BallinaAktualitet“Zgjedhjet e lira”, Edmond Spaho: Kushtet e opozitës për zgjidhjen e krizës

“Zgjedhjet e lira”, Edmond Spaho: Kushtet e opozitës për zgjidhjen e krizës

Edmond Spaho, nënkryetar i PD-së, zbardh kushtet e opozitës për zgjedhje të lira dhe të barabarta, që nisin me një qeveri të përkohshme e deri tek arritja e garantimit të votës. Spaho thotë për “Gazeta Shqiptare” se beteja e opozitës për të rrëzuar Edi Ramën nga pushteti është e vështirë, por sipas tij, do të përdorën të gjitha mënyrat derisa shqiptarët të rrëzojnë qeverinë “Rama” dhe lidhjet e saj me krimin. Z.Spaho paralajmëron se në ditët dhe javët e ardhshme protestat do të intensifikohen edhe më shumë dhe se opozita bashkë me qytetarët është gati për çdo sakrificë që mundëson zgjedhje të lira në vend.

Edmond Spaho apelon se shqiptarët duan ndryshimin dhe opozita është e gatshme t’i udhëheqë në rrugën drejt shtetit ligjor dhe hapjes së negociatave për në BE.

Z.Spaho pse kaq e vështirë zgjidhja e krizës politike? Çfarë duhet të lëshojnë palët, në ketë rast opozita dhe mazhoranca që vendit t’i kthehet normaliteti?

Për zgjidhjen e krizës politike nuk ka vullnet nga mazhoranca. Opozita nuk po kërkon privilegje, por standarde dhe kushte për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Standardet arrihen duke dënuar përfaqësuesit e politikës dhe botës së krimit, të cilët kanë futur duart në zgjedhje, duke mbajtur policinë dhe administratën publike larg politikës dhe veçanërisht zgjedhjeve, duke zbatuar në Kod rekomandimet e raporteve të OSBE/ODIHR për zgjedhjet në Shqipëri dhe një sërë kërkesash të tjera, tashmë të bëra publike. Kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme nuk arrihen me Ramën kryeministër, sepse ai është ideatori dhe zbatuesi i shkatërrimit të sistemit politik në Shqipëri, duke i mbledhur të gjitha pushtetet në një dorë. Sa për ilustrim se ku jemi katandisur, mjafton rasti i Shkodrës, ku jo vetëm u kandidua një individ me rekorde kriminale, por të gjithë drejtuesit e administratës publike u larguan në grup, sepse nuk i siguruan Ramës rezultatin që dëshironte. Për sa më sipër, formimi i një qeverie të përkohshme që të plotësojë kushtet e cituara dhe realizimi nga ajo i zgjedhjeve janë kërkesa normale, që do ishin marrë parasysh në çdo vend tjetër. Edi Rama është i ndërgjegjshëm se zhvillimi i zgjedhjeve të lira e rrezon atë nga pushteti, reziston dhe na ka kthyer sot në kushtet e një diktature, ku ai dhe një grup rreth tij sundojnë si të jenë pronarë të vërtetë të Shqipërisë.

Opozita nuk mundi ta rrëzonte Edi Ramën, edhe pas protestave ai mbeti sërish kryeministër. Si do të bëhet i mundur largimi i tij?

Protestat nuk kanë përfunduar. Ne e dimë që objektivi që i kemi vënë vetes është i vështirë dhe do dojë mund dhe shumë sakrifica, por të jeni të bindur që ne nuk tërhiqemi nga ky objektiv dhe do të bëjmë çdo gjë të nevojshme për ta arritur. Në ditët dhe javët e ardhshme protestat do të intensifikohen edhe më shumë. Të mos harrojmë që ato kanë qenë më të mëdhatë që janë organizuar ndonjëherë në vend, fakt ky i qartë i ndryshimit që kërkojnë qytetarët. Mbështetja qytetare na bën edhe më të vendosur në rrugën e nisur në muajin shkurt të këtij viti.

Dalja jashtë institucioneve e opozitës, e largoi PD-në nga ndërkombëtarët, pavarësisht se qytetarët iu bashkuan aksionit opozitar?

Nuk është tërësisht kështu. Është e vërtetë që hapi ynë ishte radikal dhe do të kishte hezitim dhe ngurrim nga një pjesë e ndërkombëtarëve, por ne u lamë pa zgjedhje tjetër. Për 6 vite në opozitë, provuam të gjitha rrugët legale dhe institucionale për ta shkëputur vendin dhe zgjedhjet nga duart e aleancës së Rilindjes me krimin e organizuar. Përpjekjet tona nuk e penguan Ramën të manipulonte zgjedhjet e vitit 2017, sikurse tregojnë përgjimet e prokurorisë dhe partnerëve të huaj. Votimet e qershorit të këtij viti janë një shembull më shumë që edhe kur kandidon i vetëm, Rama nuk ndahet nga kontingjentet kriminale dhe manipulon zgjedhjet. Një pjesë e ndërkombëtarëve, të cilët ishin hezitues në fillim, po shohin batakun në të cilin është përfshirë Shqipëria për shkak të Ramës dhe po reflektojnë. Duhet të kujtoj se ka pasur dhe ka ndërkombëtarë, të cilët kanë qenë të qartë që në fillim për gjendjen në Shqipëri dhe përgjegjësitë e vetë Ramës. Numri dy i CDU/CSU në Bundestag në muajin maj bëri thirrje për zgjedhje të parakohshme, duke mos konsideruar tabu dorëheqjen e Ramës dhe krijimin e qeverisë provizore. Po kështu, Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës nuk pranoi të monitorojë zgjedhje moniste ku nuk merrte pjesë opozita. Shtypi ndërkombëtar, viziv dhe i shkruar, i cili ka qenë prezent në Shqipëri, ka mbështetur dhe mbështet kauzën e opozitës.

A ka pasur tratativa mes PD dhe PS për uljen në bisedime, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje?

Ka pasur përpjekje nga aktorë vendës dhe të huaj për të ndërmjetësuar, por Rama i ka hedhur poshtë ato, sepse e ka të qartë që mbajtja e zgjedhjeve të lira do të thotë largim i tij një herë e mirë nga pushteti dhe politika.

A ka sinjale nga ndërkombëtarët për ndërmjetësimin e dialogut mes palëve? Çfarë po e këshillojnë të huajt PD, në mënyrë të veçantë partia e Merkelit?

Nuk është fjala për të ndërmjetësuar për interesat e opozitës dhe për pushtetin e saj. Bëhet fjalë për interesat e vendit, për shkëputjen nga kthetrat e krimit, për t’i dhënë fund rrokullimës ekonomike dhe braktisjes së vendit veçanërisht nga moshat e reja. Shqipërisë kurrë nuk i kanë munguar miqtë dhe dashamirësit dhe ata do të përpiqen në javët dhe muajt e ardhshëm që të gjendet një zgjidhje. Më e rëndësishmja mbetet mbështetja dhe rezistenca qytetare ndaj klikës së Ramës, prandaj u bëj edhe një herë thirrje të gjithëve, përfshirë socialistët e ndershëm, që të na bashkohen dhe të largojmë një orë e më parë këtë të keqe që ka kapur vendin dhe këtë individ të papërgjegjshëm siç është Edi Rama.

Çfarë e rikthen opozitën brenda sistemit?

Opozitën e kthen në sistem vetëm zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Çfarë do të sakrifikojë tjetër PD për të arritur objektivin e saj: largimin e Edi Ramës, shkëputjen e lidhjeve të krimit me politikën, vendosjen e shtetit ligjor?

Sikurse theksova më sipër, për ne nuk ka kthim mbrapa dhe do bëjmë çdo sakrificë që të arrijmë objektivin tonë për zgjedhje të lira e të barabarta, të cilat i dëshirojnë të gjithë njerëzit me mend të këtij vendi.

Çfarë pritet me rifillimin e protestave në shtator?

Protestat në shtator e tutje do të jenë edhe më të mëdha se deri tani dhe kanë vetëm një synim, largimin e Ramës dhe klikës së tij sa më shpejt nga pushteti për t’i hapur rrugë qeverisë tranzitore, që do e çojë vendin drejt zgjedhjeve të lira.

Nëse zgjedhjet parlamentare dhe lokale zhvillohen brenda 2019-ës, a besoni se opozita do t’i fitojë ato?

Opozita do t’i fitojë bindshëm zgjedhjet e lira kurdo që ato të zhvillohen. Ne sot jemi maxhoranca reale e vendit, fakt që konfirmohet nga të gjitha sondazhet serioze. Këtë gjë e di më mirë se kushdo tjetër Edi Rama, prandaj edhe u reziston kërkesave të qytetarëve të vendit, por sado të përpiqet fundin e ka të paevitueshëm.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular