BallinaKultureNaim Plaku, bashkëpunëtor i urtë e krijues i spikatur

Naim Plaku, bashkëpunëtor i urtë e krijues i spikatur

Nga Esat Ruka

Naim Plaku nuk ishte thjeshtë një talent krijues në fushën e poezisë së këngës. Ai ishte një gjurmues e mbledhës i vlerave të folklorit, një përpunues e klasifikues i tyre dhe një botues e promovues i kualifikuar e serioz. Me botimet e tij studimore ai ka pasuruar opusin e etnologjisë kombëtare si dhe ka prezantuar me dinjitet vlerat e trashëgimisë së zonës së tij. Dashuria për këto vlera të vendorigjinës, Sllovës e kishin frymëzuar edhe si qytetar e si intelektual.

Naim PLaku, ai burrë i imët, ai krijues i njohur, ai njeri fisnik dhe edukator modest, por i diferencuar, kishte “fituar imunitetin” për të mos pritur vlerësime administrative e publike të këtyre përmasave.

Me krijuesit, produktin e të cilëve e ndesh në skenë, shpesh njihemi me emrin e tyre nëpërmjet krijimtarisë më parë se fizikisht. Kështu ka ndodhur midis meje dhe z. Naim Plaku. Nëpërmjet ëmbëlsisë së vargut, figurave të zgjedhura, leksikut të përdorur apo fabulës së ndërtuar të krijonte përfytyrimin se ke të bësh me një njeri trupmadh e energjik, e herë herë delikat e të brishtë. Padyshim jehona e krijimtarisë së tij poetike e vënë në gojën e interpretuesve dhe zërave cilësorë të Peshkopisë si Arif Vladi, Qerim Sula, Sajhe Poleshi, Liri Rasha, Vera Laçi etj do nxitëte interesimin e çdo krijuesi serioz . Kjo ndoshta edhe për shkak të tipareve të përafërta në krijimtarinë shpirtërore në disa zhanrre artistike si treva fqinje.
Skena e Kalasë së Gjirokastrës ishte parada më prestigjioze e anonimatit artistik, ku derdhej mozaiku dhe ashti më i fosforizuar i krijimtarisë popullore. Shumë kontribute krijuese “shkrihen” breda kritereve të atij Festivali. Sigurisht do të shkonte “haka tek i zoti”, tek populli, por individualitetet krijuese i “hante” anonimati kolektiv. Kështu ka ndodhur ka shekuj, ka mote…
Epika historike do të shungullonte në krijimet e Naimit si një vullkan, sepse të parët e tij kishin derdhur shumë gjak e lot në shumë luftra me turqit, austriakët, sllavët etj.
Vargjet:

Moj Kosovë me ksulë të bardhë,
Shtati yt me dyzet plagë,
Shtati yt është bajrak i gjallë
Sa mirë po i rrin hasmit përballë…,
muzikuar nga kompozitori Përparim Tomçini dhe kënduar nga Arif Vladi, i çonin peshë zemrat e shqiptarëve duke mbajtur të ndezur shpirtin e lirisë e të drejtave kombëtare përballë represionit serb dhe qëllimeve shfarosëse ndaj kosovarëve.
Kënga “Na këndojnë pushkët nëpër kulla” është ndër krijimet më të bukura, e paraqitur në FFK Gjirokastër 1983. Ai hit shumë shpejt depërtoi në shpirtin e dëgjuesit, si një portretizim heroik i dibranit. Një krijim perfekt, ku shkrihen në mënyrën më origjinale të gjithë elementët përbërës që e bëjnë të dashurohet një këngë: muzika, teksti, interpretimi dhe shoqërimi muzikor.

…Dridhen malet, jo nuk tunden kullat
N’log t’mejdanit maten burrat,
Se lëshojmë pllambën pa i ndërrue kësulat
…Kadal hasëm se këtu ka burra
Na këndojnë pushkët nëpër kulla
Ta shtrojmë vendin pllambë e plumba…
Kjo këngë sintetizon qëndrimin e gjeneratave shqiptare në mbrojtje të lirisë dhe dinjitetit, një solidaritet breznishë që ushqen dinjitetshëm të drejtën për të trashëguar vlerat e të parëve në trojet stërgjyshore. Padyshim që përballë një teksti të tillë, “që të ngjeth mishtë”, shkruar me mjeshtëri e talent, e realizuar estetikisht edhe nga kompozitori e këngëtari, do të ngjiteshin natyrshëm në obeliskun e një legjende që do të jetojë gjatë.
Po kaq me ëndje janë ndjekur edhe lirikat bukura të luginës së Drinit, këngët e kurbetit, apo të dashurisë, mbasi mjeshtri i vargjeve ishte mëkuar me larminë dhe begatinë e madhe të krijimtarisë anonime dhe kishte hyrë natyrshëm në “lëkurën” e traditës popullore, sa bëheshin menjëherë pronë e dëgjuesit dhe krenari e nahijes së tij.
“Këndojnë dy bilbila”, ishte bashkëpunimi im artistik me poetin Naim Plaku. Duetin e kam kënduar me këngëtaren e mirënjohur Iris Bega dhe grupin vokal i Ansamblit të Këngëve e Valleve Popullore, me figura të bukura personifikime e similituda të pasurisë së natyrës shqiptare:

Djali: ”mollë o moll me bojë,
mollë, mollë bojë alli”…
Dil moj dil në derë, se më dogji malli,

Vajza: Pëllumb, pëllumb i bardhë,
pëllumb, pëllumb i shkrue
ku po don me dalë, pse don me m’trazue, ….
Në këngë dialogohet thjeshtë e bindshëm pa moralizime, por me ndjenja të brendëshme deri në krijimin e një atmosfere njerëzore:
këndojnë dy bilbila, këndojnë e s’pushojnë
derdhen në lindina, qeshin e gëzojnë
Çelin trëndafilat-o hapen si zambak
dy bilbila mali, këndojnë për marak…
Naimi, në autorësinë e teksteve të këngëve, kishte rolin e primatit në Peshkopi duke u dalluar në bashkëpunime me krijues të muzikës si Përparim Tomçini, Edmond Zhulali, Xhelil Imeri, Xhevat Fana etj.
Por duhet thënë që, si çdo krijues tjetër, Naim Plaku nuk mund t’i shpëtonte orientimit të kritereve të politizuara të sistemit diktatorial. Padyshim s’mund të ishte ndryshe. Patetizmi apo fryma e pseudorealitetit do të spërkasnin ideologjikisht tituj apo vargje të këngëve të tij. Nuk janë të pakta rastet, sidomos në letërsi dhe në arte, kur shkruan dora e krijuesit dhe jo shpirti e kthjelltësia e mendjes së tij. Ky ka qenë fati i krijuesve në epokën e “realizmit socialist”.
Përse të mos e themi që Naim Plaku ishte patriot !?
A nuk është fryma racionale e nacionalitetit të tij që i buronte gjenetikisht për t’u orientuar drejt vlerave të historisë e traditës së nahijes së vet? Angazhimi i një krijuesi ndaj subjekteve historike, mendoj se nuk është vetëm çështje arsimimi. Ky inspirim është në radhë të parë një borxh ndaj origjinës së tij, qëndrimit të të parëve në marrëdhënie me traditat, historinë, kombin dhe gjuhën e normat zakonore, filozofinë etj. Dhe s’ka se si Naim Plaku të mos ishte i tillë, kur pikërisht për këto tipare e kontribute ai tkurrej e anashkalohej si një element dyshues. Prandaj edhe krijuesve, jo rrallë i ndodh ai pështjellim artikulimi në publik, ku ish persekutorët e djeshëm flasin për ‘të si të mos kishte ndodhur asgjë me kufizimet, dyshimet apo shpërfilljet ndaj tij. Por për këto çështje ndoshta flasin kolegët e tij dibranë.
“I kujtoj vitet e fëmijërisë afër dajës poet, teksa krijonte në verandën prej çimentoje, ku me orë të tëra punonte duke shpenzuar dhjetra fleta të bardha për të “gjetur” fjalët apo shprehjet e duhura që të miratoheshin nga “specialistët” drejtues të festivalit” tregon Afrim Çenga.
Kishte 117 fleta të shkruara mbi tavolinë dhe vazhdonte të shkrunate e të prishte. E pyes:”pse e ke shkruar tekstin e këngës të përsëritur disa herë njëlloj”? Jo më thotë nuk janë njëlloj, kanë disa ndryshime të vogla, por duhet t’i kemë në disa variante që t’u pëlqejnë drejtuesve, sepse ato bëjnë verejtje dhe po nuk u pëlqeu e heqin fare krijimin?”, më thoshte. Mbi një fletë tymoste disa orë pa lëvizuar vendit – thotë ing. Afrimi, teksa i mbushen sytë me lot për dajën. Por Afrimi nuk nguroi të thoshte se, “daja Naim, në fillimet e pluralizmit na porositi: “Në rast se doni, aktivizohuni nëpër subjekte politike, por jo shumë larg nesh…” Ai donte të thoshte se: “i kujtoni diferencimet që kemi provuar e vuajtur duke qenë nipa të “Gjeneralit me shajak”, trimit Elez Isufi. Këtu nipi Afrim ndoshta ndjente njëfarë borxhi ndaj këshillës së dajës dhe u kujtonte se nipave te “gjeneralit” nuk u takonte të rreshtoheshin me persekutorët e dajave.
Talenti dhe puna e Naim Plakut, si e çdo artisti e krijuesi, tejkalon kufizimet ideore e pengesat qofshin këto edhe të qëllimta edhe për shkakun madhor e fatlum se Zoti i Madh ka dhuruar tek këto qenie njerëzore cilësi e veçori për të ushqyer e fisnikëruar shpirtin e mendjen të tjerëve, për të adhuruar të bukurën e të dobishmen, për të lartësuar dijen e për të ndriçuar historinë e kulturën.

* * *

Me konsolidimin dhe dimensionimin e normave Statutore, QKVF, për periudhën 2006 – 2014, u ishte drejtuar me sukses promovimit të disa institucioneve, zhanreve e formacioneve artistike apo individëve, që ishin futur me dinjitet në fondin kombëtar të artit e kulturës.
Në maj 2009 i erdhi radha 60 Vjetorit të Ansamblit “Kuvendi” në Zall Dardhë të Peshkopisë. Si njohës i imët i veprimtarive kulturore, por edhe si krijues shumë original, Naim Plaku, u caktua për të hartuar libretin e veprimtarisë, që më vonë u përdor për filmin dokumentar të atij Përvjetori. Kështu poeti, gjurmuesi i folklorit dhe botuesi i tyre çmohej më shumë se një bashkpunëtorë i yni i zakonshëm. Kërkesën e bërë nga ana jonë për organizimin e një veprimtarie kushtuar kontributit të Tij krijues nga ky institucion shtetëror profesionist Naimi e pret me gëzim dhe me besim të plotë. Ai kishte integritet dhe ishte racional në konsideratat për institucionet.
Gjatë jetës krijuesit, me përvojën e tyre kanë arkivuar në memorien kolektive vlera që kanë ndriçuar, kanë argëtuar apo kanë promovuar ide, histori e bëma nëpër gjenerata. Njohja e krijimtarisë, respekti ndaj personaliteteve dhe artit, përbëjnë kolonat e politikave kulturore të shtetit. Zbërthimi dhe trajtimi i këtyre politikave kulturore është detyra themelore e organizmave drejtues e specialistëve, duke respektuar origjinalitetin e koherencën në përshtatje me rrethanat specifike.
Periudha e tranzicionit politiko-ekonomik dhe denatyrimi i origjinalitetit të vlerave tronditi thellë psiqikën krijuese të artistëve. Deformimi dhe eliminimi i shumë emrave të mëdhenj e kishin thërmuar ashtin e origjinalitetit tradicional duke i vënë krijuesit e ndërgjegjshëm përpara një sugjestioni intelektual. Kërkohej, rishikuar dhe rindërtuar sipas një mendësie të re. Emrat e mirënjohur mund dhe duhet t’i rezistonin “tregut” artistik. Ky “treg”, “lulëzoi” masivisht vrullshëm duke breshëruar këngët, vallet, rapsoditë, humorin e deri te veshjet popullore. Pra duhej veshur një “kostum” i ri krijues. Dhe kjo do të kërkonte kohë, guxim, vendosmëri, por edhe profesionalizëm e koherencë.
I ceka këto të vërteta në këtë punim, pasi janë specifike për një arsimtar si Ai, që ka punuar mbi 40 vite në shkolla me të rinj dhe të reja, në sektorin më të infektuar politikisht. Ajo ideologji u përpoq me program të çrrënjosë e të shtrembërojë historinë e traditat, të luftojë e të survejojë çdo vatër e prag të shëndoshë, të varfërojë e të shkatërrojë çdo kostitucion njerëzor tradicional, të mënjanojë e anatemojë superstrukturën krijuese intelektuale vetëm e vetëm se predikonin vlera e ide që nuk përkëdhelnin ideologjinë komuniste. Frika e terrori kërcënonin hapur e në çdo moment. Puna dhe misioni i një krijuesi letrar a mësuesi s’mund të përmendte Fishtën. Atij i kërkohej të argumentonte e të mbronte para nxënësve vrasjen nga komunizmi të një bashkëkrahinasi, të mos mund të përmend në familje emrin e dajës etj.
Plotësimi i këndit të emulacionit socialist me shifra të rreme, kur thahej buza e një kooperativisti për një gotë dhallë, kur diskretitohej një fshatar se agjëronte ramazan, apo gjobitej e i rrezikohej tesera e anëtarit të Frontit se nuk nxirrte gruan rregullisht në punët e kooperativës. Këto fakte rrënqethëse e shumë të tjera, përbënin objektin kryesor të punës së një intelektuali në fshat i cili duhej t’i reflektonte në përditshmërinë e kumtit të tij krijues e profesional.
Është e vërtetë se filozofia popullore në odat e asaj nahije është e vjetër dhe interesante. Por shumë subjekte të alegorisë dibrane kanë protagonizmin e pasluftës së Dytë botrore. Kundërshtia dhe mëllefi ndaj përdhosjes së traditës kërkonte të gjente mënyra për t’u ndërtuar e për t’u shprehur.
Ciceroni nënvizon se: “Të mos dish çfarë ngarjesh kanë kaluar para nesh, është sikur të duam të mbetemi përgjithmonë fëmijë”. Asnjëherë mendoj se nuk mund të quhen të tejkaluara reagimet ndaj atyre situatave vrastare, sidomos kur është fjala për të bërë bilance krijuesish. Në se është konfirmuar deviza se “njeriu është produkt edhe i rrethanave shoqërore”, atëherë analistët e promovuesit e sotëm duhet të buçasin se heshtja ndaj kriuesit është vrastare për punën e tij.
Duke i çmuar cilësitë e krijuesit dhe duke i njohur cilësimet e tij si i defaktorizuar, ndjenim një detyrim të dyfishtë të ofronim një trajtim më njerëzor e profesional.
U fillua menjëherë për platformizimin e realizimit të një veprimtarie të plotë promovuese me krijimet, opinionet dhe rrezatimin e punës dhe jetës së Naim Plakut. Padyshim bashkëpunimi ynë me Shoqatën e Intelektualëve të Dibrës në festimin e 70 Vjetorit të lindjes së tij dhe ndarja e detyrave në mënyrë komplementare ishte faktor me rëndësi dhe me ndikim. Artistët dibranë, simpatizantët e artit dhe krijimtarisë së tij, Qendra Kulturore e Peshkopisë, kolegët dhe donatorët demostruan një solidaritet dhe vlerësim profesional e njerëzor.
Por, nostalgjia për politikën mjerisht dominon edhe kur jemi në shtratin e vlerësimit të figurave të artit. Ja fakti: Nuk e dinim të gjithë që në këtë 70 Vjetor do të marrë pjesë edhe z. A. Ahmeti- lider i të majtëve shqiptarë në Maqedoni. Drejtues të Shoqatës së Intelektualëve u shfaqën më të prokupuar për pritjen e “miqëve” të politikës, aq sa u mbeti pa siguruar edhe media për të regjistruar aktivitetin që mbahej në sallën e TKOB. Kjo, si pakuptuar, dëshmoi një çvendosje të protagonizmit të mbrëmjes së asaj nate.
Por unë tjetërkund dua të fokusohem.
Ai burrë i imët, ai krijues i njohur, ai njeri fisnik dhe edukator modest, por i diferencuar, kishte “fituar imunitetin” për të mos pritur vlerësime administrative e publike të këtyre përmasave. E si mund të mos i pështilleshin në grykë shumë “shpërthime” të furishme emocionesh të ndrydhura apo të mbështjellura si në një anxhajk duhani.
E në anxhajkun e rrugëtarit: eshka, duhani, unuri, gjethet e cigarishtja shtrëngonin njëra – tjetrën, ngrohnin e ftohnin njëra-tjetrën?. Ky rrugëtari ynë – poet, anxhajkin nuk e kishte me djeg kashtën e ndokujt apo me tymos ara e bashtina të fshatit. Ai e kishte me ngrohë e flladit frymëzimin në përjetësimin e historisë dhe kulturës së kombit të vet. E kishte për të shëruar plagët e shpirtit të helmuar nga ideologjia meskine që kishte shoqëruar për 50 vite diferencimin e ajkës së shqiptarizmës edhe në familjen e tij. Tek poeti, vetë motivet luftonin brenda kumtit, krijues se kush duhet të dilte më parë: duhani, masati, unuri, cigarishtja, apo…
Naim Plaku kishte “vrarë” gjumin për të përzgjedhur temën, protagonistin, fjalën, ngjarjen, fabulën, e figura të tjera. Ai kurrë nuk e kishte menduar e besuar se një ditë adhuruesit e artit të tij kishin akumuluar dashurinë dhe respektin për fjalëmirin e shpirtbukurin e tyre Naim dhe prisnin rastin fatlum të shprehnin mirënjohjen ndaj Tij. Pra, krijuesi nuk preferon të hyjë “siç hyn elefanti në një dyqan me qelqurina”. Por me elegancën e njeriut të thjeshtë e të butë, me mençurinë e talentin e krijuesit fiton meritën të futet në zemrat e dëgjuesit dhe të mbetet ne historinë e vlerave të trashëgimisë kulturore kombëtare.
Teksa pinte ndonjëherë kafe dhe një gotë raki me ne organizatorët e veprimtarive kombëtare, Naimi e ndjente angështinë për deformimet e denatyrimet artistike, por me modesti kalonte në lavdërime e fjalë miradie për institucionin tonë. QKVF, vlerësonte ai, po bën një punë mjaft serioze e profesionale me pasion e përkushtim. Madje, ju ja kthyet skenës edhe një herë vlerat e krijimtarisë anonime me mjaft densitet e dimension profesional….
Naim Plaku nuk ishte thjeshtë një talent krijues në fushën e poezisë së këngës. Ai ishte një gjurmues e mbledhës i vlerave të folklorit, një përpunues e klasifikues i tyre dhe një botues e promovues i kualifikuar e serioz. Me botimet e tij studimore ai ka pasuruar opusin e etnologjisë kombëtare si dhe ka prezantuar me dinjitet vlerat e trashëgimisë së zonës së tij. Dashuria për këto vlera të vendorigjinës, Sllovës e kishin frymëzuar edhe si qytetar e si intelektual. Naimi nuk i përdorte alegorinë dhe fjalën e mençur të trevës së vet për të stigmatizuar, apo fshikulluar fenomene a individë, por për të plotësuar metaforën apo fabulën në tekstet e këngëve të adresuara. Në fillim vitet ’50 të shek. XX, im atë ishte kthyer nga Dibra me thesin pa misër për fëmijët. Sot, unë dhe fëmijët e mi, me falenderimin e artistit dhe mirënjohjen e kolegut dhe të mikut, në bibliotekën tonë kemi botime të krijuesit, folkloristit, seleksionuesit, klasifikuesit dhe botuesit Naim Plaku, me dedikimet e tij plot dashuri e thjeshtësi, siç ishte ai. Në repertorin e këngëve të mija duetin lirik “Këndojnë dy bilbila” e ruaj të shenjtë e të çmuar për vete, për artdashësit e sidomos për të paharruarin Naim Plaku. Marre nga Rruga e Arberit 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular