BallinaOP EDLibri protestë i Klevis Balliut dhe finalja e hapur e rrëfimit, si...

Libri protestë i Klevis Balliut dhe finalja e hapur e rrëfimit, si thirrje për ndihmë

Nga Ilir Nikolla

Në vitet e tranzicionit, politikanët na kanë mësuar me publikimet e tyre standard, në shumicën e rasteve kujtime, dhe në pak raste domethënëse, ditare vjetore apo shënime për ngjarje të veçanta politike.

Në fakt e vërteta është se botimet e politikanëve nuk kanë qenë asnjëherë të shumta, politikanët i fshihen publikut me justifikimin e vijës së partisë, angazhimeve të shumëta apo broçkulla të tjera kësisoji, dhe mund të themi se gjithçka është në linjë me tranzicionin e tejzgjatur, që e ka gremisur vendin tonë në honet e vendeve më të korruptuara të planetit dhe politikanët tanë i ka strehuar në listën e njerëzve më të pasur të rajonit. Rrjedhimisht, mungesa e transparencës sjell edhe shkretëtirën në botimet e politikanëve.

5acc3dc7-edfa-4b1e-8a6b-d3b448bef532
Në këtë hartë ku spikat mungesa e pritshmërive, tregut të botimeve i është shtuar libri “Misioni i Unazës” i Klevis Balliut. Libri u ngjan atyre rrëfimeve me finale të hapur, e cila s’është se u lihet në dorë lexuesve, por është e tillë, sepse finalja në fakt s’është luajtur ende. Përplasja e shumënjohur për publikun e Unazës së Re, ku qeveria po kërkon të prishë qindra shtëpi pa kurrfarë dëmshpërblimi për të ndërtuar një zgjerim rruge, që s’është as emergjent e as i dobishëm, vjen me rrëfimin personal të autorit. Ai tregon rrënjët e përplasjes, si u njoh me përballjen, si u shndërrua nga vëzhgues në aktor, dhe më tej, si Unaza u shndërrua në mision për të.
Rrëfimi i Klevisit nis si rrëfim vëzhguesi dhe përfundon si një angazhim politikani, gjithmonë me besnikërinë ndaj ngjarjes, pa e filtruar as për hir të interesit politik, apo pa e zbukuruar për hir të interesit personal. Klevis Balliu e tregon historinë e vet me banorët e Unazës së Re, me efektivët e Policisë së Shtetit, me kolegët e tij në Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike, por edhe me zgjedhësit e tij në Qarkun e Korçës, me një mision, me misionin për t’i ndihur zgjidhjes së çështjes, për të mos i lënë mijëra banorët e Unazës së Re në mëshirë të fatit, por për t’u ofruar atyre drejtësi. Kjo është finalja e hapur që synon Klevis Balliu në këtë kuazi-vit të pjesëmarrjes në protestat e përnatshme të banorëve. Rrëfimi i tij është një thirrje për ndihmë, jo vetëm për solidaritet, por për ndihmë të vërtetë, ndihmë në pjesëmarrje, ndihmë për të ndalur makinerinë e dhunës dhe mbi të gjitha, ndihmë për të ndalur vjedhjen e madhe që po konsumohet me projektin e Unazës së Re.
Kjo thirrje për ndihmë e nxjerr librin nga kurthi i rrëfimit politik. Në rreshtat që tregon Klevisi historinë e tij mision me Unazën e Re, ka njësoj vend si për Oriola Pampurin, ashtu edhe për Endrit Brahimllarin, si për Fatos Lubonjën, ashtu edhe për Sazan Gurin, Artur Zhejin e Andi Bushatin. Rrëfimi nga barrikada e protestës i shuan dallimet mes PD e LSI, mes publicistëve dashamirës ndaj PD apo atyre kritikë, gjithçka ka vetëm një qëllim, një mision, prandaj edhe personazhet e rrëfimit futen vetëm në një filtrim, në filtrin e qendrimit që mbajnë ata ndaj protestës së banorëve të Unazës së Re. Politikanët e pranishëm në protestën e banorëve janë trajtuar njësoj si protestuesit e tjerë, janë trajtuar si partizanë të kauzës, si trupa të rreshtuar në llogoren që do të ndalë dhunën, vjedhjen dhe tragjedinë.
Libri i Klevis Balliut është i pangjashëm me libra të tjerë publicistikë, sepse nuk rrëfen ngjarjen e madhe, rrëzimin e sistemit ta zëmë, apo rotacionin politik, ka një mision dhe rrëfen vetëm atë ngjarje, por gjithsesi, aty do të gjenden edhe përvijimet e një koalicioni të madh qytetar, që duke u bashkuar në Misionin për të ndalur tragjedinë e Unazës së Re, në fakt po bashkon në një fat, finalen e Unazës me finalen e krizës aktuale politike në vend.
Në këtë kuptim, rrëfimi personal i Klevis Balliut i ka kaluar caqet e personales dhe ia ka arritur që të unifikojë Misionin e Unazës me Misionin për të spastruar Shqipërinë nga hajdutët dhe dhunuesit me pushtet. Ky kapërcim politik e bën edhe më funksional prezantimin në libër të qendrimeve të protagonistëve të politikës, publikes e shoqërisë civile për protestën e Unazës së Re. Qendrimet e tyre për protestën e Unazës së Re janë rruga që e çojnë rrëfimin personal të autorit Balliu drejt urgjencës kombëtare për ta nxjerrë vendin nga kriza ku ndodhet.
“Misioni i Unazës” është një publikim që duhet ndihmuar t’ja arrijë qëllimit, prandaj edhe lexuesi është i grishur të marrë pjesë në këtë mision, duke e lexuar rrëfimin e Klevis Balliut dhe duke e mbështetur aksionin e tij. Politikanët që ndajnë me publikun përvojën e aksionit të tyre qytetar japin një shembull të shkëlqyer transparence, prandaj “Misioni i Unazës” është një arritje në këtë drejtim dhe një shuplakë për të gjithë ata protagonistë të mexhlisit politik, që e çojnë ditën, duke reklamuar skema e konspiracione. S’janë që të gjithë njësoj, shumë syresh flasin për vokacionin e tyre dhe Klevis Balliu, me rrëfimin e tij e ka bërë këtë me guxim dhe me zë të lartë. Sa mirë do të ishte sikur edhe politikanë të tjerë, të rinj a më me përvojë qofshin, ta ndërmarrin riskun që t’i flasin publikut me zemër në dorë.

 

 

 

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular