BallinaKryesore143 metra litar dhe 7 grupe për 50 persona që do arrestoheshin...

143 metra litar dhe 7 grupe për 50 persona që do arrestoheshin në Tropojë në kohë lufte

Nga Kastriot Dervishi

Siç dihet, nëse regjimit komunist do t’i rrezohej pushteti, ishte përgatitur për një valë goditje që përfshinte vrasje dhe burgosje për të gjithë elementin e konsideruar kundërshtar. Në bazë të direktivës “Mbi funksionet dhe detyrat e forcave të armatosura të MPB-së për kohë lufte”, udhëzimit, nr.01-34, datë 30.10.1986 “Për spastrimin e zonës në situatë lufte nga elementët armiq me rrezikshmëri të theksuar” dhe udhëzimit nr.01-35, datë 30.10.1986 të ministrit të Punëve të Brendshme, “Për mënyrën e veprimit të kryetarit të degës së punëve të brendshme me marrjen e urdhrit nëpërmjet shifrës shtetërore për spastrimin e zonës në situatë lufte nga elementët armiq me rrezikshmëri të theksuar”, Dega e Punëve të Brendshme Tropojë, në vitin 1987, përpiloi planin e veprimeve për kohë lufte, i miratuar nga kryetari i saj Ibrahim Gjetja. Rruga e veprimeve të shtatë grupeve është e mëposhtmja. Përfundimi ishte në pikën nr.33. Të grumbulluarit të gjithë do shkonin në këmbë në itinerarin: Fierzë-Iballë-Pukë-Kaçinar-ura e Fanit (Shpal). Pikat e hapjes kryenin funksionin e burgjeve të fshehta, të gatshme për t’u përdorur në situata lufte. Sot kanë mbijetuar fare pak prej tyre. Këto u ngritën mbi bazë të urdhrit të ministrit të Punëve të Brendshme të datës 6.7.1971. Ndër të tjera, në listën përkatëse, figuron edhe pika nr.33 (Shpal, Mirditë) e destinuar për repartet nr.301, 302, 303 dhe 311. Në këtë pikë ishte menduar edhe grumbullimi i personave me rrezikshmëri politike nga dega e Punëve të Brendshme Tropojë.

Plani i veprimeve të para operative për kohë lufte i DPB Tropojë i vitit 1987

-Grupi i parë, i drejtuar nga operativi Miti Kurici, zëvendëspërgjegjës Rushan Dervishi, duke pasur 20 ushtarë, vepronte në: Bajram Curri, Gri, Geghysen, Bujan. Do arrestonte 11 persona, duke pasur 11 zinxhirë e çelësa, 33 metra litar. Arrestimi mbaronte për 6 orë. Vendi i grumbullimit te Teqja e Grisë. Pastaj shkonin në pikën e Fierzës.

-Grupi i dytë, i drejtuar nga operativi Naim Muçalli, zëvendëspërgjegjës Mark Melani, duke pasur 20 ushtarë, vepronte në: Llugaj-Delvinë. Do arrestonte 11 persona, duke pasur 11 zinxhirë e çelësa, 33 metra litar. Arrestimi mbaronte për 6 orë. Vendi i grumbullimit te Përroi i Dunishës. Pastaj shkonin në pikën e Fierzës.

-Grupi i tretë, i drejtuar nga operativi Shpëtim Halili, zëvendëspërgjegjës Besnik Musa, duke pasur 6 forca, vepronte në: Lekbibaj, Peraj, Gjonpepaj, Btoshë, Curraj, Tetaj. Do arrestonte 9 persona, duke pasur 9 zinxhirë e çelësa, 27 metra litar. Arrestimi mbaronte për 6 orë. Vendi i grumbullimit te ura e re e lumit Mërtur. Pastaj shkonin në pikën e Fierzës.

-Grupi i katërt, i drejtuar nga operativi Veledin Meto, zëvendëspërgjegjës Abedin Et’hemi, duke pasur 4 forca, vepronte në: Margegaj-Dragobi-Valbonë. Do arrestonte 3 persona, duke pasur 3 zinxhirë e çelësa, 9 metra litar. Arrestimi mbaronte për 6 orë. Vendi i grumbullimit te poligoni i qitjes Margegaj. Pastaj shkonin në pikën e Fierzës.

Grupi i pestë, i drejtuar nga operativi Foto Çelari, zëvendëspërgjegjës Xhemal Skoqi, duke pasur 6 policë, vepronte në: Kasaj, Kojel. Do arrestonte 4 persona, duke pasur 4 zinxhirë e çelësa, 12 metra litar. Arrestimi mbaronte për 6 orë. Vendi i grumbullimit te përroi te Qafa e Mejdanit. Pastaj shkonin në pikën e Fierzës.

Grupi i gjashtë, i drejtuar nga operativi Gjergj Shusku, zëvendëspërgjegjës Gjergj Marku, duke pasur 7 policë, vepronte në: Pac, Kam, Kepenek, Berishë. Do arrestonte 5 persona, duke pasur 5 zinxhirë e çelësa, 15 metra litar. Arrestimi mbaronte për 6 orë. Vendi i grumbullimit në Radogosh. Pastaj shkonin në pikën e Fierzës.

Grupi i shtatë, i drejtuar nga operativi Agim Ramici, zëvendëspërgjegjës Esat Kulmaku, duke pasur 7 policë, vepronte në: Rajë, Tpla, Fierzë. Do arrestonte 4 persona, duke pasur 4 zinxhirë e çelësa, 14 metra litar. Arrestimi mbaronte për 6 orë. Vendi i grumbullimit në pikën e Fierzës.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular