BallinaAktualitetE quajti "pjeshkë", Avokati i Popullit reagon pas deklaratës së Murrizit: Të...

E quajti “pjeshkë”, Avokati i Popullit reagon pas deklaratës së Murrizit: Të merren masa urgjente

Një ditë pas protestës para Parlamentit të shoqatës “Down Syndrome Albania”, nënkryetari i Kuvendit Myslim Murrizi ka kërkuar publikisht falje për fjalorin që përdori ndaj ndjekësve të tij në Facebook, duke i cilësuar ata si Down.

Në një dalje për mediat, ai tha se ndjen përgjegjësinë të kërkojë falje për të gjithë të indinjuarit, por lëshoi një tjetër fyerje.

Pas kësaj deklarate vjen reagimi i Avokatit të Popullit.

Përmes një reagimi të publikuar edhe në Facebook, AP kërkon marrjen e masave urgjente ndaj parlamentarit.

Sipas Avokatit të Popullit, gjuha e përdorur nga Murrizi është e turpshme, e papranueshme dhe e padenjë për një person që mban postin e nënkryetarit të Kuvendit.

Reagimi i plotë i Avokatit të Popullit:

“AVOKATI I POPULLIT BEN THIRRJE PER MASA URGJENTE NDAJ MANIFESTIMIT TE URREJTJES GJINORE NE KUVENDIN E SHQIPERISE

Avokati i Popullit e konsideron si të turpshme, të papranueshme dhe të padenjë gjuhën e sotme nga nënkryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z.Myslim Murrizi gjatë një konference për shtyp në të cilën presupozohej që do të dëshmohej pendesa e zotit Murrizi për fyerjet e lëshuara prej tij disa ditë më herët në adresë të personave me aftësi të kufizuara.

Me një fjalor që shpreh qartë mendësinë e tij seksiste dhe misogjine, zoti nënkryetar i Kuvendit i është referuar një deklarate të institucionit të Avokatit të Popullit ku denoncohej pikërisht ajo sjellje për të cilën zoti Murrizi po kërkonte ndjesë në deklaratën e tij në ato momente, për të vënë në shënjestër titullaren e institucionit me një fjalor denigrues dhe poshtërues.

Edhe pse qëndrimet e Avokatit të Popullit janë institucionale, zoti nënkryetar i Kuvendit ka veçuar faktin që titullarja e këtij institucioni është një grua, për t’iu drejtuar asaj me përbuzje si të ishte një qenie e një shtrese inferiore e cila duhet të heshtë kur ai përdhos i pashqetësuar me fjalorin e tij komunitete të gjera qytetarësh të disavantazhuar të shoqërisë sonë.

Gjithashtu terminologjia vulgare e përdorur nga zoti Murrizi kundrejt titullares së institucionit të Avokatit të Popullit, është një dëshmi shtesë e përçmimit dhe arrogancës që ai ndjen ndaj gjinisë femërore në përgjithësi dhe sidomos ndaj grave në pozicione zyrtare në veçanti.

Avokati i Popullit është një institucion i pavarur kushtetues në Republikën e Shqipërisë andaj manifestimi flagrant i shpërfilljes ndaj tij si ky rast i fundit me zotin nënkryetar të Kuvendit, duhet të kthehet në një këmbanë alarmi për nivelin fundor ku ka mbërritur respektimi i mekanizmave të tillë si ky institucion nga vendimmarrësit publikë.

Institucioni i Avokatit të Popullit i bën thirrje zotit Murrizi të rilexojë ose të lexojë Raportin Vjetor që Avokati i Popullit ka paraqitur në Kuvend ku edhe ai ka qenë i pranishëm, për t’u njohur me kornizën e të drejtave të njeriut që duhet të mbrohen dhe promovohen nga shteti shqiptar dhe posaçërisht me nevojën për frenimin e gjuhës së urrejtjes nga zyrtarët publikë.

Avokati i Popullit i bën thirrje drejtuesve të Kuvendit që në mënyrë të menjëhershme dhe shembullore të marrin masa për ndëshkimin e kësaj sjelljeje të papranueshme intimiduese dhe të përsëritur nga ana e zotit Myslim Murrizi në dëm të shtresave të ndryshme vulnerabël të shoqërisë sonë, ku përfshihen edhe gratë.

Vetëm duke vepruar energjikisht e pa u mjaftuar me tërheqje sipërfaqësore vërejtjesh të cilat me sa duket thjesht justifikojnë mendësinë skandaloze të urrejtjes gjinore e të kategorive të tjera sociale në Shqipëri, mund të jepet më në fund një provë serioze se vendi ynë e ka seriozisht përpjekjen e tij për emancipim dhe europianizim.

Avokati i Popullit do ta referojë këtë episod të shëmtuar, të shndërruar në vijë sjelljeje nga ana e disa përfaqësuesve tanë publikë, në institucionet më të larta europiane dhe ndërkombëtare të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe faktorëve të tjerë diplomatikë.

Gjithashtu Avokati i Popullit u bën thirrje deputeteve, politikaneve, intelektualeve gra si dhe komunitetit të mbrojtjes së të drejtave të grave në shoqërinë civile që bashkarisht të distancohen dhe të dënojnë këtë shfaqje brutale dhe arrogante të urrejtjes gjinore nga një përfaqësues politik në Kuvendin e Shqipërisë”.

Pak ditë më parë, Murrizi në një status në rrjetet sociale po komentonte mbi aktualitetin politik në vend. duke akuzuar ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj. Murrizi mori edhe kritika nga ndjekësit. Në përgjigje të njërit prej tyre Murrizi ka përdorur për ofendim edhe diagnozën me sindromën Dawn.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular