BallinaKryesoreFarsë-shkruesi Rama e di fundin e farsës

Farsë-shkruesi Rama e di fundin e farsës

Nga Ilir Nikolla

Farsa është një gjini teatrore, njëfarë bufonate e realitetit, që dikur vihej në skenë mes dy veprave dramaturgjike. Me fjalë të tjera, mes dy punëve serioze, spektatori çlodhej me farsën, me realitetin-gjoja, parodinë e lehtë, domethënë me gjuhën e skeçit. Kuptimi në politikë i fjalës farsë është “një gjë joserioze”.

Ky sqarim duhet bërë për të ngërthyer më mirë akuzat e opozitës dhe atë çka Edi Rama po përpiqet të realizojë nesër. Nga zgjedhjet në zgjedhje, nga proceset konkurruese dhe mes proceseve konkurruese, Edi Rama po tenton të kalojë për zgjedhje një proces jokonkurrues, pra po tenton të shesë për zgjedhje, një farsë votimesh.

Farsa teatrore është një gjë e lehtë dhe e thjeshtë, pa zarar, përveç emocionit dhe investimit të aktorëve dhe farsëshkruesit, por farsa politike e 30 qershorit, është me zarar për të gjithë ata që e luajnë, pseudokandidatët, forcat e ruajtjes së rendit, trupat paramilitare rretherrotull kryeministrit, bile edhe për ndoca grupe vëzhguesish jo shumë të njohur me realitetin. Por edhe këtu duket se hëpërhë, farsa është pa zarar për farsëshkruesin. Edi Rama ka shkruar tekstin, por ka paranjoftuar se me 1 korrik do t’i bjerë hasha farsës, do shpallë se ishte i detyruar të luante me detyrim e përcaktim e se vetë s’kishte qenë dakord me lojën.

Kjo larje duarsh paradhënie nuk e shmang rrezikun që farsa politike të regjistrojë kurbanët e vet. Jo veç si aktorë politikë, por në radhë të parë për lehtësinë e çuditshme me të cilën partia e farsëshkruesit po vë në skenë pjesën. Një polici që është aktore e kulisave të kryesisë së PS, që shpik prova e betohet në rrenë për të plagosur, kandidatë që për hesap të tyre drejtojnë antimitingje përballë KZAZ-ve, të cilat rrezikojnë të shndërrohen në skena të përplasjes civile, dhe mbi të gjitha, është kurbani i madh i stabilitetit të vendit, që me dashje po sakrifikohet nga Edi Rama, në mënyrë që me 1 korrik të tregtojë bash atë, pra stabilitetin e vendit, në mënyrë që të zgjasë jetën e tij politike.

Por megjithë rreziqet, farsa mbetet farsë, produktet e saj janë gjithsesi të pamarrshme në konsideratë, askush në komunitet s’do të mund t’i pranojë pupacët për kryebashkiakë, veç në paçin ndërmend të qendrojnë ditë për ditë në zyra, të rrethuar nga një taborrë me policë e fnsh-ra, askush nuk do të shqetësohet pas 30 qershorit për fatin e atyre ministrave e drejtorëve të policisë që u investuan në vetë të parë për të shpallur të plagosur të paqenë, vetëm e vetëm për të justifikuar mekanizmat e dhunës.

Farsa e ka të shkruar fundin e vet. Meqenëse po e vë në skenë, jam i sigurtë se edhe farsëshkruesi Edi Rama e di fundin e vet. Pyetja është sa të tjerëve në kupolën e PS ua ka treguar fatin e vet.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular