BallinaRajoniAlbin Kurti, Aleksandër Vuçiç, Edi Rama, Donald Trump, Europa, Rusia dhe Kosova...

Albin Kurti, Aleksandër Vuçiç, Edi Rama, Donald Trump, Europa, Rusia dhe Kosova në mes

Nga Erl Kodra

“Miqtë e mi, siç e kam zbuluar vetë, këtu nuk ka fatkeqësi por vetëm mundësi. Dhe, me të vërtetë, ka mundësi për katastrofa të reja” Boris Johnson, Kryeministër i Britanisë së Madhe

Për të shkruar këtë shkrim m’u desh të largohem; domethënë, të largohem nga vetja, nga shtëpia, nga lagja, nga qyteti, nga shteti, të ngjitem lartë në majë të malit, të ndez një zjarrë bubulak, të marrë frymë thellë, të bëj një kafe të nxehtë, të ndez një cigare… dhe të shkruaj.

Prej aty, hodha sytë tek shqiptarët në Ballkan. M’u dukën të lodhur dhe të mërzitur, të zhgënjyer. Në fakt edhe unë ashtu jam, por unë duhet të ruaj largësinë e nevojshme për të parë më qartë; e kam fjalën për të kuptuar më mirë se çfarë është në të vertetë ajo reja e zezë që po i sillet rrotull Kosovës dhe Shqipërisë?

Lajmet nuk janë të mira. Por çudia është se lajmet e këqija nuk quhen më të tilla. Ndoshta veshët tanë u mësuan dhe nuk na bëjnë më përshtypje akrobacitë mbreslënëse të Kryeministrit Edi Rama. Por ç’ti bëjmë realitetit, kur na mbytë pafuqia jonë? Gjithsesi…

Ndërsa po mendoj për Kosovën dhe prespektivën e saj për t’u kthyer në një vend normal, shoh se Shqipëria është në ditët e saj më të zeza. E zhytur në një krizë të thellë politike, e varfër, e vjedhur, e kriminalizuar, e fundosur në imoralit, vrasje, aksidente, drogë, korrupsion dhe mashtrim publik. Mashtrime që kryhen hapur dhe pa brerje ndërgjegje nga lavire të përdala televizive. Gjithsesi…

Pastaj shoh se Kosova, ndryshe nga Shqipëria ka shpresë. Kosova zhvilloi zgjedhje demkratike që nuk kanë ndodhur ndonjëherë ndër shqiptarë. Qytetarët e Kosovës funksionojnë më qetësisht, edhe pse kanë sfida më ekzistenciale se sa qytetarët e Shqipërisë. Edhe atje ka boll burra të këqinjë, por për fat të mirë, nuk gjenden me shumicë si tek ne. Mund të ketë edhe të tjerë, por unë kam evidentuar dy të tillë; Hashim Thaçin dhe Baton Haxhiun.

Asnjëherë nuk do ta votoja Albin Kurtin, por sot Albin Kurti u duhet shqiptarëve më shumë se kurrë. Sepse, shikoni se çka po ndodhë, ndërkohë që bash në këto çaste në duhet të jemi syçelët, që të mos na i ndërrojnë zaret para syve.

Europa nuk është mirë. Po ashtu, edhe Amerika nuk është mirë. Serbia ka një president të fortë dhe dinak, që di të luaj mirë në skakierën e politikës botërore. Për më tepër në këto kushte të favorshme gjeopolitike, ku loja ka kaluar fazën e të ashtuquajturës “interesante”, sepse tani është bërë e rrezikshme. Mendojeni pak; ajo që mund të quhej një skenar i guximshëm hollivudian, sot është realitet. Presidenti i USA akuzohet nga gjysma e Amerikës si bashkëpunëtor i Rusisë. Sikur të mos mjaftonte kjo, Presidenti Recep Tayyip Erdoğan pasi i mbijeton një “grushti shteti”, shkon në prag të një përplasje me Rusinë, pastaj rikthehet për t’u bërë “aleate” e saj, ndërsa Siria digjet në flakët e ferrit. Pranvera arabe është një zhgënjim i thellë për njerëzimin, sepse prodhoi miliona viktima, dhunë dhe shkatërrime. Përfundimisht, Donald Trump lajmëroi me një Twitt se po largohet nga Siria, duke i lënë dorë të lirë baba Rexhepit të shkatërrojë aspiratat e popullit Kurd për pavarësi. Afganistani, Iraku, Irani, Arabia Saudite ziejn. Në fakt ato vende ziejn prej disa dekadash. Gjithsesi…

Por nuk mbaron këtu, sepse nga ana tjetër askush nuk e di se çka do të ngjajë më 31 Tetor mes Anglisë dhe Bashkimit Europian. Edhe Anglia ka zgjedhur për kryeministër një batutaxhi brilant. Nëse nuk e besoni, lexojeni postulatin e tij në krye të këtij teksti.

Si konkluzion kemi këtë pamje; një President amerikan të pazakontë, jo tradicional, i sulmuar nga brenda dhe nga jashtë, në nevojë absolute për një sukses ndërkombëtarë për arsye elektorale. Thonë se me metodat e tij po lufton establishment-in politik, por në të vertetë deri tani pa rezultat. Ka shumë mundësi që po e kërkon një sukses në politikën ndërkombëtare, dhe deri tani, dy janë mundësit: Koreja e Veriut dhe Kosova. Me sa duket Kim Raketa e ka kuptuar nevojën patetike të Presidentit Trump, ndaj ai po luan egër. Fundja, Koreja e Veriut është vertetë një shtet i fortë dhe i rrezikshëm, ndaj gjasat për sukses janë të vogla.

Opsioni i dytë është Kosova. Nëse e keni vënë re mirë, Presidenti Trump është shumë pragmatist, sepse në thelb ai mbetet një biznesmen i shkëlqyer. Si i tillë, kur ka dëgjuar kërkesat e shtruara më së miri nga Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, nëpërmjet një diplomacie të stërholluar, me siguri ka thënë se ky konflikt nuk zgjidhet pa marrëveshje, dhe deal-i duhet të jetë diçka e ndarë në mes. Pastaj, a nuk është një rajon me probleme të mëdha, sepse kemi Rusinë pas Serbisë, Turqinë që edhe ajo po lëvizë drejt Rusisë, Anglinë që po shkëputet prej Europës, Europën që nuk po gjenë koherëncën e saj, Kina, Japonia, India, Pakistani, Bangladeshi. Bota është e madhe dhe e tmerrshme, e mbushur me burra të poshtër që janë edhe Kryetar Shtetesh, dhe si e tillë, nuk është një mjedis miqësor për popujt e vegjël.

Ndaj t’i biem shkurt. Ta zgjidhim me marrëveshje Kosovën. Shqiptarët janë aleatët tanë. Ata janë dakort, Hashim Thaçi i pari, Edi Rama i dyti. Kush mendon se nuk është kështu, rrenë veten. Unë nuk kam asnjë arsye për të qenë në rregull me Presidentin Trump. Sepse unë nuk kam asnjë ambicie tjetër, përveç pasionit për të shkruar.

Edi Rama ka një kimi të shkëlqyer me Presidentin Aleksandër Vuçiç. Ditën e sotme, disa ditë para se Europa të thotë jo-në e rradhës për hapjen e negociatave me Shqipërinë, Edi Rama nënshkruan Bashkimin Ballkanik dhe shtrëngon duart fort me Presidentin e Serbisë dhe Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut. Kosova nuk ishte aty, sepse ajo nënkuptohej si diçka që ndahet mes Edit dhe Aleksandrit, si një problem që e kanë lënë për ta zgjidhë mes veti, dikur në një kohë të dytë. Akti u krye, u filmua, u mbajtën fjalmet e rastit. Ideja e Aleksandrit mori jetë, ndërsa Edi Rama, ky antirus i orëve të para, tha:

– Le të mos na lejojnë autorët ta quajm Shengeni Ballkanik, ne marrëveshjes tonë do t’i gjejmë emër tjetër. Po, ky burrë është anti-rus (lexo anti-serb) i paparë!

Albin Kurti do të jetë Kryeministër i Kosovës në kohën e duhur. Në ditët më të vështira, shqiptarët e Kosovës votojnë dy figurat më dinjitoze të historisë së tyre politike; Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin. Të rinjë, ambiciozë, të artikuluar mirë; Albini dhe Vjosa nuk vijnë në pushtet për asnjë arsye tjetër përveçse për t’i shërbyer Kosovës.

Thonë se politika është art i vështirë. Mundet të jetë ashtu, por në thelb çdo gjë në këtë botë është rezultat i vullneteve të njerëzve. Në këtë pikëpamje, vjen në pyetje se çfarë vullneti kemi ne shqiptarët? Kemi vullnet vetëm për t’iu nënshtruar fatit tonë tragjik dhe vullnetit të armiqve tanë? Apo duhet të gjejmë një njeri si Albin Kurti, që edhe po të mos e kishim, duhej ta shpiknim atë?!

Nesër rrjedha e lojës së politikës mund të jetë tjetër. Më saktë, lojtarët në fushë nuk do të jenë të njëjtët. Mundet, që për rrethana nga më të ndryshmet që nuk varen nga ne, bota të tjetërsohet ose përmirësohet. Ne nuk e dimë çfarë fati na ka rezervuar e nesërmja, por ne duhet të punojmë fort për një të nesërme më të mirë. Në këtë hapësirë shqiptarët kanë njëri tjetrin. Serbët dhe Serbia janë armiqtë tanë shekullor.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular