BallinaKryesoreRa ky tërmet e u pamë!

Ra ky tërmet e u pamë!

Redaksionale e Monitor

Duhen ngjarje të mëdha, që të na kujtojnë se sa të vegjël jemi. Pasi po zvenitet tronditja fizike dhe paniku i tërmetit të ditëve të fundit, – që ishte më i forti prej një shekulli në zonën e Tiranës, pasojat (që për fat të mirë nuk shënuan humbje në jetë njerëzish) po vijnë e bëhen edhe më të qarta.

Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për dëmtimet e banesave, apo çarjet e pallateve. Tërmeti shërbeu për të nxjerrë në pah plasaritje të sistemit, që prej vitesh qëndronin ashtu të fshehura dhe kush e di sa do të vazhdonin të qëndronin të mbuluara përtej fasadave të bukura, të cilat kanë marrë gjithë vëmendjen e investimeve vitet e fundit.

Duhen ngjarje të tilla të mëdha që të flitet se duhet bërë me urgjencë vlerësimi sizmik i digave, shkollave, spitaleve dhe institucioneve që shërbejnë si qendra kolektive, sistemit të emergjencave civile dhe kapaciteteve për të reaguar me shpejtësi, zbatimit të standardeve për sigurinë e ndërtimeve e më radhë lista është e gjatë dhe nuk mbaron.

Ekspertët, të cilët për fat të keq ftohen të flasin vetëm ku ndodhin ngjarje të tilla, pohojnë se është i domosdoshëm vlerësimi sizmik i digave, shkollave dhe spitaleve dhe godinave të qeverisë. Për vetë burimet e shumta ujore, Shqipëria ka diga të shumta nga veriu në jug. Ndonëse ato janë projektuar për të përballuar tërmete prej 9 ballësh, duhet të kalojnë në një rivlerësim sizmik për shkak se vjetërsia e tyre është më e madhe se 20 vite dhe mund të jenë amortizuar nga koha dhe zhvillimet e shumta demografike, që janë shoqërua nga ndërtimet pa kriter.

Rivlerësimi i sigurinë sizmike të shkollave, spitaleve e godinave qeveritare është një tjetër element i rëndësishëm. Shqipëria vitet e fundit ka qenë subjekt i ndërtimeve të paligjshme, pjesa më e madhe e të cilave janë në legalizim, apo në proces legalizimi dhe kontrolli mbi cilësinë e ndërtimeve ka qenë inekzistent.

Kontrolli lë për të dëshiruar dhe mbi cilësinë e pallateve që kanë mbirë nga të gjitha anët. Kodi shqiptar i projektimit teknik, që përcakton dhe kërkesat sizmike, është miratuar që në vitin 1989. Ndërsa Europa tashmë aplikon kodet moderne të projektimit antisizmik (Eurokodi) dhe zbatimi i tyre në Shqipëri është i kufizuar, pasi ai rrit më shumë kostot e ndërtimit. Në kërkesat për lejet e ndërtimit, ekspertët pohojnë se duhet ti kushtojë më shumë vëmendje aspektit gjeologji se sa përmbajtës së strukturës.

Sigurimet janë një tjetër fushë që lë shumë për të dëshiruar. Vendi ynë ka nivelin më të ulët të sigurimeve për frymë në Europë dhe për më tepër të orientuar nga ai i detyruar për automjetet. Kultura e popullsisë është e ulët gjithashtu. Neni 42 i ligjit të vitit 2014 për Planifikimin dhe Zhvillimin e territorit, detyron që në lidhjen e kontratës për kalimin e pronësisë së punimeve, ndërtuesi duhet t’i dorëzojë blerësit një policë sigurimi me afat dhjetëvjeçar, që mbulon dëmet e ndërtesës, përfshirë shembjet. Por, ai dhe sot nuk është aktiv, pasi nuk janë miratuar ende aktet nënligjore që do ta bënin atë të zbatueshëm.

Fati na ndihmoi këtë herë për dy arsye. Së pari, epiqendra ishte në det dhe kjo i zbuti lëkundjet në tokë dhe si rrjedhojë edhe pasojat në dëme materiale e njerëzore. Së dyti ngjarja ndodhi të shtunën dhe në një orar pasdite, kur shkollat, kopshtet dhe ishin të boshatisura. Një zot e di çfarë do të kishte ndodhur nëse do të kishte pasur studentë në ndërtesën e Gjeologjikut, çatia e të cilës u shemb sikur të ishte prej kartoni dhe mund të kishte shkaktuar tragjedi nëse do të kishte pasur njerëz aty pranë.

Por nuk mund të mbetemi gjithnjë në mëshirë të fatit. Zhvillimi i paqëndrueshëm i dekadave të fundit shtron nevojën për një analizë të thellë të gjithë sistemit, përtej fasadës ku është përqendruar vëmendja deri tani. E kemi të qartë që qeverisë i pëlqen të bëjë vetëm gjëra të dukshme, por ngjarje të tilla të mëdha duhet të shërbejnë si një pikë kthese për të orientuar burimet dhe financimet atje ku është me të vërtetë jetike për të ardhmen e vendit./MONITOR

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular