BallinaKryesoreKoncesioni i hemodializës trajtoi 30% të pacientëve më 2018, Fondi në gjyq...

Koncesioni i hemodializës trajtoi 30% të pacientëve më 2018, Fondi në gjyq për pagesat

Nga 1250 pacientët që u trajtuan me hemodializë vitin e kaluar, vetëm 30 për qind prej tyre morën shërbimin nga koncensionari i Partneritetit Publik-Privat (PPP) nëpërmjet kompanisë Dia-Vita.

Sipas të dhënave nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, në muajin dhjetor 2018, numri total i pacientëve që janë trajtuar me dializë në institucionet shëndetësore publike dhe private, është 1,250, nga të cilët 737 pacientë në spitalet private, 143 pacientë janë trajtuar në spitalet publike, dhe 370 pacientë në qendrat e dializës të konçesionarit Dia Vita.

Fondi relaton se u likuiduan të gjitha detyrimet lidhur me faturimet sipas projeksionit të parashikuar në kontratën koncensionare përkatëse me Dia-Vita, duke filluar që nga nëntori 2016 për rrethet Lezhë, Shkodër e Vlorë. Ndërkohë, u konstatuan problematika lidhur me faturimet e konçensionarit në rrethet Korçë e Elbasan, për të cilat FONDI është në proces gjyqësor.

Në vitin 2018, nga institucionet shëndetësore publike dhe private të kontraktuara nga FONDI për ofrimin e shërbimit të hemodializës, u kryen 176,911 seanca hemodialize në total, nga të cilat 18,304 seanca nga institucionet shëndetësore publike dhe 158,607 seanca nga institucionet shëndetësore private.

Shërbimi i paketës së Hemodializës vitin e kaluar është ofruar nga spitalet publike dhe private, si dhe nga 5 qendra të shoqërisë konçesionare.  Çmimi i paguar për një seancë hemodialize nga fondi i programuar për këtë paketë ndaj institucioneve shëndetësore që ofrojnë këtë shërbim ishte 12,106 lekë. Sipas kontratës kompania do të investonte 8.5 milionë euro. Vlera e investimit tashmë është rikuperuar me pagesat që Dia -Vita ka marrë nga buxheti i shtetit.

Sipas të dhënave nga Fondi i Kujdesit Shëndetësor Shpenzimet për shërbimet e hemodializës të kryera nëpërmjet kontratës së partneritetit publik-privat ishin 6 milionë euro ose 743 milionë lekë. Fondet e programuara për këtë kontratë koncensionare ishin 99.1% të planifikimit, ose 7 milionë lekë më pak.

Financimi u realizua nga drejtoritë Elbasan, Korçë, Lezhë, Shkodër, Vlorë. Gjatë vitit 2018 u likuiduan të gjitha detyrimet lidhur me faturimet sipas projeksionit të parashikuar në kontratën koncensionare përkatëse, duke filluar që nga nëntori 2016 për rrethet Lezhë, Shkodër e Vlorë.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular