BallinaKryesorePROFIL/Mirela Karabina, 13 muaj në mbrojtje të Teatrit Kombëtar

PROFIL/Mirela Karabina, 13 muaj në mbrojtje të Teatrit Kombëtar

Mëngjeset vijnë plot zhurmë në kryeqytet. Por diku në qendër të Tiranës agu pritet në këmbë çdo ditë. Një grup njerëzish në mbrojtje të Teatrit Kombëtar, janë të pagjumët e ditëve që po jetojmë. Protesta i mban çdo natë në biseda të gjata brenda sallës së madhe bosh. Në këtë godinë të dalëboje që i ka shërbyer Tiranës që nga viti 1939 për aktivitete kulturore, për gjyqin famëkeq të komunizmit, e në pjesën më të madhe si skena më e lavdishme e artit, ka gjithmonë një zhvillim.

Eshtë herët. Ti e dallon lehtësisht se një grusht me artistë e qytetarë, kanë kaluar një natë pa gjumë, për ti bërë ballë asaj cka mund të ndodhë nga casti në cast, që godina t’i dorëzohet skavatorëve.

Mes tyre është Mirela Karabina. Prej 13 muajsh tashmë jeta e saj ka ndryshuar.

Eshtë prishur gjeneratori që mban me energji sallën, pasi çdo shërbim normal i është ndërprerë kësaj ndërtese që kur qeveria vendosi me ligj ta shembë. Mond Budina vjen vërdallë i shqetësuar që të gjejë disa të rinj të fuqishëm për ta vënë sërish në punë motorrin që sjell dritë. Ky mjet që i ka mbajtur gjallë është dhuratë nga një dashamirës i protestës.

Mirela Karabina i thotë Mondit të mos shqetësohet se do t’a rregullojnë. Pasi e zgjidhin hallin, të dy pozojnë për fotografin e Mapo-s, Florion Goga, të buzëqeshur.

Ne jemi këtu në shesh për të zbuluar pasionin e një qytetareje që i është bashkuar kësaj kauze.

Pedagogia e Shkencave Sociale, e njohur për publikun si ministre e Arsimit në qeverinë teknike të 2017-ës,  Mirela Karabina, është pjesë e protestës që në qershor 2018.

Mbrëmë nuk isha turni i natës, kështu që kthehem në mëngjes pasi ikin të pushojnë grupi që kanë qendruar gjithë natën”.

Mirela e kujton si tani atë ditë që mori guximin për të ardhur tek sheshi, ku një pankartë e madhe shkruan “Mbro Teatrin”.

Atë periudhë kisha babain sëmurë dhe bëja vajtje-ardhje nga Elbasani në Tiranë çdo ditë. Çështjen e teatrit e ndiqja nga media dhe i admiroja artistët për kurajon. Por një ditë pashë një foto të Erion Veliajt me disa prej artistëve që ishin në ballë të protestët dhe mendova; qenkan dorëzuar, kaq e pati kjo gjë, do e shembin, dhe u ndjeva shumë keq. Por kur vajta në shtëpi hapa facebook-un dhe shikoj Gent Zenelajn që fliste nga sheshi, dhe aty kuptova që Veliaj i kishte përçarë artistët. Vendosa menjëherë të shkoj dhe unë”.

Mirela beson se lufta për teatrin nuk duhet të jetë vetëm e artistëve, por e të gjithëve. E nisën artistët, por kjo protestë ka mbledhur një grup shumë të larmishëm njerëzish që vijnë nga fusha të ndryshme, që kanë bindje të ndryshme, që nuk njiheshin më parë mes tyre, por tani janë kthyer në miq të afërt sepse besojnë të gjithë njësoj tek drejtësia e kauzës së tyre; mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe pronës publike.

Për ta, ai shesh është kthyer në një simbol të demokracisë.

Unë erdha dhe e ndjeva menjëherë veten pjesë e këtij grupi. Njësoj siç erdha unë, na bashkohen çdo ditë qytetarë të rinj. E bukura e kësaj pjese është se duke ardhur çdo ditë ne kemi kuptuar se jemi të gjithë të ndryshëm, profesione të ndryshme, interesa të ndryshme në jetë, por na bashkon ajo që besojmë se teatri nuk është vetëm shtëpia e artistëve, por shtëpia e gjithë shqiptarëve”- thotë Mirela.

Nuk e shohin më emrin e saj me ngarkesë politike, si anëtare e Këshillit kombëtar të PD-së. Ajo këmbëngul se angazhimi në mbrojtje të teatrit ka nisur thjesht dhe vetëm si vokacion qytetar. Por, është padyshim e lumtur që dhe opozita po e mbështet kauzën e aleancës dhe para pak ditësh ka firmosur një zotim, që kur të vijë në pushtet nuk do ta shembë godinën e vjetër, por do ta restaurojë.

Në një shoqëri si e jona, ku reagimi i komunitetit është i vakët, ose ndodh vetëm në rastet kur preken interesat e drejpërdrejta, shpesh shihet me skepticizëm një njeri që lë rehatinë famijare, anullon pushimet dhe çdo impenjim personal për të ardhur çdo natë e çdo ditë në një grumbullim rezistence.

Edhe për Mirela Karabinën, bashkëshorte dhe nënë e dy vajzave, nuk ka qenë e lehtë gjetja e kësaj balance.

Kam pasur mbështetjen e familjes, por e di që ky impenjim im i vazhdueshëm ka kosto shumë të mëdha, siç ka për të gjithë të tjerët. Ka raste që vajza më merr në telefon, më thotë kur do të kthehesh, dhe shqetësohet për mua, por ata e kuptojnë që unë besoj në këtë që po bëj. Përvoja ime jetësore dhe bindja ime si qytetare nuk më lejojnë që të hesht dhe të pranoj këtë padrejtësi. Me mbylljen e institucioneve kulturore duan t’i heqin njerëzve ushqimin shpirtëror, ta kthejnë në një shoqëri mekanike. Po këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me shembjen e teatrit, por me një korrupsion me pronën publike, me shkelje të Kushtetutës” – thotë ajo.

Netët pa gjumë janë më të vështirat këtu në teatër, por vetëm fizikisht, pasi mungesa e gjumit rëndon gjatë ditës tjetër.

Kur më bie turni të rri natën, është një përvojë unike më vete, pasi artistët dalin performojnë në skenë. Bisedat, diskutimet, historitë njerëzore, janë një gjë e pazakontë, e bukur

Dhe pse janë pak veta dhe pse kjo është e përditshme, ata nuk heqin dorë, duke e kthyer këtë ritual në pjesë të jetës. Që pas përplasjes me policinë me datë 24 korrik, qendrimi është bërë dhe më impenjativ duke u kthyer nga 3, në 24 orë roje.

Protesta nuk ka asnjë ditë pushim dhe pse jemi në gusht.

Forca jonë nuk është tek numrat, sepse ne jemi pak. Forca jonë është tek qëndresa, tek besimi që kemi se do të fitojmë. Nëse deri tani qeveria e ka pasur të vështirë, tani e ka të pamundur ta realizojë atë që ka në plan”- këmbëngul ajo.

Përballja me policinë nuk ishte kaq e këndshme sa ç’mund të duken takimet në mbrëmje dhe fjalimet me mikrofon tek skena e improvizuar në shesh. Por Mirela thotë se ata janë të përgatitur për gjithçka, edhe për përballjen fizike dhe pse nuk e dëshirojnë një gjë të tillë.

Sigurisht unë si grua, si njeri, nuk do ta doja kurrë një përballje fizike. Edhe atë ditë që u rrethuam me policë ishin burrat që dolën në rreshtin e parë, por jemi gati për gjithçka, ne nuk e lëshojmë teatrin në asnjë rrethanë. Kam parë me sytë e mi si policët e tërhoqën zvarrë Edmond Budinën, një skenë e tmerrshme që nuk u kap as nga media. Por, kjo nuk e trembi Mondin dhe as ne të tjerët. Do qendrojmë këtu. Nuk trembem fare për aq kohë sa kam integritetin tim në këtë betejë”.

Emërimi si ministre teknike e Arsimit në qershor 2017 pas një marrëveshje mes mazhorancës dhe opozitës ishte momenti që e bëri të njohur për publikun, Mirela Karabinën, e cila deri atë ditë ishte mësuar të ngjiste shkallët e fakultetit të Shkencave Sociale. Por ajo që mund të dukej si një ngjitje e madhe në karrierë, u kthye shumë shpejt në një stres të përditshëm dhe një sfidë, jo vetëm profesionale, por dhe personale me përballjen me një ambjent armiqësor në administratën e ministrisë.

E mora emërimin si ministre si një përgjegjësi të madhe për mua. Por ishte një moment i pazakontë, një fushatë elektorale, ku hasa një administratë tejet të politizuar. Jam larguar nga ministria me një brengë të madhe kur pashë se një administratë e tërë që duhet të jetë shtylla e shtetit dhe duhet t’i shërbejë shqiptarëve, në fakt është në shërbim të pushtetit dhe politikës”.

Një detyrë e lartë, por një eksperiencë që nuk i ka lënë shije shumë të mirë.

Përballja kryesore ishte me Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë Plarent Ndreca, të cilin Karabina e pezulloi që në ditët e para të punës. Një padi penale nga ana e saj për shkelje të ligjit u pasua nga një padi civile prej tij. Vendimin e gjykatës që është në favor të Ndrecajt, Karabina e ka çuar në apel.

Deri në Strasburg do ta çoj këtë çështje pasi është një padi pa bazë. Por, kjo përballje për mua ishte një sfidë e vështirë. Kam parë se si po e shkatërrojnë arsimin me gjoja reformat e tyre, ndërkohë që dhe një ligj të ri që kanë bërë e kanë bërë të pazbatueshëm. Është për të ardhur keq pasi arsimi është baza e një shoqërie”-, thotë ajo. Çështjet e arsimit mbetet vokacioni kryesor për Mirela Karabinën pasi lidhet drejtpërdrejt me profesionin e saj, edhe pse këto muaj i është përkushtuar me kohë të plotë kauzës së Teatrit. Blerina Gjoka/MAPO

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular