BallinaAktualitetDeutsche Welle: Situatë e ndezur politike në Shqipëri

Deutsche Welle: Situatë e ndezur politike në Shqipëri

KQZ vazhdon procesin zgjedhor drejt 30 qershorit, por bashkitë, që janë fituar nga PD kanë filluar mosbindjen civile. KQZ thotë, se çdo pengim i procesit zgjedhor përbën vepër penale. Sot – protestë e re në Tiranë.

Dekreti i Presidentit Meta  për shfuqizimin e 30 qershorit si data e zhvillimit të zgjedhjeve dhe mospranimi i tij nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve (KQZ) ka krijuar në Shqipëri një situatë të paprecedentë. Nga njëra anë KQZ vazhdon procesin zgjedhor drejt 30 qershorit, nga ana tjetër bashkitë, që janë fituar nga PD në Lokalet 2019, kanë filluar mosbindjen civile. Kryetarët e këtyre bashkive dhe mbështetësit e opozitës kërkojnë  lirimin e mjediseve, ku KQZ ka vendosur Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve,(KZAZ) me kutitë e votimit, listat e zgjedhësve dhe gjithë materialet e tjera zgjedhore.

Bashkia e Matit, Bilishtit dhe Gjirokastrës ka kërkuar lirimine mjediseve që janë në pronësi të bashkisë me arsyetimin e zbatimit të dekretit të Presidentit Meta. Në Bashkinë e Matit, mbështetës të opozitës u përleshën me policinë. KQZ bën me dije, se ata përdorën sende të forta duke plagosur efektivat e policisë, që kanë përdorur gaz lotsjellës.

Konfrontime me forcat e policisë

Mosbindja civile filloi të martën në Bashkitë e djathta të Shkodrës dhe Tropojës. Burime zyrtare nga KQZ bëjnë me dije se të martën në mbrëmje, në Bashkinë e Shkodrës, mbështetës të opozitës hynë në oborrin e gjimnazit “Shejnaze Juka” dhe pasi u konfrontuan  me forcat e policisë, i vunë flakën njërës prej klasave të katit të parë të shkollës, ku ishte vendosur Komisioni Zonal i Administrimit të Zgjedhjeve,(KZAZ). Të njëjtat burime pohojnë se u dogj gjithë baza materiale e sjellë nga KQZ  për përgatitjen e zhvillimit të votimit më 30 qershor.

Albanien Präsident Ilir Meta (DW/A. Ruci)

Incidenti, në mbrëmjen e të martës u parapri më herët, nga konfrontimi fizik i mbështetësve të opozitës me komisionerët e KZAZ, të vendosur  në Pallatin e Sportit, Shkodër,  dhe efektivat e policisë duke synuar të pengojnë hyrjen e komisionerëve në mjediset e KZAZ.  Në këto kushte KZAZ në Pallatin e Sportit është marrë nën mbrojtjen e Policisë së Shtetit.

Në Bashkinë e Tropojës, mbështetës të opozitës hynë të martën me dhunë në mjediset e KZAZ dhe nxorrën jashtë materialet zgjedhore për zhvillimin e votimeve më 30 qershor.

Episodet e mosbindjes civile në Bashkitë e fituara nga PD në zgjedhjet lokale 2015, ndodhin pas paralajmërimit të kryetarëve të këtyre bashkive, se nuk do të lejojnë ngritjen e qendrave të votimit në mjediset që bashkia administron ,por do të zbatojnë dekretin e Presidentit Meta për shfuqizimin e datës 30 qershor.

Zentrale Wahlkommission Gebäude (DW)

Bashkitë e djathta: Lironi mjediset e KZAZ

Burime nga KQZ bëjnë me dije se kanë informacione se incidente të tilla mund të zhvillohen në vijim në bashki të tjera të drejtuara nga opozita. Pas daljes së dekretit nga Presidenti Meta për anullimin e 30 qershorit si data e zhvillimit të Lokaleve 2019 dhe mosnjohjes së këtij vendimi nga KQZ, në zbatim të Kodit Zgjedhor, kryetarët e bashkive të djathta i kërkuan këtij komisioni të lirojnë mjediset ku janë vendosur  KZAZ, qendrat dhe materialet e votimit, mjedise që janë nën juridiksionin e bashkive..

Kërkesa vjen në vijim të deklaratës së PD se do të pamundësojë zhvillimin e Lokaleve 2019 dhe angazhimit të saj për ngritjen e “Aleancave Qytetare në Mbrojtje të Demokracisë” në të gjitha bashkitë, përfshirë edhe ato të drejtuara nga PS, ku fushata po vazhdon pa incidente.

Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, drejtuese e e Shoqatës së Kryetarëve të bashkive të djathta, tha në konference për shtyp të martën se në zbatim të dekretit të Presidentit Meta, KQZ  duhet të lirojë të gjithë mjediset, që janë pronë e bashkive. “Do të bëj gjithçka për kontrollin e territorit të bashkisë, duke mos lejuar asnjë puç institucional të bandave të Edi Ramës që drejtojnë policinë, prefekturën dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve,”deklaroi Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi.

Albanien Anti-Regierungsproteste in Tirana (Reuters/F. Goga)

KQZ- Çdo cënim i procesit zgjedhor përbën vepër penale të ndëshkueshme

Por KQZ bëri të martën zyrtarisht me dije se kërkesa për lirimin e menjëhershëm të ambienteve ku janë vendosur KZAZ dhe ndërprerja e veprimeve për afishimin e listave të zgjedhësve në mjediset që janë në pronësi të bashkive „përbën tejkalim të kompetencave dhe detyrave të njohura nga ligji për vetëqeverisjen vendore”. Në deklaratën e KQZ theksohet se  “çdo cënim i procesit zgjedhor përbën vepër penale të ndëshkueshme”.

Opozita e djathtë nuk merr pjesë në Lokalet 2019 pasi sipas saj „ato nuk do të jenë të lira dhe të ndershme”. Që prej 4 muajsh PD dhe partitë e tjera opozitare kanë dorëzuar mandatet e tyre parlamentare dhe po zhvillojnë protesta për të rrëzuar qeverinë Rama, e akuzuar prej tyre për korrupsion, e ardhur në pushtet nga blerja e votës dhe lidhjet me krimin e organizuar. Këto ditë gazeta bulevardeske gjermane „ Bild” publikoi një tjetër seri përgjimesh të Prokurorisë në Shqipëri, lidhur me blerjen e votës nga PS, në zgjedhjet parlamentare 2017.

Opozita ka paralajmëruar vijimin e protestave të saj kombëtare më 21 qershor.

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular