BallinaKryesoreIsuf Kalo, mjek i Enver Hoxhës apo kurues i krimeve të tij

Isuf Kalo, mjek i Enver Hoxhës apo kurues i krimeve të tij

Nga Mentor Kikia

Isuf Kalo ‘i shpall luftë’ Liljana Hoxhës për Nexhmijen

(Dhe historianët para akuzës për mos shkrimin e historisë)

Kur isha i vogël dhe shkoja në dasma më pëlqente të dëgjoja dollitë e burrave. Ata që janë nën 30 vjeç nuk e dinë që dollia e parë në çdo sebep ngrihej për partinë dhe shokun Enver. Por në 1982, në një dasmë në shtëpinë e një të afërmi tonë, i zoti i shtëpisë në vend të dollisë mbajti një fjalim. Kishte vetëm pak javë që kishte vrarë vehten Mehmet Shehu dhe ai, pasi dënoi tradhëtinë e tij, me gotën e rakisë në dorë, deklaroi se nëse Enver Hoxha nuk do të kishte patur kaq shumë tradhëtarë nëpër këmbë, do ta kishte bërë këtë popull të hante me lugë floriri. Në shtëpinë tonë ne kishim edhe lugë të nikeluara edhe lugë alumini, por nuk ishte problemi i lugëve që nuk ngopeshim së ngrëni…

30 vjet pas rënies së komunizmit, edhe Isuf Kalo, duket se ka të njëjtin mendim si kushurimi im. Në librin e tij ‘Blloku’, ai duket sikur i shpall luftë Liljana Hoxhës, nuses rrebele që na e ka përshkruar vjehrrën e saj si kuçedër me shtatë kokë e shtatë palë shpirtra. Por mjeku i dikatorit, kujdeset ta zhveshë atë nga çdo lloj përgjegjësie dhe, përkudër përceptimeve, të tregojë se ishte një grua babaxhane. Padyshim, edhe Enveri ishte një burrë i mirë, baba, gjysh dhe njëri i mrekullueshëm. Ai thotë se të gjithë e dinë kush e bëri masakrën ndaj ballistëve gjatë luftës, kush i vrau intelektualët me rastin e bombës në Ambasadën Sovjetike, apo kush e bëri kolektivizimin dhe tufëzoi bagëtitë, duke sjellë zinë e bukës. Pra, të gjitha këto, që janë kulme dramatike në bëmat e dikaturës, i kanë bërë të tjerë, pa dijeninë e Enverit. Doktor Kalo na shfaqet gati-gati si Pal Vata, babai grotesk i Heroinës së Punës Socialiste, Shkurte Vata, me atë thënien proverbiale, se ‘këtë punë e ka bërë Mehmeti me kokën e tij, pasi unë me Enverin nuk dimë gjë’.

Libri i doktorit nuk është as historik, as autobiografik, as…as… Janë më shumë emocione të tijat dhe perceptime personale mbi personazhet e familjes numër një të diktaturës ku ai ka shërbyer. Nuk po e ngarkoj me përgjegjësi ‘historike’ doktorin për një libër, që më thënë të drejtën nuk e lexova dot të gjithin. Edhe pse, intelektualët kanë përgjegjësi publike për të thënë ca të vërteta kur kanë qenë brenda një ngjarjeje kaq të madhe në historinë e një populli, siç është diktatura. Por është zgjedhje e tij. Derisa lloqet ende shiten në këtë vend, libri i tij do të shitet.

Problemi është tjetër kund tek ne. Historia e komunizmit deri tani është shkruar në dy forma. Disa personazhe kanë rrefyer tragjedinë e tyre, si Pjetër Arbnori të tijën, Fatos Lubonja të tijën, At Zef Pllumi të tijën etj. Ndërsa forma tjetër ka qenë vetëm histori thashethemesh Blloku, të shkruara nga media. Intervista të tipit: ‘Rrëfen kuzhinieri i Beqir Ballukut’, ‘Tregon bahçevani i Mehmet Shehut’, ‘Rrëfimi i vëllait të shoferit të Hysni Kapos’. Prej më shumë se çerek shekulli, media jonë vazhdon të shesë të tilla histori, ku dikush tregon atë që ia ka thënë dikush tjetër, të cilit ia kishte thënë dikush tjetër. Histori rozë, copëza rrëfimesh nga dosjet hetimore apo gjëra të tjera të tilla, kanë ushqyer e vazhdojnë të ushqejnë ende etjen e shqiptarëve për të mësuar të pathënat e dikaturës.

Por çfarë dinë, dhe mbi të gjitha, çfarë mësojnë të rinjtë shqiptarë për diktaturën? Që s’kishte liri politike, nuk kishte media dhe liri fjale dhe disidentët përfundonin në burg. Mësohet shumë më tepër për historinë e Amerikës dhe Revolucionin Francez.

Të rinjtë e sotëm, psh, nuk e dinë që në mes të Europës, në dekadën e fundit të regjimit, 3 milion njerëz ishin në kushtet zyrtare të urisë(jo se nuk kishin lugë). Nuk e dinë që për të mbajtur shpirtin gjallë, njerëzit hanin hithra e barishte të tjera, apo gjuanin natën me elektrikë nëpër kanale e ferra, duke shfarosur bretkosat, breshkat, iriqët e kërmillat. Nuk e dinë sesi njerëz të uritur ndalonin trenin kur kalote nëpër fusha e turreshin të hanin shalqinj e domate, si në filmat e Spilbergut me çifutë gjatë Luftës së Dytë.

Komunizmi nuk ka qenë vetëm Spaçi, i cili padyshim që ishte kolona vertebrale e diktaturës. Historia e komunizmit nuk ka qenë kurvëritë e Bllokut, apo se si ia shkulnin dhëmbët njëri-tjetrit në tortura, hijenat e kupolës në luftën e brendëshme kokëngrënëse. Kjo është përgjegjësi e historianëve që ta sjellin historinë e asaj periudhe, sa më ftohtë. Sepse, historia nuk është shuarje kureshtjeje, por informim i gjeneratave për çfarë ka ndodhur, edhe për arsyen që ajo që ka qenë e zezë të mos përsëritet. Por ata që duhet ta shkruajnë historinë, sot janë gati të hyjnë në grevë urie që tu dekretohet Skendër Gjinushi si kryetar i Akademisë së Shkencave.

Ndërsa unë dështova në përpjekjen time, kur tentova ti bëj moral tim biri për ta nxitur të mësojë, duke i kujtuar se ka kushte shumë më të mria se unë:

– E di ti që në moshën tënde ne nuk kishim televizior në shtëpi. Nuk ngopesha me bukë, kisha vetëm një palë pantallona, që i vishja derisa të mos arnoheshin dot më …

– Që nuk kishit, e mora vesh – më tha – po pse nuk i blinit, këtë se marr vesh.

E çfarë përgjigje ti jepja…..

Enveri nuk do të ketë ditur gjë për këto kushte, as Nexhmija. I ka bërë Mehmeti me kokën e tij. Ai vrau veten. Pastaj Ramizi, si tinëzar që ishte, pas ’90-ës nxiti Liljanën t’ia faturonte fajet Nexhmijes, dhe ai të dilte si reformatori që shpëtoi vendin nga gjakderdhja….

Do te vazhdojmë të lexojmë të tilla histori akoma, në vend të historisë së vërtetë që gjeneratat duhet të mësojnë mbi komunizmin, të cilin ne nuk e shembëm, por thjeshtë e transformuam në një biçim demokracie.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular