BallinaKryesoreRreziqet që i vijnë Shqipërisë nga internimi i mishit të derrit në...

Rreziqet që i vijnë Shqipërisë nga internimi i mishit të derrit në Bolonja

Nga Ilir Nikolla

Tezat e përplasjeve mes qytetërimeve i ka ringjallur këto ditë vendimi i çuditshëm i Arqipeshkvit të Bolonjës, kardinalit Zuppi (i konsideruar shumë i afërt me Papa Françeskun) për të mos përdorur mishin e derrit në përgatitjen e tortelinit të famshëm për festën e shenjtit mbrojtës të qytetit. Arsyetimi është edhe më i çuditshëm: ndjeshmëri ndaj atyre që për arsye fetare nuk mund të konsumojnë mishin e derrit.

Opinioni publik ndihet i tronditur dhe shumica janë në kundërshtim me vendimin, për shkak se e konsiderojnë atë si profanim të traditës shumëvjeçare të festës dhe si një ndërhyrje në ritualin mijëvjeçar të kremtimit. Është e qartë se vendimi ka të bëjë me praninë e besimtarëve myslimanë në Bolonja e rrethina, pasi nëse do të kishte të bënte me besimtarët hebrenj përshembull, të cilët gjithashtu nuk e konsumojnë mishin e derrit për arsye fetare, ky vendim do të ishte marrë më herët. Sipas statistikave, numri i myslimanëve është rritur me ritme të larta këtë dekadë dhe kardinali i Bolonjës, mbështetës i Bergoglio-s, po kërkon të japë një mesazh të fortë në drejtim të komunikimit me fetë e tjera, por kryesisht po tregon qasjen e Kishës Katolike ndaj sfidave aktuale. Këto sfida duket se është vendosur të përballohen me një qasje “fetarisht korrekte”, duke hequr dorë nga zakonet që duket se mund të ngjallin diskutime (a përplasje).

Rasti i flet shumë Shqipërisë. Shembulli ynë i harmonisë fetare mbase ndihet i tejkaluar për epokën moderne të besimit (postmoderne e dekonstruksioniste thonë filozofët). Të krishterët s’duhet të gëzohen më se do të hanë ëmbëlsira pa fund për Bajram, edhe pse sheqeri mund t’ju bëjë dëm, kurse besimtarët e krishterë duhet të mendohen dy herë para se t’ua japin vezët e pashkës fqinjve të tyre myslimanë, jo se ato mund t’u bëjnë dëm, por se ndoshta dhurata mund të interpretohet si njëfarë fyerjeje e besimit të tyre fetar.

Sa për derrin, duket se s’ka shpëtim, ai duhet të zhduket fare nga të gjitha ceremonitë. Kur mendoj për byrekun me gjakun e derrit (meznekun e famshëm të Mirditës) i cili mund të shpallet së afërmi si fetarisht i papërshtatshëm, them se një epokë po mbyllet. Ndoshta duhet të shqetësohem edhe të mos pi lëngje frutash, sepse ato mund të fyejnë besimin e veganëve, ushkuri i të brendshme assesi s’duhet të jetë i mëndafshtë, se mund të fyejë dinjitetin e krimbit të mëndafshit.

Për mijëra vjet e kishim regjistruar ekuilibrin e brendshëm, duke respektuar zakonet e njëri-tjetrit, bile duke i gëzuar e shijuar zakonet e njëri-tjetrit. Shqipëria ka qenë një emblemë e kësaj bashkëjetese. Tani nga Bolonja, mendimi posmodern që ka pushtuar mendjet e disa kardinalëve ka dekretuar internimin e mishit të derrit. Jam i sigurtë se ky mendim postmodern s’ka lidhje me intransigjencën hebreje, prandaj edhe kam frikë se do të ketë pasoja edhe tek ringjallja, edhe ashtu e ngadaltë, e besimit të shqiptarëve, i topitur pas 50 vitesh ateizëm komunist.

Ky mendim fetarisht korrekt mund të kalojë pa pasoja për tortelinit e Bolonjës, por nëse merr përkrahjen e ndonjë enciklike në formë fatwe, do ta zëvendësojë përgjithmonë leksionin shqiptar të harmonisë (bile vëllazërisë) fetare, duke e zëvendësuar me disa kontrata bashkëjetese, të cilat në vend të vetullave, rrezikojnë të na nxjerrin sytë, sapo të ndodhë shkelja e parë e tyre, prej ndonjë syleshi a prej ndonjë të paguari.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular