BallinaIntervistaShef i FMN: Të kufizohen PPP me propozime të pakërkuara. Fiskalizimi, jo...

Shef i FMN: Të kufizohen PPP me propozime të pakërkuara. Fiskalizimi, jo kosto shtesë për biznesin

Fondi Monetar Ndërkombëtar i kërkon qeverisë të ndalë propozimet e pakërkuara për shërbimet publike. Në përgjigjen zyrtare që Fondi monetarë ndërkombëtar i ka dhënë News24 lidhur me Projektet e Partneritetit Publik Privat shefi i misionit për Shqipërinë Jans Kees Martijn deklaron se është nevoja që qeveria të vendos prioritetet që i nevojiten vendit për investimet publike.

“Ajo që ne shohim është nevoja për të pasur një kuadër më të integruar për investimet publike. Kjo do të thotë që duhet të jetë qeveria ajo që e vendos axhendën e prioriteteve të saj bazuar në strategjitë kombëtare dhe sektoriale, si dhe që nevojat për investime janë prioritizuar si brenda të njëjtit sektor ashtu dhe ndërmjet sektorëve të ndryshëm dhe që projektet janë vlerësuar bazuar në një set kriteresh të qarta dhe i janë nënshtruar një analize të vlerës (që sjellin) për paratë (e investuara). Aktualisht, PPP-të nuk i nënshtrohen të njëjtit proces dhe nuk janë të harmonizuara me ciklin buxhetor, si projektet e tjera të investimeve.”- tha Jan Kees Martijn.

Intervista e plotë Jan Kees Martijn, Shef Misioni për Shqipërinë

1- Nga viti i ardhshëm do të vihen në funksion një sistem i ri elektronik i cili do të raportojë në kohë reale tek tatimet shitjet e biznesit, por eshte kundershtuar nga bizneset per koston shtese qe do te sjelle..Ju si FMN a jeni dakort me një nismë të tillë? Mendoni se biznesi me këtë nismë do të ketë kosto shtesë?

Jan Kees Martijn, Shef Misioni per Shqipërinë: Ne e mbështesim objektivin e qeverisë për të ulur informalitetin dhe për të përmirësuar përmbushjen vullnetare të kuadrit tatimor.

Mënyra më e mirë për ta arritur këtë është kombinimi i politikave të shëndosha tatimore që shmangin normat preferenciale të taksave apo përjashtimet për sektorë a industri të ndryshme, me metodat moderne të administrimit tatimor. Ne si FMN, kemi dhënë dhe vazhdojmë të japim asistence teknike intensive për të rritur kapacitetet dhe për të përmirësuar përmbushjen e kuadrit tatimor. Ne jemi duke e ndihmuar Drejtorinë  e Përgjithshme të Tatimeve (DPT) në përdorimin e metodave të menaxhimit të bazuara te risku të cilat promovojnë përmbushjen vullnetare të kuadrit ligjor tatimor. Kjo kërkon një system tatimor që e bën të thjeshtë dhe të leverdisshme për tatimpaguesin që të zbatojë ligjet dhe rregullat. Në të ardhmen, shërbimi ndaj taksapaguesve i DPT-së, auditi dhe mbledhja e detyrimeve tatimore do të përqëndrohen në ato segmente taksapaguesish apo në ato industri, ku përmbushja është më e dobët. Përdorimi më i gjerë i kasave fiskale mund të ndihmojë përmbushjen tatimore, por vetëm në kombinim me përdorimin e metodave moderne të përmbushjes nga ana DPT-së dhe pa u ngarkuar një barrë të panevojshme bizneseve.

2-Disa ditë më parë parlamenti miratoi dhënien me partneritet publik privat të 2 rrugëve shumë të debatuara nga politika dhe ekspertë Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat me vlere 280 mln euro. FMN eshte shprehur kritik ndaj PPP ne pergjithesi,,po per keto dy te fundit?

Jan Kees Martijn, Shef Misioni per Shqipërinë: Në vitet e fundit Shqipëria është mbështetur gjithnjë e më shumë në përdorimin e PPP-ve për të financuar nevojat e veta për investime dhe për të ofruar shërbime publike. Duke qenë se stoku i PPP-ve vazhdon të rritet, është e rëndësishme që qeveria të ekuilibrojë oportunitetet dhe rreziqet që PPP-të sjellin, jo vetëm në vitin aktual buxhetor, por për gjatë gjithë kohëzgjatjes së kontratës. Ne jemi të inkurajuar që me ndryshimet e fundit në ligjin e PPP-ve, Ministria e Financave do të ketë një rol më vendimtar në monitorimin e rreziqeve të PPP-ve përpara se ato të nënshkruhen, por edhe gjatë kohës së zbatimit. Do të jetë shumë e rëndësishme që Ministria ta ushtrojë plotësisht këtë përgjegjësi të re për të mbrojtur financat publike.

Pa hyrë në detajet e projekteve individuale, ajo që ne shohim është nevoja për të pasur një kuadër më të integruar për investimet publike. Kjo do të thotë që duhet të jetë qeveria ajo që e vendos axhendën e prioriteteve të saj bazuar në strategjitë kombëtare dhe sektoriale, si dhe që nevojat për investime janë prioritizuar si brenda të njëjtit sektor ashtu dhe ndërmjet sektorëve të ndryshëm dhe që projektet janë vlerësuar bazuar në një set kriteresh të qarta dhe i janë nënshtruar një analize të vlerës (që sjellin) për paratë (e investuara). Aktualisht, PPP-të nuk i nënshtrohen të njëjtit procesi dhe nuk janë të harmonizuara me ciklin buxhetor, si projektet e tjera të investimeve.

Për më tepër, mbështetja e tepërt në propozime të pakërkuara do të thotë që disa projekte mund të zënë hapësirën buxhetore në të ardhmen pa iu nënshtruar procesit të prioritizimit më parë. Kufizimi i hapësirës për përdorimin e propozimeve të pakërkuara në të ardhmen është një zhvillim i dobishëm. Në mënyre ideale, qeveria duhet të bazohet gjithmonë në një proces prokurimi të hapur dhe konkurues.

3- Në raportin tuaj të fundit rreth ecurisë ekonomike të Shqipërisë, ju parashikoni që rritja të ngadalësohet në vitin 2019 në 3.5 %.  Perse ky prashikim?

Jan Kees Martijn, Shef Misioni per Shqipërinë: Ne gjithmonë i rishikojmë parashikimet tona sa herë dalin të dhëna të tjera. Ne e rishikuam parashikimin për rritjen në 2019 në nivelin 3.5% në raportin tonë të qershorit. Që nga ajo kohë ne kemi mësuar për normën e rritjes ekonomike në tremujorin e parë, e cila u ndikua nga zhvillime jo të favorshme në sektorin e energjise elektrike dhe nga një mjedis i jashtëm më pak i favorshëm në partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë. Rifreskimi ynë i radhës do të publikohet në tetor, dhe më pas një mision i FMN-së do të vizitojë Tiranën përsëri në nëntor për të kryer konsultimet e përvitshme në kuadër të Artikullit IV. Atëhere në do të shikojmë zhvillimet më të fundit në ekonomi dhe do të rifreskojmë edhe parashikmet tona.

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular