BallinaAktualitet"Dua të ftoj një të afërmin tim në SHBA, si të veproj?"...

“Dua të ftoj një të afërmin tim në SHBA, si të veproj?” Sqaron avokati amerikan

Gjyshja ime nuk ka qenë asnjëherë  në Shtetet e Bashkuara. Unë tashmë jam nënshtetas amerikan dhe do të doja që ajo të vinte dhe të na vizitonte mua dhe familjen time. E kam një punë, por nuk po bëj shumë para. Cili është proçesi që duhet të ndjekë një si unë?

GG

New York, New York

Si rregull, çdo shtetas i një vendi tjetër që dëshiron të hyjë në Shtetet e Bashkuara duhet së pari të pajiset me vizë, qoftë kjo një vizë jo-emigrimi për qëndrim të përkohshëm, apo vizë emigrimi për rezidencë të përhershme. Viza i lejon një shtetasi të huaj të udhëtojë drejt një pike hyrëse në Shtetet e Bashkuara dhe aty t’u kërkojë leje oficerëve të emigracionit për t’u futur në Shtetet e Bashkuara. Viza e “vizitorit” është vizë jo-emigrimi dhe zakonisht përdoret për të hyrë përkohësisht në Shtetet e Bashkuara për arsye biznesi, viza (B-1), për turizëm apo trajtim mjekësor, viza (B-2), një kombinim i këtyre arsyeve, viza (B-1/B-2).

Nëse arsyeja e vizitës së gjyshes është për turizëm, pushim, për të vizituar miq dhe të afërm ose për trajtim mjekësor, atëherë viza që duhet të marrë është B-2.

Oficeri konsullor i ambasadës apo konsullatës së Shteteve të Bashkuara është personi që do të vendosë nëse gjyshja kualifikohet ose jo për vizë. Ligjet e emigracionit të SHBA-së presupozojnë që çdo vizitor që bën kërkesë për vizë ka si qëllim të emigrojë aty, veç rasteve kur paraqet dokumenta që dëshmojnë të kundërtën. Si rrjedhim, gjyshja juaj duhet ta hedhë poshtë këtë presupozim duke treguar:

Që qëllimi i udhëtimit është të qëndrojë përkohësisht në Shtetet e Bashkuara për arsye biznesi, pushimi ose turizmi;
Që ka në plan të rrijë vetëm për një periudhë të caktuar dhe të kufizuar kohe.
Provë që ka fonde të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet në Shtetet e Bashkuara;
Që ka një banesë jashtë Shteteve të Bashkuara si dhe lidhje të tjera me vendin e saj të cilat garantojnë largimin nga Shtetet e Bashkuara në fund të vizitës.

Ju sugjerojmë që gjyshja të mbledhë sa më shumë dokumente që dëshmojnë që është e stabilizuar me punë në Shqipëri. Ajo duhet gjithashtu të sigurojë prova që tregojnë që ka anëtarë familjeje të afërt në Shqipëri si bashkëshortin apo fëmijë  si dhe duhet të sigurojë dokumenta që tregojnë se ka prona në Shqipëri. Më pas është oficeri konsullor që vendos nëse lidhjet me Shqipërinë janë aq të forta sa të garantojnë kthimin e saj aty pas vizitës në Shtetet e Bashkuara.

Gjithashtu, duhet të shkruani një ftesë për gjyshen, të cilën ajo duhet t’ia japë oficerit konsullor gjatë intervistës. Në letër duhet të përshkruani marrëdhënien me gjyshen, qëllimin e udhëtimit, vendet që ka në plan të vizitojë dhe njerëzit që mendon të takojë si dhe vendin/et ku do të qëndrojë. Është veçanërisht e rëndësishme të theksoni në ftesë që pas vizitës, ajo do të kthehet në Shqipëri. Nëse keni ndërmend të bëheni garant nga ana financiare, duhet të përshkruani dhe shpenzimet që do të mbuloni si ushqimin, strehimin, transportin dhe argëtimin.

Ligjet e emigracionit të SHBA-së nuk lejojnë që një nënshtetas i huaj të futet në SHBA në rast se ka të ngjarë që ai/ajo të bëhet barrë publike. Nëse keni ndër mend të mbuloni shpenzimet e gjyshes, atëherë do t’ju duhet të paraqisni një formular I-134 (Affidavit of Support) si dhe prova që dëshmojnë që keni të ardhura apo burime financiare të mjaftueshme për të siguruar që gjyshja nuk do të kthehet në barrë publike gjatë kohës së qëndrimit në SHBA. Pamundësia për të siguruar prova të ardhurash apo burimesh financiare të mjaftueshme mund të çojë në mosaprovimin e kërkesës për vizë. Si rregull, e ardhura minimale e pranueshme për katër persona (duke presupozuar që keni bashkëshorten/in dhe një fëmijë) është $32,187. Nëse nuk e përmbushni dot këtë kërkesë, atëherë do t’ju duhet të gjeni edhe një person të dytë që të bëhet garant.

Ju sugjerojmë të paraqisni dokumentat si më poshtë:

A. Deklaratë nga një punonjës i bankës ose i një institucioni tjetër financiar depozitues, në të cilën janë të shkruara detajet mbi llogarinë aty si vijon:

Data e hapjes së llogarisë;
Shuma totale e depozituar gjatë vitit të fundit; si dhe
Gjendja aktuale në të holla.

B. Deklaratë/a nga punëdhënësi juaj e shkruar në një letër me kokë të biznesit në fjalë, ku tregohet:

Data e punësimit dhe lloji i punësimit;
Rroga; dhe
Nëse pozita aty është e përkohshme apo e përhershme.

C. Nëse jeni i vetë-punësuar:

Kopje të dokumentit të fundit të taksave që keni paraqitur; ose
Një raport vlerësues i lëshuar nga një kompani e caktuar, që dëshmon kredibilitetin dhe fuqinë e biznesit tuaj.

D. Listë që përmban numrat serialë dhe emërtimet e obligacioneve si dhe emrin  e zotëruesit/sve të tyre nëse janë të regjistruar.

Ju bëjmë të ditur që nëse në formularin I-134, në mënyrë të vetëdijshme dhe të vullnetshme, fallsifikoni apo fshihni një fakt konkret ose paraqisni një dokument të rremë, viza nuk do t’ju jepet ose do t’ju anullohet dhe ju vetë mund të përballeni me gjoba të rënda dhe mund të ndiqeni penalisht për krim.

Gjyshja duhet të bëjë kërkesë për vizë pranë ambasadës së Shteteve të Bashkuara kohë përpara datës së nisjes. Hapi i parë për këtë qëllim është formulari DS-160 për vizë jo-emigrimi që gjendet online.  Pasi gjyshja të ketë paraqitur formularin DS-160, ajo duhet të printojë fletën konfirmuese dhe ta marrë me vete si provë në intervistë. Ajo duhet të paguajë gjithashtu tarifën për aplikimin për vizë, nëse kjo kërkohet në momentin që paraqet kërkesën online. Pas kësaj duhet të caktojë takimin për intervistë në ambasadën amerikane. Për të mësuar se si të caktoni një takim për intervistë, si të paguani tarifën për aplikim, hidhini një sy instruksioneve specifike të dhëna nga ambasada. Mund të mësoni akoma më shumë nëse vizitoni faqen e internetit të ambasadës së Shteteve të Bashkuara në adresën elektronike Ambasada së SHBA në Shqipëri.

Koha e pritjes për caktimin e takimit për intervistë me aplikantin varion, ndaj dhe ju inkurajojmë ta dërgoni herët aplikimin për vizë. Departamenti i Shtetit të SHBA-së nuk mund të japë paraprakisht asnjë garanci lidhur me lëshimin e vizës, prandaj nuk duhen bërë plane përfundimtare udhëtimi dhe nuk duhen blerë bileta që nuk mund të kthehen pa u lëshuar viza më parë. Me përjashtim të rasteve kur anullohet, viza është e vlefshme deri në datën e skadimit. Vizitorëve nuk u lejohet të punësohen pa leje gjatë kohës së qëndrimit në SHBA.  Nëse oficeri konsullor e sheh të arsyeshme të mos e japë vizën, aplikanti mund të bëjë sërish kërkesë nëse ka siguruar prova të reja të cilat e hedhin poshtë arsyen e refuzimit të vizës.

Shpresojmë që gjyshja juaj ta marrë sa më shpejt vizën dhe të vijë në SHBA për t’u takuar me familjen tuaj. I inkurajojmë njerëzit që të konsultohen me një profesionist në fushën e emigracionit lidhur me çështjen që u intereson në veçanti. Lexuesit mund të gjejnë gjithashtu informacion shtesë në faqen e internetit të Shërbimit të Emigracionit (USCIS):  www.uscis.gov /GAZETA YLLIRIA

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular