BallinaOP EDDemokracia në rënie të lirë, Ne Populli i Shqipërisë

Demokracia në rënie të lirë, Ne Populli i Shqipërisë

Nga Ermal Xhelilaj

“Ne, populli i Shqipërisë,…me përgjegjësi për të ardhmen, …me vendosmërinë për të ndërtuar një shtet të së drejtës, demokratik e social, për të garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut,…me zotimin për mbrojtjen e dinjitetit dhe personalitetit njerëzor……..vendosëm këtë Kushtetutë. Dinjiteti i njeriut, të drejtat dhe liritë e tij, drejtësia shoqërore, rendi kushtetues dhe pluralizmi, ndër të tjera, janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë. Sistemi i qeverisjes në Republikën e Shqipërisë bazohet në ndarjen dhe balancimin ndërmjet pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor. Qeverisja bazohet në një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta, ku parimi bazë që mbështetet ky sistem zgjedhjesh është vota e qytetarëve Shqiptarë, e cila është vetjake, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë”. Këto janë disa prej parimeve themelore të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Ky është akti themeltar juridik më superior i këtij shteti, i përbërë nga një sistem vlerash demokratike e parimesh ligjore bazë të cilat janë udhërrëfyesi kryesor i funksionimit të jetës politike, sociale dhe ekonomike në vend, si dhe përfaqëson elementët themelor ku mbështetet mirëfunksionimi i institucioneve kushtetuese të vetë shtetit Shqiptar.
Ne këtë kontekst, nën një frymë të ndezur e të polarizuar politike, në të cilën u mbajt procesi i votimit të 30 Qershorit, përfaqësuar nga një numër i madh problematikash e mangësish ligjore e praktike që karakterizuan këto votime, a mund të flasim për një proces legjitim, të rregullt, të lire e të ndershëm zgjedhor bazuar në parimet bazë të Kushtetutës dhe standardeve ndërkombëtare. Mbi të gjitha, bazuar në situatën institucionale, ligjore e politike një dite pas këtyre votimeve, objekt vërejtjesh e kritikash nga misioni i OSBE/ODIHR, a mund të themi se niveli i demokracisë në vend është përmirësuar apo shohim një cedim të përgjithshëm të të gjitha parametrave kushtetues e rendit demokratik, të cilat mund të rezultojnë në shkarjen e vendit drejt një regjimi të mirëfilltë monist e autokratik, si dhe degradimin e mëtejshëm të institucioneve kushtetuese dhe vetë shtetit në tërësinë e tij.
Është e pakonceptueshme në këndvështrimin kushtetues, e për më tepër bazuar në parimet themelore demokratike që duhet të karakterizojnë një shtet që aspiron të aderohet në BE, që të zhvilloj një proces zgjedhor me një kandidat, pa prezencën e alternativës zgjedhore, dhe në mungesë të përfaqësimit të forcave politike opozitare. Qeverisja bazohet në një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta, ku parimi bazë që mbështetet ky sistem është vota e qytetarëve Shqiptarë, e cila është e barabartë, e lirë dhe e fshehtë. Shkelja flagrante nga Qeveria të dinjitetit e personalitetit njerëzor dhe të drejtave e lirive themelore të njeriut përmes presionit të ushtruar kundrejt votës së lirë, bien në kundërshtim të plotë me normat juridike të Kushtetutës dhe standardeve ndërkombëtare. Rrjedhimisht, ky proces votimi bie ndesh me parimet kushtetuese të pluralizmit politik e aftësisë për të ndërtuar një shtet të së drejtës, demokratik e social. Këto norma demokratike janë pasqyruar qartësisht në Konventën mbi Standardet e Zgjedhjeve Demokratike, të Drejtave e Lirive të Shteteve Anëtare të Bashkësisë së Shteteve të Pavarura (2007), të Komisionit Europian për Demokraci Përmes Legjislacionit. Janë pikërisht këto norma demokratike, të cilat duhet të kishin karakterizuar zhvillimin e procesit të votimit të 30 Qershorit dhe jo të ishin shkelur në mënyrë flagrante nga strukturat institucionale në varësi të Qeverisë.
Sistemi i qeverisjes në Republikën e Shqipërisë bazohet në ndarjen dhe balancimin ndërmjet pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor. Megjithatë, ndarja dhe balancimi i pushteteve aktualisht mund të konsiderohet inekzistente. Kjo Qeveri ka uzurpuar të gjitha pushtetet. Tashmë kemi një parlament, në kundërshtim me Kushtetutën, me 122 deputet, të cilët faktuar nga zhvillimet e fundit politike e parlamentare kanë dalë në mbështetje të kësaj Qeverie e politikave te saj, duke cënuar rëndë rendin kushtetues dhe pluralizmin politik në vend. Nga ana tjetër, pushteti gjyqësor, veçanërisht në mungesë të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë, ka treguar se ka ceduar nga misioni i tyre ligjor, shpesh herë duke dalë në mbështetje të politikave shtetërore, politikanëve në pushtet dhe liruar njerëz me precedent penal të lidhur me pushtetin. Dhënia e vendimeve antiligjore apo abuzive të gjykatave për dënimin dhe burgosjen politike të eksponentëve opozitarë e protestuesve është tregues i qartë i kapjes së këtij pushteti. Ushtrimi i forcës e dhunës policore, përdorimi i mjeteve e metodave ekstreme policore kundër protestuesve paqësor, arrestimet pa bazë ligjore e prova, keqtrajtimi dhe mbajtja në paraburgim në shkelje të të drejtave e lirive themelore të njeriut të qytetarëve, përdorimi i prokurorisë dhe SHISH nga ana e Qeverisë në kundërshtim me ligjin, implementimi i presionit e shantazhit të institucioneve publike për punonjësit e tyre për të votuar e dale në mitingjet e Rilindjes, përdorimi i mjeteve ushtarake e ushtrisë për qëllime antiligjore, janë një pasqyrë e qartë sesi pushteti ekzekutiv gjithashtu ndodhet plotësisht nën urdhërat e Kryeministrit dhe njerëzve të lidhur me pushtetin.
Duke marrë në konsideratë mungesën e një alternative efikase qeverisëse, korrupsionit galopant që ka mbërthyer shtetin, nivelin e lartë të kriminalitetit e bandave, trafikut të drogës, procesit farsë të votimeve, karakterizuar nga skandale e probleme madhore, Qeveria ka aktivizuar këto ditë tellallët profesionistë e mercenarët mediatik të Rilindjes, të cilët po sulmojnë me propagandë qesharake opozitën dhe kryetarin e saj. Sigurisht, qëllimi i tyre ishte qartësisht i parashikueshëm. Synohet nënvlerësimi i përpjekjeve të suksesshme dhe arritjeve që aksioni opozitar ka gjeneruar si rezultat i protestave masive gjithmonë në rritje, demaskimit të propagandës qeveritare, denoncimit të faktuar të vjedhjes së votave e bashkëpunimit të Qeverisë me të fortët, si dhe sensibilizimit të faktorit ndërkombëtar lidhur me keqqeverisjen, krizën e thellë politike e ekonomike kombëtare, si dhe problematikat serioze të kësaj Qeverie. Këto janë arritje të padiskutueshme të Partisë Demokratike dhe opozitës, të cilat paralel me demaskimin dhe denoncimin mbi kriminalizimin e pushtetit qendror e lokal dhe kanabizimin e vendit, i ka dhënë një goditje të fortë Qeverisë dhe Kryeministrit Rama. Ky diversion i pastër politik i Rilindjes ka për qëllim jo vetëm të shmang vëmendjen nga skandalet e kësaj Qeverie në krizë e dështimin spektakolar të procesit ilegjitim të votimeve, por synon gjithashtu të krijojë destabilitet e konfuzion për të dobësuar aksionin opozitar e krijuar përçarje në radhët e opozitës. Sigurisht mbrojtja më e mirë është sulmi, dhe pikërisht zëdhënësit politik të Qeverisë po përpiqen që kufomës politike të Ramës t’i shtojnë disa ditë më tepër pushtetin, një pushtet i cili bazuar në rezultatet e votimit të fundit tashmë është ilegjitim dhe përfaqëson pakicën.
Nën dritën e bojkotit plebishitar të qytetarëve shqiptarë, të manifestuar në votimet ilegjitime të kësaj Qeverie, është e kuptueshme plotësisht situata e vështirë në të cilën ndodhet Rama. Refuzimi i qytetarëve, shprehur edhe nga numri i madh i fletëve të pavlefshme të votimit, ishte një indikator i pakënaqësisë edhe të atyre njerëzve të punësuar në shtet, të cilët kanë qenë nën presion dhe shantazhuar për të votuar. Dhe nuk mund të ishte ndryshe për qytetarët shqiptarë kur arrijnë të shohin Kryeministrin e këtij vendi të kapur në përgjime për manipulimin e vjedhjen e votave, në mungesë të një strategjie politike, ekonomike e sociale, që gjithë diskursin e tij politik e elektoral e bazon në hedhjen baltë të opozitës, ironizimin, anektodat dhe barcaletat e orkestruara në cirkun artistik të Rilindjes. Janë pikërisht këto skandale e dështime që e kanë detyruar Ramën, bazuar në deklaratat e mercenarëve të tij mediatik, që t’i ofroj opozitës një nivel të caktuar bashkëqeverisje, e cila do ta asistonte atë që të neutralizonte përkohësisht rënien e Qeverisë së tij, për ta anatemuar opozitën dhe ta përfshinte atë në një vorbull të rrezikshme politike që mund ta dëmtonte në mënyrë të pariparueshme.
Partia Demokratike dhe opozita janë në mbështetje të një kauze të drejtë dhe legjitime, janë në mbrojtje të parimeve kushtetuese, të rendit demokratik, shtetit të së drejtës, pluralizmit politik, votës së lirë, lirive e të drejtave themelore të njeriut, dinjitetit dhe personalitetit njerëzor, drejtësisë shoqërore dhe sigurisht kanë si parim bazë ruajtjen e balancën e pushteteve me qëllim themelor aspiratën për t’iu bashkuar Bashkimit Europian. Në mbrojtje të këtyre vlerave e parimeve Partia Demokratike, sikurse edhe u konfirmua në 30 Qershor, gëzon mbështetjen e qytetarëve, intelektualëve, studentëve, pedagogëve dhe gjithë shtresave të tjera. Parë në këtë optike, mbrojtja e këtyre vlerave demokratike ndoshta mund të pasqyrohet edhe në preambulën e Deklaratës së Pavarësisë të SHBA-ve, në të cilën theksohet : “Në mbrojtje të parimeve bazë të së drejtave e lirive të njeriut dhe vlerave demokratike, është e Drejta e Popullit të ndryshojë çdo Formë Qeverie që kërkon të shkatërroj këto parime fondamentale”.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular