BallinaAktualitetReforma zgjedhore, Gazmend Bardhi: Ja qëndrimi i opozitës

Reforma zgjedhore, Gazmend Bardhi: Ja qëndrimi i opozitës

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi ka treguar qëndrimin e opozitës për reformën zgjedhore.

Duke folur për gazetaren Mirela Milori në AbcNews, Bardhi është shprehur se opozita dhe kreu i saj Lulzim Basha mbështesin një sistem zgjedhor mazhoritar.

Bardhi është shprehur se opozita është duke punuar për një draft të plotë të reformës zgjedhore.

Pyetje: Zoti Gjiknuri ka deklaruar se jemi të hapur për depolitizimin e administratës zgjedhore, duke mos përjashtuar edhe KQZ. Çfarë qëndrimi keni për ketë?

Gazment Bardhi: Dje nuk ka patur asnjë tryezë për reformën zgjedhore ku PD të ketë qenë e ftuar. Ka pasur një mbledhje të komisionit parlamentar, ku, normalisht, marrin pjesë deputetët e Kuvendit, Kuvend të cilin opozita e konsideron jo legjitim dhe të dalë nga zgjedhjet e manipuluara të vitit 2017, për te cilat ka edhe një hetim prej 2 vitesh të prokurorisë. Zoti Gjiknuri apo PS është palë në këtë proces dhe është palë e barabartë me opozitën. Pra, nuk mund ta trajtosh reformën zgjedhore sikur e ka në dorë njëra palë dhe po i bën nder palës tjetër. Qoftë PD, qoftë PS, sikundër edhe partitë e tjera politike në vend, janë aktorë të zgjedhjeve. Në momentin kur reformohen rregullat e lojës, secila prej partive politike është e barabartë në trajtimin apo ndërmarrjen e reformës që sjell rregulla të tjera loje për partitë politike në zgjedhje. Opozita e ka bërë të qartë qëndrimin e vet, që jemi të gatshëm, duke qenë se është kusht kryesor për hapjen e negociatave, që ditën e parë kur kjo çështje u kthye në një kusht të Bundestagut, opozita tha se do të japë kontributin e vet në reformën zgjedhore. Si mund të përfshihemi? Thjesht dhe vetëm duke siguruar barazi mes palëve në këtë proces.

Pyetje: Dhe cili është qëndrimi juaj në raport me administratën dhe depolitizimin e saj?

Gazment Bardhi: Në vitin 2019 ka patur një ndryshim të rekomandimit të dhënë nga dy palë zgjedhje të mëparshme për administratën zgjedhore. Nga një formulim që kërkonte depolitizimin e tyre dhe dhënien e kësaj komptence nëpunësve publikë, në raportin 2019, OSBE/ODIHR ka konstatuar se nëpunësit publikë, pra, shërbimi civil është i politizuar, i kontrolluar nga partia në pushtet, nën presionin e partisë në pushtet. Për këtë arsye, OSBE/ODIHR ka rekomanduar që të ndryshojnë procedura e propozimit të anëtarëve. Ne jemi të hapur për te parë modelet që garantojnë administratë zgjedhore të balancuar, që gëzon besimin e të gjitha palëve qe marrin pjesë në zgjedhje, sikundër një administratë zgjedhore që i bindet ligjit dhe jo urdhrave politikë. Përsa i përket KQZ është provuar që KQZ  është në pamundësi për të administruar zgjedhje të lira dhe të ndershme, sepse është kapur në flagrancë nga OSBE/ODIHR duke shkelur ligjin dhe duke zbatuar urdhra politikë, dhe kështu reformimi i KQZ dhe mbajtja përgjegjësi e anëtarëve aktualë për shkeljet gjatë votimeve moniste të 30 Qershorit, sigurisht janë kërkesa të opozitës dhe këtu biem dakord. Megjithatë, dua të theksoj se zgjedhjet në Shqipëri nuk vuajnë nga komisionerët, por nga blerja e votës dhe ky është rekomandimi nr 2 i ODIHR. Ne nuk mund të shkojmë tek rekomandimi 6, administrata zgjedhore pa zgjidhur rekomandimin 2.

Pyetje: Cili është qëndrimi juaj për sistemin zgjedhor

Gazment Bardhi: E kemi bërë publik qëndrimin. Ka një qëndrim të kahershëm të Kryetarit të PD, Lulzim Basha, i cili ka përkrahur publikisht sistemin mazhoritar të pastër. Lidhur me qëndrimin zyrtar të opozitës, ne jemi të hapur te diskutojmë për një sistem që garanton që qytetari të zgjedhë në mënyrë të drejtpërdrejtë përfaqësuesin e vet në Parlament. Por kjo, aktualisht, nuk është çështja prioritare që ka opozita. Fillimisht duhet të garantojmë që vota e qytetarit shqiptar lexohet drejt dhe më pas duhet të gjejmë sistemin qe do të aplikojmë për zgjedhje. Sepse, qoftë proporcional me vota të hapura, qoftë me lista të mbyllura, nëse vota e qytetarëve vidhet, nëse votuesit kërcënohen, nëse punonjësit e administratës publike janë nën presion për t’u pushuar nga puna, atëherë kjo votë nuk ka vlerë, cilido sistem zgjedhor të jetë.

Pyetje: Po punoni me ekspertët tuaj një draft?

Gazment Bardhi: Po. Ka një grup pune të opozitës së bashkuar, që po punon për çështjet që lidhen me reformën zgjedhore, qoftë çështje që kërkojnë adresimin e e rekomandimeve, për të cilin duhet vullnet politik, pasi rekomandimet e ODIHR nuk janë thjesht rekomandime për ndryshim ligji. Fenomeni i shitblerjes së votës është i rregulluar në ligj. E kemi ndryshuar Kodin Penal në 2017, kemi rritur në maksimum dënimet për këtë lloj vepre penale. Problemi në këtë rast është moszbatimi i ligjit dhe kjo nuk adresohet me ndryshime ligjore, por me vullnet politik për të mos u përsëritur fenomeni. Dhe ne duhet të gjejmë këtë mekanizëm qe garanton këtë vullnet politik. Me duhet të sqaroj që ky nuk është projektligj, por platformë që adreson problemet nga vullneti politik, tek ato teknike.

Pyetje: Nëse thirreni në një tryezë si ajo e OSBE, do ta paraqisni aty këtë platformë?

Gazment Bardhi: Absolutisht po. Nëse një tryezë e tillë thirret mga partnerët ndërkombëtarë, domethënë që është vënë në jetë mekanizmi i propozuar prej nesh.

Pyetje: Pra shkoni edhe nëse është Damin Gjiknuri?

Gazment Bardhi: Ne nuk diktojmë përfaqësuesin e palës tjetër. Kemi të drejtë te zgjedhim përfaqësuesin e palës sonë.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular