BallinaKryesoreA ka falimentuar financiarisht shteti?

A ka falimentuar financiarisht shteti?

Nga Artan Fuga

Nga libri ‘Origjinat e pasurisë, pronës, pushtetit në Shqipërinë pastotalitare’, në përgatitje për botim te PAPIRUS

Ku do të mund t’i gjente ekonomia shqiptare disa miliarda euro që të mund të funksiononte në kushtet e shkëmbimit të mallrave me ekonominë globale

I mungojnë miliarda euro pa të cilat bie në kolaps në fund të ciklit vjetor të bilanceve financiare.

Ku do t’i gjente shteti shqiptar aq miliarda euro sa t’a mbyllte borxhin publik që ka krijuar?

Do të vazhdojë ai ta rrisi këtë borxh duke paguar paga, mbajtur në këmbë një arsim, shërbim mjeksor, kulturë, sado të rrënuar, një shërbim ruajtje rendi, duke hyrë gjithmonë e më shumë në borxhe?

Pa asnjë pasion, pa asnjë ndjenjë pozitive, thjesht duke bërë arsyetime mbështetur në të dhênat statistikore, mund të shtrohet pyetja :

Mos vallë me këtë buxhet që ka, shteti shqiptar a nuk është financiarisht i falimentuar?

Kjo do të thotë se ai pa tolerancën e agjencive bankare të huaja, pa shtrëngimin ndaj bizneseve për të marrë prej tyre herë pas here shërbime dhe punime të papaguara, pa donacionet e agjencive financiare të vendeve partnere, të vendeve të Bashkimit Europian, ose të ndihmave ushtarake në kuadrit e NATO-s,a mund t’i kryejë funksionet e veta?

Dhe nëse shteti nuk paguan punonjësit publikë pa mbështetur në ‘dorën’ e dhënë në formë borxhesh ose ndihmash nga agjenci financiare të huaja, nuk realizon shërbimet jetike për qytetarët e tij pasi ua ka premtuar ato, a nuk quhet i falimentuar?

Në kuptimin që ai nuk mund të mbahet në këmbë vetiu si një agjenci sovrane që përfaqëson kombin.

Nëse borxhi publik është sikurse thuhet rreth 70 përqind e Produktit të Brendshëm Brut atëhere del se ai që të shlyhet dhe të shëndoshen financat publike duhet që shqiptarët, me këtë model ekonomie që është sot, të punojnë për 3 ose 4 vjet, dhe në shkëmbim të mos konsumojnë asgjë, të mos hanë, të mos pinë, të mos kurohen nga sëmundjet, madje të mos marrin asnjë pagë në sektorin publik,të mos kenë polici, drejtësi, asgjë.

Zero!!!

Sigurisht kjo do t’i ngjantre një filmi fiksion, një imagjinate jo reale, sepse pa konsum as ekonomia nuk prodhon dot dhe nuk ka treg ku të prodhojë vlerën e mallrave dhe shërbimeve të veta. Pra, është thjesht një supozim imagjinar.

Gjithsesi pa ngrënë, pa pirë, pa marrë medikamente, pa ruajtës rendi, etj., nuk mund të jetohet. Atëhere supozohet që nëse ky konsum nuk shuhet fare por zvoglohet përgjysëm, do të na duhen rreth 8 vjet që të shëndoshen financat publike, dhe nëse do t’a ulnim konsumim vetëm me një të katërtën e asaj që konsumojmë sot, do të na duhen rreth 15 – 20 vjet. Kjo periudhë do të duhej sikur përgjatë saj të mos ndodhnin të papritura negative që mund ta bënim këtë proces edhe gjysmëshekullor.

20 vjet e pakta për të shtrënguar rrypin nëse do të donim të dilnim nga një situatë financiare kur me buxhetin publik në falimentim që kemi sot të kemi pensione dinjitozë, paga normale për punonjësit e sektorit publik, shërbime sociale dinjitoze, etj.

20 vjet. Pra deri në gjysmën e shekullit të 21 -të pak a shumë.

Duket shumë?

Po, situata nuk është e lehtë. Pra, kërkon të sakrifikohet një brez. Prandaj ikin në mërgim të rinjtë. Me intuitë e kanë kuptuar që së paku edhe një brez, pra i tyre, është i sakrifikuar. Sikur sot ta nisnim reformën e vërtetë.

Por kush e pranon një reformë me shtrëngim rripi???

Se një e katërta konsum më pak, do të thotë që pensionet të ulen edhe me 20 – 25 përqind, ndihma sociale dhe asistenca sociale të ulet edhe po aq, nga katër kafe në ditë të pimë tre syresh, nga 12 ditë pushime të kalojmë 9 ditë, nga 1 orë që mund të na duhet të vijë autoambulanca në shtëpi në rast nevoje, të presim 3 orë, nga 3 telefona celularë që ka në familje të ketë vetëm dy, të hamë dy vakte në ditë, jo tre!!!

Kush është i gatshëm t’i pranojë këto?

Nëse nuk jemi të gatshëm, atëhere ka dy mundësi të tjera : Ose të vazhdojmë të lëngojmë duke e rrënuar edhe më të ardhmen e shqiptarëve në këtë shekull duke rrezikuar qënien kombëtare, ose të ndryshojmë mënyrën e të punuarit, të sjellurit, të administruarit.

Po këtë të dytën kush e pranon?

E pranon dot dikush që në vend të endeve kafaneve të Tiranës, të shkojë në mal të ruajë, mbarështrojë, përvjeli, mjeli dhitë?

Pranojnë televizionet që të transmetojnë reklama për të promovuar jetën si bari dhish, si minator, si peshkatar, si korrës bari në vend të jetës si avokat, mendimtar kafenesh, analist politik?

Nuk pranojmë?

Atëhere duhet të jemi këta që jemi.

Sepse një reformë të tillë do t’ua propozonte shqiptarëve politika. Por një fushatë elektorale bëhet duke premtuar më shumë, më mirë, jo më pak; jo duke shtrënguar rrypin, jo duke tronditur iluzionet tona të lumtura. Ne pranojmë të shajmë gjithë ditën në kafene duke qenë në gjendje të mjerë, sesa të ngrihemi nga tavolina, t’a përmbysim tavolinën, për të vepruar e dalë nga mjerimi.

Imagjinoni Lulzim Bashën, Edi Ramën, Monika Kryemadhin, a të tjerë që në fushatën elektorale t’u thonë shqiptarëve nëpër mitingje :

‘Unë do t’ju a ul pagat me një të katërtën, do t’ju a kufizoj edhe më pensionet, do të keni vetëm 8 orë energji elektrike në ditë, ujin do të ngrihet në çmimin e tij edhe me 25 përqind, do të mbyllim çerekun e shkollave, spitaleve, të tanishme!!! Votoni për mua!!!’

Kjo nuk mund të hamendëzohet kurrë. Kjo sepse politika në demokraci bëhet sipas një standardi premtimesh, jo privimesh për ta kapur veten!

Atëhere nëse nuk është politika që e bën dot këtë reformë, kush tjetër do t’ua premtonte shqiptarëve???

Ja pra paradoksi ku kemi rënë, por që sigurisht këtu është shprehur me vija të nxira qëllimisht që problemi të perceptohet më lehtë.

Që të heqim stereotipet e mendimit.

ë heqim iluzionet.

Hipokrizinë sociale!

Por, sigurisht zgjidhje ka!

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular