BallinaAktualitetTrafiku i qënieve njerëzore, DASH: Shqipëria nuk plotëson standardet minimale

Trafiku i qënieve njerëzore, DASH: Shqipëria nuk plotëson standardet minimale

Qeveria, thuhet në raport, përgjithësisht demonstroi përpjekje në rritje në krahasim me periudhën e mëparshme, por në disa aspekte kyçe nuk përmbushi standardet minimale.

Në raport thuhet se trafikantët e qenieve njerëzore shfrytëzojnë viktimat vendase dhe të huaja në Shqipëri, si dhe viktimat nga Shqipëria jashtë vendit. Gra dhe fëmijë shqiptarë janë objekt i trafikimit seksual dhe punës së detyruar brenda vendit, veçanërisht gjatë sezonit turistik.

Sipas raportit, qeveria shqiptare vazhdoi të hetojë, të ndjekë penalisht dhe të kërkojë ngritje akuzash për më pak raste, duke çuar në nivelin më të ulët të veprimeve ligjzbatuese në katër vite.

Megjithatë, raporti thotë se qeveria shtoi përpjekjet për të parandaluar trafikimin, duke miratuar planin kombëtar të veprimit për periudhën 2018-2020.

Trafikantët përdorin premtime të rreme si martesa ose oferta për punësim për t’i joshur viktimat për trafik seksual. Fëmijët zakonisht detyrohen të lypin ose të kryejnë lloje të tjera të punës së detyruar, të tilla si shitja e artikujve të vegjël.

KOSOVA

Në raportin vjetor të Departamentit amerikan të Shtetit Qeveria e Kosovës kritikohet për rezultate të mangëta.

Megjithatë, DASH vlerëson përpjekjet e Kosovës për të ndryshuar gjendjen, duke rishikuar klasifikimin e rasteve të trafikimit në kodin penal.

Sidoqoftë, në dokument thuhet se qeveria nuk ka përmbushur as standardet minimale në disa pika tjera, prandaj edhe radhitet në nivelin 2, sipas klasifikimit të Departamentit.

Vërejtjet kryesore në raport janë dënimi i një numri të vogël trafikantësh dhe identifikimi i pak viktimave.

Kritikë tjetër është dënimi i pamjaftueshëm i trafikantëve nga organet e drejtësisë.

Qeveria e Kosovës u kritikua edhe për uljen e fondeve për organizatat joqeveritare, duke i lënë ato të varura nga donacionet ndërkombëtare.

Vitin e kaluar autoritetet e sigurisë së Kosovës kanë bërë 12 kallxime penale që është gati gjysma e kallzimeve të bëra në vitin 2017, thuhet në raport.

Viktimat e trafikimit me qenie njerëzore në Kosovë shfrytëzohen seksualisht dhe shumica janë vajza, banore të Kosovës ose të sjella me forcë nga Shqipëria, Moldavia, Rumania, Serbia e vende tjera.

Shfrytëzimi i tyre bëhet nëpër shtëpi private, apartamente, klube nate dhe qendra masazhi.

Raporti përmend edhe rastet kur fëmijë nga Kosova dhe vende të tjera fqinje largohen me forcë nga vendi i tyre, duke i detyruar për prostitucion dhe punë të detyrueshme në vende të ndryshme të Evropës.

Viktima të trafikimit janë edhe pjesëtarët e komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian, të cilët detyrohen të kërkojnë lëmoshë dhe shpesh bëhen pre e trafikimit seksual.

Problemet me korrupsionin në qeveri krijojnë një mjedis që mundëson krimin, thuhet në raport.

Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit, rekomandon që të hetohen më fort rastet e trafikimit dhe dënimet ndaj kësaj kategorie të jenë më të ashpra, qeveria të japë më shumë fonde për OJQ-të, të organizohen trajnime profesionale për prokurorë e gjyqtarë dhe të shtohet bashkëpunimi me autoritetet lokale për mbrojtje të viktimave.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular