BallinaOP EDBesim Çera, në mes kolegëve të repartit të “Briskut”

Besim Çera, në mes kolegëve të repartit të “Briskut”

NGA: DUKAGJIN HATA

Sa herë shtatori kthen fletët e fundit të dhjetëditëshit të parë dhe troket në dhjetëditëshin e dytë, një vrasje e bujshme, e etiketuar vrasja e shekullit, na rikthen pas në kohë dhe na bën të meditojmë rreth të kësaj të ndodhure.
Me 12 shtator, para selisë së Partisë Demokratike, vritet deputeti Azem Hajdari, lideri historik i dhjetorit, një nga njerëzit më karizmatikë të politikës shqiptare. Për këtë vrasje është shkruar shumë, janë hedhur dyshime e akuza, hamendësime e “indicia”, por e vërteta e kulluar nuk është zbardhur dhe vazhdon të mbajë peng politikën dhe drejtësinë halleshumë të këtij vendi.
Duke tentuar të mbronte Azemin, atë ditë tragjike, mbeti përjetë në atë vend krimi pa alibi dhe një djalë i ri dibran, shoqëruesi i tribunit historik, bestari sypishë e zemërtufan, Besim Çera, “Dëshmor i Demokracisë”.
Shtypi, mediat, tribunat e keqpërdorura politike, shumë pak kanë shkruar e folur për këtë djalosh, që shkoi me vetëdije të plotë drejt një vdekje të paralajmëruar, në emër të besës së malësorit, këtij arkitipi, që ka vënë në lëvizje qëndrestarë dhe heronj, në të gjitha kohët e shqiptarisë.
Po kush ishte Besim Çera dhe çfarë e shtyu atë drejt këtij akti të vetëdijshëm sakrifice sublime?
Bir i një familje intelektuale, ku babai, Xhemali ishte një mësues i nderuar në trevën dibrane të Ujë e m’Ujës, Besimi u formua si karakter në një mjedis arsmidashës, por që nuk qe në unison me dogmat e regjimit diktatorial komunist. Ai u edukua me odën e burrave fisnikë te Çereve, me bëmat e stërgjyshit të tij epokal, Ali Çera, që qe shndërruar në prijës popullor në luftërat qëndrestare të Ujë e m’Ujës dhe Shkodres kundër hordhive të huaja, ngado që vinin.
Besimi kishte një karakter të fortë, besnik, modest, fisnik, i përkushtuar në punë, demokrat i orëve të para dhe antikonformist, i edukuar me virtytet më të mira të asaj dere dhe të asaj treve qëndrestare, ku në kandarin e burrërisë më shumë se fjalët, shëmbëlltyrat e mefatorat e gjetura, peshojnë aktet dhe veprat.
I vëllai, Hidajeti, që jeton familjarisht në Belgjikë, i parafundit ndër vëllezërit dhe motrat e Besimit, një ish nxënësi im i shkëlqyer, me një bagazh të lakmueshëm intelektual, kulturologjik dhe formim model njerëzor, rrëfen: “Në fëmijërinë tonë, falë babait mësues, ardhur nga shkolla e famshmja pedagogjike, Normalja e Elbasanit dhe kushëririt tonë Teki Çera, që pati mbaruar shkëlqyeshëm Fakultetin gjuhë -letërsi, organizoheshim ne fëmijët e të njejtit oborr, në “qendrën kulturore të fëmijëve” të familjes, që ishte një sajim i gjetur për mundësitë e kufizuara të kohës, në këngë, recitime, konkurse librash dhe deri pjesë të vogla teatrale. Për recitim fitonte motër Kumria, në këngë motër Bademja, librat qenë fusha ime. Në teatrin e organizuar brenda oborrit familjar, skenari kishte një përballje mes partizanëve dhe gjermanëve. Sipas mentalitetit të kohës, të farkëtuar në çdo sektor dhe qelizë të jetës, propaganda na bënte të vraponim pas personazheve të luftës partizane. Kur xhaxha Tekiu na pyeti se kush do të luante “gjermanin”, ne refuzuam. Vetëm Besimi doli pak përpara dhe tha: “Unë po e luaj gjermanin, më pëlqen vërtet ky rol”. Xhaxhi Tekiu, me atë qeshjen karakteristike, që nuk i hiqej nga buza, ia bëri: “Ti gjerman?!” Sikur deshi t’i thoshte se ata qenë “armiqtë” apo diçka tjetër të mbetur pezull në cepat e buzëve të tij. “Po, unë do të luaj gjermanin, foli i qetë Besimi. Kam degjuar Baben Llan (Llani ishte xhaxhai ynë), se gjermanët ishin trima, ku pyesnin ata!”…Xhaxhi Tekiu hodhi sytë rreth e rrotull, na vështroi të gjithëve me radhë dhe, për çudi, jo vetëm nuk e qortoi vëllane tonë, por shpërtheu në një të qeshur injektuese, që na përfshiu të gjithëve. Në skenë Besimi ishte më i miri ndër ne, veçanërisht personazhin e gjermanit e qante, vetëm se dilte nga skema e realizmit socialist, që i paraqiste armiqtë me defekte shpirtërore dhe cene nga më banalet; “gjermani”, që ai luante, ishte stoik dhe i vendosur në kauzën e tij!…
Në atë kohë të pa kohë, shkollimi i mesëm ishte e vetmja mundësi që iu jepej fëmijëve të atyre familjeve dhe shtresave të shoqërisë që konsideroheshin me “njollë në biografi” dhe që mbaheshin nën karantinën e një mbikqyrje të rreptë. Shembull kushuriri yne Ilir Subi Çera, i cili pas 9 vitesh vazhdoi studimet e larta dhe fale vullnetit mbaroi Fakultetin e Veterinarisë dhe sot mbant titullin e Doktorit të Shkencave.
Besimi u thirr në shërbimin e detyueshëm ushtarak dhe falë shpirtit qëndrestar e të paepur, fizikut të fortë dhe ndryshimeve, që e gjetën në kulmin e moshës, nisi punë në Forcat Speciale dhe në momentin e pushimit nga puna ishte pjesë e repartit special të Briskut. Bashkë me kolegun dhe shokun e punës, z. Pulaj, kundërshtuan përdorimin e dhunës ndaj kolegëve të komisariatit të Shkodrës, të cilët kundërshtuan dorëzimin e armëve, në janar 1998. Gjithë reparti i Briskut ishte për mospërplasje, por vetëm Besimi dhe z. Pulaj e mbajtën fjalën deri në fund. Me kolegë të Shkodrës kishin kaluar të mirat e të këqijat, vështirësitë dhe sfidat, kur qeveria e rebelimit i vuri në përballje të dhimbshme, që i tejkalonin caqet e sensibilitetit njerëzor..
Pranë Azemit e afroi ish kolegu Gjoni, pasi këtij të fundit, Azem Hajdari, i kishte kërkuar një shoqërues trim e besnik, për ato situata të vështira politike, që po kalonte lideri historik, ashtu si gjithë pjesa opozitare e shoqërisë së kohës, në përballje me falangat dhe mbetjet e regjimit diktatorial. Pranë Azemit, Besimi u bë më i fortë fizkisht e shpirtërisht dhe më i vetëdijshem për misionin e vështitrë të mbrojtjes së një lideri emblematik. Azemi e donte dhe e çmonte për guximin, kurajën dhe çiltërsinë, për gadishmërinë e tij për t’iu gjendur në krah dhe në ballë liderit simbol të një kohe traumatike, në çdo rrethanë, sado e vështirë dhe komplekse që të ishte ajo…
Dhe mbeti përjetë atje, para selisë së Partisë Demokratike, atë ditë të largët shtatori, atje, në atë përballje me botën e krimit të organizuar dhe mafien politike, që duke vrarë Azemin, kërkonte të përgjunjte rezistencën e lirisë së një populli të kalvarizuar në një absurd të pafund, kohësh të trishta, nëpër zgafella të errëta të kobit historik.
Emrin e tij nuk e mban asnjë shesh, asnjë shkollë, asnjë institucion, (vetem nje rruge ne Bashkine Kamez) ndërkohë që këto janë mbushur dëng me mjaft emra njerëzish anonimë, që vijnë nga hiçi dhe nuk shkojnë në askund. Por Besimi nuk ka nevojë për asgjë, këto të gjitha kanë nevojë për emrin e tij, një emër që ka hyrë natyrshëm në analet e historisë së kësaj demokracie të trazuar dhe që apelon për një shtet të së drejtës, që të vlerësojë dhe ngrejë në piedestal pjesën më qëndrestare të shoqërisë, ku bën pjesë dhe Besim Xhemal Çera, ky hero i këtij tranzicioni, që duket se nuk paska të sosur!…

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular