BallinaAktualitetSi po pilotohet procesi i përzgjedhjes së pasardhësit të Papa Françeskut

Si po pilotohet procesi i përzgjedhjes së pasardhësit të Papa Françeskut

Hipoteka mbi Kishën. Me kardinalët e rinj, Konklava që do të zgjedhë Papën e ardhshëm do të jetë me mazhorancë bergoglio-ane. Synimi është shndërrimi në të pakthyeshme i reformës së nisur më 2013-n

Papa Françesku ka folur publikisht para disa ditësh për rreziqet e një skizme në gjirin e Kishës Katolike. Skizma që flitet po farkëtohet mbi debate ideologjike e doktrinare, por në të shfaqen edhe debate për të ardhmen e Evropës, për integrimin e disa popujve në BE, si dhe për sjelljen që do të ruajë bota perëndimore ndaj Perëndimit dhe botës islame. Çështjet janë në rend të ditës edhe në shtypin shqiptar, prandaj është me interes të ndiqen polemikat lidhur me kardinalët e rinj që ka krijuar Papa Françesku, si dhe për drojën që ekziston se ai po tenton në njëfarë mase të pilotojë edhe pasardhësin e tij. Një gazetë e specializuar në çështjet e Vatikanit si Il Foglio, ndalet në rrënjët e sjelljes ndarëse që përçon lista e fundit e kardinalëve të krijuar nga Ati i Shenjtë, si dhe në krizën që po kalojnë marrëdhëniet e Selisë së Shenjtë, veçanërisht me kishën e SHBA-së si dhe me atë Gjermanisë. Në këtë konstelacion përçarjeje, s’ka si të mos spikasë edhe qendrimi i ndryshëm ndaj disa lëvizjeve të ashtuquajtura populiste në Evropë. Gjithçka, një temë me mjaft interes edhe për publikun shqiptar.

Ilir Nikolla

Me mbledhjen e ardhshme të 5 tetorit, kardinalët që zgjedhin do të jenë 128, 8 më shumë sesa kufiri i epërm i vendosur nga Paolo VI, numri do të kthehet 120 vetëm nëntorin e vitit tjetër.

Nga njëra anë kemi triumfalizmin e miqve, të cilët ekzaltohen për listën e kardinalëve që do krijohen, në shumicë të orientimit liberal dhe po e përmbysin galaksinë e rrjeteve sociale me komplimente, emocione e vlerësime për zgjedhjet e bëra nga Papa. Nga ana tjetër, zaten siç ndodh shpesh në këto 6 vite e gjysëm, kemi zhgënjimin e përzier me pezm, por edhe me një zemërim “in crescendo” për Vikarin e Krishtit që po përçan, me promovimin vetëm të atyre që janë të rreshtuar qartazi në llogoren e tij.

Njoftimi i së dielës së shkuar, gjatë meshës solemne është i rëndësishëm, sepse konfirmon, edhe pse s’është se ishte shumë e nevojshme, se ideja që Françesku ka në mendje është e qartë dhe s’ha shumë diskutime, aq më tepër kundërshtime. Bile, kjo është disi një logjikë ungjillizimi: “Kush s’është me mua, është kundër meje, kush nuk më ndjek, do humbë”, kanë shkruar Mateoja e Luka. Nuk është rasti të bëjmë krahasime me të shkuarën, kur Benedikti XVI sillte njëkohësisht në Kolegjin e Kardinalëve, Raymond Burken e Renhard Marx-in, djallin dhe ujin e shenjtë së bashku (secili është i lirë të bëjë asocimin mes emrave dhe përcaktorëve), do të ishte thjesht një shërbim për nostalgjikët.   

Në fund të fundit, Jorge Mario Bergoglio u zgjodh për të ndryshuar e jo për të konservuar. Ai i pari na e ka kujtuar këtë gjë e pas tij e përsëritën në kor zgjedhësit që e rrethonin 13 marsin e 2013-s.  “Të gjitha bashkësitë të bëjnë të mundur ecjen përpara në një mision baritor që nuk mund t’i lërë gjërat siç janë. Tani s’na shërben një administrim i thjeshtë, në çdo rajon të botës duhet të ngrihemi në nivelin e misionarit”, thuhet ndër të tjera në agjendën programatike të pontifikatit. Prova të kësaj thirrjeje kemi me shumicë, që nga Sinodi mbi Familjen, gjatë dyvjeçarit 2014-15 tek sinodi i ardhshëm për Amazonën, me aktivizmin e pashoq të ipeshkvijve gjermanë që sërish shpresojnë t’i ndryshojnë gjërat, duke i bërë jehonë gjendjes së vështirë ku gjenden popullsitë indigjene përgjatë lumit. Qysh tani po e dëgjojmë refrenin, që në bazë të veshëve që e dëgjojnë, herë ngjan si bekim e herë si mallkim: Pas tetorit, asgjë s’do jetë si më parë.

Kardinalët që do të krijohen janë fryt i kësaj udhe, asgjë s’po improvizohet. Bile, kësaj udhe po ecet, edhe kur vjen rasti për ta vendosur kapelen e purpurt të kardinalit në kokën e një njeriu të sërës së Michael Louis Fitzgerald-it, të cilin Benedikti XVI e pat përzënë nga Kuria Romane, për shkak të qendrimeve ambigue që ipeshkvi mbajti lidhur me dialogun ndërfetar, e veçanërisht në lidhje me islamin. Të endemi më tej, duke shuar kureshtjen me një emër a me një tjetër, është sipërfaqësore. E tëra, për të përdorur një shprehje shumë të dashur për Papën jezuit, është më e rëndësishme sesa një pjesë e saj. Synimi i shpallur është të shkohet larg, të nisin procese që do të sjellin ndryshime aq të thella, sa do të jetë i pamundur kthimi pas.

E për t’i bërë ndryshimet të pakthyeshme, nuk mjaftojnë reformat në Kurie, sado të mëdha qofshin ato. S’mjaftojnë as vitet e pastrimit shpirtëror, as jubiletë e jashtëzakonshëm të mëshirës. Kisha ndryshohet pikë së pari duke ndryshuar njerëzit që e qeverisin atë. I tillë është përshembull, operacioni, në zhvillim e sipër, prej disa vitesh tashmë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po tentohet të rrëzohet fortesa mjaft e fortë e konservatorizmit, që ka mbizotëruar skenën 3 dekadat e fundit, e cila do të zërë brenda të paktën dy gjenerata ipeshkvijsh. Në SHBA kjo skemë po ndiqet prej vitesh: u mohohet posti i kardinalit ipeshkvijve konsevatorë të Filadelfias e Los Angelesit, Charles Chaput e José Horacio Gómez, dhe u jepet liberalëve Blase Cupich e Joseph Tobin. Në Uashington, pas stuhisë që goditi Thedore McCarrick (i akuzuar për pedofili, shënim i përkthyesit) dhe në një masë më të vogël edhe pasardhësin e tij Donald Wuerl, zgjedhja ra mbi ultra-progresistin (dhe ish-president i Konferencës Ipeshkvnore Amerikane) Wilton Gregory, tashmë edhe ndihmës i liberalit kampion Joseph Bernardin, ipeshkvi historik i Çikagos. Pas zëvendësimeve në krye të peshkopatave, stacioni final që e bën të pakthyeshme reformën, janë ndryshimet e fytyrave në Kolegjin që herët a vonë do të thirret për të zgjedhur Papën e ardhshëm. Duke parë numrin e lartë të kardinalëve të rinj të promovuar nga Françesku dhe tejkalimin e vazhdueshëm të kufirit të numrit të kardinalëve zgjedhës, fiksuar 120 nga Paolo VI, qëllimi bëhet i qartë. Kuria Romane s’po e ndjek dot hapin e Bergoglios, e bile shumë prej tyre janë penduar për zgjedhjen që bënë në dimrin e 2013-s, prandaj nevojiten ndryshime. Duhet shkuar larg, duhen peshkuar njerëz në periferitë gjeografike e ekzistenciale, aq të dashura për Françeskun. Larg, në Mauritius, në Guatemalë, në Kepin e Gjelbër, në Haiti. Duhet shkuar mijëra kilometra larg asaj Kurie, që vetë Ai, si kardinal, e frekuentonte sa më pak të ish e mundur, e që tani si Papë mendon se e ka ndryshuar më pak sesa duhet. Një numër i madh njerëzish të Kishës, nga çdo cep i botës, që s’njihen mes vetes e që Romën e kanë frekuentuar mjaft pak, po krijohen kardinalë, thuajse duke marrë si kriter të pastërtisë së tyre tëhuajësimin nga Selia e Shenjtë.

Ata ngjajnë të huaj në Romë, por janë që të gjithë ipeshkvij që kanë të përbashkët mbështetjen e parimeve të shpallura në programin e Bergoglios. Lista e të dielës së shkuar është në fakt një përmbledhje e përkryer e këtyre parimeve: dialog ndërfetar, përkujdesje ndaj emigrantëve dhe emergjencë klimatike. Kapela e pupurt, dorëzuar njëkohësisht pasardhësit të kardinalit Jean-Louis Tuaran si dhe paraardhësit të tij Fitzgerald, si dhe arqipeshkvit të Rabatit Cristobal Lopez Romero janë prova më thelbësore. Më tej, mund të përmendim edhe zëvendëssekretarin e dikasterit të Vatikanit për zhvillimin njerëzor, jezuitin kanadez Michael Czerny, si dhe ipeshkvin e Bolonjës, Matteo Zuppi (shumë i njohur për dialogun me islamin dhe qendrimin në mbështetje të emigrantëve – shënim i përkthyesit), që për ironi të fatit do të jetë i vetmi roman (lindur në Romë) në Kolegjin e Kardinalëve.

Po t’i vendosim njëri pas tjetrit emrat e të përzgjedhurve, përftohet qartë programi që Papa do të ndjekë për ta shndërruar në të pakthyeshëm ndryshimin. Nga 128 kardinalët që kanë të drejtë të zgjedhin (pas koncistorit të 5 tetorit), 67 do të jenë të emëruar nga Bergoglio. Është shumica absolute, edhe pse historia na tregon se kjo nuk mjafton dhe se këto emërtesa rrallë janë bashkuar rreth një pasardhësi, por prapëseprapë këto emërime përvijojnë linjën që do të ndiqet. Të identifikosh të përzgjedhurin është një lojë për kur vendi do të mbetet vakant dhe kur lista e “papabile”-ëve (kandidatëve për Papë) i jepet si ushqim publikut morboz, por orientimi mund të kuptohet qysh tani, sepse mazhoranca e kardinalëve e ka shpallur konsensusin për një sërë temash të mëdha. E bash mbi këto tema të rëndësishme spikat puna e madhe e Françeskos. Kthimi prapa, si të mos kishte ndodhur asgjë në këto 6 vjet e gjysëm, do të jetë i pamundur dhe konformimi me këtë realitet që po shfaq Kolegji i Kardinalëve shkon në linjë me agjendën e Françeskos.

Por jo gjithmonë është vepruar kështu, përkundrazi. Benedikti XVI, por edhe paraardhësi i tij Gjon Pali II u janë bindur gjithmonë të ashtuquajturave “seli kardinale”, duke ngritur në këtë rol edhe barinj jo krejt të sinkronizuar me frekuencën e tyre. E përmenda më lart koncistorin (mbledhjen e Asamblesë së kardinalëve) e 2010-s, kur u bënë njëkohësisht kardinalë Reinhard Marx e Raymond Burke, por njësoj mund të përmenden edhe raste të tjera, paçka se jo të kësaj spikame ratzingeriane. Por Françesku ka zgjedhur një tjetër rrugë, të kundërtën: jashtë kundërshtarët potencialë, brenda të gjithë ata që kanë treguar se janë në gjendje të vënë në praktikë, në çdo cep të globit, programin e shpallur nga pontifikati.

Përveç polemikave të rastit, që ngrihen çdo koncistor, nga ekspertët e sektorit, që sinjalizojnë mungesat dhe surprizat, bën përshtypje vendimi për të krijuar kardinal Jean Claude Höllerich-un, arqipeshkvin e Luksemburgut, i cili publikisht, menjëherë pas njoftimit të Papa Françeskut, uroi që “Europa të hapet drejt botës”. Muaj më parë, pak para zgjedhjeve të fundit evropiane, Hollerich, që është edhe president i Komisionit të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane, shkruante në revistën Civiltà Cattolica një esse ku e vinte theksin tek frikërat e Evropës së sotme, frikëra që po çojnë në rritjen e populizmit, në destabilizimin e demokracisë dhe në dobësimin e Evropës. Ipeshkvi i Luksemburgut dënonte populizmin që, për të shmangur vëmendjen nga problemet e vërteta, po imponon një ligjërim që krijon një identitet të rremë, nëpërmjet denoncimit të armiqve të rinj, si emigrantët apo vetë BE-ja. Steve Bannon dhe Aleksandr Dugin janë “meshtarët e këtij populizmi që predikojnë një realitet pseudo-religjioz e pseudo-mistik” shkruan ipeshkvi, e zeza mbi të bardhë. Shkrimi e ndan si me thikë publikun e revistës katolike, mes atyre që janë dakord me ipeshkvin dhe atyre që mendojnë se ai ka marrë pozicione të mirëfillta ideologjike, dhe me sa duket, qendrimet e Bergoglios nuk janë shumë larg qendrimeve të ipeshkvit, derisa i akordoi në mënyrë të papritur edhe kapelën e purpurt të kardinalit.

Është thënë shpesh se Françesku flet pak për Evropën e se pjesë të tjera të botës e jo Evropa janë në qendër të shqetësimeve të tij, por tani, me krijimin kardinal të Monsinjor Hollerich po merret vesh se sa i gabuar ka qenë ky supozim. Bergoglio një qendrim për Evropën e paska dhe qenka mjaft kritik me zhvillimin e procesit integrues, të ndërmarrë gjatë dekadave të fundit. “Ç’të ka ndodhur Evropë” ishte klithma retorike e Françeskut, gjatë pranimit të çmimit Carlo Magno, majin e para 3 viteve, pasi u kthye nga vizitat në ishujt Lampeduza e Lesbo. Ishte një klithmë dëshpërimi për mungesën e lidershipit dhe që principet e pavdekshme të Robert Schuman i ka zëvendësuar me një burokraci që kërkon më kot një barazi false.

Nga Matteo Matzuzzi (Il Foglio)

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular