BallinaKultureSi në takimin e parë/Cikël me poezi nga Anelja Lako

Si në takimin e parë/Cikël me poezi nga Anelja Lako

Si në takimin e parë

Një rreze e ndrojtur më vjen në dritare,

tej perdesh çan dhe ëndrrën ma përgjon,

më ulet syrit aq ledhatare

e përkundshëm nga gjumi po më zgjon.

 

Nën zhurmën e gjethes së vjeshtës së parë,

rrëzuar nga qerpiku i syrit të kohës,

datë e dashurisë më del në kalendar,

si dielli përvëlues pas llohës.

 

Te bregu i lumit ciganët erdhën prapë,

plot këngë dhe hare zallit të larë,

letrën do e gjesh zgavrës nën rrap

dhe të pres si në takimin e parë.

****

Ne jemi larg, por pranë të ndiej,

si rrezen e parë të diellit,

dhe kur mbyll sytë, prapë ty të gjej,

me yjet e ndezur të qiellit.

 

Ne jemi larg, por ti më ndien,

si vesa e virgjër mbi lule

dhe iki e vij, ikën e vjen,

mbi ballin tim më pekule.

 

U deshëm, u zumë…, u deshëm prapë,

po ç’dreqin është dashuria?

Tek ti shpirti më rend turravrap,

aq sa edhe ty drejt pritjeve të mia.

***

Ja ku ti shfaqesh përsëri,

si puthja e paqes pas zënkës së kotë,

me ty edhe qielli bie në dashuri

dhe aq dashuruar ndriçon një botë.

 

Të ndiej e të shoh në çdo skaj

dhe sekondi për ty më duket vit,

edhe kur s’je nga vetja s’të ndaj,

hën’ e diell të bëhem përnatë e përditë.

****

Pa titull

 

Malit lart një vetëtimë,

që çan qiellin dhe shkrin re,

sulet tokës me rrëmbim,

djeg një lis diku atje.

 

Sot ky det i shkumëzuar,

dallgën shkëmbit ashpërson,

plot buçimë dhe zemëruar,

pak nga pak po e thërrmon.

 

Dikur rrinin përqafuar,

natë e ditë shkëmbi nën valë,

në çdo kohë të dashuruar,

tani zënë e prapë me mall.

 

Dhe mbi lis po qan rrufeja,

më i larti, gjer në diell:

“Ah, të vrava, eja, eja,

po s’je ti, s’dal më në qiell!”.

***

E shikon ç’bën dashuria?

Zë të vret pak e nga pak.

Ti qesh me thëniet e mia,

më pushton e më puth prapë.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular