BallinaOP ED“Çfarë e shkaktoi tërmetin e 21 shtatorit, pse u prek Durrësi”/Historia e...

“Çfarë e shkaktoi tërmetin e 21 shtatorit, pse u prek Durrësi”/Historia e lëkundjeve sizmike….

Prof. Dr. SHYQYRI ALIAJ

TËRMETET NË SHQIPËRI – SA TË SHPESHTA DHE TË RREZIKSHME JANË?

 

TËRMETI I DURRËSIT, 21 SHTATOR 2019 

Më 21 shtator 2019, ora lokale 16 e 4 min., zona detare në perëndim të Durrësit gjeneroi një tërmet me magnitudë 5.6 shkalla Rihter, i cili u ndie fort në një territor të gjerë të vendit tonë. Durrësi e Tirana, si dhe zona rurale midis tyre, u tronditën shumë fort dhe popullsia e tmerruar doli jashtë në rrugë pas pasgoditjes të parë me magnitudë 5.1 shkalla Rihter, që ndodhi 11 min. pas goditjes kryesore. Lëkundjet e tërmetit u ndien edhe larg Tiranës, si në Gjirokastër, Fier, Shkodër e Dibër. Si pasojë e lëkundjeve sizmike u lënduan 105 persona dhe u shënuan shumë dëme materiale.

Ky tërmet paraprakisht vlerësohet me intensitet 8 ballë shkalla Merkali në zonën rreth Durrësit dhe me intensitet deri 7 ballë në Tiranë. Bazuar në të dhënat e raportit operativ të Emergjencave Civile datë 24 shtator, rezulton se tërmeti i 22 shtatorit ka shkaktuar dëmtime në 1528 objekte, nga të cilat janë shkatërruar plotësisht 50 banesa, kryesisht në zonat rurale, janë plasaritur rreth 160 pallate, një qendër shëndetësore, 34 shkolla, 13 universitete publike, 2 kabina elektrike, 1 magazinë, 2 ura, dhe 4 automjete. Janë një serë fshatrash të Durrësit, por edhe të Tiranës, Ndroqit, Vorës, Maminasit ku janë shkatërruar banesa.

Tërmeti u shoqërua me shumë pasgoditje me epiqendra në det. Më 21 shtator, pas goditjes kryesore me magnitudë 5.6, u regjistruan gjithsej 9 pasgoditje, nga të cilat: 3 pasgoditje të forta me magnitudë 5.1, 4.7 e 4.8 shkalla Rihter, 6 pasgoditje me magnitudë 3-3.4.

Një ditë më pas u regjistruan gjithsej 13 pasgoditje, nga të cilat: 4 pasgoditje me magnitudë 3.3-3.5 dhe 9 pasgoditje me magnitudë 2.1-2.9. Janë regjistruar gjithashtu edhe 2 goditje sizmike të forta me magnitudë 4.4 Rihter dhe epiqendër në tokë.

Më 23 shtator u regjistruan 2 pasgoditje me magnitudë 2.3- 2.4, më 24 shtator 1 pasgoditje me magnitudë 3.4, më 25 shtator 1 pasgoditje me magnitudë 3.9 dhe më 26 shtator, 3 pasgoditje me magnitudë 2.0-2.4.

Gjatë 5 ditëve pas goditjes kryesore të 21 shtatorit, çlirimi i energjisë sizmike shënon zvogëlimin e numrit të pasgoditjeve të forta me magnitudë mbi 4 pas ditës së dytë dhe shtohet numri i pasgoditjeve me magnitudë mbi 2-3.

Historiku i tërmeteve ka dëshmi se qyteti i Durrësit është goditur herë pas here nga tërmete të forta, që kanë shkaktuar shumë viktima dhe dëmtime serioze në ndërtime. Nga kronikat e vjetra rezulton se ky qytet është pothuaj shkatërruar plotësisht në vitet 177 para Krishtit, 334 ose 345 pas Krishtit, 506, 1273, 1279, 1869 dhe 1870. Nga dëshmia për tërmetin e marsit 1273 thuhet se qyteti me 25 mijë banorë u shkatërrua plotësisht dhe ata që shpëtuan u larguan prej tij. Tërmeti i 17 dhjetorit 1926, me magnitudë 6.2 dhe intensitet 9 ballë, është i fundit që ka goditur qytetin e Durrësit dhe zonën rreth tij, duke dëmtuar rëndë Durrësin, Kavajën e Shijakun dhe fshatrat rreth tyre.

Goditja kryesore e tërmetit të Durrësit e 21 shtatorit 2019 ka vatër të thellë 20 km dhe pasgoditjet e saj me epiqendër në det kanë vatra të cekëta, që shkojnë nga 10 deri 50 km, dëshmi e gjenerimit të këtij aktiviteti sizmik nga zona e subduksionit kontinental të mikropllakës së Adrias, nën pllakën Euroaziatike. Pra, në tërësi të dhënat e thellësisë të vatrave të pasgoditjeve të tërmetit të 21 shtatorit dëshmojnë për aktivizimin e tegelit tektonik midis mikropllakës së Adrias dhe pllakës Euroaziatike, të zonës së subduksionit kontinental: të shtrirjes dhe shtytjes së mikropllakës së Adriatikut nën pllakën gjigante Euroaziatike, ballin e së cilës e ndërton orogjeni shqiptar. Ja pse zona bregdetare është rajoni më i ekspozuar ndaj rreziqeve sizmike në Shqipëri, gjatë saj brezi më i fuqishëm i tërmeteve, i quajtur brezi Adriatiko-Jonian, ndiqet në gjithë shtrirjen e saj.

Ç’ËSHTË TËRMETI, MAGNITUDA DHE INTENSITETI SIZMIK? 

Tërmetet janë një dukuri gjeologjike që demonstrojnë më dukshëm dinamikën e planetit ku rrojmë. Ato shprehin në mënyrën më të plotë energjinë e vrullshme, që Toka përmban në vetvete si një planet i ri.

Tërmeti si fenomen gjeologjik është një “fener”, që ndizet në thellësi të Tokës për një kohë të shkurtër dhe na kallëzon se çfarë ndodh atje. Ai na rrëfen se Toka dridhet, sepse diku në thellësi të saj shkëmbinjtë shkatërrohen dhe këto dridhje përhapen në të gjithë drejtimet. Në afërsi të vatrës se tërmetit, lëkundjet e tokës mund të ndihen dhe efektet mund të jenë deri katastrofike, ndërsa larg saj tronditjet shuhen gradualisht. Dridhjet e tokës transmetohen shumë larg në trajtë të valëve sizmike, që regjistrohen nga observatorët sizmologjikë, edhe gjer në anën tjetër të globit në rastin e tërmeteve të fuqishme. Tërmetet janë natyrale dhe të induktuara, të shkaktuara nga veprimtaria e njeriut.

Tërmetet natyrale mund të shkaktohen nga shkatërrimi e spostimi i shkëmbinjve gjatë planeve të shkëputjeve të krijuara në thellësi (dhe këta, për nga prejardhja quhen tërmete tektonike), nga shpërthimet vullkanike (quhen tërmete vullkanike) dhe nga shembjet karstike (quhen tërmete karstike). Në vendin tonë kanë ndodhur tërmete tektonike dhe rrallëherë edhe tërmete karstike lokale e të vogla. Shkaku i tërmeteve tektonike është akumulimi i një mase të tillë të sforcimeve tektonike thellë në shkëmbinjtë, saqë këta nuk i përballojnë më sforcimet vepruese dhe befas thyhen e zhvendosen. Shkëputjet apo zonat e shkëputjeve tektonike aktive janë zonat e dobësuara, “plagët” në trupin e Tokës që hapen herë pas here, gjenerojnë tërmete.

Tërmetet e induktuara janë vrojtuar në vendin tonë nga ngritja e rezervuarëve të mëdhenj të Fierzës e Komanit, si dhe nga shfrytëzimi në vendburimet e naftës dhe nga shpërthimet në miniera.

Forca e tërmetit shprehet me magnitudën dhe intensitetin sizmik. Në shkencën e sizmologjisë përdoren këto shkallë të magnitudave: Magnituda shkalla Rihter-ML, magnituda e valëve sipërfaqësore–Ms dhe Moment magnituda–Më. Magnituda maksimale e vlerësuar nga regjistrimet instrumentale shkon deri 9 e pak, mbi 9 shkalla Rihter.

Magnituda shkalla Rihter, magnitudë lokale -ML, emërtuar sipas C.F. Richter, sizmologut të mirënjohur amerikan që e përcaktoi atë për herë të parë më 1935, vlerëson energjinë e çliruar nga tërmetet mesatare në vatrën e tyre (diapazoni i magnitudave midis 3.0 dhe 7.0), duke matur amplitudën e valëve sizmike P e S të regjistruara në sizmograf.

Nga bashkëpunimi Gutenberg dhe Rihter u formulua një shkallë e kombinuar e magnitudave, për të vlerësuar energjinë që çlirojnë tërmetet – magnitudën e valëve sipërfaqësore– Ms.

Shkalla e Moment magnitudës – MMS, e shënuar Më ose M, u formulua në vitin 1979 nga Hanks e Kanamori dhe u bë metoda më e përdorshme për të vlerësuar madhësinë e tërmetit nga energjia e çliruar. Ajo përdoret sot për vlerësimin e magnitudës së tërmeteve të mëdha.

Intensiteti Sizmik – I: Meqenëse vlerësimi i dëmeve që shkaktohen nga tërmetet në sipërfaqe të Tokës dhe në pasurinë e njeriut janë të rëndësishme, janë përpiluar shkallë 12-ballëshe për vlerësimin e intensitetit të tërmetit (intensitetit sizmik) bazuar në efektet e tij në njerëzit, shtëpitë dhe objektet ndërtimore e natyrale të vrojtuara në zonën afër epiqendrës e më larg: Shkalla Makrosizmike Europiane-1992 (EMS-92), Shkalla MedvedevSponher-Karnik – 1964 (MSK-64) dhe Shkalla Merkali e Modifikuar (MMS). Shkallët e intensitetit sizmik shkojnë nga 1 deri 12 ballë (tërmeti 12 ballë shkakton shkatërrim total).

TËRMETET NË SHQIPËRI DHE NIVELI SIZMIK I SAJ NË KRAHASIM ME BOTËN

Zakonisht, sizmiciteti i një vendi grupohet në dy etapa: sizmiciteti historik dhe ai instrumental. Sizmiciteti historik bazohet në dëshmitë e mbledhura nga burime të ndryshme dhe ka të bëjë me atë periudhë të historisë, kur ende tërmetet nuk regjistroheshin me instrumente të posaçme. Sizmiciteti instrumental përfshin periudhën kryesisht që nga shek. XX, kur në Europë e në botë nisi vendosja e shtimi i numrit të stacioneve sizmologjikë dhe regjistrimet e tërmeteve filluan të mblidhen sistematikisht e të përpunohen.

Nga të dhënat e derisotme, rezulton se në periudhën nga shek. II-III para Krishtit deri në vitin 1900, vendi ynë është goditur nga 55 tërmete të fuqishme me intensitet lo > 8 ballë (MSK64), nga të cilët, 15 prej tyre kanë pasur intensitet Io = 9 ballë shkalla MSK-64. Nga këto, 55 tërmete që njihen për një periudhë më shumë se 2000-vjeçare, 36 i takojnë shek. XIX, gjë që tregon se numri real i tërmeteve të këtyre përmasave nuk është i saktë dhe një pjesë e tyre ka humbur nëpër thellësitë e kohërave, duke dashur ende një punë hulumtuese mbi to.

Nga të dhënat e mbledhura e të përpunuara, rezulton se Shqipëria gjatë shekullit të kaluar është goditur nga mjaft tërmete dëmtuese, mes të cilëve përmendim:

-1 qershor 1905, Shkodër, me magnitudë 6.6 dhe intensitet 9 ballë shkalla MSK-64, 200 të vdekur;

-18 shkurt 1911, zona rreth liqenit të Ohrit, me magnitudë 6.7 dhe intensitet 9 ballë, shume viktima;

-13 shkurt 1912, Mokër (Pogradec), me magnitudë 6.0 dhe intensitet 8 ballë, pak viktima;

-22 dhjetor 1919, Leskovik-Konicë, me magnitudë 6.1 dhe intensitet 8 ballë;

-26 nëntor 1920, Tepelenë, me magnitudë 6.4 dhe intensitet 9 ballë, 36 të vdekur;

-18 dhjetor 1920, Elbasan, me magnitudë 5.6 dhe intensitet VIII ballë, 14 të vdekur;

-30 mars 1921, Peshkopi, me magnitudë 5.8 dhe intensitet 8-9 ballë;

-17 dhjetor 1926, Durrës, me magnitudë 6.2 dhe intensitet 9 ballë, pak viktima;

-21 nëntor 1930, Llogora (Vlorë), me magnitudë 5.8 dhe intensitet 9 ballë, 30 të vdekur;

-28 janar 1931, Korçë, me magnitudë 5.8 dhe intensitet VIII-IX ballë, 4 të vdekur;

-4 shkurt 1934, Ndroq (Tiranë), me magnitudë 5.6 dhe intensitet VIII ballë;

-31 mars 1935, Çermenikë, me magnitudë 5.7 dhe intensitet VIII ballë;

-27 gusht 1942, Peshkopi, me magnitudë 6.0 dhe intensitet VIII-IX ballë, 44 të vdekur;

-27 gusht 1948, Trush (Shkodër), me magnitudë 5.5 dhe intensitet VIII ballë, 1 i vdekur;

-1 shtator 1959, Lushnjë, me magnitudë 6.2 dhe intensitet VIII-IX ballë;

-26 maj 1960, Korçë, me magnitudë 6.4 dhe intensitet VIII-IX ballë, 7 të vdekur;

-18 mars 1962, Fier, me magnitudë 6.2 dhe intensitet VIII-IX ballë, 5 të vdekur;

-30 nëntor 1967, Gollobordë, Dibër, me magnitudë 6.6 dhe intensitet IX ballë, 12 të vdekur.

Tërmeti më i fortë është ai i 15 prillit 1979, me epiqendër në bregdetin Dalmat, Mali i Zi, me magnitudë 6.6 deri 7.2 (Ms = 6.9) dhe intensitet epiqendror IX1/2 ballë MSK-64, që shkaktoi shumë dëme materiale e viktima njerëzore në zonën kufitare Mal i ZiShqipëri (131 të vdekur, nga të cilët 35 në territorin tonë).

Shqipëria është një ndër vendet më sizmoaktive në Europë. Shumica e tërmeteve të forta ndodhin në 3 breza sizmikë, mirë të përcaktuar:

a)Brezi tërmetor Adriatiko-Jonik në buzën lindore të mikropllakës së Adrias, me shtrirje veriperëndim-juglindje; b)Brezi tërmetor Peshkopi-Korçë, me shtrirje veri-jug; c)Brezi tërmetor Lushnjë-Elbasan-Dibër, me shtrirje verilindore (Sulstarova etj., 1980; Aliaj, 2003b).

Në Shqipëri janë veçuar disa zona tërmetore gjatësore e tërthore, që kanë gjeneruar tërmete të cekëta, që janë: (1)Zona tërmetore (ose sizmoaktive, siç quhet ndryshe) Joniko-Adriatike, që ndjek zonën bregdetare të Adriatikut dhe Jonit, me shtrirje veriperëndim-juglindje dhe që ndahet në dy segmente prej tërthoreve: (a)Segmenti në veri të tërthores Shkodër-Pejë, me magnitudë maksimale të shkalles Rihter pak mbi 7.0 jashtë kufirit tonë shtetëror (tërmeti i 15 prillit 1979 dhe ai i 6 prillit 1667). (b)Segmenti midis tërthoreve Shkodër-Pejë dhe asaj PrevezëSperkios, me magnitudë maksimale të vrojtuar nën 7.0.

Segmenti nga Preveza në jug karakterizohet jo vetëm nga tërmete të cekëta, por edhe nga tërmete ndërmjetës dhe ndjek zonën e subduksionit oqeanik të harkut të Egjeut, me magnitudë maksimale të vrojtuar mbi 7.0 deri edhe mbi 8.0. (2)Zona tërmetore Korçë-Peshkopi, ose zona sizmogjene e Drinit, me shtrirje gati veri-jug, me magnitudë maksimale nën 7.0. (3)Zona tërmetore Shkodër-Mat-Bilisht, me shtrirje veriperëndim-juglindje, me magnitudë deri 5.0 në jug të tërthores Shkodër-Pejë, ndërsa në veri të saj, në Ultësirën e Shkodrës, me magnitudë maksimale nën 7.0. (4)Zona tërmetore Shkodër-Pejë, me shtrirje jugperëndimverilindje, me magnitudë maksimale nën 6.0. (5)Zona tërmetore Lushnjë-Elbasan-Dibër, me shtrirje jugperëndim-verilindje, me magnitudë maksimale nën 7.0. (6)Zona tërmetore Vlorë-Tepelenë, me shtrirje perëndim-veriperëndim – lindje-juglindje, me magnitudë maksimale nën 7.0.

Sizmiciteti i një vendi përcaktohet si funksion i madhësisë së tërmeteve (sipas madhësisë së magnitudës) dhe i shpeshtësisë së ndodhjes së tyre. I parë në këtë kontekst, duke pasur për bazë klasifikimin tashmë të njohur të madhësisë së tërmeteve sipas magnitudës (Hagiwara 1964; Lee & Stewart 1981), sizmiciteti i Shqipërisë karakterizohet nga një mikroaktivitet sizmik (1.0

Vendi ynë përshkohet së gjati e së gjeri nga disa zona tërmetesh me vatra të cekëta, si rregull me thellësi deri 20-25 km. Magnituda maksimale e vrojtuar brenda territorit tonë arrin nën 7.0, çfarë përcakton përfshirjen e vendit tonë ne zonat e tërmeteve mesatare. Duke e parë atë në kuadër ballkanik e më gjerë, Shqipëria, një vend sizmik aktiv, për nga niveli sizmik nuk përfshihet në zonat e tërmeteve të mëdha me magnitudë mbi 7.0 e deri mbi 8.0, siç janë zona e Egjeut me magnitudë deri 8.6, Vrançea në Karpatet Rumune me magnitudë afër 8.0, zona e thyerjes së Anatolisë Veriore në Turqi me magnitudë rreth 8.0, nga e cila u gjenerua tërmeti katastrofik i 17 gushtit 1999 etj.

Nga ana tjetër, intensiteti maksimal i vrojtuar në vendin tonë rrallëherë ka arritur IX ballë MSK-64 në tërmetet më të fuqishme, si në Shkodër gjatë tërmetit të 1 qershorit 1905, në Durrës gjatë tërmetit të 17 dhjetorit 1926, në Gollobordë gjatë tërmetit të 30 nëntorit 1967, në Pogradec gjatë tërmetit të 18 shkurtit 1911, në Vlorë gjatë tërmetit të vitit 1851, në Tepelenë gjatë tërmetit të 26 nëntorit 1920 etj.

KARAKTERI CIKLIK I ÇLIRIMIT TË ENERGJISË SIZMIKE. QË NGA 1979-1980, SHQIPËRIA PËRJETON NJË PERIUDHË ÇLIRIMI TË ULËT TË ENERGJISË SË TËRMETEVE. KUR MUND TË PARASHIKOHET NISJA E NJË PERIUDHE TË RE?

Bazuar në teorinë e vlerave ekstremale, një model probabilistik është propozuar për ligjin e ndodhjes së tërmeteve në Shqipëri. Me të dhënat e tërmeteve të periudhës 1901-1975, ky periodicitet rezulton 30 vjet (Sulstarova etj., 1980). Duke përfshirë të gjithë të dhënat e shek. XIX-XX, një studim më i hollësishëm u krye duke përdorur teknikën e periodogramave për të analizuar seritë kohore të çlirimit të energjisë. Periudhat më të besueshme të karakterit ciklik të çlirimit të energjisë së tërmeteve për Shqipërinë janë ato 30, 19 dhe 13 vjet. Duke analizuar numrin kumulativ të tërmeteve me Ms e” 6.0 të ndodhura në Shqipëri gjatë dy shekujve të fundit, janë dalluar 6 intervale kohore, në të cilat gradienti sizmik alternohet nga një vlerë më e ulët në një vlerë më të lartë. Mbi bazën e kësaj, është ndërtuar një model sekuencial statistikor, i cili përshkruan ecurinë sizmike të Shqipërisë në kohë. Nga ky model është gjetur se intervalet me normë të ulët të çlirimit të energjisë sizmike zgjasin 31-43 vjet dhe ato me normë të lartë të çlirimit të energjisë sizmike, 17-21 vjet (Muço dhe Puka, 1993). Duke analizuar të dhënat e përdorura për analizën statistikore, duke pasur parasysh se këto periudha kanë një kohëzgjatje 31-43 vjet, mund të parashikohet që një periudhë me çlirim të lartë të energjisë sizmike do të nisë rreth intervalit kohor 2020- 2032 (Muço, 2010). Dhe me sa duket, tërmeti i 21 shtatorit 2019 shënon fillimin e periudhës me çlirim të lartë të energjisë sizmike.

A MUND TË PARASHIKOHEN TËRMETET? VLERËSIMI I RREZIKUT SIZMIK TË SHQIPËRISË

Një shumëllojshmëri metodash për parashikimin e tërmeteve (ndër to përmendim metodat hidrogjeokimike, gjeofizike, të deformacioneve në koren e Tokës dhe ato sizmologjike) janë përdorur qysh në fillim të viteve ’60 të shek. XX, kur u rritën me shpejtësi përpjekjet shkencore për parashikimin e tërmeteve në zonat sizmike, veçanërisht në Japoni, në ish-Bashkimin Sovjetik, në Kinë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Synimi ishte të parashikoheshin tërmetet, sikurse bëhet parashikimi i motit. Përpjekjet e deritanishme kallëzojnë se parashikimi i tërmeteve, i kohës së ndodhjes së tërmetit, të vendit dhe të forcës së tij, mbeti më shumë një ëndërr sesa një realitet edhe në vendet e zhvilluara, ku investohet shumë për kërkime shkencore në këtë fushë. Parashikimi i tërmeteve ka qenë edhe jo pak herë objekt spekulimesh të ndryshme. Kështu ndodhi edhe pas tërmetit katastrofik të Turqisë në vitin 1999, kur një studiues i huaj shpalli “teorinë e gurëve të dominosë”, sipas së cilës sikurse gurët e dominosë kur lëviz njëri, duhet edhe të tjerët fqinjë të lëvizin, po ashtu duhet të lëviznin blloqet e mëdhenj të Tokës e të gjenerohej një tërmet tjetër i fuqishëm, pas Turqisë e Greqisë, edhe në Shqipëri. Pra, sipas kësaj teorie, edhe Shqipëria duhej të prekej nga një tërmet i fuqishëm me dëmtime të rënda dhe me shumë viktima njerëzore, çfarë nuk ndodhi. Dhe s’pritej të ndodhte, se këto lloj tërmetesh mund të ndodhin brenda blloqeve unike të një sistemi gjeologo-strukturor në rajone të veçanta të globit dhe në rastin konkret, Shqipëria nuk bën pjesë në të njëjtin bllok strukturor me Greqinë Jugore (nga e cila ndahet me tërthoren e madhe Prevezë-Sperkios), e aq më pak me Turqinë, me të cilën nuk ka asnjë lidhje direkte strukturore. Një tjetër etapë është parashikimi afatmesëm i tërmeteve, që zë nga disa muaj deri në 2-3 javë. Dhe mandej, etapa tjetër përfshin parashikimin afatshkurtër, kur jepet koha e saktë e rënies së një tërmeti, e vendit dhe e forcës së tij.

Ngulmimi dhe investimi i sizmologjisë për të parashikuar tërmetet, me gjithë sukseset sporadike u dëshmua një drejtim jo i frytshëm. Mendimi shkencor erdhi natyrshëm te pyetja:

Si t’i bëjmë tërmetet e mundshme sa më pak dëmtues për njerëzit dhe vendbanimet e tyre? Që këtej, llogaritja e rrezikut (hazardit) sizmik u bë një mjet shumë i fuqishëm në duart e planifikuesve, zhvilluesve dhe inxhinierëve për të ndërtuar struktura, që do t’u bënin ballë tërmeteve të mundshme të gjeneruara në zona të caktuara, si dhe efekteve të tyre të tjera dëmtuese si cunamit, shkarjet e dheut etj.

Vlerësimi i rrezikut sizmik të rajoneve të ndryshme të botës së prekur nga tërmetet, është bërë një drejtim i preferuar i sizmologjisë kryesisht gjatë 4 dekadave të fundit. Analiza e rrezikut sizmik është vlerësimi i dukurisë tërmetore me potencial dëmtues, subjekt i veprimit të së cilës mund të jetë një rajon apo strukturë gjatë ekzistencës së vet. Harta e parë sizmike e Shqipërisë u hartua nga specialistë të ish-Institutit të Shkencave dhe Ministrisë së Ndërtimit në vitin 1952 në shkallën 1:850.000, mbështetur kryesisht në studimin e C. Morelit 1942. Ajo u bë pjesë e kushteve teknike mbi ndërtimet antisizmike në Shqipëri për veprat e zakonshme ndërtimore. Me ngritjen e Shërbimit Sizmologjik të Shqipërisë në vitet ‘60 të shek. të kaluar, filloi puna sistematike për grumbullimin e përpunimin, me metodologji të kohës, të të dhënave mbi tërmetet historike e instrumentale të Shqipërisë, studimet përkatëse mbi kushtet gjeologjike të lindjes së tyre, si dhe studimet e strukturës neotektonike në zonat sizmogjene të vendit. Pikësynimi i studimeve ka qenë vlerësimi sa më i saktë i rrezikut sizmik të Shqipërisë. Në vitin 1979, pas një pune relativisht të gjatë u realizua studimi “Rajonizimi Sizmik i Republikës së Shqipërisë”, së bashku me hartën përkatëse në shkallën 1:500.000 (Sulstarova, Koçiaj, Aliaj, 1980), e cila u miratua nga Këshilli i Ministrave me vendimin 371 të 20 dhjetorit 1979; që nga ajo kohë e në vazhdim, Harta e Rajonizimit Sizmik të Shqipërisë në shkallën 1:500.000 është pjesë integrale e Kushteve Teknike të Projektimeve e Ndërtimeve Antisizmike– KTP N2-1989. Harta e Rajonizimit Sizmik të Shqipërisë paraqet efektin maksimal sipërfaqësor të pritshëm për kushte mesatare trualli, të shprehur në intensitetin bazë të përcaktuar sipas shkallës MSK-1964. Intensiteti bazë është konsideruar si intensiteti maksimal i vrojtueshëm në një pikë të dhënë për një periudhë kohore të caktuar në të ardhmen.

Në Hartën e Rajonizimit Sizmik të Shqipërisë janë dalluar tri kategori zonash: zonat me intensitet bazë të lëkundjeve VIII, VII e VI ballë; brenda zonave 8-ballëshe për kushte të këqija trualli, janë dalluar zona me intensitet të pritshëm 9 ballë si në Vlorë, në afërsi të Lushnjës, në Durrës, në Korçë, në Pogradec, në Gollobordë e në Shkodër. Theksojmë se zona 8-ballëshe zë pjesën më të madhe të territorit 16.598 km2 ose 57.8 %, ndërsa ajo 6 ballë vetëm 1.3% të territorit, kryesisht pjesën më veriore të vendit. Në vitet ‘90, me zhvillimin teorik të analizës së rrezikut sizmik dhe mundësitë kompjuterike, në Shqipëri u realizuan një sërë analizash të rrezikut sizmik, duke përdorur si përqasjen deterministike, ashtu dhe atë probabilitare. Kështu, në bashkëpunim me Departamentin e Shkencave të Tokës të Universitetit të Triestes, Itali, u realizua vlerësimi i rrezikut sizmik të Shqipërisë nëpërmjet metodës deterministe (Muço etj., 2001, 2002). Në vitet 1998-2003, në kuadrin e projektit të NATO-s “Sizmotektonika dhe rreziku sizmik i Shqipërisë”, në bashkëpunim me Departamentin e Gjeofizikës të Universitetit Aristotel të Selanikut, Greqi, u realizua për herë të parë një analizë e plotë e rrezikut sizmik të vendit, duke përdorur metodën probabilitare (Muço etj., 2002; Kiratzi dhe Muço, 2004).

Ka pak vite që doli në qarkullim libri “Sizmiciteti, sizmotektonika dhe vlerësimi i rrezikut sizmik në Shqipëri” (Shyqyri Aliaj, Siasi Koçiu, Betim Muço, Eduard Sulstarova, 2010), botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në të cilin përfshihet përvoja mbi 40-vjeçare e studimeve në fushën e sizmologjisë, jepen përfundime të arritura nëpërmjet debatit shkencor e hulumtimit të thellë dhe kulmohet me formën më të plotë të rrezikut sizmik të vendit, një dokumentacion me rëndësi praktike për ndërtimet në Shqipëri. Vlerësimi i rrezikut sizmik probabilitar duhet të shërbejë si bazë për kodin e ri antisizmik të ndërtimeve në vendin tonë. Vlerësimi i rrezikut sizmik të vendit tonë duhet të merret detyrimisht parasysh nga projektuesit dhe ndërtuesit.

Mund të mbrohemi nga tërmetet nëse ndërtimet i bëjmë që t’i rezistojnë forcës maksimale të mundshme (forcë tashmë e njohur) të tërmeteve, të cilët mund të godasin në të ardhmen këtë apo atë zonë të veçantë të vendit tonë. Tërmeti u bën autopsinë ndërtimeve dhe kallëzon se ndërtimet që nuk i rezistojnë forcës goditëse të tërmetit, nuk duhet të ndërtohen më si të tilla në të ardhmen, por ato të projektohen e konstruktohen duke marrë parasysh masat e nevojshme antisizmike, në përputhje të plotë me rrezikun sizmik tashmë të evidentuar.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular