BallinaKronikeReportazhi/Çfarë po ndodh sot në Lumin e fundit të egër në Evropë

Reportazhi/Çfarë po ndodh sot në Lumin e fundit të egër në Evropë

Nga Dritan Laci

‘Finesa e njeriut kurrë nuk do ta dëshmojë një shpikje më të bukur, më të thjeshtë ose më të drejtpërdrejtë sesa e bën natyra, sepse në shpikjet e saj asgjë nuk mungon, dhe asgjë nuk është e tepërt’.

Shqipëria pa dyshim për sipërfaqen dhe relievin që ka hyn ndër margaritarët e kompleksitetit natyror të Evropës, çka e bën ende një vend të dëshirueshëm gati ekzotik për turistët e huaj, ku në pak kilometra këtu mund të gjejnë njëkohësisht malin, lumin, detin, peisazhin dhe mbi të gjithë njeriun miqësor. Por edhe sa kohë na ka mbetur të mburremi për këto pasuri të pamata që natyra bujare na ka falur

Rasti është Vjosa dhe i gjithë onturazhi miqësor që të ofron e gjithë lugina nga hyrja në Shqipëri ku takohet me Cirqet e Nëmërçkës dhe deri poshtë në fshatrat e Vlorës aty ku bëhet më e zëshme dhe e ashpër me padrejtësitë njerëzore ndaj saj.

E konsideruar si lumi i fundit i egër në Evropë, Vjosa është në një luftë të vazhdueshme mbi 20 vjeçare me HEC-et që po kërkohen të ndërtohen si kaskada mbi shtratin e saj lumor.

Një luftë e cila tashmë ka vënë në dy llogore miqtë dhe armiqtë e natyrës, ajrin dhe betonizimin, pushtetin okult të oligarkëve dhe aktivistët e ekologjisë, që kanë nisur një betejë disa vjet më pare për ndalimin e shkatërrimit të Vjosës.

Dhe për ta thithur vetë këtë ajër dhe për t’i dhënë oksigjen materies, duhet me patjetër të vish dhe ta sodisësh vetë Vjosën dhe panoramën përreth për të kuptuar atë çka do të humbasim nesër, nëse nuk zgjohemi sot.

Atë që po shikojmë të gjithë sot në Valbonë, ku pushteti i veshur me arrogancë, shkatërroi me të një të rënë të lapsit, një nga luginat më piktoreske të Shqipërisë, duke ndërtuar aty HEC-e; atë që nuk duam të ndodhë sot dhe nesër me Vjosën.

ImageImage

Cirqet e Nëmërçkës

Udhëtimi ynë nis nga Përmeti për në Cirqet e Nëmërçkës. Janë ditët e fundit të pranverës dhe kjo është koha më e përshtatshme për të udhëtuar në këtë atmosferë shumëngjyrëshe që të ofron natyra.

Tej në horizont majat e Nëmërçkës mbajnë akoma të veshur duvakun e dëborës, ndërsa poshtë tyre lulëzimi i stinës i ka lënë vend haresë së gjelbërimit.

Cirqet e Nëmërçkës ndodhen midis fshatrave Stërmbec dhe Draçovë, me një lartësi 800 m mbi nivelin e detit. Quhen kështu sepse përbëjnë një cirk të madh akullnajor, të formuar prej mijëra vjetësh nga gëlqerorët dhe kanë formën e një kolltuku gjigand me disa forma më të vogla karstike.

Fatmirësisht duhet thënë se shqiptarët dhe të huajt që vijnë këtu për hiking në mal, rafting apo kanoe në Vjosë janë ende në kohë për ta shijuar këtë kompleks të rrallë të natyrës këtu.

E kundërta fatkeqësisht duhet thënë se ky peisazh do të mbetet një motiv i humbur nëse kaskadat që do të ndërtohen mbi lumë do të sjellin për pasojë përmbytjen dhe zhdukjen njëherë e mirë të të gjjithë këtij peisazhi.

Olsi Nika, drejtor ekzekutiv i EcoAlbania na thotë jo me pak keqardhje, se në rast të implementimit të planit të kaskadës mbi Vjosë, kjo luginë dhe ky peisazh nuk do të jetë më. E gjithë lugina do të mbulohet me ujë nëse do të ndërtohet HEC-i i parë i kaskadës që është planifikuar të ndërtohet pranë fshait Kaluth.

ImageImageImage

Banjat e Bënjës

Njeriu gjen motive dhe arsye për të jetuar ashtu siç gjen edhe natyra motivet e saj për t’i ofruar bashkëjetesën por edhe për t’iu kundërvënë sa herë ai sillet keq ndaj saj.

Nga Cirqet e Nëmërçkës udhëtimi ynë vazhdon në Banjat e Bënjës, ku koha e bukur me pamjen piktoreske përreth kanë sjellë me dhjetra turistë të huaj dhe vendas të cilët kanë zgjedhur të bëjnë banjë në natyrë.

Burimet e ujërave termale të Bënjës, apo siç quhen ndryshe Banjat e Bënjës, të njohura për vlerat kurative ndodhe 14 kilometra larg qytetit të Përmetit në komunën Petran, vetëm 3 kilometra larg nga vendi ku lumi Vjosa bashkohet me përroin e Lengaricës.

Shumë specialistë të shëndetit i kanë çmuar këto banja si burimet më të mirat që gjenden në Evropë për shërimin e disa sëmundjeve, si të lëkurës, reumatizmës, stomakut etj.

Kjo për shkak të përmbajtjes së sulfateve, me përmbajtje të lartë biokarbonate, çka i kanë kthyer këto burime në një turizëm të vërtetë shendetësor.

Atë çka përpiqemi të provojmë edhe ne në udhëtimin tonë, ku zgjedhim të bëjmë banjë në diell në atë që njihet si Banja e Priftit.

Një nga shumë banjat sulfurike në natyrë që popullojnë zonën, ku edhe në këtë ditë me dhjetra turistë të huaj kanë ardhur këtu jo vetëm për të bërë banjë, por edhe për të soditur natyrën e mrekullueshme, ku nga harku i lartë i një ure prej guri mund të kundrosh përtej, malin e Nëmërçkës.

Një vend i jashtëzakonshëm piktoresk por që edhe ky rrezikon të tjetërsohet nga ndërtimi i dy HEC-eve në pjesën e sipërme të lumit duke shkaktuar tharje të kohë pas kohëshme të shtratit të lumit përgjatë ujërave termale.

Çka do të bëjë që një ditë edhe banjat aq të famshme që thithin me mijëra turistë në vit dhe që janë një oksigjen ekonomik edhe për banorët e zonës, të jenë të rrezikuara të zhduken nga babëzia në pushtet.

Dhe shembulli këtu është HEC-i i ndërtuar tashmë në Kanionin e Langaricës që ka filluar të japë efektet e veta të para në natyrën përreth ndërkohë që firma ndërtuese nuk ka mbajtur asnjë nga premtimet, madje i ashtëquajturi park që ishte detyrim në firmosjen e kontratës tashmë ka përfunduar në një shaka me stola të rrënuar.

Hidrocentrali i Langaricës

Hidrocentrali i Lengaricës ka përfunduar ndërtimin në Dhjetor 2015, pas një vale kundërshtimesh të komunitetit lokal, autoriteteve të qeverisjes vendore dhe organizatave mjedisore kombëtare e ndërkombëtare. Ka qenë ky presion që ka detyruar vendim-marrësit në Tiranë të ndryshojnë disa herë vendimet lidhur me ndërtimin e HEC-it në Lengaricë, i cili mori gjithe vëmendjen e medias dhe institucioneve ndërkombëtare.

Edhe pse është në fazë operimi, projekti vazhdon të kundërshtohet në Konventat dhe mekanizmat e ankimimit të institucionev e financiare.

Lengarica është një nga degët që ka ndikim të jashtëzakonshëm në regjimin e sedimenteve në sistemin lumor të Vjosës dhe ndërtimi i HEC-eve në një pjesë të tillë do të prishte ekuilibrat sedimentologjikë të basenit. Nga ana tjetër LEngarica është një degë që bart vlera të shprehura të biodiversitetit që gjithashtu është i cënueshëm nga ndërtimi i digave.

ImageImageImage

 

Anë´-Vjosës, Kundra HEC-eve

Vjosa ka një gjatësi prej 272 km, nga të cilat 80 km në Greqi dhe 192 në Shqipëri, dhe rrjedh nga Malet e Pindit në Greqi dhe zbret deri në Vlorë.

Ajo që e bën Vjosën një pasuri natyrore dhe kombëtare është fakti se lumi përpos bukurisë që i jep zonës me shtratin sa të rrëmbyeshëm por edhe po aq të lundrueshëm, ka edhe një biodiversitet të admirueshëm të faunës dhe florës.

Me të zbritur poshtë Përmetit, lëmë pas Grykën e Këlcyrës dhe vargmalin Trebeshinë-Dhëmbel-Nëmërçkë e ndjekim Vjosën në ligjërimin e saj lumor në fshatrat matanë Memaliajt.

Fshati Luftinjë është një nga fshatrat e shumtë anë Vjosës që preket nga përmbytja që mund të shkaktojë ndërtimi i HEC-it të Kalivaçit pak kilometra më poshtë.

Fshati duket i zbrazët. Të rinjtë këtu kanë ikur në emigracion dhe të vetmit që popullojnë zonën janë mosha mbi të 50-tat si edhe blegtorët.

Edmond Metajn e gjejmë duke punuar në arën e tij buzë të Vjosës. Ai është baba i dy fëmijëve, të cilët ashtu si edhe pjesa tjetër e fshatit të vetmen të ardhme që shikon për ta është larg fshatit.

Dëshpërimi në portretin e tij është i pranishëm gjatë gjithë bisedës, ku gjuha edhe këtu shkon aty ku dhemb dhembi, toka që do t‘ia përpijë HEC-i.

‘Unë kam 900 metra tokë. Me këtë ushqej familjen. Kam dy vajza që po më rriten dhe këtu nuk shikoj asnjë garanci për jetën. Çfarë do bëj unë po më morën edhe këtë tokë? Unë nuk kam më fuqi të shkoj të punoj në emigracion. Kjo është e gjithë pasuria ime’, nis e ankohet Edmondi sapo fjala bie me atë që do të pasojë me ndërtimin e HEC-it.

Edmondi më tregon gjatë bisedës se nga e keqja, disa vite më parë punonte në Lazarat në mbjelljen e hashashit. Por ishte i vetëdijshëm se ajo ishte një punë e pandershme, por i duhej të mbante familjen.

‘Kur erdhën në fillim na thanë se do punësoheshim në HEC-in e Kalivaçit. Sot jo vetëm që aty nuk ka asnjë të punësuar nga zona, por po na gënjejnë vazhdimisht duke na kërkuar firmat, apo duke thënë se gjoja kanë marrë miratimin tonë. Kjo nuk është aspak e vërtetë. Ne jemi kundër ndërtimit të atij HEC-i pasi për ne nuk do kishte më jetë. Jeta jonë këtu janë turizmi, kullota, blegtoria, të cilat nesër nuk do të ekzistojnë më’, vazhdon më tej Edmondi.

Bashkëshortja e Edmondit punon në kuzhinën e një restoranti kur ka punë, ndërsa vetë ai punon tokën ose në lavazh duke larë makinat për të nxjerrë ca të ardhura më shumë.

Në muaj thotë se së bashku me gruan mezi sajojnë një rrogë 500 mijë lekëshe, ndërsa rritja e fëmijëve ua ka shtuar edhe më shumë kostot e jetesës.

‘Ne do t’i përballemi me çdo mënyrë ndërtimit të HEC-eve. Ne nuk do të lejojmë ndërtimin e tyre. Në të kundërt kjo do të ishte për ne ikja e dytë nga ky vend, pas emigracionit’, thotë Edmondi.

Anë-Vjosa

Në fshatrat buzë Vjosës tensioni te banorët është i lartë. Luftinja nuk është i vetmi fshat i cënueshëm nga HEC-et e planifikuara në Vjosë.

Fshati Anëvjosë është një tjetër fshat që rrezikohen ti rrëmbehen tokat nga përmbytja që do të sjellë HEC-i i Kalivaçit.

Idajet Zotajn e gjejmë në tokën e tij buzë lumit, duke kullotur dhentë.

Ai i ka mbetur fillikat në fshat bashkë me bashkëshorten ndërsa fëmijët jetojnë prej vitesh në emigracion.

Bisedën me të e zhvillojmë aty ku toka e tij ndahet me lumin që në pak vite i ka ngrënë një pjesë të madhe të hektarëve.

Me sy nga një shkurre përtej në zallin matanë, Idajeti më tregon se deri pak vite më parë aty ku sot është gllabëruar nga lumi, ai kishte një pjesë të tokës së tij dhe mbillte.

‘Kjo që ka ndodhur këtu është një batërdi! Faji është sigurisht edhe i fshatarëve të cilët prenë pemët dhe lumi i mori tokat. Ja po ta shikoj atje matanë atë shkurren, deri para 4 vitesh unë aty kisha tokën dhe mbillja’, tregon me dëshpërim Idajeti, ndërkohë që erozioni i shkaktuar nga prerja e pemëve vazhdon t’i gllabërojë edhe më shumë tokë në favor të lumit që nuk i ka falur fshatarët për sjelljen e tyre në kundërshtim me ligjet e natyrës.

Por kjo humbje e tokës për Idajetin është vetëm një anë e medaljes, pasi ata janë në një luftë të vazhdueshme jo kundër natyrës tani, por HEC-eve që do t’u gllabërojnë përfundimisht tokat e mbetura.

‘Unë kam qenë kundër që në fillim. Firmat që gjoja janë mbledhur nga fshatarët, që sipas firmës kanë qenë pro ndërtimit të HEC-it nuk janë të vërteta. Sigurisht që ka fshatarë që duan të ndërtohet HEC-i pasi mendojnë se Vjosa me ndërtimin e HEC-it do bëhet liqen dhe do bëjnë ndonjë restorant buzë saj, por shumica i kanë kundërshtuar dhe nuk e pranojnë një gjë të tillë. Unë jam i vdekur nëse ndodh një gjë e tillë, pasi nuk do kem tokë. Dhe unë me blegtori rroj’, rrëfen Idajeti, i cili pranon njëkohësisht edhe mëkatet e tyre si komunitet.

Image

Vjosa shqetësim ndërkombëtar

Vjosa si lumi i fundit i egër në Evropë është kthyer edhe në një shqetësim ndërkombëtar. Mbi 60 shkencëtarë nga Shqipëria, Austria dhe Gjermania janë bërë bashkë për të vlerësuar

biodiversitetin dhe ekologjinë e lumit Vjosa, ku kanë kanë publikuar një volum shkencor të dedikuar lumit të fundit të egër në Evropë.

Një pjesë e mirë e të dhënave janë publikuar edhe në revistën shkencore të Akademisë së Zoologjikës dhe Botanikës në Austri.

Një nga qëllimet e këtij publikimi të shkencëtarëve ka qenë edhe për të ofruar një pikë nisje për studime të mëtejshme si dhe një bazë për monitorim të vazhdueshëm mjedisor sipas standardeve të BE-së për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis.

Planet për betonizimin e Vjosës

Plani i betonizimit të Vjosës do ta çonte përfundimisht drejt një rrënimi pa kthim të gjithë asetin natyror që përmban lumi. Sipas këtij plani në Vjosë janë planifikuar 8 projekte hidroenergjetike si edhe dhe shumë të tjerë në degëzime e saj ujore.

Ndërtimi i këtyre digave apo qoftë edhe njërës prej tyre do të shkatërronte në mënyrë të pakthyeshme të gjithë këtë ekosistem lumor me vlera të pakrahasueshme.

Ulrich Eichelmann, koordinatori i Fushatës së Lumenjve të Ballkanit ‘Të shpëtojmë Zemrën Blu të Evropës’ nga organizata Riverëatch thotë se: ‘Për shumë shqiptarë Vjosa mund të duket thjesht një lumë i zakonshëm por në perspektivën ndërkombëtare Vjosa është diçka unike. Madje edhe disa ekspertë të njohur botërorë të ujërave të ëmbla ende nuk e kanë idenë se në Evropë ekziston një lumë i tillë. Ky është si zbulimi i një specieje që mendohej e zhdukur deri më tani’.

Fauna dhe Flora

Një nga pasuritë më të mëdha që ka Vjosa është fauna dhe flora.

25 shkencëtare nga katër vende të botës kanë hulumtuar sektorin e lumit te Vjosës në zonën e hidrocentralit të Poçemit, ku nga gjetjet e tyre vetëm në një javë zbuluan 300 specie kafshësh, midis tyre edhe një peshk, si dhe një specie guri, që më parë ishte plotësisht e panjohur për shkencën.

Qe tashmë ka marrë emërtimin e vendit të origjinës, Isoperla vjosae.

Nderkohë që llojet e peshkut do të duhen të bëhen teste në mënyrë që të jenë plotësisht të sigurtë që kemi të bëjmë me të vërtetë me një specie të re peshku. Ndërkohë që nëse planet për ndërtimin e hidrocentralit në Vjosë (Poçem dhe Kalivaç) do të konkretizohen sikundër është planifikuar, atëherë shumica e këtyre specieve si edhe speciet e reja të gjetura të gurta do të kërcënohen seriozisht për tu zhdukur.

Hidrocentrali i Poçemit

Shpesh në biseda me miq jo të fushës, shumë prej tyre shprehen entuziastë për fuqinë energjitike që do të përfitojë Shqipëria nga ndërtimi i hidrocentraleve. Por sa eficentë do të jenë këto hidrocentrale në një të ardhme të afërt. A rrezikojnë të kthehen në fantazma që do të shkatërronin jo vetëm ekosistemin e lumenjve por edhe në një pamundësi për ti shkulur?

Vlerësimet e para të transportit të sedimentit të zhavorrit dhe rërës konfirmojnë se prodhimi i energjisë elektrike i termocentralit të parashikuar në Poçem do të prodhonte energji për një periudhë 25-30 vjeçare, pasi në një periudhë të tillë kohë rezervuari do të mbushet plotësisht me sedimente çka do ta nxirrte jashtë funksionit.

Ndaj shkencëtarët kanë sugjeruar të domosdoshme që të kryhet një program gjithëpërfshirës kërkimor tre-vjeçar para marrjes së ndonjë vendimi në lidhje me licencimin e hidrocentraleve në Vjosa.

Dëmi ekonomik

Vjosa përpos një habitati të rëndësishëm është edhe një burim zinxhiri ushqimor për zonën përreth saj.

Kryesisht banorët këtu e bazojnë ekonominë e tyre në turizëm, peshkim, bujqësi dhe blegtori,

Në 20 vitet e fundit akupultura ka njohur një rritje të konsiderueshme, duke u kthyer në mjet jetese për zonën, çka e ka rritur edhe më shumë shqetësimin e banorëve të këtushëm për të ardhmen e tyre.

ImageImageImage

Kanionet e Nivicës

Nivica është një tjetër perlë e natyrës. Nga Tepelena deri në Bënçë rruga është e investuar dhe mund të bëhet për një kohë të shkurtër. Më pas duhet të përshkruash një kalvar të mundimshëm deri në fshatin Progonat ku asfalti shfaqet sërish. Kurveleshi është i njohur për mikëpritjen, për burrat dhe gratë që i kanë dhënë shumë Shqipërisë me trimërinë dhe bujarinë e tyre.

Po edhe këtu shqetësimi i HEC-eve është i pranishëm. Rrugës ndalojmë me sytë nga një hon. Drejtuesi i EcoAlbania na tregon se pikërisht aty në një luginë të humbur nga sytë e botës është planifikuar të ndërtohet një HEC: ‘Duket gati e pamundur se si mund të ndërtohet një HEC në

një hon prej 600 metrash’. Olsi Nika na thotë se nëse ndërtohet ky HEC do ta asfiksonte plotësisht rrjedhën e përroit që kalon aty pranë. Por ky nuk është i vetmi që do të ndërtohet këtu.

Nivica prej disa vitesh është kthyer në një qendër të të rëndësishme të turizmit të zonës. Një pjesë e mirë e banorëve me ndihmën edhe të projektit 100 fshatrat po kthehen dhe po investojnë në fshat. Petro dhe Dallëndyshja janë pronarë të një bujtine modeste, por që mbledh këtu turistë nga e gjithë bota.

‘Ne u kthyem këtu dy vite më parë. Erdhëm bashkë me djalin dhe dalëngadalë shtëpitë e vjetra që kishin i kemi sistemuar dhe i kemi kthyer në bujtinë. Aktualisht kemi 6 dhoma po presim ta shtojmë aktivitetin tonë. Vështirësitë në fillim janë të kuptueshme. Të rinjtë në fshat janë larguar. Dyshka është që ajo që më së shumti merret me turistët. Edhe pse ka vështirësi në komunikimin me ta ajo përpiqet që ti menaxhojë. Po ne gjuhë të huaj nuk dimë. Po unë përshembull kur dua të flas me të huajt, i kaloj vajzën në telefon. Tani herë pas here zbres në qytet dhe bëjmë një kurs gjuhe angleze falas’.

Nivica është një nga 100 fshatrat që po i nënshtrohet rehabilitimit të qendrës së saj. Çka do ta risjellë edhe njëherë në vëmendje fshatin piktoresk. Petro thotë se kryesisht turistët që vijnë këtu janë nga Gjermania dhe Australia. Për momentin turistët janë ditorë. Ata janë shumë të kënaqur me natyrën këtu. Por edhe me ushqimin që krysisht bazohet te tradita vendase, ku dallon byreku me hithra dhe çikore, supa me të brendshme, mishi i pjekur por edhe kulaçi i bërë vetë.

Por edhe banorët e kanë një shqetësim. Dhe ky lidhet me HEC-et që do të ndërtohen në Kanionin e Nivicës. Nga ballkoni i fshatit Kanioni duhet si një dinosaur i fjetur që e shtrin bishtin deri tej në horizont. E nesërmja nuk pritet të jetë kështu.

‘Ndërtimi i një numri HEC-esh në këtë zonë do të shkatërrontë në mnëyrë përfundimtare peizazhin e pacënuar të malësisë së Kurveleshit. Është pikërisht kjo natyrë e patrazuar, ky peizazh i virgjër që tërheq turistët në këto anë. Ndërtimi i HEC-eve në këtë terren të vështirë do të kërkontë një infrastrukturë të gjerë mbështëtëse e cila do të kishtë një gjurmë ekologjike që nuk e justifikon përfitimin që këto projekte sjellin në të mirë të shoqërisë.

Në luginën e lumit të Bënçës janë planifikuar gjithsej 8 HEC-e të vegjël, por edhe psë kanë kaluar në një kalvar kundërshish nga komuniteti e Qeverisja Vendore edhe ato 4 të cilat kanë filluar të ndërtohen rreth një dekadë më parë në pjesën e poshtëme të luginës, përsëri kanë ngelur në fazat fillestare të ndërtimit,’-thotë Olsi Nika drejtor i Eco Albania.

Fshati Kutë

Fshati Kute është një tjetër segment buzë lumit Vjosë që preket nga ndërtimi i HEC-eve. Në qendër të fshatit një lapidar me 15 emra partizanësh të rënë gjatë Luftës Nacional Çlirimtare, është e vetmja kujtesë historike se dikur këtu kishte një qëndresë të fortë ndaj pushtuesit, por sot as vetë banorët e moshuar të këtij fshati nuk e dinë se nga po u vjen armiku.

Në sheshin qendror të fshatit të braktisur aty te mani shekullor ku dikur mblidheshin e kuvendonin të urtët e fshatit, takojmë Haxhi Dervishin, një burrë i gjatë, mes të 70-tave. Humori nuk i mungon, por shpirti dhe mendja i trazohen shpejt kur fjala bie për HEC-et. Haxhiu jeton i vetëm në fshat. Fëmijët i janë shpërndarë në emigracion, dikush në Angli, dikush në Greqi. Gjatë bisedës e pranon me shumë keqardhje që të rinjtë janë të painteresuar për tokën e tyre.

‘Po ça të të them. Unë jam i pafuqishëm. Nuk kam moshë. Të rinjtë po janë larguar dhe shumë rrallë vijnë në fshat. Ne si fshat jemi mbledhur dhe kemi kundërshtuar ndërtimin e HEC-it. Ne madje nuk e dinim fare që këtu do të ndërtohej HEC. Por vetëm falë EcoAlbania-s që u informuam’, thotë Dervishi.

ImageImageImage

Kalivaç

Kalivaçi është mëma e të gjithë HEC-eve që janë ndërtuar apo që priten të ndërtohen në shtratin e lumit Vjosa. Fshati në këtë ditë pranverë duket i pa zë, ashtu si edhe makineritë e firmës që ka marrë së fundmi ndërtimin e HEC-it që heshtin prej kohësh në anë të lumit.

Lart në Kodër një vilë e bardhë trekateshe na kthen në kujtesë shumë vite më pas, në kohën kur filloi e gjithë kjo histori. Është vila tashmë e sekuestruar nga shteti e Françesko Beketit, sipëmarrësit italian që në vitin 1997 mori lejen nga qeveria e Pajtimit Kombëtar, për të ndërtuar HEC-in por që nuk e mbylli kurrë deri në vitin 2015 kur qeveria Rama ia hoqi lejen e ndërtimit për t‘ia dhënë një firme turke.

Sipas kontratës, konsorciumi fitues do të investojë rreth 125.3 milionë euro për të ndërtuar hidrocentralin mbi lumin Vjosë. Ky hidrocentral do të ketë një fuqi të instaluar prej 111 mega vat dhe prodhim vjetor energjie 366.6 milionë kilovat. Sipas afateve të parashikuara, punimet e hidrocentrali të Kalivaçit do të zgjasin dy vjet e gjysmë dhe vepra pritet të fillojë nga prodhimi i energjisë në vitin 2021. Në fakt që nga marrja e kontratës firma turke nuk ka bërë asnjë punë. Të vetmet shenja të dukshme këtu është një shkallare që ka ngrënë malin në krahun përtej lumit dhe kantieri i ndërtimit që fle prej shumë vitesh.

Olsi Nika, drejtues i EcoAlbania thotë se Kalivaçi është pikërisht një nga domethëniet se si skema abuzuese e partneritetit të kohëpaskoshëm të çdo qeverie në bashkëpunim me kompanitë e ndërtimit janë bërë bashkë për të shkatërruar mjedisin e përbashkët.

Për drejtuesin e EcoAlbania është fat i madh që që vepra nuk ka përfunduar dhe punimet janë ndaluar pasi kjo u jep kohë si organizatë mjedisore që të bëjnë të gjithë luftën e tyre për të shmangur një katastrofë të tillë për Vjosën dhe ta shpëtojnë njëherë e mirë nga gllabërimi i HEC-eve.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular