq shumë u rrit nëpërmjet mbulimit mediatik të disa gazetarëve në Tiranë e Prishtinë. Mënyra “mbrohu duke sulmuar” ishte metoda që u tentua që ideja të shitej si e pastër dhe jo e dëmshme për Kosovën. Pas takimit me liderët e Luginës së Preshevës, replikave mediatike, akuzave, protestave dhe sharjeve Thaçi më fund lëshoi pe ndaj vetë politikës shqiptare. Historia ka treguar se Thaçi di të lëshojë terren ndaj serbëve por jo ndaj opozitës në vendin e tij. Kjo ishte hera e parë që Thaçi bënte mbrapa.

-Janar 2019. 

Që nga fillimi i këtij viti disa ish-funksionarë të UÇK-së do i nënshtrohen gjykimit nga një tribunal i pavarur nga institucionet e Kosovës, mbi akuzat për krime lufte. Gjykata e Hagës ja ka deleguar këtë kompetence tashmë kësaj Gjykate Speciale, ndonëse në veri të Kosovës besohet se ndodhen shumë kriminelë serbë lufte që mbrohen nga ndërkombëtarët. Një media boshnjake i referohej para disa vitesh faktit që në Parlamentin e Serbisë rreth 30% e deputetëve kishin lidhje të drejtpërdrejta më grupin e njohur si “Çetnikët”, megjithatë asnjë përpjekje për Gjykatë Speciale nuk është ndërmarrë atje. Pra logjikisht Kosova dhe shqiptarët po marrin statusin e fajtorit nga kjo gjykatë ndërsa serbët atë viktimës. Nuk është miratimi dhe ratifikimi shqetësim, sepse për të ecur drejt të ardhmes, duhet të shohim mbrapa dhe të gjykojmë gabimet tona pa ngurim; por loja e dyfishtë e diplomacisë ndërkombëtare sot e njëzet vite me bekimin dhe miratimin e Hashim Thaçit.

Në njëzet vite jetë aktive të Thaçit në politikë, Kosova vetëm është copëtuar, herë politikisht e herë territorialisht. Dilentantizmi i klasës politike të katapultuar nga ai në Parlament nuk e ka nxjerrë akoma Pavarësinë në veprim e në përmbajtje, por vetëm në fjalë në letra. Ai nuk mund të flasë për përgjegjësi historike, sepse demët më të mëdha mbajnë firmën e tij.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular