BallinaAktualitetPresidenti Meta: Zgjedhjet pa opozitën janë problematike

Presidenti Meta: Zgjedhjet pa opozitën janë problematike

Në intervistën e dhënë sot për emisionin “Debat Plus” për TV Dukagjini, Presidenti Ilir Meta u ndal edhe te zhvillimet në Shqipëri, dhe te qëndrimi i tij për dialogun.

Gazetari: Do të doja të ndalesha pak te zhvillimet në Shqipëri. Folëm deri tani për problemet dhe pengesat Shqipëri-Kosovë. Por, Shqipëria e udhëhequr nga Presidenti Meta, nuk i ka punët aq mirë sidomos tani. Keni një Parlament që funksionon me deputetë të cilët i kanë dorëzuar mandatet nga ana e opozitës dhe keni një afat për zgjedhjet në 30 qershor. Çfarë po ndodh? A do mbahen zgjedhjet? Kemi dëgjuar shpesh qëndrimin tuaj për dialogun, për të zgjidhur problemet që kanë palët, por kemi parë edhe presionin me faktorin ndërkombëtar që kjo të ndodhë, nuk është se ka shumë lëvizje në kuptimin e arritjes së një marrëveshje apo të një klime që, zgjedhjet të mbahen në bazë të Kushtetutës.

Presidenti Meta: Nuk është situata më e mirë që duhet të ishte Shqipëria , kjo në radhë të parë përsa i takon objektivave të vetë Shqipërisë, edhe në raport me procesin e integrimit europian, përderisa synojmë çeljen e negociatave dhe procesi duhet të kishte ndodhur dy vjet para dhe është tepër i rrezikuar aktualisht, për shkak të një stanjacioni dhe një situate tepër ndarëse të brendshme.

Opozita sikurse ju e dini, ka bërë një veprim tepër të nxituar dhe të papranueshëm siç ishte ai i djegieve të mandateve. Por, për fat të keq mazhoranca gjithashtu, ka bërë një veprim të nxituar për shpejtimin për zëvendësimin e këtyre mandateve. Ndërkohë, ka patur dhe ka një kohë relativisht të gjatë gati 30 ditë, për të shqyrtuar mandatin e çdo deputeti, kohë që mund të ishte shfrytëzuar për të evituar një situatë edhe më të përshkallëzuar se, kjo që paraqitet sot.

Jemi në një situatë ku të dyja palët duhet të bëjnë hapa pas dhe të gjejmë rrugën e duhur për të shkuar drejt zgjedhjeve demokratike, sepse kjo është e panegociueshme si kriter bazë për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian. Besoj është bërë e qartë edhe nga përfaqësues ndërkombëtar, sidomos nga drejtues të fraksionit kryesor në Bundestagut të CDU/CSU që, zgjedhjet pa opozitën janë zgjedhje problematike, përsa i takon aspektit demokratik dhe Shqipëria, ka nevojë për stabilitet demokratik.

Në këtë drejtim unë, shpresoj në një reflektim të të dy palëve dhe në një përgjegjshmëri të lartë. Për fat të mirë, protesta e fundit e opozitës, ishte tërësisht paqësore dhe shpresoj që, kjo të ketë ndikimet e saja në përshpejtimin e një zgjidhje. 

Gazetari: Si ta kuptojmë këtë sjelljen e opozitës Zoti Meta, se ju keni qenë në opozitë për një kohë të gjatë edhe në pushtet, para se të vinit në postin e Presidentit. Mbahen zgjedhje të lira, vlerësohen si zgjedhje të lira, pastaj kalon gjysma e mandatit dhe opozita kërkon që të mbahen zgjedhje të tjera. Patëm rast dhe në mandatin e kaluar kur u krijua qeveria teknike, për t’i dhënë zgjidhje. A do duhet gjithmonë, kështu? Pse nuk lihet mandati, të shkojë deri në fund, pse duhet të veprohet në këtë mënyrë, vetëm pse nuk arrihen të fitohen zgjedhjet dhe pastaj krijohet pretekst për të gjetur probleme të tilla. Po si nga perspektiva, po ju pyes si një politikan më përvojë të gjatë në Shqipëri.

Presidenti Meta: Nuk do të flas si një politikan me një përvojë të gjatë, por do të flas si një President në detyrë, për çështjen e krizës aktuale.

Një vend pa Gjykatë Kushtetuese, është një vend pa Kushtetutë. Në këtë drejtim, në këtë situatë ku jemi, unë mendoj që nuk i ka vetëm opozita përgjegjësitë e saj, edhe pse më duhet të them që opozita ka marrë edhe iniciativa në Kuvendin e Shqipërisë, të cilat pothuajse nuk janë shqyrtuar fare, që duhet të ishin shqyrtuar për rivendosjen apo për rivlerësimin e reformës dhe afateve të saj Kushtetuese, me qëllim zhbllokimin e institucioneve te reja dhe evitimin e kontestimit të tyre. Pra, nuk kemi përgjegjëse vetëm opozitën, kemi përgjegjëse edhe mazhorancën. Rruga e zgjidhjes nuk është rruga përjashtuese, as e mazhoranës për opozitën dhe as opozitës për mazhorancën, duhet një marrëveshje që rivendos vendin në normalitet të plotë kushtetues, institucional dhe demokratik.

 Gazetari: Marrëveshje për zgjedhje të afërta kombëtare? Çfarë marrëveshje, do ketë?

 Presidenti Meta: Çdo marrëveshje që rivendos këtë normalitet të funksionimit të Kushtetutës së Shqipërisë, të institucioneve përfaqësuese edhe të përfaqësimit.

 Gazetari: Mund të përfshijë dhe një afat kohor të shtyrjes së zgjedhjeve lokale dhe mbajtjes se tyre në një afat kohor të përbashkët?

 Presidenti Meta: Rendi kushtetues i Republikës se Shqipërisë, bazohet mbi pluralizmin politik dhe pluralizmi politik, garantohet vetëm nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Rendi kushtetues i Republikës së Shqipërisë dhe garantimi i tij është çështja më e rëndësishme që të gjithë bashkë duhet të sigurojmë.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular