BallinaKryesorePyjet e vjetër të Ahut në Lumin e Gashit (Tropojë), pjesë e...

Pyjet e vjetër të Ahut në Lumin e Gashit (Tropojë), pjesë e UNESCO-s

Nga Abdulla Diku

Lumi i Gashit

Lumi i Gashit është i njohur në Shqipëri, si një ndër zonat me natyrën më të bukur dhe të pashqetësuar. Bën pjesë në Njësinë Administrative Tropojë, bashkia Tropojë. Shtrihet në pjesën lindore të Alpeve Shqiptare duke u kufizuar në veri me Malin e Zi dhe në veri-lindje me Kosovën.
Lumi i Gashit është shpallur si zonë e mbrojtur ‘Rezervë Strikte Natyrore” (kategoria I) me VKM nr.102, datë 15.01.1996, me sipërfaqe 3,000 ha. Sa i përket mbrojtjes ligjore, zona ka nivelin më të lartë të mbrojtjes, bazuar në legjislacionin shqiptar dhe atë ndërkombëtar.
Lugina përfaqëson një shtrirje gjatësore veri-jug me gjatësi rreth 27 km, deri në bashkimin e saj me luginën e Valbonës poshtë fshatit Shoshan.

Gjeologjia dhe hidrogjeologjia e zonës

Në bazenin e lumit të Gashit përhapen shkëmbinjtëme moshë gjeologjike nga më të vjetrit në Shqipëri. Ato përfaqësohen nga shkëmbinjterigjenë,vullkano-sedimentar dhe gëlqerorë pak të metamorfizuar. Shkëmbinjtë terrigjenë e vullkanikë i ndan masivi granodiorit i Torkuzit. Depozitimet me moshë më të re janë depozitimet në tarracat e vjetra lumore.

Hidrografia

Lugina e Lumit të Gashit shtrihet në verilindje të Alpeve tona dhe fillon në pjesën e sipërme të saj me lugun akullnajor të Dobërdolit (Dobërdol – ka kuptimin luginë e bukur).

Lumi i Gashit dallohet për një regjim relativisht të rregullt ujor. Kjo shpjegohet me faktin se lumi rrjedh në pjesën më të madhe nëpër një zonë rreshpore të papërshkueshme si dhe me ushqimin e tij nga ujërat e borës që shkrin gradualisht në kreshtat alpine.

Pyjet e Lumit të Gashit në UNESCO

Vendimi për përfshirje në UNESCO është marrë ne Krakow (Poloni) në vitin 2017me një sipërfaqe të pyjeve të vjetër të Ahut prej 1,261.52 ha dhe zona buferike rreth këtyre pyjeve me një sipërfaqe prej 8,977.48 ha.

“Pyjet e vetër/të lashtë të Ahut (Fagus sylvatica L.)” janë përfshirë në listën e inventarit të UNESCO si një element i domosdoshëm për të kuptuar historinë dhe evolucionin e llojeve të gjinisë Fagus (Ah) i cili, duke pasur parasysh shpërndarjen e tij të gjerë në hemisferën veriore dhe rëndësinë ekologjike, është globalisht domethënës. Këto pyje të pashqetësuara, të vendosura në ekosisteme unike, shfaqin modelet dhe proçeset ekologjike më të plota dhe gjithëpërfshirëse të formacioneve të pastra dhe të përziera të Ahut evropian në një sërë kushtesh mjedisore, siç janë kushtet klimatike dhe gjeologjike, në të gjitha Rajonet Evropiane të Pyjeve të Ahut.

Pyje të tilla përfshijnë një zonalitet vertikal nga bregdeti deri në vijën pyjore në male e larta (në kufinj të kullotave alpine). Ahu është një nga elementët më të rëndësishëm të pyjeve gjethegjerë në vendet me klimë të temperuar dhe paraqet një shembull të jashtëzakonshëm të ri-kolonizimit dhe zhvillimit të ekosistemeve dhe komuniteteve tokësore që nga Epoka e Akullit.

Zgjerimi i vazhdueshëm verior dhe perëndimor i Ahut nga zonat e tij të strehimit akullnajor në pjesët lindore dhe jugore të Evropës mund të gjurmohet përgjatë korridoreve natyrore që përshkojnë kontinentin. Ndryshimet më të fundit në modelin e shpërndarjes së kësaj specie lidhen me ndikimet e drejtpërdrejta të shqetësimit njerëzor dhe efektet më komplekse të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu. Si modelet seriale historike ashtu dhe ato aktuale të shpërndarjes, paraqesin strategji evoluese natyrore për përshtatjen dhe mbijetimin e ndryshimit mjedisor. Dominimi i Ahut në zonat e gjera të Evropës është një dëshmi e gjallë e përshtatshmërisë gjenetike të tijë.

Zonat e zgjedhura të pyjeve të Ahut jo vetëm që përfaqësojnë diversitetin e plotë dhe në seri, të gjetur në të gjithë Evropën, ato janë gjithashtu me madhësi të mjaftueshme për të ruajtur proçeset natyrore të nevojshme për qëndrueshmërinë ekologjike afatgjatë të ekosistemit. Zonat buferike garantojnë ruajtjen afatgjatë të karakterit të veçantë të pyjeve të Ahut së bashku me atributet e tyre të natyrshme.
Përveç kritereve siç janë shtrirja e sipërfaqes pyjore dhe prania e një zone efektive tampon (buferike), karakteristikat kryesore, të cilat u përdorën edhe në proçesin e përzgjedhjes së zonës si pjesë e UNESCO, përfshinin moshën mesatare të grumbullit pyjor dhe periudhën që nga menaxhimi i fundit ose shqetësimi njerzor mbi atë masiv pyjor. Kriteret e vlerësimit të përdorura në proçesin e përzgjedhjes ndihmuan për të përshkruar shkallën e natyralitetit të një pylli, por gjithashtu ofrojnë disa indikacione për aftësinë funksionale të qenësishme të ekosistemit.

Më në fund, aty ku është e nevojshme, theks i veçantë iu kushtua lidhjes midis pyjeve të Ahut dhe habitateve plotësuese përreth, si një parakusht i perceptuar për funksionimin e ekosistemit dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve mjedisore.

Vlerat kryesore të zonës

Vlerat më kryesore natyrore për zonën janë;

  • Ekositemi natyror. Zona përfaqëson ekosistemin më të mirë dhe më të madh pyjor në gjendje natyrore (virgjër) që gjendet në Shqipëri.
  • Pyjet e vjetër të Ahut. Përfaqësojnë grumbullin më të madh, më cilësor dhe më natyror që gjenden aktualisht në Shqipëri. Natyra dhe ekosistemet pyjore të zonës janë thuajse të pa ndikuara nga njeriu dhe paraqiten në gjendjen e tyre natyrore, duke na ofruar sot gjendjen e pyllit në stadin klimaks të tij. Në zonë janë evidentuar 4 drurë me moshë 251-300 vjeç; 3 drurë 351-400 vjeç dhe 2 drurë 401-450 vjeç.

Prezenca e drurëve me moshë 400-450 vjeçare është një vlerë e jashtëzakonshme dhe tregues i natyralitetit të zonës, të pandikuar nga njeriu.

  • Prania e llojeve të rëndësishme pyjore si; Ahu, Bredhi i bardhë, Hormoqi, Rrobulli etj.
  • Peizazhi unik i zonës, i cili mund të vërehet nëse udhëton duke e përshkruar vertikalisht luginën. Mënyra më e mirë për të përjetuar natyrën e zonës është duke ecur përgjatë lumit të Gashit. Ndërsa për të përjetuar peizazhin e zonës është duke vizituar majat e larta që rrethojnë luginën. Lugina e Lumit të Gashit rrethohet nga 50 maja malesh me lartësi mbi 2000 mnd.
  • Vlerat e biodiversitetit. Në zonë gjendet një numër i madh llojesh të rrezikuara që janë pjesë e listës së kuqe të Shqipërisë dhe IUCN, të përmbledhura më poshtë;

Flora; në lumin e Gashit gjenden 15 lloje drurësh, shkurresh e bimësh të ndryshme.

Fauna; zona paraqitet si vend strehimi, ushqimi dhe shumimi për të paktën 8 gjitarë, 13 shpendë, 3 amfibë, 3 insekte, dhe 1 molusk. Zona strehon të gjithë gjitarët e mëdhenj; Ariu, Ujku, Rrëqebulli, Macja e egër, Derri i egër, Dhia e egër, Kaprolli etj. si dhe disa shpendë të rëndësishëm si; Gjeli i egër dhe Pula me çafkë. Në këtë pikpamje zona përfaqëson një njësi unike në vend edhe për sa i përket vlerave të diversitetit biologjik dhe vlen të konsiderohet si një ‘hot spot” i biodiversitetit të vendit tonë.

  • Liqenet akullnajore të Dobërdolit (monumente natyre, kategoria e III). Ndodhen në pjesën e sipërme të luginës së Gashit, në bjeshkët e Dobërdolit. Gjenden 7 liqene, por ai i Dashit është më i madhi. Gjatësia e tij është 200-250 m, gjerësia 150-200 m, ndërsa sipërfaqia rreth 3.3 ha.
  • Traditat kulturore. Zona e Tropojës shquhet për traditat e mikpritjes, gatimet e veçanta, arkitekturën tradicionale, veshjet popullore, këngët dhe vallet, ritet që përbëjnë një aset të çmuar krahas vlerave të natyrës dhe që gjejnë një integrim të plotë me të.

Rëndësia përse duhet të mbrohetnjë pasuri e tillë

Larmia e tipeve të habitateve me Ah, halorë të tjerë dhe Boronicë si dhe pyjet e virgjër përbëjnë një strehë të rëndësishme për shumë lloje të florës, midis të cilave dallohen lloje të rralla ose të mbrojtura nga direktiva e habitateve si; Aconitum lamarckii, Aconitum pentheri, Crepis bertiscea, Hieracium waldsteinii, Viola calcarata subsp. zoysii, Geum bulgaricum, Buxbaumia viridis, Campanula scheuchzeri, Gentiana luteadhe Pulsatilla alpina, pa përmendur këtu prezencën e Salamandrës së zezë (Salamadra atra) si dhe të gjithë gjitarëve të mëdhenj (Ariu, Ujku, Rrëqebulli, Derri i egër, Dhia e egër, Kaprolli etj.).

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular