BallinaAktualitetOSBE e ashpër me Ramën: Pezullimi i botimeve në internet, masë ekstreme,...

OSBE e ashpër me Ramën: Pezullimi i botimeve në internet, masë ekstreme, cënon në lirinë e medias

OSBE vlerësoi të enjten pasdite se në paketën anti-shpifje të paraqitur nga qeveria se ka përmirësime të dukshme, por theksoi se legjislacioni i ri duhet të respektojë standardet ndërkombëtare për të mos cënuar lirinë e shprehjes.

Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias në Vjenë, Harlem Désir publikoi një deklaratë dhe analizën e projektligjit për Shërbimet e Medias në Shqipëri.

“Legjislacioni i ri duhet të respektojë standardet dhe angazhimet e OSBE-së për lirinë e shprehjes dhe që të mos ndikojë negativisht në lirinë e medias në vend” – theksoi zoti Desir.

Në këtë dokument vkerësohet heqja e dispozitave të mëparshme mbi regjistrimin dhe bllokimin e emrit të domenit dhe OSBE mirëpret faktin që ndryshimet prekin vetëm legjislacionin e medias dhe jo atë të telekomunikacionit.

Zoti Désir theksoi se bllokimi ose pezullimi i botimeve në internet konsiderohet një masë ekstreme e shtetit kundrejt të drejtës së lirisë së shprehjes, ndaj pranohet nga standardet ndërkombëtare vetëm në rastet e shkeljeve shumë serioze të të drejtave të tjera të njeriut ose parimeve demokratike, ose kur masa të tjera nuk mund të zbatohen.

“Zyra ime ka qenë e përfshirë në një proces të gjatë konsultimi gjatë hartimit të këtij legjislacioni dhe nga bashkëpunimi konstruktiv me autoritetet u bënë përmirësime të shumta. Megjithatë, ende nevojiten përmirësime të mëtejshme të ligjit gjatë shqyrtimit parlamentar”, – tha ai.

Një element tjetër pozitiv, sipas OSBE-së, është heqja e kompetencës Komitetit të Pajtueshmërisë për të përcaktuar respektimin moral, etik ose profesional si dhe heqjen nga kompetencat e AMA-s të bllokimit të mediave në rastet e “shkeljeve të dispozitave të ligjit”.

Përfaqësuesi i OSBE-së, Harlem Désir,theksoi se “Autoriteti i Mediave Audiovizive nuk duhet të zëvendësojë gjyqësorin e pavarur apo mekanizmat vetërregullues për çështjet e lirisë së shprehjes”, duke shtuar se kjo vlen edhe për bllokimin për përmbajtjen, gjobat për shkelje të ligjit dhe modalitetet e së drejtës për t’u përgjigjur.

Përfaqësuesi i OSBE-së vuri në dukje se kompetencat e AMA lidhur me “bllokimin e përkohshëm apo kufizimin e aksesit në internet” mund të zbatohen vetëm në tre raste të qarta të përcaktuara në ligj: pornografia e fëmijëve; inkurajimi i akteve terroriste; dhe shkeljet e sigurisë kombëtare dhe kur masat e tilla konsiderohen si të nevojshme dhe proporcionale, duke marrë parasysh ekzistencën e një rreziku të afërt.

Qarqet mediatike shqiptare shprehën shqetësimin e tyre mbi miratimin pa transparencë nga qeveria të një grupi ndryshimesh ligjore të mbiquajtura prej saj si paketa anti-shpifje.

Qeveria tha se e ndërmori këtë hap për të shmangur lajmet e rreme, duke sjellë rregullime në ligjet për shërbimet e medias, si dhe publikimeve elektronike.

Ministrja e drejtësisë, Etilda Gjonaj, tha se kohët e fundit shoqëria shqiptare është shqetësuar nga përhapja e lajmeve të pavërteta, që cënojnë jetën dhe dinjitetin e familjarëve.

“Platformat online nuk janë transparente dhe as të regjistruara, ndaj ligjet po rishikohen për të shmangur keqinformimin dhe lajmet e rreme” – tha zonja Gjonaj.

Qeveria tha se me paketën anti-shpifje, ajo po ndërhynn në ligjin për mediat audio-vizive, për komunikimet elektronike dhe për tatimin mbi vlerën e shtuar dhe në një vendim për mbrojtjen e fëmijëve.

Sipas saj, ndërhyrja parashikon masa të shpejta mbi ankesat për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve që ankohen për lajme të rreme dhe krijimin e një regjistri me këto media online si persona të tatueshëm.

Por Besar Likmeta, një përfaqësues i Rrjetit Ballkanik të Gazetarëve investigativë BIRN, thotë se Shqipëria nuk ka problem masiv lajmet e rreme nga mediat.

“Problemi ynë më i janë madh lajmet e rreme dhe propaganda që përhap qeveria, e cila kopjon ligje nga vende me tendenca autokratike si Rusia” – tha zoti Likmeta.

Qeveria thotë se regjistrimi i portaleve i shërben transparencës, shmangies së konfliktit të interesit, ndikimit të papërshtatshëm të politikanëve, pavarësisë së gazetarëve dhe pluralizmit të medias.

Por përfaqësuesi i Këshillit Shqiptar të Medias, Koloreto Cukali, thotë se amendamentet e treguara në dhjetor u përshkruan nga organizatat ndërkombëtare si antidemokratike dhe nuk dihet nëse qeveria ka rimarrë dhe ka miratuar dje po ato.

“Fakti që nuk konsultohet me mediat dhe përfaqësues të medias, tregon se qëllimi i qeverisë është që t’u mbyllë gojën mediave online, ndërkohë që amendamentet e reja shtrënguese nuk prekin median online personale të vet kryeministrit” – tha zoti Cukali.

Qeveria i miratoi këto amendamente ligjore pak ditë pasi përcolli një mision prej 7 organizatash ndërkombëtare të lirisë së medias, të cilat raportuan për një përkeqësim të gjendjes dhe lirive të mediave shqiptare.

Në raportin e tyre ato i quajtën masat e reja për regjistrim të detyruar të medias në internet dhe krijimin e një organi për të gjobitur dhe mbyllur median online e atë të huaj pa një urdhër gjykate, si hapa që bien në kundërshtim me praktikat më të mira ndërkombëtare mbi vetë-rregullimin dhe mund të kenë ndikim të dëmshëm mbi lirinë e shprehjes e të informimit dhe lirinë e shtypit në Shqipëri.

“Në takimin tonë me kryeministrin, ai na informoi se një version i ri i përditësuar i projektit të

amendamenteve do të bëhet publik së shpejti pas kritikave ndërkombëtare. Ai deklaroi se në draftin e ardhshëm mundësia për mbyllje do të eliminohet dhe gjobat do të jenë shumë më të ulëta se sa ishin në projektin fillestar. Ne i mirëpresim këto ndryshime dhe rikujtojmë standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut që thonë se “shtetet nuk duhet të imponojnë regjistrim të detyruar të medias online si parakusht për punën e tyre për shkak se kjo mund të ketë efekt shumë negativ mbi lirinë e medias” – thuhet në raportin e 7 organizatave.

Sipas tyre, qeveria duhet të sigurohet që ky legjislacion të jetë tërësisht në përputhje me praktikat më të mira të OSBE-së, Këshillit të Europës dhe praktikat më të mira të BE-së.

“Ne jemi të shqetësuar mbi mungesën në vijimësi të transparencës në lidhje me konsultimet mbi projektligjin, i cili u prezantua përgjatë pushimeve të Krishtlindjeve dhe iu dha një periudhë ekstremisht e shkurtër konsultimi. Ne inkurajomë qeverinë e Shqipërisë të sigurojë që të ndërmerret një proces kuptimplotë konsultimi me gazetarët dhe shoqërinë civile me draftin tjetër të amendimeve” – deklaruan së bashku në një raport 7 organizatat, që vizituan Shqipërinë, Qendra Europiane për Lirinë e Medias dhe Shtypit (ECPMF), Artikulli 19, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ), Federata Europiane e Gazetarëve (EFJ), Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI), Reporterët pa Kufij (RSF) dhe Organizata e Medias në Europën Juglindore (SEEMO).

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular