BallinaKryesoreSi po vidhet Shqipëria përmes kapitalizmit të katastrofës

Si po vidhet Shqipëria përmes kapitalizmit të katastrofës

Nga Klodian Tomorri

Ka një mënyrë tmerrësisht efikase për t’i zhvatur njerëzit pa asnjë rezistencë. Prit për një krizë. Nëse kriza nuk vjen, atëherë shkaktoje. Në kohë krizash njerëzit janë jo vetëm të trembur, por edhe të shpërqëndruar emocionalisht për të reaguar ndaj padrejtësive. Në këto situata elitat e pushtetit e kanë më të lehtë të shtyjnë përpara politika zhvatëse pa hasur rezistencë. Ky është thelbi i kapitalizmit të katastrofës.

Në fakt, ky është një fenomen po aq i vjetër sa edhe vet njerëzimi. Por për herë të parë shkencërisht, koncepti u elaborua nga Naomi Klein. Një aktiviste sociale nga Kanadaja, në vitin 2007 Klein publikoi një libër, ku argumenton se thuajse të gjitha krizat përdoren nga elita për të nxjerrë fitime mbi vuajtjet e shumicës.

Kjo është një taktikë brutale, por që funksionon gjithmonë. Dhe Shqipëria tashmë është shndërruar në një habitat, ku kapitalizmi i frikës po aplikohet masivisht.

Në 21 shtator, zona më e banuar e Shqipërisë ajo e Tiranë-Durrësit u godit nga një tërmet relativisht i fuqishëm. Teksa qytetarët ishin në kulmin e panikut, menjëherë u vu në jetë doktrina e shokut.

Dy ditë pas tërmetit, kryeministri Edi Rama deklaroi publikisht se qeveria do të gjente një zgjidhje përfundimtare për dëmshpërblimin e banorëve që goditen nga fatkeqësitë natyrore. Në kohë rekord, Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare hartoi projektvendimin, i cili detyron qytetarët të paguajnë me forcë tarifë tek kompanitë private të sigurimit për apartamentet që ndërtohen rishtaz. Me urgjencë qeveria e miratoi dhe po me urgjencë, Ministria e Financës dhe Infrastrukturës nxorrën udhëzimin e përbashkët. Të gjitha këto në vetëm dy javë.

Përdorimi i frikës kolektive për të fituar para padrejtësisht është një politikë e pamoralshme, korruptive, por mbi të gjitha ekonomikisht inefiçente. E pamoralshme sepse krijon treg me ligj. Korruptive sepse garanton fitime për një grusht njerëzish në kurriz të shumicës. Inefiçente sepse nuk zgjidh asgjë.
Nëse Shqipëria do të goditej nga një tërmet, që shkakton 200 milionë euro dëme, cila nga kompanitë e sigurimeve mund të marrë përsipër kompesimin e kësaj fature?

Bota është e mbushur plot me shembuj se si në rastet e katastrofave të mëdha, kompanitë e sigurimeve falimentojnë duke i lënë të siguruarit me gisht në gojë. Nga përmbytjet në Britani, tek sulmi i Kullave Binjake apo zhdëmtimi i pacientëve për ilaçet e dëmshme ne SHBA. Gjithmonë ndodh e njëjta gjë. Kompanitë e sigurimit falimentojnë dhe gjithmonë kostot përplasen në buxhet.

Por në këtë rast qëllimi nuk është të garantohet shpërblimi i qytetarëve dhe mbrojtja e buxhetit. Por krijimi i një tregu për të nxjerrë fitime të padrejta. Një ide, të cilën AMF e ka patur në axhendë prej kohësh dhe që tani ja doli ta realizojë.

Por sigurimit të detyrueshëm i banesave nuk është shembulli i vetëm i kapitalizmit të katastrofës. Të njëjtën metodë, qeveria tentoi të përdorë edhe tek Teatri Kombëtar duke përhapur narrativën se godina po shembet dhe mund të vrasë artistët. Ndaj nevojitej një ligj special për të shpëtuar artistët, edhe pse ligji special fal gati 8 mijë metër tokë publike tek privati. Shumë shpejt, episodi i radhës i kësaj taktike brutale do të jetë privatizimi i ujit. Së pari do të nis, përhapja e frikës se uji është I dëmshëm dhe mund të sëmurë popullatën. Më pas do të prezantohet zgjidhja, konçesion tek privati.

Mirësevini në Republikën e Kapitalizmit të Katastrofave.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular