BallinaKryesoreKosovë: Paqartësia ligjore e qeverisë në dorëheqje

Kosovë: Paqartësia ligjore e qeverisë në dorëheqje

Në Kosovë ende nuk janë të qarta kompetencat dhe përgjegjësitë e qeverisë në dorëheqje, deri në zgjedhjen e qeverisë së re.

Në Kosovë për  herë të parë që nga shpallja e pavarësisë një kryeministër jep dorëheqjen, ndaj presidenti nga java e ardhëshme do të nisë konsultimet me partitë politike për datën e zgjedhjeve.

Kryeministri në dorëheqje i Kosovës Haradinaj, do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të qartësuar kompetencat dhe përgjegjësitë e qeverisë në dorëheqje. Kjo për faktin që Haradinaj të premten thirri mbledhje të rregullt të kabinetit qeveritar ku ndër të tjera u debatua rreth kompetencave të kësaj qeverie, kryeministri i së cilës para një jave dha dorëheqje të parevokueshme. Kjo është hera e parë që nga shpallja e pavarësisë që një kryeministër i Kosovës jep dorëheqje, ndërsa, është një situatë e paprovuar sesi të veprohet në këtë fazë deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja, të cilat po kërkohen pothuaj nga të gjitha subjektet politike.

Kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj, vlerësoi se “ngritja e çështjes së kushtetutshmërisë dhe legalitetit të punës së qeverisë pas dorëheqjes, e detyron atë që të kërkojë qartësi nga organi kompetent, që është Gjykata Kushtetuese, për opinion kushtetues dhe ligjor të mënyrës dhe formës së funksionimit të qeverisë pas dorëheqjes së kryeministrit”.

“Qeverisë në dorëheqje, i duhet një qartësim rreth kompetencve dhe përgjegjësive, pasi vendi nuk mund të mbetet pa qeverisje deri në momentin kur të formohet një qeveri e re”, tha Haradinaj. Edhe anëtarë tjerë të kabinetit qeveritar që janë pjesë e koalicionit qeverisës, vlerësuan se ekziston një paqartësi e procedurave dhe veprimit në situatën e re të krijuar me qeverinë pas dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj. Ata thanë se duhet të gjenden rrugë që do të sqaronin dhe do ta vendosnin funksionimin e Qeverisë së Kosovës në situatën e krijuar, brenda kornizave kushtetuese dhe ligjore të veprimit pas dorëheqjes së kryeministrit.

Por nga ana tjetër, njëra nga partitë opozitare, lëvizja Vëtëvendosja thotë, se Ramush Haradinaj nuk është më kryeministër dhe ai duhet të largohet nga kryeministria.

“Haradinaj si duket nuk po e kupton që më nuk është kryeministër dhe duhet të largohet nga kryeministria, ai por edhe ish-ministrat e tij. Sot, tha që do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për ta pyetur se çfarë vendimesh ka të drejtë të marrë. Ky nuk po e kupton ose nuk po do ta kuptojë që nuk është kryeministër dhe as nuk ka të drejtë t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Neni 113 i Kushtetutës e specifikon jurisdiksionin dhe palët e autorizuara pranë Gjykatës Kushtetuese”, tha në një konferencë për media deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu, duke kërkuar zgjedhje të jashtëzakonshme.

Edhe disa organizata të shoqërisë civile reaguan për mbledhjen e qeverisë të mbajtur nga kryeministri i dorëhequr Ramush Haradinaj. Instituti i Kosovës për Drejtësi, Instituti për Zhvillimin e Politikave, Instituti i Kosovës për Politikat Evropiane dhe Iniciativa për Progres, në një reagim të përbashkët thonë, se “qeveria e dorëhequr prej datës 19 korrik, nuk ka legjitimitet për të vazhduar me zbatimin e planit të saj qeverisës dhe çdo tentim që gjatë kësaj kohe të merren vendime të rëndësishme, bie në kundërshtim me parimet bazë të sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë”.

Edhe eksperti juridik konstitucionalist, Dastid Pallska thotë, se “Iniciativa e Kryeministrit të dorëhequr për të dërguar pyetje në Gjykatën Kushtetuese për fushëveprimin e “mandatit” të qeverisë së rënë është e panevojshme, e pavend dhe çka është më me rëndësi e palejuar.

“E panevojshme, sepse kjo çështje nuk rregullohet me Kushtetutë dhe është fare e qartë se qeveria e dorëhequr nuk ka mandat qeverisës, por thjesht shërben si kujdestare e institucioneve vartëse deri në transferimin paqësor të pushtetit tek qeveria e re. E pavend, sepse mund të vonojë pa nevojë zgjedhjen e qeverisë së re apo proceset e tjera kushtetuese pasi, sipas praktikës së fundit, vendimi i Gjykatës Kushtetuese për “pyetje kushtetuese” merret pas 6 apo 7 muajsh edhe në rastet kur kërkesa hidhet poshtë si e palejuar”, shkroi në profilin e tij Dastid Pallska.

Edhe juristi tjetër ish-anëtar i KQZ-së, Blerim Burjani, thotë se qeveria e Kosovës mund të ballafaqohet me Gjykatën Kushtetuese nëse vazhdon të mbajë mbledhje të qeverisë.

“Nëse vazhdon të mblidhet qeveria e dorëhequr edhe më tutje, rasti duhet të shkojë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Ky mund të quhet uzurpim insititutcional i palejueshëm dhe bërje e një precedenti të paqenë. Në Kushtetutën e Kosovës, neni 95.5 thotë qartë me dorëheqjen e kryeministrit qeveria bie. Në afat sa më të shkurtër duhet të shpëndahet edhe kuvendi”, thotë Blerim Burjani.

Situata e krijuar pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit po përcillet edhe nga ambasadorët e vendeve më të industrializuara. Ambasadopri i SHBA-së në Kosovë Philip Kosnet, shkroi në Twitter, se “mënyra se si do ta trajtojnë situatën pas dorëheqjes së kryeministrit do të dëshmojë fuqinë e institucioneve të Kosovës”.

“Po e ndjekim nga afër si po përballet Kosova për herë të parë me dorëheqjen e kryeministrit. Mënyra se si do ta trajtojë Kosova këtë çështje do të dëshmojë fuqinë  institucioneve të Kosovës dhe gatishmërinë e zyrtarëve për të zbatuar Kushtetutën dhe ligjet”, shkruan ambasadori Kosnet.

Sidoqoftë, që nga dorëheqja e parevokueshme edhe Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, të gjitha subjektet politike po kërkojnë që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Por, datën e zgjedhjeve mund të shpallë vetëm Presidenti i Kosovës, Hashim Thaҁi. Ky i fundit në një komunikattë për medie njoftoi se nga fillimi i javës së ardhshme do të takojë udhëheqësit e partive politike për të diskutuar, për hapat e nevojshëm pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj.

“bazuar në kompetencat kushtetuese, presidenti i Kosovës përfaqëson unitetin e popullit dhe është garantues i funksionimit demokratik të institucioneve shtetërore. Prandaj, çdo hap që do të ndërmarrë presidenti do të jetë në përputhje vetëm me interesat e qytetarëve dhe interesat shtetërore”, thuhet në njoftimin e zyrës së presidentit të Kosovës.

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular