BallinaProfilLidershipi konservator: Cili do të jetë Borisi që do të udhëheqë Britaninë?

Lidershipi konservator: Cili do të jetë Borisi që do të udhëheqë Britaninë?

Kryeministri i mundshëm i ardhshëm i Britanisë nuk mund të mos përpiqet që t’i pëlqejë turmës dhe të marrë miratimin e saj. Por në politikën e shëmtuar të ditëve të sotme, kjo gjë nuk konsiderohet pozitive

Përbindëshi “Brexit”, i cili doli në skenë rreth tre vjet më parë, ka gllabëruar deri më tani dy Kryeministra britanikë. I pari ishte David Cameron, i cili dha dorëheqjen vetëm disa orë pas dhënies së rezultatit të referendumit më 24 qershor të 2016. E dyta ishte Theresa May, e cila e mori me shumë pozitivitet dhe me shumë besim Brexit por shumë shpejt edhe kjo e pa veten të mënjanuar dhe të përjashtuar, shkruan The Economist.

Deputetët konservatorë kanë hartuar një listë të shkurtër të kandidatëve për ta zëvendësuar atë. Vendimi do të merret në fund të korrikut të këtij viti. Një ndër kandidatët më të preferuar si në mesin e deputetëve, ashtu edhe në mesin e aktivistëve është Boris Johnson.

Por, cili Boris Johnson? 

Ish-sekretari i Jashtëm, i cili në disa prej kryeqyteteve europiane shihet me admirim, ndërsa në disa të tjera me përbuzje, në kohë të ndryshme ka mbajtur qëndrime të ndryshme. Si kryebashkiaku liberal i Londrës kozmopolite në vitet 2008-’16, ai fliste vazhdimisht mbi avantazhet e emigracionit dhe ato të tregut të vetëm.

Ndërsa si lideri i fushatës për t’u larguar nga BE-ja, ai kritikoi ashpër emigracionin dhe paralajmëroi mbi rreziqet e anëtarësimit të Turqisë në Bashkimin Europian, gjë mbi të cilën ai kishte lobuar ndryshe në të kaluarën. Në përpjekje për të fituar votat e të gjithë konservatorëve të krahut të djathtë, ai tani po lobon mbi perspektivën e largimit nga BE-ja, pa nënshkruar asnjë marrëveshje. “Në djall le të shkojnë bizneset”, nëse ato do të kthehen në pengesë për ne, shprehet ai. Shakatë e tij, duket se po i kapërcejnë kufijtë dhe po shndërrohen në ofendime për kategori të ndryshme njerëzish, si në rastin e grave të cilat janë të mbuluara me burkë, dhe që ai i etiketon si kuti postare të zeza.

Por mënyra të tilla çuditërisht po funksionojnë, sepse pavarësisht fushatave të guximshme dhe shumë të mira të kandidatëve të tjerë më të moderuar, z. Johnson ishte kandidati që mori miratimin e shumicës për t’u bërë Kryeministri i Britanisë. Por në rastin e një fitoreje të mundshme, të paktë janë ata që e kanë të qartë qëndrimin e tij pasi të marrë detyrën. E ndërsa saga e Brexit vazhdon, Britania po bëhet gjithnjë e më shumë e polarizuar. Brenda një shteti të ndarë, në cilën anë do të pozicionohet z. Johnson dhe kundër kujt do të luajë ai? Mënyra se si po zgjidhet Kryeministri i ardhshëm nuk e bën më të lehtë parashikimin e asaj që mund ta presë Britaninë në të ardhmen. Në vend që të zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme dhe Kryeministri i ri të dalë pikërisht prej tyre, ai po zgjidhet nga 160,000 aktivistë konservatorë të paguar, të cilët favorizojnë Brexit më shumë se çdo gjë tjetër.

Sipas një sondazhi të zhvilluar një javë më parë, u zbulua se një pjesë e konsiderueshme britanikësh do të parapëlqenin të largoheshin nga BE-ja, edhe nëse vendimi do të kishte pasoja të “rënda mbi ekonominë e vendit”, do të mund të shkatërronte bashkimin me Skocinë dhe Irlandën e Veriut apo edhe të “shkatërronte” vetë Partinë Konservatore. Kandidatët nuk kanë hartuar manifestime të hollësishme, ndërsa z. Johnson nga ana e tij, ka shmangur shumicën e debateve me kandidatët e tjerë apo konferencat për shtyp me gazetarët. Mungesa e një filozofie drejtuese gjatë fushatës së tij, duhet të ishte një prej dizavantazheve të tij më të forta, por në situatën aktuale që po kalon Britania, kjo është kthyer në avantazhin e tij më të madh, duke kontribuar fuqishëm në suksesin e tij.

Për shkak se ai asnjëherë nuk i ka shprehur qartësisht bindjet e tij, një pjesë e madhe britanikësh, si mbështetësit e Brexit të vijës së ashpër, ashtu edhe ata që shpresojnë ende se Britania nuk do të dalë nga BE-ja, mendojnë se kandidati për Kryeministër, do të veprojë në mbështetje të të dyja kaheve. Kështu, mbështetësit e Brexit të vijës së ashpër, mendojnë se z. Johnson do të largohet nga BE-ja pa nënshkruar asnjë marrëveshje, nëse kjo e fundit refuzon të ofrojë kushte më të mira negociatash deri më 31 tetor të këtij viti.

Ndërsa ata që nuk duan të largohen nga BE-ja, shpresojnë se ai vazhdon të ketë ende një “zemër liberali” dhe që nuk do të bënte kurrë asgjë të rrezikshme në dëm të shtetit britanik dhe madje mund të thërrasë edhe një referendum të dytë. Fakti që ai asnjëherë nuk e ka shprehur qartë qëndrimin e tij gjatë kësaj fushate, është marrë si një shenjë nga shumë persona se ai do të bëjë përfundimisht atë që ata shpresojnë, pavarësisht nga ajo që ai ka premtuar në të kaluarën. Situata është disi qesharake dhe të sjell menjëherë ndër mend, koalicionin që mbështeti Donald Trump për President.

Disa i besonin plotësisht premtimet e çuditshme të z. Trump (vendosja e një muri në kufi me Meksikën dhe një luftë tregtare me Kanadanë), ndërsa të tjerët që menduan se ato ishin thjesht premtime elektorale, morën një goditje të fortë në këmbim. Por, kjo nuk është ngjashmëria e vetme midis këtyre “dy bombave bionde”. Narcizizmi, përtacia dhe gatishmëria për të përfituar nga të tjerët, dhe prirja që ata kanë për të argumentuar se e zeza është e bardhë dhe anasjelltas, janë disa ngjashmëri të tjera midis tyre. Britania ende nuk vuan nga “sëmundja e Amerikës”, ku mbështetësit e partive të ndryshme nuk arrijnë të bien dakord edhe për disa prej çështjeve më bazike. Por me një qeveri të udhëhequr nga z. Johnson, i cili bie shpeshherë në kontradiktë me veten, mundësitë që kjo të ndodhë së shpejti edhe në Britani nuk janë të pakta.

Nëse kjo ndodh, në rastin më të mirë, z. Johnson do të përdorte aftësitë e tij si shitës dhe mashtrimet e tij me fjalë për të marrë miratimin e Parlamentit. Në përpjekjen e saj të fundit, znj. May nuk arriti të marrë votat e mjaftueshme. Që të dyja partitë kryesore britanike, si ajo Konservatore ashtu edhe ajo Laburiste, janë shumë të shqetësuara sepse një pjesë e madhe e përkrahësve të tyre po u bashkohen liberalëve demokratë. Mund të ndodhë që z. Johnson, i cili gëzon një mbështetje të madhe të partisë së tij, të arrijë që të bindë deputetët dhe t’ua ndryshojë atyre mendjen.

Mundësitë që ai të kërkojë thirrjen e një referendumi, janë të pakta. Fuqizimi i papritur i Partisë Populiste Brexit, e cila u rendit e para në zgjedhjet europiane të muajit të kaluar dhe që tani kryeson sondazhet me premtimin e saj për daljen nga BE-ja pa asnjë marrëveshje, po i tmerron konservatorët, shumë prej të cilëve besojnë se mënyra e vetme për të neutralizuar rebelimin e anëtarëve të saj është duke u sjellë në po të njëjtën mënyrë.

Që shumë kohë përpara referendumit, Partia Konservatore po ecte me hapa të ngadaltë, përkrahësit e së cilës qëndronin të bashkuar më shumë si pasojë e vlerave kulturore sesa të atyre ekonomike. Brexit e ka nxitur edhe më shumë këtë tendencë. Udhëheqësi i ardhshëm konservatorë do të jetë nën presion për të vazhduar metamorfozën e partisë së tij nga një forcë e tregjeve të lira në një forcë populiste të krahut të djathtë (në mënyrë ironike). Dhe i vetmi që mund ta drejtonte inskenimin në fjalë, nuk mund të jetë askush tjetër përveçse z. Johnson.

Një piramidë e përmbysur gjepurash

Ndryshe nga z. Trump, të cilit nuk i pëlqen të marrë këshilla nga ekspertë të ndryshëm, z. Johnson është i lumtur që të delegojë detyrat, duke u lejuar kështu të tjerëve që të bëjnë punën e tyre, me kusht që në fund të jetë ai që të marrë të gjithë lavdinë. Dhe ndërsa shumica e republikanëve fillimisht nuk e mbështetën z. Trump, duke dhënë dorëheqjen nga kabineti i tij, shumica e konservatorëve po ngjisin kudo posterat e z. Johnson me shpresën se tregimi i mbështetjes ndaj tij, do t’u sigurojë atyre një post në kabinetin e tij. Shumica prej tyre e pranojnë faktin se një Brexit pa marrëveshje do të ishte një e keqe e madhe për Britaninë dhe rrjedhimisht, fatkeqësi edhe për Partinë Konservatore.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular