BallinaEkonomiQeveria rishikon në ulje buxhetin 2019, “gërshërët” presin 3 miliardë lekë, vendorët...

Qeveria rishikon në ulje buxhetin 2019, “gërshërët” presin 3 miliardë lekë, vendorët me rritje

Këshilli i Ministrave miratoi të mërkurën aktin normativ të buxhetit 2019, duke rishikuar me një ulje prej 3 miliardë lekësh të ardhurat dhe shpenzimet, duke lënë të pandryshuar deficitin. Të ardhurat e buxhetit që, në planin fillestar ishin parashikuar 364 miliardë lekë, tashmë zbresin në 361 miliardë lekë, ndërkohë që shpenzimet janë ulur në 394 miliardë lekë. Duke parë ndryshimin e zërave, bie në sy një rritje e buxhetit vendor për vitin aktual.

Në planin fillestar ishte parashikuar që të ardhurat për këtë zë të ishin 51.2 miliardë lekë ndërkohë që me aktin normativ ky zë rezulton 55.2 miliardë lekë, pra 4 miliardë lekë më shumë. E teksa kanë mbetur të pandryshuara transferta e pakushtëzuar nga buxheti qendror 17.6 miliardë lekë, apo transferta specifike me 7. 4 miliardë lekë të ardhurat e tjera janë ato që përfaqësojnë 4 miliardëshin e shtuar. Janë të ardhurat që janë arkëtuar nga vetë pushteti vendor dhe që lidhen drejtpërdrejt me taksat që vjen ky i fundit ku së pari diferencën e bën taksa e infrastrukturës, ndërkohë së fundmi ka pasur edhe disa rishikime tek pjesa e rentës minerare apo taksat e ndërtesës.

Një tjetër ndryshim në buxhetin e vitit 2019 është pjesa e sigurimeve shoqërore. Të ardhurat dhe shpenzimet janë ulur me 1 miliard lekë, çka përfaqëson uljen që është bërë specifikisht në transferimet nga buxheti që bëhen për këtë zë. Këto të fundit, në planin fillestar, ishin parashikuar 42 miliardë lekë, ndërkohë që janë ulur në 41 miliardë lekë në aktin normativ të miratuar në qeveri.

Fondi i veçantë i institucioneve buxhetore është rishikuar në ulje gjithashtu duke kaluar nga 500 milionë lekë në 400 milionë. Ky fond shpërndahet dhe përdoret sipas procedurave që përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave dhe Ekonomisë. Tek shpenzimet, ajo që bie në sy është një ulje e fondit rezervë për sistemin e drejtësisë me një vlerë prej 50 milionë lekësh, si dhe një rritje e fondit rezervë me 500 milionë lekë, duke e çuar atë në 2 miliardë sipas aktit normativ.

“Fondi rezervë i buxhetit, prej 2 000 milionë lekësh, përdoret nga Këshilli i Ministrave për raste të paparashikuara të njësive të qeverisjes së përgjithshme. Fondi rezervë i sistemit të drejtësisë përdoret: – deri në 1 miliard lekë, nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, për financimin e pagave të reja të magjistratëve; – deri në 350 milionë lekë, nga Këshilli i Ministrave, për krijimin dhe funksionimin e institucioneve të sistemit të drejtësisë.

Kontingjenca për risqet e borxhit, prej 4 300 milionë lekësh, përdoret nga ministri i Financave dhe Ekonomisë, për të kompensuar rreziqe potenciale nga luhatjet në kurset e këmbimit ose normat e interesit, me ndikim në shpenzimet për interesa” – thuhet në aktin normativ të qeverisë.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular