BallinaIntervistaShembja e Teatrit, Aurel Plasari: Ka një rrugë që kryeshërbëtori të tërhiqej...

Shembja e Teatrit, Aurel Plasari: Ka një rrugë që kryeshërbëtori të tërhiqej me nder

“Në parim nuk ka monument kulture të paresturueshëm “ deklaroi Profesor Aurel Plasari i ftuar në RTV Ora mbrëmjen e sotme.  Profesori është i vendosur dhe nuk do të heqë dorë të thotë të vërtetën por shton: “siç po shkojnë punët deri tani, kryeshërbëtori, (Shënim: Quan kryeministrin Edi Rama) do ta shëmbë”

Plasari shton se ka dhe një truk me të cilin Rama mund të tërhiqet por “Nuk do ta them në publik por por po të më pyeste do i thoja cila është rruga që të tërhiqej me nder. Përderisa nuk pyet nuk kam pse e këshilloj.”

Intervista

Beti Njuma: Pse është politizuar kaq shumë cështja e teatrit kombëtar?

Aurel Plasari: Nuk ka dy palë. Nuk mund të ketë një palë artistësh që kërkojnë prishjen e një prone publike. Sidomos e një ndërtese që deri para pak kohësh ka qenë monument culture që mbrohej nga shteti. Mendoj se ka keqkuptim të përdorimit të deklarimeve të artistëve. Të gjithë  artistët janë për një teatër të ri, çka nuk përjashton ruajtjen e kujtesës historike të atij korpusi që përtej historisë së teatrit bart një histori shumë më të vjetër, që nga koha e projektimit, fillimit të punës, 1938 në Mbretërinë Shqiptare . Dhe nuk mund të bëhet një lojë: Pyeta Betin, apo pyeta Aurelin. Kjo nuk është lojë serioze se kryeshërbëtorit do i duhej të dilte varrezë më varrezë nëpër botë të pyeste Greta Garbon, Bob Taylor se filmat e tyre janë shfaqur në ato vite. Të dinte të shkonte tek varret e zonjave të nderuara Jorgjie Truja, Tefta Tashko, Marie Kraja Marieta Sokoli, Kristaq Antoniu.

Artistët është e domosdoshme të pyeten për nevojat e misionit të tyre të mrekullueshëm që është teatri. Dhe që u duhet një teatri i ri dhe të dyja forcat e mëdha që kanë qeverisuar duhet të kërkojnë falje që projektin e një teatri të ri nuk e kanë ndërmarrë ose e kanë shtyrë.

Beti Njuma: Godinë e teatrit duan ta shembin si godinë e vjetër, pra duan ta shembin duke e çkualifikuar si të vjetruar siç e keni cilësuar ju në një shkrim.

Aurel Plasari: Në parim nuk ka monument kulture të paresturueshëm, deri në kufirin ku restaurimi është i pamundur dhe bëhet rindërtimi. Këtë e dinë shumë mirë specialistë, jo specialistë.  Ka shembuj në botë pa fund, ku ka rënë tërësisht suvaja e afreskut e megjithatë kanë arritur ta rindërtojnë. Kjo çështje është krejt larg.

Beti Njumi: Shoqata e arkitektëve ka kërkuar restaurim

Aurel Plasari: Ka kërkuar shoqata e arkitektëve. Ka kërkuar një zotëri i nderuar Maks Velo, deri pak më parë kryeshërbëtori e kishte arkitekt të paradashur në bashki dhe tani nuk e dëgjon dhe nuk do ta dëgjojë. Edhe organizata, shoqata, studio të huaja, akademi të huaja por është e kotë ti bësh një listim të tillë. Unë mund tja bëj nesër dhe ti jap elemente të restaurimit nga Karta e Athinës dhe e Venedikut, sepse fakteqësisht kemi të bëjmë me një njeri që i duket vetja si polic i informacionit qq u thotë të tjerëve, nga këto ti merr vesh dhe nga këto jo.

Nuk është nevoja ti bëjmë një listë të tërë atyre që kanë thënë që kjo është një çështje që dihet. Këtë çështje e di dhe partia e tij. Me këtë akt ai fyen e shkelmon edhe vendimet e partisë së tij, sepse në planin francez për Tiranën korpusi i teatrit nuk preket.

Janë bërë ndërhyrje të tjera në Tiranë jashtë atij elementi por shumë elemente ku është ndërhyrë është respektuar plani francez. Qendra Toptani është në planin francez.

Këtë plan e ka nxitur, miratuar, prezantuar është mburrur PS në pushtet më kryeministër Fatos Nano dhe kryetar bashkie kryeshërbëtorin e ardhshëm të qeverisë.

Për mua, fjalia “Nuk restaurohet” është fjali hileqare. Është pavetore. Cfarë do të thotë: Nuk restaurohet?

Fjalia duhej të ishte “Qeveria ime nuk e restauron dot”. Meqë për punë të qeverisë ai flet pak dhe ia lë të gjitha vetes atëherë fjalia do të ishte: “Unë nuk e restauroj dot.” Dhe kjo e ndërron objektin e debatit: “Unë nuk bëj dot restaurim dhe teatër të ri, atëherë ky është pranim i dështimit dhe i paaftësisë.”

Pjesa që unë mbroj lidhet me pjesën historike të qytetit. Shkulja e çdo elementi të rëndësishëm historik është shkulje e një nervi në kujtesën e një kombi dhe një shteti

Beti Njuma: Si shpjegohet që Tirana ka një tjetër periudhë tranzicioni ku po i vihet një tjetër kazëm?

Aurel Plasari: Është fatkeqësi pakujdesia, mungesa e dashurisë dhe e respektit për të ruajtur shtresat e ndryshme të dëshmive të kujtesës historike të Tiranës, edhe në kuptimin e ndërtimeve, stilit.

Një herë kryeshërbëtori tha: “Aurel Plasari nuk merr vesh nga urbanistika”

Cfarë cështje urbanistike është prishja e monumentit?! Do kalojë diga apo treni?! Nga kjo kam kuptuar që ky nuk ka hapur libër urbanistike që të kuptojë që në sistemet demokratike, urbanistika funksionon nga poshtë lart. Në sistemet diktatoriale nga lart poshtë. Dmth e di ai që është në krye të qeverisë dhe bashkisë cila është e mira dhe ne nuk dimë asgjë. A e përfytyrojnë ku janë këto me idetë e tyre?

Këto janë ide të frikshme dhe guxon tu thotë të tjerëve që ky merr vesh e ky jo. Po nuk e mendon ai që unë mund tia kthej: Mor mësues vizatimi!

Por unë nuk i them kurrë. Nuk i them për një arsye sepse mësues i cilitdo lënde është nder. Nuk më shkon ti them sepse bazën e kam vetë mësues.

Që të kutojmë se me çfarë auditori kemi të bëjmë… Para se të hyja na dërgon njëri, që mbahet se është i aleancës për teatrin, thotë: “Aurel Plasari i diplomuar në shkollën e Sorosit”. Ky nuk ka as idenë e moshës sime. Shkolla ime në pastë ndonjë emër ka atë universiteti “Enver Hoxha” që s’kemi pasur ç’ti bëjmë. Por për të kuptuar nxjerrjen e ideve perverse në këtë vend të gomarive ky as llogarinë e moshës nuk bën.

Që unë të kisha pasur moshë tjetër duhet t’u thosha faleminderit nëse do bëja studime diku tjetër jashtë në një universitet për së mbari.  Në 1991 kam bërë specializim. Në 1995 kam marrë një bursë të komunitetit europian. Pse ai brezi i ri që kanë bërë ato shkolla kanë nënshkruar ndonjë kontratë që janë rekrutuar, janë bërë agjentë të Sorosit?

Beti Njuma: Ju keni bërë disa shkrime, por ende shqiptarët, artëdashësit, publiku, lexuesit nuk e kanë të qartë se çfarë vlere historike ka godina e teatrit kombëtar. Ju thoni se ajo ka një vlerë të shumëfishtë historike.

Aurel Plasari: Arkitektët, emra të njohur në Shqipëri, kanë thënë që ka edhe vlerë arkitekturore. Edhe arkitektë të huaj, studio të huaja kanë thënë që ka vlerë arkitekturore. Këtë dua ta them se zonja Ministre e Kulturës, që ka studiuar arkitekturë t’i masi fjalët. Ka thënë në një intervistë që nuk ka ndonjë vlerë arkitekturore. Zonjë e nderuara, apo e panderuar monumentet e kulturës nuk ruhen vetëm për vlerën arkitekturore. Këto shtëpitë e shkrimtarëve tek Pallati i Maks Velos nuk janë për vlerë arkitekturore, por kanë jetuar shkrimtarë aty.

Jashtë ruajnë kasolle. Shtëpia e Lidhjes së Prizrenit nuk është ndonjë arkitekturë kush e di se çfarë, por ruhet për një ngjarje historike.

E kupton tani se çfarë ministre na ka vënë ky mbi krye, për ta dëgjuar? Ta dëgjojmë ne, dhe mos të na dëgjojë ajo, këtu është situata.

Ajo është një ndërtesë që quhej korpusi kulturor italio-shqiptar “Skanderbeg” i projektuar si ide në 1938 sipas dokumentave të arkivit nën qeverinë e Mbretit Zog.

Është projektuar statuti, rregullat, bordi drejtues, dokumenti ku ftohet ministri Nush Bushati të marrë pjesë dhe në 5 janar të ’39 është bërë përurimi jo i ndërtesës, por i rrethit “Skanderbeg”.

Beti Njuma: Rrethit “Skanderbeg” që përpiqen ta reduktojnë në një “dopo lavoro”. Kemi kaq vjet që e dëgjojmë këtë termin “dopo lavoro” për t’i reduktuar rëndësinë Teatrit Kombëtar.

Aurel Plasari: Këtë e kanë nxjerrë disa të bashkisë sepse e dinin që do të dilte “dopo lavoro” te Akademia. E kanë nxjerrë enkas për të tallur shefin e tyre. Më ka ardhur një gazetar i tyre në klub, në kafe e më ka thënë: Bëre bukur që ia nxore që i doli që Edi Rama ka studiuar në “dopo lavoro”.

Këto janë lojra të ndyra. Nuk veprohet kështu me kulturën shqiptare. Edhe unë kur kam thënë kam thënë nuk mund ta themi këtë. Nëse e ka keqkuptuar i kërkoj të falur se unë nuk përdor mjete të tilla fyese.

Ndërtesa është përuruar në 5 janar 1939. Ushtria italiane nuk kishte ardhur që të ndërtonte qejfhanet e tyre siç e përfytyrojnë këto. Është pronë e blerë dhe vepër e shtetit shqiptar. Kur erdhën pushtuesit fashistë, italianët respektuan këtë vendim, respektuan dhe emërtesën “Skanderbeg” .

Ajo ndërtesë në çdo cep do të donte një pllakë përkujtimore. Edhe pas rënies së fashizmi-nazimit ata që erdhën ruajtën po ata funksione. Kinoteatër “Kosova” vijoi të funksiononte, madje dhe për disa gjyqe specile historike. Pjesa tjetër me bazën që kishte lënë Instituti i studimeve albanologjike u themelua Instituti i Shkencave i Shqipërisë, në 1946 dhe prej të cilat u prodhuan institutet e sotme, ai i historisë, arkeologjisë, gjuhësisë dhe letërsisë dhe i folklorit.

Kjo është çështje serioze dhe nuk është lojë kalamajsh. Asnjë aktor në botë nuk mund të dalë të thotë: shembeni. As unë nuk mund të dal.

Unë i kam sfiduar: Kam 45 vjet në kulturën shqiptare. Më gjeni një rast kur unë të kem ndërhyrë duke thënë të shembet kjo apo ajo. Nuk jam përfshirë në këto nisma, sepse misioni im është, sa të mundem të mbroj historinë e qytetit ku kam lindur unë, nëna ime, gjyshja ime, stërgjyshja ime …

Unë jam njeri realist dhe mendoj se kryeshërbëtori do ta prishë. Më falni miqtë e mi të Aleancës, mesa kuptoj unë deri në zhvillimet e këtij momenti ai do ta prishë. Unë isha i vetmi që thashë ai e bën 30 qershorin dhe u bë.

Por pse e vijoj betejën: E vijoj betejën sepse në kandar nuk është vënë cështja e tij por ndërgjegjja jonë. Dhe dua të jem deri në fund i pastër me ndërgjegjen time që t’i them si janë të vërtetat dhe siç i mendoj

Beti Njuma: A mund të shembet një godinë qoftë dhe historike duke pasur parasysh që e mbrojnë vetëm pak njerëz. A mund të jetë demokracia vetëm vullnet i shumicës?

Varet për çfarë çështjesh. Një nga shkaqet pse demokracia që lindi në Greqi dhe vdiq ishte kjo: Kujtonin se shumica mund të vendosnin për gjëra që janë specifike. Ka disa gjëra që nuk janë çështje masive. Urbanistika është çështje masive sepse është e të gjithë qytetarëve.

Beti Njuma: Cfarë mendoni se mund ta tërhiqte kryeministrin Rama nga projekti për shembjen e teatrit të bënte një hap pas?

Aurel Plasari: Ka një gjë. Mua nuk më dëgjon, nuk dëgjon as Maks Velon, as Fatos Lubonjën, as Profesor akademikë Artan Fugën, Edmond Tupen etj. Fakti që nuk dëgjon dhe citon në mënyrë selektive ata që i duhen..

Unë mendoj ka një truk me të cilin ai mund të tërhiqet por unë nuk mund ta them publik. Nuk do ta them në publik por por po të më pyeste do i thoja cila është rruga që të tërhiqej me nder. Përderisa nuk pyet nuk kam pse e këshilloj.

Siç po shkojnë punët deri tani do ta shëmbë personazhi.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular